Home » Sahabet » Xhaferr Bin Ebi Talib (r.a) – Jete Sahabesh

“E kam parë Xha’ferin në xhenet. Dy krahët e tij të përgjakur i kishte të stolisur me pendla shumëngjyrëshe.” (Hadith sherif)

Si e prezantoi Xhafer bin Ebi Talibi fenë islame

Kur myslimanët vajtën në Abisini, mbreti i atij vendi u kërkoi sqarime rreth fesë islame. Ai që mori përsipër të përgjigjej ishte Xhaferr bin Ebi Talib, djali i xhaxhait të Profetit a.s. Kushdo që i ka dëgjuar ato fjalë, nuk ka se si të mos jetë prekur nga thjeshtësia dhe madhështia e tyre njëkohësisht.
Ai nuk foli gjatë, siç e kanë zakon disa njerëz. Ai ia përmblodhi fenë në disa norma morale, të cilat bëjnë për vete çdo njeri. Xhaferri i tha: “Ne kemi qenë një popull injorant, adhuronim idhujt, të fortët prej nesh shtypnin të vobektët, me komshinjtë dhe farefisin shkonim keq… Nga mesi ynë, Zoti dërgoi një profet, të cilit ia njihnim prejardhjen, moralin, sinqeritetin dhe besueshmërinë. Ai na urdhëroi të thonim të vërtetën, të çonim në vend amanetin, të shkonim mirë me farefisin…”
Këtu duket qartë se sa drejt e kishte kuptuar Islamin Xhaferr bin Ebi Talibi. Ai nuk i përmendi aspak pesë shtyllat e Islamit, por përmendi objektivat e tyre. Në fillim, Xhaferri foli për të metat e jetës së tyre para Islamit, dhe pastaj për udhëzimin drejt normave morale, duke i prezantuar me cilësitë e larta e fisnike të Profetit a.s. Në fund, i njohu me normat dhe ligjet që kishte sjellë ky Profet, që bënin thirrje për përsosjen e vlerave morale.
Mbreti kristian Nexhashiu, bashkë me priftërinjtë në pallatin mbretëror, do të mahnitej nga mesazhet e tij, të transmetuara nga nxënësi guximtar i Profetit, Xhaferr bin Ebi Talib. Megjithëse nuk e kishte parë Profetin, mbreti i Abisinisë e besonte atë dhe shprehte dëshirën e zjarrtë të ishte shërbëtor i tij.

Fragmente nga jeta e Sahabeve

Nga pasardhësit e Abdu Menafit[1] ishin pesë persona që kishin ngjashmëri shumë të madhe me Muhammedin a.s., saqë ndonjërit me pamje të dobët këta të pestë mund t’i ngatërroheshin me të Dërguarin e Allahut xh.sh. Lexues i nderuar, sigurisht se edhe ti je kureshtar dhe ke dëshirë që t’i njohësh më për së afërmi këta pesë persona që i përngjanin aq shumë Pejgamberit a.s., mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Këta ishin:

  1. Ebu Sufjan ibnu Harith ibnu Abdul Mutalibi – djalë i xhaxhait të xhaxhait të Pejgamberit a.s. dhe njëherazi edhe vëlla i tij nga qumështi.
  2. Kuthemu ibnul Abbas ibnu Abdul Mutalibi gjithashtu djalë i xhaxhait të Pejgamberit a.s.
  3. EsSaib ibnu Ubejde ibnu Abdi Jezid ibnu Hashimi gjyshi i Imam Shafiut r.a.
  4. Hasan ibnu Ali nipi i Pejgamberit a.s., i cili prej këtyre të pestëve i përngjante më së tepërmi, dhe
  5. Xha’fer ibnu Ebi Talibi vëllai i “emirul mu’minin”, Aliut r.a.

Tani eja të ndriçojmë ca pamje nga jeta e këtij të fundit, Xha’fer ibnu Ebi Talibit.

