Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Seleme Ibn Hishami (r.a.)

Emri i plotë: Seleme bin Hisham b. al-Mughirah b. ‘Abdullah b. ‘Umar b. Makhzum b. Yaqazah b. Murrah
Prindërit: Hisham b. al-Mughirah / Duba’a bint ‘Amr bin Qurat
Vëllezërit/motrat: Ebu Xhehl, Harith bin Hisham, Halid bin Hisham
Data/Vendi i Lindjes: (Makke)
Vendi i ndërrimit jetë: 14 Ah/635 CE (Siri)
Vendbanimet: Makke/Abisini/Medine

Seleme ibn Hishami (r.a.), është një sahab që ka marrë lavdërimin e të Dërguarit të Allahut (a.s.): “Ai nuk është dezertor, por luftëtar trim.”

Ai u bë mysliman në vitet e para të Islamit dhe ishte një ushtar i besimit, që rezistoi me durim kundrejt torturave të familjes së tij politeiste.

Ai lindi dhe u rrit në Mekë. I përkiste Beni Mahzumëve, të cilët ishin krahu më i nderuar i fisit Kurejsh. Emri i tij është: Ebu Hashim Seleme ibn Hisham ibn el-Mugire el-Mahzumi el-Kurejshi. Ai është vëlla i armikut të përbetuar të Islamit, Ebu Xhehlit dhe i Harith ibn Hishamit, i cili u bë mysliman përgjatë çlirimit të Mekës. Është djali i xhaxhait të Halid ibn Velidit (r.a.). Nëna e tij Dubaa binti Amiri, është prej sahabeve poete dhe prej myslimaneve të para. Këto vargje që ka thënë në lidhje me Selemenë janë mjaft të famshme:

“O Allah! O Zot i Qabesë që respektohet dhe përshëndetet me selam!

Jepi fuqi dhe fitore Selemesë kundrejt të gjithë armiqve të tij!

O Allah! Jepi dy duar atij në të gjitha punët!

Me njërën të japë vazhdimisht dhe me tjetrën të nderohet.” (Usdu’l-Gabe, II, 531.)

Seleme ibn Hishami (r.a.), e pranoi Islamin në periudhën e Mekës. Ishin vitet e para kur drita e Islamit ndriçoi horizontet e Mekës. Zemrat dhe shpirtrat kishin filluar të ndriçoheshin me dritën e udhëzimit. Njerëzimi që kishte ngelur në errësirat e injorancës e të padrejtësisë dhe shpirtrat që kishin zënë ndryshk me primitivizëm, po shpëtonin nga padrejtësia dhe një nga një po arrinin paqen e po dilnin në dritë.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, po përpiqej t’ua çlironte zemrat njerëzve dhe t’i ftonte për në fenë e fundit, Islamin. Ai i paralajmëronte një nga një të afërmit e tij dhe përpiqej për t’i shpëtuar njerëzit nga kthetrat e tmerrshme të shirkut dhe kufrit.

Me dashurinë, mëshirën dhe butësinë e Islamit ndërmjet njerëzve u formua një vëllazëri e fortë dhe e shëndetshme. Prej lidhjeve të gjakut dhe farefisnisë që më parë kishte ndërmjet atyre që qëndruan në anën e kufrit dhe atyre që qëndruan në anën e besimit nuk ngeli asnjë gjurmë. Babai politeist e konsideronte si armikun më të madh birin e tij besimtar. Vëllai jobesimtar e shikonte si hasmin më të përbetuar vëllain tjetër të tij që kishte zgjedhur Islamin.

Kjo tablo shikohej shumë qartë ndërmjet pesë bijve të Hishamit. Ndërkohë që Seleme dhe Harithi zinin vend pranë të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, Ebu Xhehli, Asi dhe Halidi që vinin nga i njëjti baba, ishin armiqtë kryesorë të Islamit dhe prijësit e kufrit e të shirkut. Këta të tre të mjerë vdiqën si qafirë në luftën e Bedrit. (Istiab II, 643; Isabe III, 130.)

Kur Ebu Xhehli e dëgjoi se vëllai i tij i madh, Seleme ibn Hishami (r.a.), kishte hyrë në besim, lidhja e tij e gjakut u shndërrua në hasmëri. Ai nuk e duronte dot faktin që një individ prej familjes së tij të kalonte në rreshtin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Për këtë arsye, aplikoi çdo mënyrë për ta bërë atë që të hiqte dorë, por të gjitha përpjekjet e tij shkuan dëm. A ishte e mundur që dikush i cili kishte shijuar kënaqësinë e besimit të kthehej e të pinte zeherin e kufrit? Sigurisht që nuk ishte e mundur.

