Home » Sahabet » Ummu Seleme r.a. – Dijetare e fikhut

A di se kush është Ummu Selemeja!? Sa i përket babait të saj, ai është njëri prej zotërinjve të Mahzumijve të njohur dhe njëri prej bujarëve të rrallë arabë. Ai quhej “furnizues i kalorësve”, sepse udhëtarët nuk i lënte të furnizoheshin vetë nëse ia mësynin shtëpive të tyre apo shkonin në shoqërinë e tij.

Burri i saj është Abdullah ibnu Abdul Esedi, njëri prej dhjetë të parëve që ka pranuar fenë Islame. Para tij fenë Islame e kishte pranuar Ebu Bekri dhe një grup i vogël, që nuk arrinte numrin e gishtërinjve të dy duarve.

Emri i saj është Hind, mirëpo ajo më vonë mori ofiqin Ummu Seleme dhe u bë e njohur me këtë emër.

*  *  *

Ummu Selemeja e pranoi fenë Islame së bashku me burrin e saj, kështu që edhe ajo pati nderin të jetë prej muslimanëve të parë.

Posa u përhap lajmi se Ummu Seleme dhe burri i saj e kanë pranuar fenë Islame, kurejshitët u ngritën në këmbë dhe filluan t’i keqtrajtojnë dhe t’i torturojnë me të gjitha mjetet në disponim. Mirëpo, ata u përballuan të gjitha torturave dhe nuk u përulën.

Mirëpo, kur torturat dhe mundimet u bënë të padurue-shme dhe atëherë kur Pejgamberi a.s. u lejoi sahabë-ve të vet të shpërngulen në Abisini, ata të dy ishin në krye të muhaxhirëve.

Ummu Selemeja së bashku me burrin e saj shkoi në një vend të huaj duke lënë në Meke shtëpinë e saj të bukur, tërë pasurinë që kishte dhe farefisin e saj, duke kërkuar kënaqë-sinë e Allahut xh.sh. dhe duke llogaritur në shpërblimin e Tij.

Edhe pse Ummu Selemeja dhe muslimanët ishin nën mbrojtjen e Nexhashiut, Allahu ia shëndritë fytyrën e tij në xhenet, mirëpo malli për Meken, djepin e Shpalljes, si dhe dashuria për të Dërguarin e Allahut, burimin e udhëzimit, ia përvëlonte zemrën e saj dhe të burrit të saj.

Në Abisini kishin arritur lajmet se numri i muslimanëve në Mekë ishte rritur dhe pranimi i Islamit nga ana e Hamza ibnu Abdul Muttalibit dhe Omer ibnul Hattabit i kishte forcuar radhët e tyre dhe persekutimet e kurejshitëve ishin pakësuar. Kjo bëri që një numër i muhaxhirëve të kthehet në Meke nga malli dhe dashuria për vendin e lindjes. Në mesin e tyre ishin Umu Selemeja dhe burri i saj.

*  *  *

Mirëpo, me t’u kthyer në Meke, muhaxhirët u zhgënjyen dhe kuptuan se lajmet që u kishin arritur në Abisini nuk kishin qenë të vërteta. Me kalimin e Hamzës dhe Omerit në fenë Islame, kurejshitët vetëm kishin shtuar edhe më shumë reprezaljet e tyre ndaj muslimanëve.

Pabesimtarët shpikën llojlloj metodash për torturimin e muslimanëve, kështu që ata përjetuan vuajtje të papërshkrueshme.

Kështu, Pejgamberi a.s. u lejoi sahabëve të tij të shpërngulen për në Medinë. Ummu Selemeja dhe burri i saj vendosën të jenë prej muhaxhirëve të parë, për ta shpëtuar fenë e tyre dhe për t’u shpëtuar torturave të kurejshitëve.

Mirëpo, kësaj radhe shpërngulja e Ummi Selemes dhe e burrit të saj nuk do të kalojë lehtë, ashtu siç e kishin menduar. Por, ajo ishte e vështirë dhe e hidhur dhe pas vetes la një tragjedi, para së cilës çdo tragjedi tjetër është e lehtë.

Po ia japim fjalën Ummi Selemes të na rrëfejë për tragjedinë e saj. Ndjenjat e saj janë më të thella e më të fuqishme dhe përshkrimi i saj është më i hollësishëm dhe më i plotë.

Ummu Selemeja rrëfen e thotë:

– Pasi Ebu Selemeja vendosi të shkojmë në Medinë, përgatiti për mua një deve, më hypi në të e në prehërin tim vendosi fëmijën tonë, Selemen. Pastaj u nis dhe e kapi devenë për dore, duke mos i shkuar mendja për asgjë.