Ebu Talibi, edhe përkundër pozitës së lartë, nderit dhe autoritetit të madh që gëzonte ndër kurejshitët, gjendjen materiale e kishte mjaft të ligë. Gjendja sa vinte i keqësohej edhe më tepër për shkak të thatësisë së madhe që mbretëronte atë vit në Mekë, saqë të gjitha të mbjellat ishin tharë e shkretuar. Atëbotë nga familja e Benu Hashimit nuk kishte njerëz më të pasur se Muhammedi a.s. dhe xhaxhai i tij, Abbasi.

Një ditë prej ditësh, Muhammedi a.s. iu drejtua Abbasit dhe i tha:  O xhaxhai im! A nuk po sheh se vëllai yt, Ebu Talibi, ka shumë fëmijë, e njerëzit i ka goditur thatësia, skamja dhe uria, prandaj eja të shkojmë tek ai e t’ia lehtësojmë pak këtë gjendje të vështirë. Unë do ta marr në përkujdesje një djalë të tij dhe ti merr një tjetër.

Abbasi ia ktheu:

 Më thirre në mirësi dhe më nxite që të bëj mirë, o nipi im. Pas kësaj, shkuan te Ebu Talibi dhe i thanë: “Ne deshëm që të ta lehtësojmë pak barrën e fëmijëve, derisa të kalojë kjo gjendje e vështirë që i ka goditur njerëzit.”

Ai u tha:

– Nëse ma lini pranë Akilin[2], merrni prej të tjerëve kë të doni. Kështu që Muhammedi a.s. e mori në përkujdesje Aliun, ndërsa Abbasi mori Xha’ferin.

Derisa Aliu r.a. ishte në shtëpinë e Muhammedit a.s., kur zbriti shpallja hyjnore dhe ishte i pari nga fëmijët që i besoi atij, Xha’feri jetoi me xhaxhain e tij, Abbasin, derisa arriti në moshën madhore, pastaj pranoi Islamin dhe u pavarësua prej tij.

Xha’fer ibnu Ebi Talibi së bashku me bashkëshorten e tij, Esma binti Umejsin, iu bashkua karvanit të dritës (grupit të muslimanëve) që nga fillimi. Të dy e përqafuan Islamin nëpërmjet Ebu Bekrit r.a., para se të hynte i Dërguari i Allahut në shtëpinë e Erkamit.

Këta dy të rinj përjetuan mundimet, torturat dhe nënçmimet më të rënda nga kurejshitët, ashtu siç i përjetuan edhe muslimanët e parë, por i përballuan me durim të gjitha sepse e dinin se rruga për në xhenet dhe në dritën e shpëtimit është e shtruar me plot gjemba, vështirësi, dhembje e mundime. Mirëpo, ajo që i mundonte dhe i brengoste më së tepërmi ata të dy si dhe muslimanët e tjerë, ishte se kurejshitët ua ndalonin atyre t’i shfaqin haptazi ndjenjat e tyre fetare, duke i penguar në çdo kohë dhe në çdo vend ta shijojnë kënaqësinë e adhurimit (ibadetit).

Gjatë kësaj gjendjeje të mjerueshme Xha’ferit së bashku me bashkëshorten e tij dhe një grupi muslimanësh iu lejua që të shpërngulet në Abisini (Etiopia e sotme). Në fytyrën e Xha’ferit shiheshin shenjat e pikëllimit dhe të mërzisë. I vinte shumë vështirë t’i ndajë këta besimtarë të pastër e të pafajshëm nga pragu i vatrave të tyre, nga shtëpitë ku kishin kaluar fëmijërinë dhe çastet më të lumtura rinore, pa bërë kurrfarë faji, vetëm pse thonin: “Zoti ynë është Allahu”. Mirëpo, edhe përkundër dëshirës së tij të flaktë, ai nuk kishte asgjë në dorë që të mund t’i zmbrapste të këqijat e kurejshitëve ndaj tyre.