Seleme ibn Hishami (r.a.), u torturua shumë nga politeistët. Ai nuk e duroi dot poshtërimin dhe torturën e vëllait të tij zullumqar. Andaj ngeli i detyruar të emigronte në Abisini me karvanin e parë. Të gjithë pjesëtarët e karvanit filluan ta zbatonin fenë dhe ta jetonin besimin e tyre atje. Ai kishte tre muaj që kishte emigruar nga vendi i tij. Ndërkohë dëgjoi një lajm të tillë: “Mekasit kanë pranuar besimin Islam dhe Velid ibn Mugire është bërë mysliman.” Nisur nga ky lajm, disa prej tyre u kthyen pas, por kur u afruan në Mekë, morën vesh se lajmi që kishin dëgjuar nuk ishte i vërtetë. Për këtë arsye, u ndjenë të zhgënjyer. Ata nuk u kthyen dot përsëri në Abisini. Edhe në Mekë ishte e pamundur të hynin pa qefil. Hyrja në Mekë do të thoshte pranim i menjëhershëm i torturave dhe poshtërimeve që politeistët do t’i shikonin të arsyeshme për ata.

Për ta shmangur këtë rrezik, disa prej tyre menduan të hynin në mbrojtjen e të afërmve që gjendeshin në Mekë. Ndërsa disa të tjerë nuk pranuan të hynin në mbrojtjen e dikujt, hynë fshehurazi në Mekë dhe u fshehën për një kohë të gjatë, por prapë se prapë u kapën nga politeistët. Seleme ibn Hishami, Velid ibn Velidi, Hisham ibn Asi, Abdullah ibn Suhejli dhe disa sahabë të tjerë u kapën prej mushrikëve dhe u futën në burg.

Armiku i përbetuar i Islamit, Ebu Xhehli po e torturonte vëllain e tij, Seleme ibn Hishamin (r.a.). E rrihte derisa lodhej, i thoshte ofendime nga më të rëndat, e linte pa ushqim e ujë dhe e bënte të vuante për ditë të tëra. Të gjitha këto padrejtësi ia bënte me mendimin se ndoshta mund t’i thyhet vendosmëria dhe të dezertojë nga feja. Ndërsa Seleme ibn Hishami (r.a.), i cili e kishte mbushur zemrën me dritën e besimit, kishte një besim që mund të sfidonte të gjithë universin dhe një dashuri të pashtershme për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).

Këta tre sahabë nuk shfaqën as hezitimin më të vogël në çështjen e besimit. Ata qëndruan të fortë kundrejt torturave që iu bënë. Duruan!.. Rezistuan!..

I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, i cili e dinte gjendjen e rëndë të këtyre flijuesve të besimit dhe i cili e ndjente në shpirt vuajtjen që hiqnin ata, për një muaj me radhë është lutur për ata në çdo namaz të mëngjesit duke iu përgjëruar Allahut Teala: “O Zot! Shpëtoje Velid ibn Velidin! O Zot! Shpëtoje Seleme ibn Hishamin! O Zot! Shpëtoje Ijash ibn Rebian! O Zot! Shpëtoji besimtarët e dobët!” Pas kësaj lutjeje, menjëherë zbriti ky ajet fisnik që i përmendte ata: “Ata nuk kanë fuqi për asnjë rrugëzgjidhje, nuk mund të gjejnë asnjë mënyrë.” (Nisa, 98)

Velid ibn Velidi që u përmend në hadithin fisnik është vëllai i Hazreti Velidit dhe biri i Velid ibn Mugires. Në luftën e Bedrit gjendej në rreshtat e politeistëve. Aty u kap rob dhe shpëtoi duke paguar çmimin për lirimin e tij. Më vonë u bë mysliman, por prapë se prapë nuk e lanë të dilte nga Meka.

Këta tre sahabë që gjendeshin në duart e politeistëve mekas, ishin kushërinj të parë me njëri-tjetrin. Mugire ishte gjyshi i të treve. Pasi Velid ibn Velidi u bë mysliman dhe shkoi në Mekë, u kap dhe u fut në burg. Ijash ibn Rabia u mashtrua nga Ebu Xhehli përgjatë hixhretit. Këta tre sahabë tashmë gjendeshin bashkë. Të tre i kishin lidhur me njëri-tjetrin. Seleme ibn Hishami, Ijashi dhe Hishami, radijall-llahu anhum, nuk shpëtuan dot prej zinxhirëve edhe kur doli urdhri për të bërë hixhret në Medinë. Për këtë arsye, nuk morën pjesë dot në luftën e Bedrit, Uhudit dhe Hendekut. (Ibn Sa’d, IV, 130-131.)

