Home » Sahabet » Ebu Sufjan bin Harith r.a.

“Ebu Sufjan bin Harithi do të jetë zotëri i djelmërisë (rinisë) në xhenet.” (Muhammedi a.s.)

Rrallë herë mund të ndodhë që të ndërlidhen shkaqet dhe koincidencat ndërmjet dy personave sikurse ndërmjet Muhammedit a.s. dhe Ebu Sufjan bin Harithit.

Ebu Sufjani ishte bashkëkohanik i Pejgamberit a.s. Që të dy u lindën në një periudhë kohore shumë të afërt mes vete dhe që të dy u rritën në të njëjtën familje.

Ishte djali i xhaxhait të Pejgamberit, sepse babai i tij Harithi dhe Abdullahu,  babai i Muhammedit a.s., ishin vëllezër, që të dy djem të Abdul Mutalibit. Njëkohësisht ishte edhe vëlla i Pejgamberit a.s. nga qumështi, ngase që të dy u ushqyen dhe u rritën nga gjiri i Halimes.

Përveç të gjitha këtyre, ishte edhe shok shumë i afërt e intim me Pejgamberin a.s. para se t’i vinte shpallja kishte edhe ngjashmëri tejet të madhe me të.

A ju merr mendja se mund të keni parë apo dëgjuar për ndonjë afërsi dhe lidhje më të fortë se kjo ndërmjet Muhammedit a.s. dhe Ebu Sufjan bin Harithit?!

Për këtë arsye të gjithë menduan se njeriu i parë që më së shpejti do t’i përgjigjej dhe do ta përkrahte Thirrjen e Muhammedit a.s., s’do të ishte askush tjetër përveç Ebu Sufjanit. Mirëpo, ndodhi e kundërta. Ndodhi ajo që askush nuk mund as ta paramendonte!

Atëherë kur Pejgamberi a.s. ende nuk kishte filluar thirrjen e tij haptazi, kur i thërriste në Islam të afërmit dhe farefisin e tij, në shpirtin e Ebu Sufjanit u ndez dhe shpërtheu flaka e mërisë dhe e urrejtjes ndaj Muhammedit a.s. Tërë ajo miqësi dhe shoqëri e ngushtë u shndërrua dhe u kthye në armiqësi, e farefisnia dhe vëllamria në shkëputje e kundërshtim.

*  *  *

Atëbotë kur zbriti shpallja hyjnore, Ebu Sufjani ishte njëri ndër kalorësit më të njohur të kurejshitëve dhe ndër poetët më të famshëm e më me nam ndër ta.

Mirëpo, fatkeqësisht, ai tërë fuqinë e tij fizike dhe atë të fjalës e orientoi në luftë dhe fyerje kundër Muhammedit a.s., kundër fesë islame dhe kundër muslimanëve në përgjithësi. Çdo luftë që zhvilluan kurejshitët kundër të Dërguarit të Zotit dhe çdo e keqe që binte mbi muslimanë, Ebu Sufjani patjetër do të ishte iniciator dhe ndezës i tyre.

*  *  *

Ai e zgjoi djallin e brendshëm të poezisë së tij të ndyrë dhe nuk prajti së fyeri dhe ofenduari me gjuhën e tij nepërkë dhe vullgare personalitetin e Pejgamberit a.s., duke folur kundër tij fjalë të ulëta dhe jonjerëzore.

*  *  *

Kjo armiqësi ndaj Pejgamberit a.s. zgjati përafërsisht 20 vjet, gjatë të cilave nuk la gjë të ligë e të keqe pa bërë kundër muslimanëve.

*  *  *

Pak para çlirimit të Mekës, ishte shkruar nga i Madhi Zot që Ebu Sufjani ta pranojë fenë islame. Për Islamin e tij nëpër librat e historisë islame është shënuar një rrëfim mjaft interesant.

Tani do t’ia japim fjalën vetë Ebu Sufjanit që të na rrëfejë se si e përqafoi fenë islame, ngase vetëm ai më së miri mund të na i përshkruajë ndjenjat, përjetimet dhe emocionet e tij gjatë pranimit të Islamit.

Ebu Sufjani rrëfen e thotë:

Kur çështja e Islamit mori krah dhe u përforcua, u përhap lajmi se Pejgamberi a.s. është nisur për në Mekë që ta çlirojë atë. Mua m’u ngushtua toka nën këmbë dhe thashë: “Ku të shkoj tani, nga t’ia mbaj, me kë do të jem?!”