*  *  *

Kur arriti grupi i muhaxhirëve të parë në Abisini në krye me Xha’fer ibnu Talibin r.a., ata u vendosën nën mbrojtjen dhe kujdesin e mbretit të drejtë e të ndershëm, Nexhashiut. Për herë të parë pas përqafimit të Islamit përjetuan shijen e sigurisë, duke ndier kënaqësi shpirtërore në ibadetin e tyre, pa i penguar askush në këtë lumturi të çiltër.

Kurejshitët, sapo morën vesh për shkuarjen e këtij grupi muslimanësh në Abisini, filluan menjëherë me shantazhet dhe intrigat e tyre për kthimin në Mekë ose likuidimin e tyre të plotë fizik, ngase kishin zili dhe urrejtje të madhe ndaj tyre.

Tani t’ia japim fjalën Ummi Selemasë të na rrëfejë për një ngjarje, dëshmitare e së cilës ishte vetë.

Ummi Selema rrëfen e thotë:

…Kur arritëm në tokën e Abisinisë, hasëm në fqinjësinë më të mirë. Zemrat tona u prehën dhe u qetësuan, sepse mund ta adhuronim Allahun xh.sh. lirisht, pa na e thënë kush as më të voglën fjalë. Kur kurejshitët morën vesh për këtë gjë, filluan menjëherë dredhitë dhe makinacionet e tyre tinzake për kthimin tonë duke dërguar te Nexhashiu dy burrat më autoritativë të tyre: Amër ibnu Asin dhe Abdullah ibnu Ebi Rebian. Ata kishin marrë me vete dhurata shumë të çmueshme për Nexhashiun dhe patrikët e tij, të cilat i kishin zgjedhur nga toka e Hixhazit me kujdes, sipas shijes së tyre të stërholluar. Ata ishin të porositur nga kurejshitët që çdo patriku t’i jepet dhurata e tij para se të fillojnë bisedimet dhe negociatat me mbretin rreth çështjes sonë. Pasi arritën në Abisini, ata të dy së pari u takuan me murgjit e Nexhashiut dhe çdonjërit prej tyre ia dorëzuan dhuratën e dedikuar enkas për të, duke i thënë: “Në tokën tuaj kanë gjetur strehim disa prej djemve tanë të mashtruar e të marrë, të cilët lanë fenë e të parëve të tyre dhe futën përçarje në mesin e popullit tonë. Prandaj, kur t’i flasim ne mbretit për këtë çështje, ju këshillojeni atë që të na i dorëzojë pa i pyetur fare për fenë e tyre të re. Pas kësaj bisede, patrikët u premtuan atyre se do t’i flasin mbretit për këtë punë.

…Amri dhe Abdullahu shkuan te Nexhashiu, ia dorëzuan dhuratat e çmueshme  të cilat ai i pëlqeu së tepërmi, pastaj i thanë: “O mbret i nderuar! Në mbretërinë tënde kanë gjetur mbrojtje dhe strehim një grup prej fundërrinës dhe më të këqinjve të rinisë sonë. Agjitojnë në një fe të cilën s’e njihni as ju e as ne. Janë larguar nga feja jonë e nuk duan të hyjnë as në fenë tuaj. Neve na kanë dërguar te ju paria e popullit tonë, prindërit, xhaxhallarët dhe të afërmit e tyre, që të na i ktheni prapë, sepse ata përçanë fenë dhe popullin tonë.”

Pas këtyre fjalëve, Nexhashiu ktheu kokën dhe shikimin nga patrikët e tij dhe ata njëzëri i thanë: “Kjo që thanë këta të dy është plotësisht e vërtetë, o mbret i nderuar, e tekefundit populli i tyre e di më së miri se ç’faj kanë bërë këta të rinj, prandaj më së miri është që t’i kthesh ata andej nga kanë ardhur.”