Me begatinë e këtyre lutjeve, Allahu Teala u dha atyre një rrugëzgjidhje. Pas pak kohe, Velid ibn Velidi (r.a.), gjeti një mundësi, u arratis dhe shkoi në Medinë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), u gëzua shumë kur e pa atë. Velidin e pyeti për gjendjen e vëllezërve të tjerë. Pra, për gjendjen e Selemes dhe Ijashit. Velidi e njoftoi se ata i kanë lidhur për këmbësh me njëri-tjetrin dhe se po përpëliten prej ndëshkimeve e torturave.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, dëshironte t’i shpëtonte nga duart e politeistëve këta dy sahabë të tij që kishin rënë viktimë. Për këtë arsye, u kthye nga sahabët dhe i pyeti: “Kush mund t’i shpëtojë ata dhe t’i sjellë në Medinë?” Velid ibn Velidi (r.a.), menjëherë u ngrit në këmbë dhe tha: “Unë mund t’i shpëtoj ata dhe të t’i sjellë ty, o i Dërguari i Allahut!”

Kur Velidi (r.a.), arriti në Mekë, hyri fshehurazi në qytet. Ai e mësoi nga një grua vendin ku gjendeshin Seleme ibn Hishami dhe Ijashi (r.a.). Velidi (r.a.), shkoi natën te vendi i atyre, ua preu litarin me të cilin i kishin lidhur, i hipi në devenë e tij dhe i nxori nga Meka. Kur mushrikët e kuptuan në mëngjes se ata kishin ikur, nuk i arritën dot edhe pse shkuan pas tyre. Kur Velidi (r.a.), arriti në Medine bashkë me dy kushërinjtë e tjerë, gishtat e këmbëve i ishin çarë prej të ecurit dhe i ishin bërë krejt gjak. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, i cili e dëgjoi se kishin shpëtuar dy sahabët e mrekullueshëm të tij, u gëzua pa masë.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), pati qenë lutur për ata pesëmbëdhjetë ditë apo rreth një muaj. Në mëngjesin e Bajramit të Ramazanit, e pati lënë këtë lutje. Kur Umeri (r.a.), e pyeti për shkakun e kësaj, ai iu përgjigj duke i bërë këtë pyetje: “A nuk e di se ata kanë ardhur?” Pikërisht në ato momente, u hap rruga dhe Velid ibn Velidi (r.a.), po i sillte kushërinjtë e tij. Kur Velidi (r.a.), arriti te i Dërguari i Allahut, e dorëzoi shpirtin e tij (ndërroi jetë). Pejgamberi ynë i nderuar (s.a.s.), tha për atë: “Ky burrë është dëshmor. Unë jam dëshmitar për këtë!” (Ebu Davud, Vitr, 10/1441; Bejhakiu, es-Sunenu’l-Kubra, II, 200.)

Seleme ibn Hishami (r.a.), tashmë u qetësua. Ai po përjetonte lumturinë e takimit me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ai e falte namazin pas Pejgamberit në Mesxhidu’n-Nebevi, i shërbente atij duke zënë vend në shoqërinë e afërt të tij dhe frekuentonte kuvendet fetare që mbante ai (s.a.s.). Seleme (r.a.), nuk i ndante aspak sytë nga Dielli i dy botëve, i Nderuari ynë (s.a.s.). Gjithashtu mori pjesë edhe në luftërat e tjera bashkë me të. Ai qëndroi në Medinë deri kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.).

Në një moment përgjatë luftës së Mu’tes, muxhahidët u detyruan të tërhiqeshin pas. Kur u kthyen në Medinë, disa persona filluan të thoshin “furrar / dezertues nga lufta” për ata. Seleme ibn Hishami (r.a.), u shqetësua shumë nga kjo fjalë. Për këtë arsye, nuk doli në xhami për të falur namazin për pak kohë.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, e kuptoi gjendjen dhe tha për ata: “Seleme dhe shokët e tij nuk janë “ferrarun / dezertues nga lufta”, por janë “kerrarun / tërhequr pas për një sulm tjetër të ri”. Pastaj kërkoi që Seleme ibn Hishami (r.a.), të dilte nga shtëpia. (Vakidi, II, 764-765; Ibnu’l-Esir, II, 284.)

Seleme ibn Hishami (r.a.), mori pjesë edhe në luftërat që u realizuan në anën e Sirisë në periudhën e kalifatit të Ebu Bekrit (r.a.). Ndërsa në luftën Merxhissuffer që u bë me Bizantët në vitin 14 hixhri / 635 e.s. e cila ndodhi gjatë kalifatit të Umerit (r.a.), ra dëshmor. (Ibn Sa’d, IV, 131.)

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na bëftë të gjithëve prej atyre që marrin mësim nga emocioni i besimit, besnikëria dhe durimi i Seleme ibn Hishamit (r.a.)! Amin!..

Marre nga: https://www.progresibotime.com/post.php?p_id=904

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...