Shkova te bashkëshortja dhe fëmijët dhe u thashë:

 Përgatituni për ta lëshuar Mekën, sepse ardhja e Muhammedit është afruar. Nëse muslimanët më gjejnë këtu, ata do të më vrasin gjithsesi.

 A edhe tani nuk je duke e parë se arabët dhe jo arabët e kanë përkrahur Muhammedin dhe e kanë përqafuar fenë e tij? Në vend se të ishte i pari që ta ndihmoje dhe përkrahje, ti akoma je vendosmërisht kundër tij  ma pritën me furi të gjithë fëmijët.

Vazhduan kështu të më flasin për fenë islame dhe të ma bëjnë të afërt në zemër, derisa më në fund Allahu ma hapi gjoksin për Islam.

*  *  *

Dola prej shtëpie dhe i thashë shërbëtorit tim, Medhkurit:  Përgatit një deve dhe një kalë për udhëtim.

Me vete mora tim bir, Xha’ferin, dhe ia mësymë me shpejtësi “Ebvasë” vend në mes të Mekës dhe Medinës, ku ishte ndalur Pejgamberi a.s. me ushtrinë e tij gjatë rrugës për në Mekë.

Kur u afrova afër “Ebvasë”, u maskova në mënyrë që të mos më njohë dikush e të më vrasë para se të arrij te Pejgamberi a.s. që para tij ta shpallja botërisht Islamin tim.

 Vazhdova të ecja ashtu me kujdes të madh, duke u munduar t’u iki sa më shumë pararojave muslimane, që ishin të drejtuara me fytyrë nga Meka, nga frika se do të më njohë ndonjëri prej sahabëve të Muhammedit a.s.

Derisa isha në atë gjendje u duk Resulullahu me suitën e tij. U afrova dhe dola para tij që të më shohë, mirëpo, kur më pa, menjëherë e ktheu kokën në anën tjetër. I dola më shpejtësi në krahun tjetër, por, ai veproi si herën e parë.

*  *  *

Kurrë nuk dyshoja, se Pejgamberin a.s. nuk do të gëzohet për Islamin tim dhe se edhe sahabët do të gëzohen për gëzimin e tij.

Mirëpo, kur muslimanët e vërejtën mospërfilljen e Muhammedit a.s. ndaj meje, edhe ata filluan të më shikojnë mërrolshëm.

Takova Ebu Bekrin, por ai as që më foli. Afër tij pashë Omerin dhe e shikova me një shikim të butë e lutës, duke shpresuar se do t’i zbutet zemra për mua. Miëpo ai ishte edhe më i ashpër se Ebu Bekri, saqë e nxiti edhe njërin prej ensarëve që të më ndjekë pas duke më thënë:  O armik i Allahut, ti je ai që e ke munduar Muhammedin a.s. dhe shokët tij. Armiqësinë tënde ndaj Pejgamberit e ke përhapur dhe e ke shpallur haptazi në lindje e në përëndim!”

Ensariu vazhdoi të më fyejë dhe ta ngrejë zërin edhe me tepër, kurse muslimanët e tjerë vetëm më shikonin në mënyrë armiqësore, duke e miratuar në heshtje një veprim të tillë të tij .

Në atë turmë njerëzish, pashë xhaxhan tim, Abasin, dhe kërkova mbrojtje prej tij dhe i thashë: – O xhaxha im! Shpresoja se i Dërguari i Allahut do të gëzohet për Islamin tim, në mos për asgjë tjetër, atëherë për shkak të afërsisë farefisnore ndërmjet nesh dhe për shkak të pozitës që kam në mesin e popullit tim. Prandaj, të lutem, foli të Dërguarit a.s. që të më flasë, të më shikojë dhe të më pranojë.

Ai më tha:  Jo, për Allahun, nuk mund t’i flas dot asnjë fjalë pas asaj mospërfilljeje që pashë ndaj teje sot, përveç nëse më jepet ndonjë rast i volitshëm.

 E tani, në dorë të kujt po më le?!  i thashë.

 Më vjen keq, por nuk mund të bëj asgjë më tepër nga ajo që dëgjove- ma ktheu ai.