Nga këto fjalë të patrikëve mbreti u zemërua aq shumë, saqë me zë të lartë u tha: “Jo! Për Zotin, nuk e dorëzoj asnjërin prej tyre derisa t’i thërras e t’i pyes për atë që u mvishet. Nëse janë ashtu siç thonë këta të dy do t’ua dorëzoj, e nëse është e kundërta, do t’i mbroj ata me tërë qenien time dhe do të kujdesem për fqinjësinë e tyre, nëse dëshirojnë që të jem ende mikpritës i tyre.”

*  *  *

Umi Selema vazhdon:

Pas kësaj Nexhashiu na thirri në një takim. Para se të shkojnë tek ai u mblodhëm të gjithë dhe i thamë njëritjetrit:” Mbreti do të na pyesë për fenë tonë, prandaj le ta shfaqim haptazi atë që besojmë, e në emrin tonë të mos flasë askush tjetër përveç Xha’fer ibnu Ebi Talibit.”

…Kur shkuam te Nexhashiu, i pamë murgjit të ulur në të djathtë dhe në të majtë të tij, të gjithë të veshur me pelerina të gjelbërta, me kësula në kokë dhe me libra të hapur para vetes. Në mesin e tyre vërejtëm edhe Amër ibnul Asin dhe Abdullah ibnu Ebi Rebian. Pasi zumë vendet, Nexhashiu u kthye drejt nesh dhe na pyeti.  Çfarë është kjo fe e re të cilën po e predikoni, për shkak të së cilës u larguat nga feja e të parëve tuaj dhe nuk doni të hyni në fenë tonë të krishterë e as në ndonjë fe tjetër?

Xha’fer ibnu Ebi Talibi u ngrit dhe tha:

 O mbret i nderuar e fisnik!…Ne ishim një popull i padijshëm e injorant. Adhuronim idhujt, hanim coftinat, bënim çdo të keqe, shkëputnim lidhjet farefisnore, i keqtrajtonim fqinjtë dhe i forti e keqtrajtonte të ligun. Vazhduam kështu në këtë gjendje derisa Allahu xh.sh. na e dërgoi një Pejgamber nga mesi ynë, të cilit ia dimë prejardhjen, drejtësinë, besnikërinë dhe dëlirësinë e tij.

Na thirri t’i besojmë dhe ta adhurojmë vetëm një Zot, Allahun xh.sh., dhe të largohemi nga adhurimi i gurëve dhe i idhujve të pashpirtë, të cilëve u besonim ne dhe të parët tanë.

Na urdhëroi që ta flasim të vërtetën, t’i çojmë në vend amanetet, t’i mbajmë lidhjet farefisnore, të sillemi mirë ndaj fqinjëve, të përmbahemi nga të ndaluarat dhe gjakderdhja, na ndaloi të këqijat dhe nga dëshmia e rrejshme, nga ngrënia e pasurisë së jetimit dhe shpifjet ndaj grave të ndershme.

Na urdhëroi që të besojmë vetëm një Zot dhe të mos i bëjmë shok Atij, ta falim namazin, ta japim zekatin dhe ta agjërojmë ramazanin.

E ne iu përgjigjëm thirrjes së tij dhe e pasuam në atë që i erdhi nga ana e Allahut duke iu përmbajtur me përpikëri hallallit dhe haramit. Populli ynë, o mbret i nderua, u soll armiqësisht ndaj nesh, na mundoi me mundimet më të rënda, vetëm e vetëm që të na largojnë nga kjo fe dhe të na detyrojnë që prapë t’u kthehemi e t’i adhurojmë idhujt, që as nuk flasin e as nuk shohin.

Pas tërë këtyre vuajtjeve e mundimeve, ia mësymë vendit tuaj dhe zgjodhëm fqinjësinë tënde me shpresë se këtu do të gjejmë prehje e qetësi.

Kur i dëgjoi Nexhashiu të gjitha këto fjalë nga Xha’fer ibnu Ebi Talibi, iu drejtua atij dhe i tha:

 A keni me vete diçka nga ajo që i ka zbritur Pejgamberit tuaj nga ana e Allahut?

 Posi, – ia ktheu Xha’feri.

