Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Neufel ibn Harith r.a. – Ashabet e Resulullahut

Emri i plotë: Neufel ibn Harith ibn ‘Abd al-Muttalib b. Hashim b. ‘Abd Manaf b. Qusayy b. Kilab b. Murrah
Prindërit: Harith ibn AbdulMuttalib / Ghaziyya bint Qays
Data/Vendi i Lindjes: (Makke)
Vendi i ndërrimit jetë: 14 AH/636 CE (Medine)
Vendbanimet: Makke/Medine
Vëllezërit/motrat: Ebu Sufjan, Rabie, Abdullah, Erua
Bashkëshorti/ja: Zaribe bint Said bin El-Kashib
Fëmijët: Harith, Abdullah, Rabie, Said, Mugira, Abdur Rahman, Umm Sa’d, Umm Mugira, Umm Hakim, Ubaidallah

Neufel ibn Harith (r.a.), ishte djali i xhaxhait të Profetit (a.s.), Harithit dhe njëkohësisht edhe sahabiu më i moshuar që ka pranuar Islamin prej fisit Kurejsh, dega e Hashimijve.

Në vitet e para kur Profetit (a.s.), filloi t’i zbriste shpallja hyjnore, ai ua kumtonte njerëzve Islamin në mënyrë të fshehtë. Më vonë, Allahu dha leje të kumtimit të fesë në mënyrë të hapur, duke zbritur këto ajet fisnike:

“Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty! E, nëse nuk të dëgjojnë, thuaju: «Unë nuk jam përgjegjës për ato që bëni ju». Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin!” (Shu’ara, 214-217)

Në zbatim të këtij urdhri të Allahut të Madhëruar, Profeti ynë i nderuar (a.s.), filloi kumtimin e fesë në mënyrë të hapur. Ai e mblodhi farefisin dhe shtroi një gosti për ta. Në fillim, ai i bëri ata të konfirmonin besueshmërinë e tij. Më pas, u tregoi atyre Islamin dhe i ftoi ata në fenë e re.

Për fat të keq, Neufel ibn Harithi, nuk mund ta mbështeste Profetin (a.s.), në atë kohë të vështirë, sepse nuk arriti të shpëtonte prej presionit të shoqërisë dhe fisit. Ai ishte prej më të afërmve të Profetit (a.s.), nga fisi i tij. Madje, ai ishte më i moshuar se dy xhaxhallarët e vet, Hamzai dhe Abbasi (r.anhuma). Si rezultat i presionit që i bënë idhujtarët e Mekës, që ai të merrte pjesë në ushtrinë e idhujtarëve që po përgatitej të luftonte me myslimanët, me qëllim që të shpëtonin karvanin e tregtisë së kurejshëve nga duart e myslimanëve, ai u detyruar të merrte pjesë në betejën e Bedrit së bashku me xhaxhain e tij Abbasin. Pas luftës, idhujtarët ia mbathën duke lënë pas shumë plaçkë lufte dhe ushtarë që ranë rob në duart e myslimanëve. Dy prej këtyre robërve ishin edhe Neufeli me Abbasin.

Pas betejës së Bedrit, Profeti ynë (a.s.), u këshillua me sahabët në lidhje me çështjen e robërve të luftës, ku u hodhën mendime të ndryshme. Si përfundim, Profeti (a.s.), pranoi mendimin që u hodh prej Ebu Bekrit (r.a.), i cili propozoi që robërit që dinin shkrim e këndim, të paguanin lirinë e tyre duke u mësuar shkrim e këndim myslimanëve, ndërsa të tjerët do të liheshin të lirë pasi të paguanin një çmim të caktuar.

Një natë, Profeti ynë (a.s.), i cili ishte shumë i mëshirshëm, dëgjoi rënkimin e xhaxhait të vet Abbasit (r.a.) dhe u mërzit shumë. Sahabët e nderuar e kuptuan këtë gjendje të Profetit (a.s.) dhe e pyetën: “O i Dërguar i Allahut! Çfarë ju ka mërzitur?” I Dërguari i Allahut (a.s.), u përgjigj: “Këtë natë dëgjova xhaxhain tim që rënkonte.” Sapo e dëgjuan këtë, një prej sahabëve u ngrit dhe shkoi drejt e tek shtylla ku ishte lidhur Abbasi, me qëllim që t’i lironte litarët. Më pas, Profeti (a.s.), shkoi pranë tij dhe duke e zgjidhur plotësisht nga litarët, i thotë:

“O xhaxha! Shpëtoni duke paguar çmimin e lirisë për veten tuaj dhe për djemtë e vëllait Ukajlin dhe Neufelin!” Abbasi tha:

“Unë nuk kam asgjë me çfarë ta shpëtoj veten time prej robërisë!”

Mirëpo, Profeti ynë i mëshirës, i buzëqesh xhaxhait dhe i tha:

“Po ata florinj!?”… më pas vazhdoi:

“I mban mend ata florinjtë që ia dhatë gruas suaj Ummu Fadlit kur po dilje nga Meka, duke i thënë; nëse nuk kthehem, kaq janë të tuat, ndërsa këto janë të Fadlit, Abdullahut, Ubejdullahut dhe Kusemit!..”

Abbasi u trondit nga këto që tha Profeti (a.s.) dhe tha:

“Betohem se kur ia dhashë ata florinj, nuk ishte askush tjetër aty. Nga e di ti këtë?”

Profeti ynë (a.s.), përgjigjet:

“Mua më lajmëroi Allahu i Madhëruar.”

Profeti (a.s.), bëri të njëjtën gjë edhe me djalin e xhaxhait Neufelin dhe i tha:

“O Neufel! Paguaje çmimin dhe shpëtoje veten!”