Mua më kaploi pikëllimi dhe fillova të brengosem së tepërmi kur papritmas e pashë djalin e xhaxhait, Aliun r.a. Iu afrova dhe i fola për çështjen time, por edhe ai m’i tha po të njëjtat fjalë që m’i tha xhaxhai ynë, Abasi.

Atëherë u ktheva edhe njëherë tek xhaxhai im dhe i thashë:  O xhaxhai im! Nëse nuk mund ta zbusësh zemrën e Pejgamberit a.s. ndaj meje, atëherë hiqma qafe këtë njeri që më është lyer prapa e po më shan, duke i nxitur edhe të tjerët të më fyejnë e shajnë.

 Përshkruama atë njeri, – më tha ai. Kur ia përshkrova tha: – Ky është Nuajman bin Harith EnNexhariji. E thirri dhe i tha:

 O Nuajman! Ebu Sufjani është djali i xhaxhait të Pejgamberit dhe djalë i vëllait tim. Nëse sot i Dërguari i Allahut është i hidhëruar me të, nesër sigurisht se do të jetë i kënaqur me të, prandaj hiqju qafe. Atëherë Nuajmani tha:

 – Nuk do ta bezdis më pas këtij çasti.

*  *  *

Kur Muhammedi a.s. arriti në Xhahfe[1], u ula me birin tim, Xha’ferin, mu para tendës së tij. Kur doli i Dërguari a.s. nga tenda e tij dhe më pa, e largoi fytyrën dhe shikimin e tij nga unë. Mirëpo, megjithatë, unë nuk e humbja shpresën dhe në çdo vend që ai ndalej, ulesha para tendës së tij.

Vazhdova kështu një kohë derisa gati më humbi shpresa dhe durimi dhe i thashë të shoqes: “Për Zotin, ose i Dërguari i Allahut do të më pranojë, ose unë dhe ky djalë do të tretemi diku nëpër shkretëtirat e pafundme derisa të vdesim etjeje dhe urie.”

Kur i dëgjoi Resulullahu këto fjalë të mia, iu zbut pak zemra, doli nga tenda dhe më shikoi më butësisht sesa herëve të tjera, megjithëse unë kisha dëshirë ta shihja duke buzëqeshur.

*  *  *

Pastaj i Dërguari a.s. hyri në Mekë, e unë isha në mesin e muslimanëve. Kur u afrua pranë Qabës nxitova të jem me të duke mos iu ndarë më për asnjë moment, sikur hijahijes.

Në ditën e “Hunejnit” u mblodhën arabët për ta luftuar Pejgamberin a.s. me një ushtri të madhe dhe armatim të fortë, me të vetmin qëllim që njëherë e përgjithmonë ta shkatërrojnë e ta çrrënjosin Islamin nga Siujdhesa Arabe. Kur Muhammedi a.s. së bashku me shokë të tij (sahabët) doli për t’u ndeshur me ta, dola edhe unë me të, rrëfen Ebu Sufjani. Kur i pashë turmat e mëdha të idhujtarëve, thashë:

 Për Zotin, sot do ta kompensoj tërë atë kohë që më ka kaluar në armiqësi ndaj Pejgamberit a.s. I Dërguari a.s. do ta shohë vullnetin dhe dëshirën time, me çka Allahu xh.sh. do të jetë i kënaqur e sigurisht edhe vetë ai.

Kur u ndeshën dy ushtritë, idhujtarët u sulën me ashpërsinë dhe furinë më të egër, kundër muslimanëve. Në radhët e muslimanëve për një moment hyri frika dhe paniku. Njerëzit filluarn të largohen dhe të ikin nga Resulullahu, saqë ishim para një humbjeje të madhe.

Atëherë Muhammedi a.s., sikur një kodër e madhe dhe e patundshme, nxori shpatën që të mbrojë veten dhe ata që ishin rreth tij.

Kur e pashë këtë skenë rrënqethëse, kërceva nga kali me aq furi, saqë e theva edhe këllëfin e shpatës. Vetëm Allahu xh.sh. e di se në ato çaste më parë dëshiroja vdekjen time sesa vdekjen e Resulullahut s.a.v.s. Xhaxhai im, Abasi, qëndroi në të majtë të tij duke marrë në dorë frerët e mushkës së Pejgamberit a.s., ndërsa unë qëndrova në krahun tjetër me shpatë në dorë duke mbrojtur të Dërguarin a.s.