 Atëherë më lexoni diçka prej saj  tha Nexhashiu.

Xha’feri lexoi një pjesë nga kaptina Merjem, derisa përfundoi me ajetet rreth lindjes së Isait a.s.

Umi Selema vazhdon e thotë:

Pasi dëgjoi këto fjalë të shenjta të Kur’anit, Nexhashiu qau me lot, derisa iu lag edhe mjekra, e së bashku me të qanë edhe patrikët, derisa iu lagën edhe librat nga lotët e tyre.

 Kjo me të cilën ka ardhur i Dërguari juaj dhe ajo që i ka zbritur Isait dalin nga i njëjti burim drite,  tha Nexhashiu dhe pastaj u kthye nga Amri dhe shoku i tij dhe iu tha:  Shkoni, se për Zotin nuk jua dorëzoj kurrë!

Kur dolëm prej Nexhashiut, – thotë Umi Selema, – Amr ibnul Asi na u kërcënua duke i thënë shokut të tij:

 Për Zotin, nesër do të shkoj prapë te mbreti dhe do t’i them atij disa fjalë nga të cilat do t’i mbushet zemra me pezm dhe urrejtje ndaj tyre dhe do ta nxis që t’i shkatërrojë, t’i humbë dhe t’i tretë rrënjët e tyre.

Abdullah ibnu Ebi Rebia i tha: – Mos e bë këtë, o Amër, se tekefundit ata janë të afërmit tanë, edhe pse janë ndarë nga ne.

 Hesht e mos fol!,  i tha Amri atij, se për Zotin do ta njoftoj mbretin me diçka që këtyre do t’u dridhen këmbët. Do t’i them se këta thonë për Isain, të birin e Merjemes, se ishte njeri i rëndomtë (rob i zotit) e jo hyjni!

*  *  *

Të nesërmen Amri shkoi te Nexhashiu dhe i tha:

O mbret i nderuar! Ata të cilët dje i strehove dhe i mbrojte thonë për Isain “fjalë të mëdha”, prandaj thirri edhe njëherë dhe pyeti se çka mendojnë për të.

Kur e morëm vesh këtë, – thotë Umi Selema, – të gjithëve na kaploi një mërzi dhe dëshpërim të cilin s’e kishim përjetuar kurrë më parë. Kuvenduam me njëritjetrin për atë se çka do t’i themi mbretit kur të na pyesë për Isain a.s. dhe thamë: “Për Allahun, nuk do të themi tjetër përveç asaj që ka thënë Allahu xh.sh. dhe nuk do të shmangemi nga ajo që ka thënë i Dërguari ynë, e le të ndodhë pas kësaj çka të dojë.” Ne prapë u morëm vesh dhe ramë në ujdi që në emrin tonë të flasë Xha’feri. Kur shkuam te Nexhashiu, i pamë murgjit e tij të ulur në të njëjtat vende, siç ishin ulur edhe herën e kaluar. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe Amër ibnul Asi dhe shoku i tij,  Abdullahu. Kur dolëm para mbretit, na e priti përpara me fjalët:

 Çka thoni ju për Isain, të birin e Merjemes?!

 Themi atë që i zbriti të Dërguarit tonë nga ana e Allahut xh.sh.,  ia ktheu Xha’feri.- Themi se Isau është rob i Zotit, i Dërguar i Tij dhe “Fjalë e Tij” për virgjëreshën Merjeme.

Kur i dëgjoi Nexhashiu këto fjalë të Xha’ferit, i mëshoi tokës me dorë dhe tha: “Për Zotin, nuk ka dallim as sa një fije floku në mes Isait dhe asaj çka i ka zbritur të Dërguarit tuaj.”

Patrikët rreth Nexhashiut ofshanë thellë nga mospajtimi me fjalët që  dëgjuan prej tij…

Atëherë Nexhashiu iu drejtua atyre dhe u tha: “edhe nëse ofshani”, pastaj u kthye nga ne dhe tha: “Shkoni, se do të jeni të sigurtë. Ai që ju shan do të dënohet e ai i cili përpiqet t’u bëjë ndonjë të keqe dhe të cenojë dinjitetin tuaj,  do të ndëshkohet.