Para se të dilnim prej Mekës na panë disa njerëz të fisit benu Mahzum. Na dolën përpara dhe Ebu Selemes i thanë:

– Nëse nuk na ke pyetur për veten tënde, a thua, çka je duke bërë me gruan tënde? Ajo është bija jonë. A mendon se ne do të lejojmë ta marrësh atë prej nesh e të shkosh me të kah të duash?

Pastaj iu vërsulën atij, mua më zbritën me dhunë prej devesë dhe më morën me vete.

Posa i panë ata njerëzit e fisit të burrit tim, beni Abdul Esed, duke më marrë me dhunë mua dhe fëmijën tim, u hidhëruan për së tepërmi dhe thanë:

– Jo, për Zotin. Nuk ua lejojmë djalin që tonë ta marrë bija juaj, pasi ju ia morët me forcë vëllait tonë. Ai është fëmija ynë dhe ne kemi të drejtë në të.

Pastaj nisën ta tërheqin fëmijën tim, Selemen, para meje të dy palët, derisa ia nxorën dorën dhe e morën djalin me vete.

Për një çast e gjeta veten të vetmuar, pa askë.

Burri im u nis në drejtim të Medinës, duke ikur për të shpëtuar fenë dhe vetveten, kurse djalin tim e rrëmbyen njerëzit e benu Abdul Esedit para duarve të mia të copëtuara e të sakatosura.

Mua më morën njerëzit e fisit benu Mahzun dhe më dërguan në shtëpitë e tyre, kështu që për një çast mbeta pa burrë dhe pa birin tim.

Prej asaj dite, çdo mëngjes dilja në shkretëtirë dhe ulesha në vendin ku më kishte ndodhur tragjedia. Rikujtoja momentet e ndarjes nga burri dhe biri im dhe ashtu vazhdoja të qaja derisa binte terri i natës.

Në këtë mënyrë vazhdoi jeta ime një vit, apo afërsisht një vit, derisa një ditë kaloi njëri prej kushërinjve të mi, të cilit i erdhi keq për gjendjen time, e u tha njerëzve të fisit tim:

– Përse nuk e lironi këtë të mjerë? Si e keni ndarë atë prej burrit dhe birit të saj?

Ende kishte në mesin e njerëzve të fisit tim, që ndienin dhembje për atë që më kishte ndodhur mua dhe më thanë:

– Je e lirë t’i bashkangjitesh burrit tënd, nëse dëshiron!

Mirëpo, si t’i bashkangjitem burrit tim në Medinë e ta lë djalin tim, pjesën e zemrës sime, në Mekë, te benu Abdul Esedi!?

Si mund të qetësohet dhembja ime, apo të thahen sytë e mi, kur të shkoj në Medinë dhe biri im i vogël të mbetet në Mekë e unë të mos di asgjë për të?!

Disa njerëz të mirë e ndjenë dhembjen time dhe mallin tim. Shkuan te njerëzit e benu Abdul Esedit dhe u folën atyre rreth çështjes sime dhe ata ma kthyen birin tim, Selemen.

Nuk desha të vonohem në Mekë, që të gjej ndonjë njeri me të cilin do të udhëtoja, sepse kisha frikë se mos po më ndodh ndonjë e papritur e më pengon t’i bashkangjitem burrit tim.

Prandaj, fillova ta përgatis devenë time, e vendosa djalin tim në prehër dhe u nisa në drejtim të Medinë. Dëshiroja t’i bashkangjitesha burrit tim, e me mua nuk ishte askush përveç Allahut të Madhërishëm.

Posa arrita në “Ten’im”, takova Uthman ibnu Talhan, i cili më pyeti:

– Për ku ia ke mësyer, oj udhëtare?

Iu përgjigja:

– Në Medinë, te burri im.

Më pyeti:

-Nuk është askush me ty?!

Iu përgjigja;

-Jo, për Zotin, me mua nuk është askush, përveç Allahut dhe fëmijës tim të vogël.

Atëherë më tha:

– Betohem në Allahun se nuk do të të lë vetëm, derisa të mbërrish në Medinë.

Pastaj e kapi devenë për dore dhe u nis me mua.

Ummu Selemeja pastaj shton e thotë:

– Betohem në Allahun se nuk kam shoqëruar kurrë njeri prej arabëve më të ndershëm se ai. Kur arrinte në ndonjë vend pushimi, e ndalte devenë time, shkonte mbrapa derisa zbritja prej saj. Pastaj e çonte nën hijen e ndonjë peme, e lidhte, shkonte larg meje te një pemë tjetër dhe shtrihej për të pushuar nën hijen e saj.

