Home » Sahabet » Habib ibnu Zejd r.a.

“Ju bekoftë Allahu për hir të EhliBejtit  dhe ju mëshiroftë për hir të tyre.”  Muhammedi a.s.

Në një shtëpi ku përhapej aroma e imanit (besimit), që përfshinte secilin prej këndeve të saj, ku në fytyrat e përvuajtura të çdo banuesi pikaseshin shenjat e flijimit dhe të heroizmit, u rrit Habib ibnuu Zejd el Ensariu.

*  *  *

Babai i tij ishte Zejd ibnu Asimi, njëri nga muslimanët e parë të Jethribit dhe njëri nga shtatëdhjetë dëshmitarët e Akabës, të cilët e mirëpritën Pejgamberin a.s. dhe u zotuan se do ta mbështesin dhe ndihmojnë me të gjitha mjetet. Me të ishte bashkëshortja dhe dy bijat e tij.

Nëna e tij ishte Ummu Amare, nga fisi ElMazini. Ajo ishte femra e parë e cila mori armët për ta mbrojtur fenë e Allahut dhe të Dërguarin e Tij, Muhammedin a.s.

Vëllai i tij ishte Abdullah ibnu Zejdi, i cili e shpalosi gjoksin e tij para Pejgamberit a.s. me qëllim që ta mbrojë në betejën e it.

Pejgamberi a.s. ka thënë për të:

“Ju bekoftë Allahu për hir të EhliBejtit (familjes së Muhammedit a.s.). Ju mëshiroftë Allahu për hir të Ehli – Bejtit…”

*  *  *

Drita hyjnore (besimi) kish depërtuar në zemrën e Habibit dhe ishte vendosur e përqendruar në të, kur ai akoma ishte i ri dhe fare i njomë.

Ai pati fatin që, bashkë me nënën, babain, tezen dhe vëllanë e tij të shkojë në Mekë, me qëllim që të marrë pjesë së bashku me grupin prej 70 vetave, që kishin bërë vepra fisnike dhe heroike në përpjekjet për të ndërtuar historinë islame, dhe të shtrijë dorën e tij të vogël për ta përshëndetur Pejgamberin a.s. nëpër errësirë të natës, në Akabe.

Që nga ajo ditë, Pejgamberi a.s. u bë më i dashur për të sesa babai dhe nëna e tij…

Feja islame ishte më e shtrenjtë sesa jeta e tij…

*   *   *

Habibi nuk mori pjesë në luftën e Bedrit, sepse atëherë ishte shumë i vogël, as nuk pati nderin që të merrte pjesë në , sepse ende nuk ishte i zoti për të mbajtur armën… Por, më vonë, kur u rrit, mori pjesë në të gjitha betejat që zhvilloi Pejgamberi a.s. Ky njeri për Pejgamberin a.s. ishte simbol nderi dhe në secilën betejë dëshmonte se e meritonte atë nder, meqë kishte qëndrimin e një shpirti flijues. Megjithëse ato beteja karakterizoheshin me skena sa madhështore aq edhe tmerruese, ato rezultuan në sajë të një përgatitjeje të ngjeshur për një qëndrim stoik, për të cilin do të rrëfehet në vazhdim. Ai qëndrim do ta vetëdijësojë thellë ndërgjegjen tuaj, ashtu siç vetëdijësoi ndërgjegjet e miliona muslimanëve që nga koha e Pejgamberit a.s. e deri në ditën e sotme.

Kjo ngjarje do të të mahnisë edhe ty, ashtu siç ka mahnitur miliona njerëz gjatë shekujve. Pra,ndaj lexoni në vazhdim për këtë ngjarje të bujshme që nga fillimi i saj.

*  *  *

Në vitin e nëntë pas hixhretit, feja islame ishte forcuar dhe stabilizuar. Ajo zuri të ngulitet me të madhe në mendjet e njerëzve, kështu që delegacionet e arabëve nga të gjitha anët e siujdhesës filluen të arrijnë në Jethrib për t’u takuar me Pejgamberin a.s., që ta shpallin pranimin e fesë islame para tij, ta përshëndesin dhe t’i binden me përkushtim.

Në mesin e këtyre delegacioneve ishte delegacioni i fisit Benu Hanife, i cili vinte nga lartësitë e Nexhdit.