Për Zotin, nuk mund të lejoj që unë të vishem me rroba ari e ndonjërin prej jush ta godasë ndonjë e ligë.”

Pas këtyre fjalëve prekëse, Nexhashiu hodhi shikimin e tij drejt Amrit dhe shokut të tij dhe tha: “Kthejuani këtyre njerëzve dhuratat e tyre, se nuk kam nevojë për to!”

Me këto fjalë Ummi Selema e përfundon rrëfimin e saj dhe thotë: – Amër ibnul Asi dhe Abdullah ibnu Rebia dolën të thyer, të nënçmuar e me kokë të ulur nga turpi, ndërsa ne qëndruam te Nexhashiu edhe një kohë të gjatë në mikpritjen dhe fqinjësinë e tij më të mirë.”

Xha’fer ibnu ebi Talibi së bashku me bashkëshorten e tij qëndruan në mikpritjen e Nexhashiut dhjetë vjetë të sigurtë, në prehje dhe qetësi.

Në vitin e 7të të hixhretit ai u largua nga toka e Abisinisë së bashku me një grup muslimanësh dhe ia mësyen Medinës. Kur arritën, i Dërguari a.s. kthehej nga Hajberi[3] si ngadhënjyes e fitimtar.

Aq shumë u gëzua për ardhjen e Xha’ferit, saqë tha:

 Nuk di për çka të gëzohem më tepër! Për çlirimin e Hajberit apo për ardhjen e Xha’ferit?

As gëzimi i muslimanëve, e posaçërisht i atyre të varfër-ve, nuk ishte më i vogël sesa gëzimi i Muhammedit a.s. për kthimin e Xha’ferit, sepse ai ishte shumë i kujdesshëm, i ndieshëm dhe shpirtmirë ndaj të varfërve.

Për të na rrëfen Ebu Hurejra dhe thotë:

 Xha’feri ishte njeriu më i mirë për ne të varfërit. Na merrte dhe na ushqente në shtëpinë e tij me atë çka kishte derisa i sosej ushqimi. Prandaj nuk e quanim kot “babai i të varfërve”.

Mirëpo, qëndrimi i Xh’ferit në Medinë nuk zgjati shumë. Në fillim të vitit 8 hixhrij, i Dërguari a.s. përgatiti një ushtri kundër romakëve diku në tokat e Shamit (Sirisë), e në krye të saj për komandant emëroi Zejd ibnu Harithin, dhe tha: “Nëse Zejdi vritet ose plagoset, komandant le të jetë Xha’fer ibnu Ebi Talibi, e nëse edhe Xha’feri vritet apo plagoset, komandant le të bëhet Abdullah ibnu Revaha, e nëse edhe Abdullahu vritet apo plagoset, atëherë muslimanët le të zgjedhin një komandant nga mesi i tyre.”

Kur muslimanët arritën në vendin e quajtur “Mu’tete” (vend në Jordaninë e sotme), panë se ushtria romake kishte përgatitur kundër tyre 100 mijë ushtarë të përkrahur gjithashtu edhe nga 100 mijë arabë të krishterë nga fiset “Lahm”, Xhudham” dhe “Kuda’a”, kurse ushtria muslimane numëronte vetëm 3 mijë ushtarë. Dyqind mijë kundër tre mijëve!!!

Kur dy ushtritë u ndeshën në dyluftim, u zhvillua një luftë e rreptë. Nuk vonoi shumë e komandanti musliman Zejdi, i cili ishte futur thellë në radhët e armikut, ra shehid.

Atëherë Xha’fer ibnu Ebi Talibi kërceu nga kali, ia preu frerët e tij, që të mos mund ta kalëronin as armiqtë e tij, dhe ngriti lart flamurin duke u futur thellë në radhët e armikut dhe duke brohoritur:

“Oh, sa i bukur është xheneti kur të afrohesh pranë tij.

