Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Zejd ibn Hattab r.a.

Zejd ibn Hatabi ishte midis të parëve që pranoi Islamin në periudhën më të vështirë të tij. Ai ishte vëllai i madh i Omer Ibn Hatabit.

Zejd ibn Hatabi u lind dhe u rrit në Mekë. Zejd ibn Hatabi i përket fisit Adevi, një nga fiset e rëndësishme të Mekës së asaj periudhe.

Zejd ibn Hatabi ishte njeri i dashur dhe një personalitet i respektuar në mesin e shoqërisë Mekase. Ai ishte i njohur për bujarinë, durimin moralin dhe mikpritjen e tij të madhe.

Sapo dëgjoi për Islamin, pa humbur kohë shkoi tek Pejgamberi (a.s.), për të marrë informacion më tepër në lidhje me fenë e re.

Pasi dëgjoi të gjitha ajetet Kuranore që i kishin zbritur Pejgamberit (a.s.) dhe reflektoi mbi to, menjëherë dëshmoi shehadetin, duke fituar kështu statusin e myslimanit.

Kur u shtuan vuajtjet dhe persekutimet ndaj myslimanëve, ai së bashku me familjen emigroi në Medine.

Pejgamberi (a.s.), e vëllazëroi me Ma’n Ibn Adij.

Zejd ibn Hatabi ishte njeri i heshtur, i qetë, por trim dhe guximtar. Tregoi një trimëri të jashtëzakonshme në luftën e Bedrit, Uhudit, Hendekut. Trimëria dhe heroizmi që tregoi në luftën e Uhudit u shndërrua në legjendë në gjuhën e njerëzve.

Në luftën e Uhudit Zejdit i ra mburoja. Kur Omeri (r.a.), vëllai i tij e pa, menjëherë hoqi mburojën e vet dhe ia zgjati Zejdit.

Por Zejdi, i cili synonte martirizimin, nuk pranoi duke thënë:

“Edhe unë dëshiroj atë që dëshiron ti.”

Pas këmbënguljes dhe betimit të Omerit (r.a.), Zejdi pranoi ta vishte mburojën për një moment sa për të çuar në vend betimin e vëllait, por më pas e hoqi përsëri duke u justifikuar para Omerit me fjalët:

“Atë që dëshiron ti për vete e dëshiroj edhe unë për veten time.”

Të dy mësynë trimërisht kundër armikut duke luftuar me të gjitha forcat dhe zemrat e tyre.

Zejdi (r.a.), nuk u shkëput nga xhihadi edhe pas largimit të Pejgamberit (a.s.), nga kjo botë.

Ai mori pjesë në luftën e Jemanes në kohën e Ebu Bekrit (r.a.), duke treguar një trimëri dhe heroizëm të pashoq.

Kur vuri re dobësimin dhe hezitimin e myslimanëve për t’u përballur me armikun, me një zë kumbues iu drejtua turmës:

“Ç’është ky hezitim për të luftuar, kjo nuk i ka hije trimërisë dhe burrërisë. O Zot, kërkoj ndjesë prej Teje për hezitimin e shokëve për të luftuar.

O njerëz, tregohuni të fortë, të qëndrueshëm dhe durimtarë, mos u frikësoni prej armikut, por hidhuni në sulm dhe luftoni deri sa të fitoni gradën e dëshmorit ose fitoren mbi armikun. Unë do të luftoj deri sa të fitoj gradën e dëshmorit ose të fitoj betejën.”

Pas kësaj fjale, Zejdi u sul kundër armikut duke luftuar me një guxim të pashoq.

Ai ishte i gjatë, trupmadh, i fuqishëm dhe i shkathët. Kush i dilte përpara në fushën e betejës, e hidhte përtokë. I vetëm kishte depërtuar thellë në mesin e armiqve, kur e goditi një shigjetë dhe ra dëshmor.

Flamuri që kishte në dorë i ra në tokë, menjëherë vrapoi Salim ibn Ma’kil dhe e ngriti flamurin.

Kur Omerit (r.a.), i arriti lajmi i martirizimit të Zejdit (r.a.), tha:

“Allahu e mëshiroftë Zejdin, sa e dhimbshme qenka humbja e vëllait!” – dhe iu mbushën sytë me lot, pastaj tha:

“Në dy mirësi ma ka kaluar:

Ai u nderua me Islam dhe fitoi gradën e dëshmorit para meje.”

Burimi

YouTube player

 

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events