Por edhe Neufeli u arsyetua njësoj si xhaxhai i vet Abbasi dhe tha:

“Unë nuk kam asgjë me çfarë ta shpëtoj veten prej robërisë! Nuk kam as mall dhe as para!”

I Dërguari i Allahut (a.s.), i buzëqeshi Neufelit dhe i tha:

“Më jep thikat dhe heshtat e tua që ke në Xhidde!”

Neufeli i habitur jashtë mase, tha:

“Betohem se heshtat e mia që gjenden në Xhidde nuk i di askush tjetër përveç meje! Po ti nga i di?”

I Dërguari i Allahut (a.s.), edhe Neufelit i dha të njëjtën përgjigje:

“Mua më lajmëroi Allahu i Madhëruar.”

Abbasit dhe Neufelit iu zbutën zemrat përballë kësaj ngjarjeje të mrekullueshme dhe u mbushën me ndjenjë pozitive ndaj Islamit. Zemrat e tyre iu hapën dritës së Islamit dhe menjëherë thanë: “Unë dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut!” Ata shqiptuan shehadetin dhe u nderuan me Islam.

Neufel ibn Harithi (r.a.), dha një heshtë dhe shpëtoi veten prej robërisë. Atë kohë, heshta ishte një nga pajisjet më të çmuara dhe të vyeshme të luftës, e cila kushtonte shumë para. Tani, Neufel ibn Harithi (r.a.), u kthye në Mekë si mysliman. Ai qëndroi për një farë kohe aty duke e fshehur fenë e vet. Më vonë, së bashku me Abdullah ibn Abbasin (r.a.), gjatë luftës së Hendekut, emigruan pranë Profetit (a.s.), në Medinë.

Profeti ynë (a.s.), djalin e xhaxhait Neufel ibn Harithin (r.a.), e deklaroi vëlla me xhaxhain e tij të dashur Abbas ibn Abdulmutalibin (r.a.) dhe u caktoi atyre një shtëpi ngjitur me Mesxhidin Nebeui.

Gjatë kohës së injorancës, ata merreshin me tregtinë e armëve në Mekë, ku edhe tregtinë edhe mallin e kishin të përbashkët. Pra, ata ishin ortakë dhe e donin njëri-tjetrin. Dhe për shkak se Profeti (a.s.), i dinte këto gjëra, përgatiti për ta një shtëpi pranë mesxhidit.

Neufel ibn Harithi (r.a.), në Medinë, nuk u nda asnjëherë prej të Dërguarit të Allahut (a.s.). Ai e mbushi zemrën me dashurinë për të dhe së bashku me të mori pjesë në çlirimin e Mekës, në betejën e Taifit dhe të Hunejnit. Ai shërbeu në rrugën e Allahut dhe të Profetit me pasurinë dhe jetën e vet. Ai jepte mbështetje të madhe materiale në betejat që zhvilloheshin. Njëherë, ai dha tremijë heshta për betejën e Hunejnit, duke e kënaqur shumë Profetin (a.s.), i cili e përgëzoi dhe u shpreh me këto fjalë:

“Po shoh (që tani) sikur këto heshtat e tua po thyejnë eshtrat e shpinës së idhujtarëve!”

Në betejën e Hunejnit, Neufel ibn Harithi (r.a.), ndodhej para, në të djathtë të Profetit (a.s.). Në njëfarë momenti, në rreshtat e parë ndodhi një panik dhe ushtarët myslimanë filluan të shpërndaheshin. Pikërisht në këtë çast, Neufeli (r.a.), shfaqi një trimëri të madhe dhe së bashku me disa trima të tjerë u hodh në sulm ndaj armikut, duke i shpartalluar ata.

Ky veprim i guximshëm dhe i zgjuar i tij, u bë shkak që ushtarët myslimanë të rimerrnin veten dhe të bashkoheshin përsëri. Në sajë të kësaj trimërie, lufta përfundoi me fitoren e ushtrisë myslimane.

Neufel ibn Harithi (r.a.), ishte lidhur me Profetin (a.s.) me një dashuri shumë të thellë dhe ishte shumë i përpiktë në zbatimin e Sunetit të tij. Ai nuk lëshonte kurrë pe nga të jetuarit në vijën e Kuranit dhe Sunetit, duke shfaqur një besim të fortë gjatë gjithë jetës.

Ai ishte trim, i zgjuar dhe shumë bujar. Edhe djemtë e tij Harithi, Mugirja dhe Abdullahu u bën myslimanë. Madje, këta dy të fundit kanë kryer detyrën e gjykatësit në Medinë.

Neufel ibn Harithi (r.a.), ka ndërruar jetë në Medinë, në vitin 636 gjatë periudhës së kalifatit të Omerit (r.a.), i cili ia fali edhe namazin e xhenazes. Më pas ai u varros në varrezat Xhennetu’l-Baki në Medinë.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu i Madhëruar na dhëntë të gjithëve prej bujarisë, dashurisë, trimërisë, guximit dhe zgjuarsisë së Neufel ibn Harithit (r.a.)! Amin!


 – shih. Köksal, Islâm Tarihi (Medine), II, 180, 193-194.

 – shih. Ibnu’l-Esir, Usdu’l-gabe, V, 369-370.

 – shih. Ibn Haxher, el-Isabe, III, 577.

 – Hakim, Mustedrek, III, 245-247.

 – shih. M. Jusuf Kandehlevi, Hajatu’s-sahabe; DIA, XVIII, 376.

Marre nga: https://www.progresibotime.com/post.php?p_id=122

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...