Me shumë pije të mira e të ftohta,

E romakëve si romakë e u është afrua ndëshkimi i tyre,

Ata janë të pafe (qafira) pa lidhje farefisnore,

Cilindo që e takoj prej tyre duhet me i ra,

Se kundër tyre për mua zgjidhje është vetëm lufta”.

Vazhdoi kështu të depërtojë nëpër radhët e armikut me shpatën e tij duke luftuar me një heroizëm të rrallë, derisa e goditën dhe ia këputën krahun e djathtë. Mirëpo ai menjëherë e mori flamurin në dorën e majtë por nuk vonoi shumë e ia këputën edhe krahun e majtë. Pas kësaj e mori flamurin dhe e shtrëngoi me muskujt e gjoksit të tij, derisa e goditën për së treti dhe ia çanë trupin në dy pjesë. Pas tij, flamurin e mori Abdullah ibën Revaha, i cili luftoi heroikisht derisa edhe ai ra shehid në rrugën e Allahut…

*  *  *

Kur i arriti Pejgamberit a.s. lajmi se të tre komandantët e tij kanë rënë dëshmorë në fushën e betejës, u mërzit dhe u pikëllua shumë. Menjëherë shkoi në shtëpinë e djalit të xhaxhait të tij, Xha’ferit. E pa gruan e tij Esmën tek përgatitej për pritjen e bashkëshortit të saj.

Ajo sa i kishte kryer punët e shtëpisë, i kishte pastruar fëmijët dhe i kishte veshur e parfumosur ata me erërat më të mira…

Esma na rrëfen për ardhjen e të Dërguarit a.s. në shtëpinë e saj dhe thotë: “Kur ia behu te ne Resulullahu, e pashë se fytyrën e tij fisnike ia kishin mbuluar shenjat e dëshpërimit dhe të mërzisë. Megjithëse nuk dëshiroja ta pyesja për Xha’ferin, prapëseprapë ndjeva një rrënqethje të ftohtë e të frikshme dhe thashë me vete: Vallë a mos i ka ndodhur diçka Xha’ferit?!”

Na përshëndeti dhe tha:M’i sill fëmijët e Xha’ferit këtu!”

Ata u afruan rreth tij të gëzuar e plot hare. Secili prej tyre shtyhej që të afrohej sa më afër Resulullahut.

Pejgamberi a.s. ua lëmoi flokët me dashuri e dhëmbshuri dhe nga sytë e tij të bekuar i pikonin lotët.

– Përse po qan o i Dërguar i Zotit?  i thashë, – a mos të ka arritur ndonjë lajm për Xha’ferin dhe shokët e tij?

Po, tha Pejgamberi a.s.,  ata sot kanë rënë shehidë në rrugën e Allahut.

Kur i dëgjuan fëmijët këto fjalë dhe panë nënën e tyre duke qarë e dënesur me lot, nga fytyrat e tyre të njoma u tret buzëqeshja dhe u strukën nëpër vendet e tyre pa bërë asnjë zë, kurse i Dërguari i Allahut u ngrit, i fshiu sytë e tij të përlotur dhe tha:

“O Allah i Gjithmëshirshëm! Trashëgoje Xha’ferin në fëmijët e tij!”

 “O Allah i Gjithmëshirshëm! Trashëgoje Xha’ferin në familjen e tij”, dhe shtoi:

“E kam parë Xha’ferin në xhenet. Dy krahët e tij të përgjakur i kishte të stolisur me pendla shumëngjyrëshe.”

[1] Prej stërgjyshërve të Resulullahut s.a.v.s.

[2] Akili  Ky është Akil ibnu Talib, vëllai i madh i Aliut r.a.

[3] Hajberi: kështjellat e hebrenjve, të cilat i çliroi i Dërguari  i Allahut s.a.v.s. në vitin e shtatë të hixhretit.

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up