Kur afrohej koha e nisjes, shkonte te deveja ime, e përgatiste dhe e sillte para meje, pastaj shkonte pak mbrapa dhe thoshte hip. Posa hipja dhe rregullohesha mbi deve, vinte e kapte devenë për freri dhe nisej.

Kështu vazhdoi të veprojë me mua për çdo ditë, derisa arritëm në Medinë. Posa e pa fshatin Kuba, ku banonin fisi benu Amr ibnu Avf tha: “Burri yt është në këtë fshat. Hy në të me bekimin e Allahut”, – e ai u kthye për në Mekë.

U bashkua familja pas një ndarjeje të gjatë. U çmallën sytë e Ummi Selemes me burrin e saj. Ebu Selemeja u gëzua pa masë për të birin dhe gruan e tij. Pastaj nisën të zhvillohen ngjarjet me një shpejtësi të paparashikueshme.

Ndodhi beteja e Bedrit, në të cilën mori pjesë Ebu Seleme, i cili kthehet prej saj me muslimanët e tjerë pas një fitoreje bindëse.

Pastaj pason beteja e Uhudit, në të cilën tregon heroizëm të jashtëzakonshëm. Mirëpo, ai kthehet prej saj i plagosur me plagë të rënda. Vazhdoi të shërohet, saqë iu duk se plaga ishte shëruar, mirëpo ai përmirësim ishte vetëm sipërfaqësor. Pas pak kohe plaga nisi të hapet, gjë që e detyroi Ebu Selemen të mbetet në shtrat.

Në kohën kur Ebu Selemeja ishte i sëmurë në shtrat, duke mjekuar plagët e tij, iu drejtua gruas së vet e i tha:

– Oj, Ummi Seleme! E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë:

“Atij që i ndodh ndonjë fatkeqësi e kthehet tek Allahu me fjalët: “Ne të Zotit jemi dhe te Zoti do të kthehemi” dhe i lutet Krijuesit duke thënë: “O Zoti im, te Ti kërkoj shpërblim për këtë fatkeqësi timen! O Zoti im, më jep tjetër më të mirë se kjo”, atëherë nuk ka dyshim se Allahu do t’i japë atij.”

*  *  *

Ebu Selemeja qëndroi disa ditë i sëmurë në shtratin e tij. Në një mëngjes erdhi Pejgamberi a.s. ta vizitojë. Posa e përfundoi vizitën dhe ende pa dalë prej derës së shtëpisë, Ebu Selemeja u nda nga kjo botë, kështu që Pejgamberi a.s., me dy duart e tij fisnike ia mbylli sytë sahabit të vet. Pastaj i çoi duart lart dhe tha:

– O Zoti im, fale Ebu Selemen dhe lartësoje gradën e tij në mesin e të dashurve të Tu! Trashëgoje atë me pasardhës të mirë!

Falna neve dhe atë, o Krijues i botëve! Zgjeroje dhe ndriçoje varrin e tij!

Ummu Selemes iu kujtua se çka i kishte transmetuar Ebu Selemeja nga i Dërguari i Allahut dhe tha:

– O Zot im, prej teje kërkoj shpërblim për këtë fatkeqësi timen!

Ajo ishte mjaftuar vetëm me kaq e nuk kishte thënë:

– O Zot im, më zëvendëso në këtë fatkeqësi time me atë çka është më e mirë se kjo!”

Këtë e kishte bërë për arsye se ajo i bënte pyetje vetes se kush mund të jetë më i mirë për të se Ebu Selemeja?!

Mirëpo, nuk shkoi pak kohë dhe ajo e plotësoi lutjen.

Muslimanët u pikëlluan për fatkeqësinë e Ummi Selemes, ashtu siç nuk u pikëlluan për asnjë fatkeqësi të mëparshme që u kishte ndodhur atyre. Për këtë edhe e quajtën “Ejjimil Arab”, apo gruaja e cila e humbi burrin e saj (e veja e arabëve).

Ummu Selemeja nuk kishte në Medinë askë prej të afërmve të saj, përveç fëmijëve të saj të vegjël.

*  *  *

Si muhaxhirët, ashtu edhe ensarët e ndienin se ishte obligimi i tyre t’i dilnin në ndihmë Ummi Selemes. Posa ajo e kreu periudhën e pikëllimit të saj, iu paraqit Ebu Bekri, i cili paraqiti gatishmërinë e tij ta marrë atë për grua, por ajo nuk iu përgjigj kërkesës së tij.

Pastaj iu paraqit Omer ibnul Hattabi, por edhe atij ia ktheu ashtu siç ia kishte kthyer shokut të tij.