* * *

Delegacioni vendosi devetë në periferi të qytetit të Pejgamberit a.s.. Për t’u kujdesur për to lanë një njeri të quajtur Musejleme ibnu Hubejb ElHanefi. Pastaj, delegacioni shkoi para Pejgamberit a.s. dhe dëshmuan pranimin e fesë islame. Pejgamberi a.s. i mirëpriti me respekt ata dhe për secilin prej tyre dha nga një dhuratë. Edhe kujdestarit të deveve i dha dhuratë.

Ende pa arritur delegacioni në vendbanimin e tij në Nexhd, kur papritur Musejleme ibnu Hubejbi dezertoi nga feja islame, u ngrit në mesin e njerëzve dhe u kumtoi qëndrimin e vet:

– Unë jam profet i dërguar nga Zoti te fisi Benu Hanife njësoj siç e ka dërguar Zoti të birin e Abdullahut, Muham-medin, te kurejshitët…

Njerëzit e fisit të tij, të shtyrë nga motive të ndryshme dhe nga fanatizmi, filluan të tuboheshin rreth tij dhe njëri prej tyre tha:

– Dëshmoj se Muhammedi a.s., është i sinqertë kurse Musejlemeja është rrenacak, por rrenacaku i fisit të madh arabRebi’a është më i dashur sesa i sinqerti i fisit Mudar (fisi i Muhammedit a.s.)

* * *

Pasi u forcua dhe fitoi disa përkrahës dhe ithtarë ai i shkroi Pejgamberit a.s. një shkresë me këtë përmbajtje:

“Nga Musejlemeja, profet i Zotit, drejtuar Muhammedit, profetit të Zotit, ju përshëndes. Unë jam pjesëmarrës me ty në çështje. Ndaj, neve na takon gjysma e tokës, kurse kurejshitëve gjysma tjetër. Kurejshitët kryejnë agresione ndaj fqinjëve.

Letrën  e dërgoi nëpërmjet dy njerëzve të tij. Pasi iu lexua shkresa Pejgamberit a.s., ai pyeti ata dy njerëz:  Çka mendoni ju të dy?

Ata u përgjigjën: – Ne mendojmë atë që ke thënë.

Pejgamberi a.s. u tha: – Për Zotin, sikur të ishte traditë të vriten emisarët, do t’u preja kokën menjëherë.

Pastaj i dërgoi një shkresë Muselemes në të cilën thotë:

“BismillahirrRramanirrRrahim. (“Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit”)

Nga Muhammedi, Pejgameri i Zotit, Musejlemes gënjeshtar. Përshëndetja i drejtohet atij i cili pason udhëzimin e drejtë. Toka është e Zotit. Ai e bën trashëgimtar të saj cilindo prej adhuruesve të Tij, kurse shpërblimet u takojnë vetëm njerëzve të devotshëm.” Shkresën e dërgoi nëpërmjet dy njerëzve.

*  *  *

Sherri i Musejleme gënjeshtarit u shtua. Përçarja u përhap dhe u zgjerua. Pejgamberi a.s. e pa të udhës që të dërgojë tek ai një shkresë me anën e së cilës i kërkon që të shmanget nga kjo rrugë e gabuar. Për këtë angazhoi heroin e tregimit, Habib ibnu Zejdin.

Asokohe ai ishte i ri, por kishte kaluar kohën e fëmijërisë. Ishte besimtar i denjë e shembullor.

*   *   *

Habibi u nis për të kryer detyrën që ia kishte caktuar Pejgamberi a.s. Ai as s’ishte i pavëmendshëm e as nuk ngutej. Ai zuri të ngjitej në maja të larta dhe sapo i kaloi ato, vazhdoi rrugëtimin e tij duke zbritur luginave, derisa arriti te shtëpitë e fisit Benu Hanife, në rrafshnaltat e Nexhdit, ku ia dorëzoi letrën Musejlemes.

Derisa Musejlemja dëgjonte përmbajtjen e letrës, nga mllefi dhe urrejtja iu fry gjoksi, në vijat e fytyrës së tij të shëmtuar dhe të zverdhur pikaseshin shenja hakmarrjeje dhe tradhtie. Ai urdhëroi që Habibit t’i vihen prangat dhe ta sjellin të nesërmen, në mesditë.

Të nesërmen, Musejlemja kryesoi tubimin. Në anën e djathtë dhe të majtë vendosi putat e besimit  politeist të të parëve të tij. Lejoi masën e popullit që të hynte tek ai e pastaj urdhëroi që ta sillnin Habibin. Ndërsa e sillnin, ai mezi ecte nga prangat e vëna.