Pejgamberi a.s. kur vërejti vendosmërinë time për luftë kundër armiqve, iu drejtua Abasit dhe e pyeti:  Kush është ky?

 Vëllai yt dhe djali i xhaxhit tënd, Ebu Sufjan bin Harithi  i tha Abasi, dhe vazhdoi t’i flasë për mua duke i thënë: – pranoje, o i Dërguari i Allahut, pranoje dhe largoje hidhërimin tënd ndaj tij.

Atëherë Pejgamberi a.s. tha: – Ashtu qoftë, se edhe Allahu ia fali tërë atë armiqësi të tij ndaj meje.

Nga këto fjalë, mu duk se zemra do të më fluturonte nga gëzimi. Pejgamberi a.s. edhe një herë u kthye nga unë dhe më tha: – O vëlla, pasha jetën time, ec përpara dhe godit!

Fjalët e Resulullahut, thotë Ebu Sufjani, ma ngjallën vullnetin, forcën dhe elanin për luftë. Më dukej vetja sikur po fluturoja duke goditur idhujtarët dhe duke i zmbrapsur ata. Pas meje vinin edhe muslimanët e tjerë duke luftuar e brohoritur: ”Allahu Ekber  Allahu Ekber”, derisa i dëbuan dhe i shpartalluam përfundimisht radhët e armiqve.

*  *  *

Pas luftës së “Hunejnit”, Ebu Sufjani jetoi nën hijen e kënaqësisë së shoqërimit me të Dërguarin e Allahut xh.sh., mirëpo më kurrë nuk e ngriti shikimin e tij në fytyrën e Resulullahut, ngase turpërohej kur e kujtonte të kaluarën e tij të hidhur në injorancë dhe sjelljet e tij jonjerëzore ndaj Muhammedit a.s.

Ebu Sufjanin e brente ndjenja e pendimit për ditët e tij të zeza në injorancë, i privuar nga drita e Allahut xh.sh, dhe e Librit të Tij, Kur’anit. Për kët arsye iu fut me përkushtim të madh mësimit të Kur’anit ditën dhe natën, duke lexuar ajetet e tij dhe duke u thelluar në studimin e tyre.

Me tërë qenien u largua nga kënaqësitë dhe të mirat e kësaj bote duke u afruar pranë dritës së Allahut xh.sh., saqë një ditë Pejgamberi a.s., kur e pa tek hynte në xhami, i tha Aishes:

A e di kush është ky, oj Aishe?

Jo, o i Dërguar i Zotit  ia ktheu ajo.

Ky është djali i xhaxhait tim, Ebu Sufjani, i tha ai. – Shikoje, ai gjithmonë i pari hyn në xhami dhe i fundit del prej saj.

Kur Pejgamberi a.s. kaloi në jetën e amshueshme pranë Mëshirës së Allahut xh.sh., Ebu Sufjan bin Harithi u mërzit shumë për të, ashtu siç mërzitet nëna për të birin e vetëm të saj dhe qau me lotët e të dashurit për të dashurin e tij, duke thurur në të njëjtën kohë një elegji  kaside të dhimbshme e pikëlluese, e cila preku thellë ndjenjat e çdo besimtari.

*  *  *

Gjatë kohës së sundimit të Farukut (Omerit r.a), Ebu Sufjani ndjeu se i është afruar fundi i jetës dhe vetë e mihu varrin ku do të varrosej. Nuk kaluan as tri ditë të plota dhe erdhi momenti për ta dorëzuar shpirtin. Vetëm ca çaste para vdekjes, të shoqen, fëmijët dhe familjen e tij i porositi me këto fjalë:

“Mos qani për mua, se për Zotin, prej atij momenti që e kam pranuar fenë islame, nuk kam bërë më asnjë mëkat”… pastaj shpirti i tij i pastër kaloi në ahiret.

Namazin e xhenazes ia fali vetë Omeri r.a., i cili u pikëllua shumë për vdekjen e tij. Edhe sahabët e tjerë u mërzitën shumë, ngase vdekjen e tij e konsideruan humbje të madhe për fenë islame dhe për muslimanët në përgjithësi.

[1] Vend ndërmjet Mekës dhe Medinës (katër ditë rrugë në këmbë prej Mekës.

Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up