Më vonë iu paraqit asaj Pejgamberi a.s. e ajo i tha atij:

– O i Dërguari i Allahut, unë kam tri cilësi:

– Unë jam grua xheloze e kam frikë se do të shohësh diçka prej meje që do të të hidhërojë e do të më dënojë Allahu për të.

Unë jam grua e shtyrë në moshë.

Jam grua me fëmijë.

Pejgamberi a.s. atëherë iu përgjigj:

– Sa i përket xhelozisë, unë do ta lus Allahun xh.sh. që ta largojë xhelozinë prej teje.

Kurse sa i përket moshës, edhe unë jam në të njëjtën moshë sikurse edhe ti.

Ndërsa sa i përket fëmijëve, fëmijët e tu janë fëmijët e mi.”

Pas kësaj Pejgamberi a.s. u martua me Ummi Selemen, kështu që Allahu iu përgjigj lutjes së saj dhe ia kompensoi asaj Ebu Selemen me më të mirë se ai.

Prej asaj dite Hind elMahzumije nuk ishte më nënë vetëm e Selemes, por ajo u bë “Nënë e të gjithë besimta-rëve”.

Allahu xh.sh. le të bëjë që fytyra e Ummi Selemes të shkëlqejë në xhenet dhe Ai qoftë i kënaqur me të! Burimi

Me prejardhje nga tribuja Mahzum dhe një ndër muslimanët e parë, kishte përjetuar shtypje e shtrëngesë në Mekë, kishte emigruar, së pari, në Etiopi, pastaj në Medine dhe, sipas klishteve të asaj kohe, kishte zënë vend ndër besimtarët e radhës së parë. Në këto udhëtime të gjata plot vështirësi e vuajtje, përkrah kishte patur edhe të shoqin . Në sytë e Ummi Selemës ai ishte njeri i pakrahasueshëm. Pai e humbi në Medine Ebu Selemen mbeti e vetme, kokë më kokë me fëmijët e saj. Kësaj gruaje të mbetur larg vatanit dhe shtëpisë së vet me një tufë jetimësh, që kish ngarkuar mbi supe barrën e jetës, të parën dorë dhembshurie ia zgjatën Ebu Bekri dhe Omeri (r.a), por ajo i refuzoi këto kërkesa, sepse në sytë e saj nuk ekzistonte një njeri që të zinte vendin e Ebu Selemes.

Më në fund, asaj i zgjati dorën i Dërguari i Allahut (s.a.v.)duke i propozuar martesë. Edhe kjo martesë ishte mjaft e natyrshme, sepse kjo grua e lartë që s’i ishte shmangur asnjë sakrifice në synimin drejt Islamit dhe besimit, që pasi kishte jetuar një kohë të gjatë mes tribusë arabe më fisnike, kish mbetur e vetmuar, nuk mund të braktisej në udhën e lipjes. Sidomos, po të mendoheshin pastërtia e saj shpirtërore, sinqeriteti dhe punët të cilave iu kishte hyrë për Islamin, asaj duhej t’i zgjatej dora pa diskutim.

Kështu, pra, duke e marrë nën kurorë, Krenaria e Gjithësisë i kishte zgjatur dorën e ndihmës e të favorit. Sigurisht, ashtu siç kishte vepruar që në rini, detyrën e kujdesit ndaj të vetmuarve dhe dorën e ndihmës ndaj jetimëve e zbatonte në përshtatje me kushtet e asaj kohe.

Ashtu si edhe Hz. Aishe, Ummi Seleme ishte një grua e mençur dhe e zgjuar. Kishte talentin e një prijëse dhe edukatoreje. Për këtë arsye, duke e marrë dora e dhembshurisë nën mbrojtje atë nga njëra anë, në anën tjetër, në medresenë, shkollën e diturisë e të prijësisë pranohej edhe një nxënëse tjetër ndaj së cilës bota femërore do të mbetej veçanërisht e detyruar për falenderim.