Habib ibnu Zejdi, në mes të masës së grumbulluar dhe urrejtëse, qëndroi kokëlartë, i përmbajtur dhe ngrihej në mesin e tyre si një shigjetë e fortë, e farkuar prej shigjetarit.

Atëherë Musejlemja u kthye nga ai dhe e pyeti:

 Dëshmon që Muhammedi është i Dërguari i Zotit?

 Po, dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Zotit,  tha ai.

Pastaj Musejlemes i shpërtheu hidhërimi dhe pyeti:

 Dëshmon që unë jam i Dërguari i Zotit?

Habibi u përgjigj duke u tallur:

 Në të vërtetë, veshët e mi kanë pengesë për të dëgjuar atë që thua.

Atëherë ndërroi fytyra e Musejlemes, buzët e tij u drodhën nga zemërimi dhe urdhëroi xhelatin:

 Preje një pjesë nga trupi i tij!

Xhelati i ra me shpatë Habibit dhe ia shkëputi një pjesë të trupit, e cila u rrokullis në tokë…

Musejlemja ia përsëriti prapë të njëjten pyetje:

 Dëshmon se Muhammedi është i Dërguar i Zotit?

Habibi ia priti:  Po, dëshmoj se Muhammedi është i Dërguar i Zotit.

Musejlemja pyeti pastaj:

 Dëshmon se unë jam i Dërguar i Zotit?

 Të thashë se kam në veshë një pengesë për të dëgjuar atë që thua,  i tha Habibi.

Atëherë urdhëroi prapë xhelatin që t’i priste nga trupi i tij edhe një pjesë tjetër. Ajo iu pre dhe u rrokullis në tokë derisa u sheshua pranë pjesës së parë. Njerëzit e shikonin dhe ishin të befasuar me vendosmërinë dhe kokëfortësinë e tij.

Musejlemja vazhdimisht pyeste, kurse xhelati prente sa herë që Habibi thoshte “Dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Allahut”.

Kështu u veprua derisa gjysma e trupit të tij u bë copacopa, të shpërndara nëpër tokë. Gjysma tjetër ishte një pjesë që ende fliste…

Edhe në çastin kur po ndërronte jetë, buzët e tij të pastra përsërisnin emrin e Pejgamberit, të cilin e kishte dashur dhe ia kishte dhënë besën në Akabe…

Emri i Muhammedit a.s., të Dërguarit të Allahut… ishte fjala e tij e fundit.

*  *  *

Për vdekjen e Habibit lajmëtari e njoftoi të ëmën e tij, e cila s’u përkul për asnjë moment duke thënë:

“Për hir të Zotit dhe për një qëndrim të këtillë e kam përgatitur… Nga Zoti pres shpërblimin për të…”

Ai e ka pranuar Pejgamberin a.s. dhe ia ka dhënë besën që në natën e Akabes, derisa ishte i vogël, ka qëndruar pranë saj dhe e ka mbajtur edhe sot në moshën madhore.

Sikur të më lejonte Zoti, do t’i bëja vajzat e tij t’i gërvishin fytyrat e tyre duke qarë e vajtuar për të.

Dita që priste me padurim e ëma e Habibit nuk vonoi…

Kur, ja, muezini i Ebu Bekrit në Medinë që thërriste për ta vrarë profetin e rrejshëm, Musejlemen…

Muslimanët ishin të motivuar që të shkojnë për t’u ndeshur me të. Në mesin e ushtrisë ishte Nesibeja nga fisi Mazini dhe i biri i saj Abdullah ibnu Zejdi.

Në betejën e Jemames është vërejtur Nesibeja duke çarë radhët si luaneshë hakmarrëse dhe duke thërritur:

 Ku është armiku i Zotit? Ma tregoni armikun e Zotit…

Kur arriti tek ai, e gjeti të hedhur për tokë, ndërsa shpatat e muslimanëve pikonin gjakun e tij. Atëherë u qetësua shpirtërisht, kurse sytë iu mbushën me lot. E përse jo?! A nuk u hakmor Zoti i Lavdishëm për të birin e saj të devotshëm, të ri dhe të mirësjellshëm ndaj prindërve, kundër vrasësit të tij mizor dhe të humbur?!

Gjithsesi…

Secili prej të dyve kanë shkuar te Zoti i tyre, por…

Njëri prej tyre në xhenet (parajsë).

Tjetri në ferrin e tmerrshëm.

Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up