Nuk mund të bëhet asnjë shpjegim tjetër i kundërt me ç’u tha gjer këtu për martesën me këtë grua të Krenarisë së Gjithësisë që ish afruar të gjashtëdhjetave e po hynte nën barrën e një sërë detyrimeve, sidomos ndonjë shpjegim lidhur me ndonjë gjë tjetër si me erotizëm a me pasion ndaj grave, kurrë, kategorikisht!…Burimi

Dijetare e fikhut

Ajo është Hindu bintu (vajza e) Ebi Umeje, el Makhzumije. Ajo më vonë mori pseudonimin Umu Seleme dhe u bë e njohur me këtë emër. Umu Selemeja e pranoi fenë Islame së bashku me burrin e saj, Abdullah ibnu Abdu el Esedi. Të dy shpërngulen në Abisini dhe më pas ajo tenton të shpërngulet për në Medinë, por fisi i saj jobesimtar nuk e lejon dhe ajo provon tragjedinë e ndarjes nga burri dhe djali i saj i vogël i quajtur Seleme, të cilit fisi i burrit ia nxjerrin duart duke ia marrë me forcë. Më së fundi ajo me djalin e saj të vogël niset krejt e vetme për në Medinë dhe Uthman ibën Talha e ndihmon duke e përcjellë gjatë gjithë rrugës. Kështu ajo bashkohet me të shoqin e saj Ebu Selemen r.a., i cili në betejën e Uhudit merr plagë të rënda që bëhen edhe shkak për vdekjen e tij. Vetë Profeti a.s., me dy duart e tij fisnike, ia mbylli sytë shokut të vet Ebu Selemes. Posa Umu Seleme r.a. e kreu periudhën e pikëllimit (zisë) për të shoqin e saj, dorën e saj e kërkon Ebu Bekri r.a. dhe pas tij Umari r.a., por ajo refuzoi në të dy rastet. Më vonë vetë Profeti a.s. i kërkoi që të martohet me të. Ajo i tha: O i Dërguari i Allahut, unë kam tri cilësi: jam grua xheloze, jam e shtyrë në moshë dhe kam fëmijë. Profeti a.s. iu përgjigj: “Sa i përket xhelozisë, unë do ta lus Allahun e Madhëruar që ta lar­go­jë xhelozinë prej teje. Kurse sa i përket moshës, edhe unë jam në të njëjtën moshë sikurse edhe ti. Ndërsa sa i përket fëmijëve, fëmijët e tu janë fëmijët e mi”. Pas kësaj Profeti a.s. u martua me Umu Selemen dhe Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes që Ume Seleme r.a. kishte bërë, për t’iu kompensuar me mirësi më të madhe fatkeqësia e vdekjes së të shoqit, duke i dhënë asaj më të mirin bashkëshort, profetin Muhamed a.s.. Profeti a.s. u martua me të në muajin Sheuel të vitit 4 hixhri. Prej asaj dite Hind el Makhzumije. Nuk ishte më vetëm nëna e Selemes, por ajo u bë “Nënë e besimtarëve”. Ajo ka transmetuar nga Profeti a.s. 378 hadithe. Ajo konsiderohej ndër dijetaret e fikhut prej sahabijeve (grave ndër sahabët). Ajo është e fundit që ndërroi jetë nga bashkëshortet e Profetit a.s., pikërisht rreth vitit 62 Hixhri. Burimi

Mendimet e Qëlluara

Ne rastin e Hudejbijes, kur i dërguari i Allahut s.a.v.s. e konsultoi për një nga çështjet e bashkësisë muslimane që më së tepërmi e brengosën dhe e preokupuan. Muslimanët u prekën shumë me marrëveshjen që u bë me idhujtarët në Hudejbije ngase duhej lënë lufta për dhjetë vjet sipas kushteve të parashtruara. Ata këtë e panë si shkelje të të drejtave të tyre në kohën kur ishin në kulm të fuqisë dhe madhështisë. Si rezultat i kësaj pakënaqësie me këtë marrëveshje, ata hezituan në zbatimin e urdhërit të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. për rruajtjen apo shkurtimin e flokëve me qëllim që të kthehen në Medine. Asnjë nga prezentët nuk e zbatuan këtë urdhër të të dërguarit të Allahut s.a.v.s., e i dërguari i Allahut s.a.v.s. i brengosur shkoi te gruaja e tij Ummu Seleme dhe i tha:”U shkatërruan njerëzit, i urdhërova, por asnjë nuk e çoi në vend urdhërin”. Mirëpo, gruaja e tij i sugjeroi që ai vetë të del deh ta rruan kokën para tyre, dhe i tha se është e bindur se atëherë asnjë nuk do të hezitojë ta çojë në vend urdhërin e tij ngase do ta kuptojnë se ky është urdhër përfundimtar dhe nuk ka kthim prej tij. Kështu edhe ndodhi. Posa doli i dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e urdhëroi qethësin që t’ia rruaj kokën, të gjithë vrapuan ta zbatojnë urdhërin e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. I rruajtën kokat e tyre dhe e u liruan nga ihrami i Umres. Pra, ky veprim qe me sugjerimin e nënës së besimtarëve Ummu Selemes, Allahu qoftë i kënaqur me të. Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up