Home » Sahabet » Ummu Habibe (Remle binti Ebu Sufjan) r.a.

Në vitin 7 Hixhri, në moshën 60 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e dhjetë, Umu Habibe bintu Ebi Sufjan, e divorcuar nga i shoqi i cili u bë i krishterë në Abisini. Umu Habibe r.a. lindi në vitin 25 para Hixhri dhe ndërron jetë në vitin 44 Hixhri, rreth 33 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Ajo është Ramla bintu Ebi Sufjan el Umevite, Umu Habibe: zonja e mbuluar, nëna e besimtarëve, prej bashkëshorteve të Profetit a.s., sahabie, motra e Muauijes r.a. Ajo ishte prej elokuenteve të kurejshve, me mendim të pjekur dhe e mençur. Fillimisht me të u martua Ubejdullah ibën Xhahshi me të cilin ajo emigroi në Abisini (në emigrimin e dytë të Abisinisë) dhe paskëtaj Ubejdullahu e lëshoi fenë Islame dhe u bë i krishterë, ndaj ajo u largua prej tij deri kur atij i erdhi vdekja në tokën e Abisinisë. Profeti a.s. dërgoi që të fejohej me të dhe ia besoi Nexhashiut (mbretit të Abisinisë) lidhjen e kurorës me Umu Habiben, ndërsa ajo këtë kurorëzim ia la në kujdestari Khalid ibën Seaid ibën el A’sit. Nexhashiu i dha asaj në emër të Profetit a.s. një mehr (prikë) prej katërqind dinarësh. Kjo ndodhi në vitin 7 Hixhri teksa mosha e saj ishte tridhjetë e ca vjeç dhe teksa i ati i saj (Ebu Sufjani) ishte ende në fenë e injorancës (në idhujtari). Ajo ndërroi jetë në Medinë. Në librat e hadithit asaj i takon transmetimi i 65 haditheve. Burimi

Urtesia e marteses

Vajza e njeriut që kishte përfaqësuar një kohë mohimin dhe blasfeminë kundër Profetit (s.a.v.) dhe profetësisë. Edhe kjo nga muslimanët e parë dhe nga të radhës së parë. Një grua e hequr dhe e vojtur, që në periudhën e brengës kishte emigruar në Etiopi, që kish përjetuar në fillim kthimin e të shoqit në i krishter, pastaj edhe vdekjen e tij…

Atëherë ithtarët pasues ishin të paktë në numër dhe të varfër. Ata s’kishin mundësi të kujdeseshin për ndokënd, për t’i siguruar ndokujt mjetet e jetesës. Në këto kushte, ç’mund të bënte Ummi Habibe? Ose të bëhej e krishtere e të përfitonte nga ndihma e të krishterëve, ose të kthehej në shtëpinë atërore, në atë çerdhe blasfemie, ose të lipte portë më portë. Asnjëra nga këto zgjidhje nuk ishte e mundur për gruan më besimtare, më të fisme e më të pasur për nga prejardhja. Mbetej vetëm një zgjidhje: ndërhyrja dhe kujdesi i Profetit…

Ja, pra, edhe në martesën me Ummi Habiben ndodhte e njëjta gjë. Kjo grua që kish pranuar çdo sakrificë për fenë, e mbetur larg vatanit dhe çerdhes familjare, mes zezakëve, ato ditë që jetonte zemërthyer nga tradhtia dhe vdekja e të shoqit, thirrej në audiencë të sundimtarit të Etiopisë, Nexhashiut, dhe i lidhej kurorë me Pejgamberin , një akt, ky tepër i natyrshëm. E kjo s’duhet dënuar, por, e konsideruar si realizimi i një domosdoshmërie të rrjedhur nga funksioni i Rahmeten li’l alemin, i Mëshirës së të gjitha botrave, duhet duartrokitur.

Mbetet të themi se edhe kjo grua e madhe, në të njëjtën mënyrë, kishte mjaft gjëra për të sjellë në botën diturore të muslimanëve burra e gra. Në të njëjtën formë, edhe kjo futej në atë mjedis lumturie edhe si bashkshorte, edhe si nxënëse.

Në të njëjtën kohë, në sajë të kësaj martese, edhe familja Ebu Sufjan pëfitonte mundësi të hynte e të dilte pa teklif në Banesën Profetike dhe zbutej duke fituar një portret tjetër… Kjo martesë ishte e një karakteri të tillë që do të realizonte ndikim jo vetëm mbi familjen Ebu Sufjan, por ndoshta edhe mbi të gjithë Emevitë(8). Madje, mund të thuhet se kjo familje e ashpër dhe fanatike në kulm, në sajë të kurorës së Ummi Habibes u zbut dhe u bë gati të pranonte çdo lloj bekimi. Burimi

Ebu Sufjanit nuk i shkonte mendja që ndonjëri nga mesi i gjerë kurejshit nuk do t’i pranojë apo do t’i kundërshtojë urdhrat e tij, sepse ai ishte zotëri i respektuar i Mekës dhe prijës i saj, respektohej e nderohej shumë.

Por, e bija e tij Remle, e quajtur Umu Habibe, tashmë e kishte thyer këtë bindje. Këtë e bëri atëherë kur u shpalli mosbesim zotave të të atit të saj dhe së bashku me burrin e saj, Ubejdullah ibnu Xhahshin, besuan në Allahun Një, të Pashoq, dhe besuan në Shpalljen e Pejgamberit të Tij,  Muhammedit të birit të Abdullahut.

Ebu Sufjani me tërë autoritetin dhe forcën që dispononte u përpoq ta kthejë të bijën dhe burrin e saj në fenë e tij dhe të gjyshërve të tij, megjithatë ai ishte i pasuksesshëm, sepse imani, që kishte depërtuar në zemrën e Remlesë, ishte i thellë, saqë uragani i Ebu Sujfanit nuk do të arrijë ta shkulë dot. Ai besim ishte i patundur e kjo gjë u vu në dukje me ballafaqimin e hidhërimit të tij.

*   *   *

Ebu Sufjanit iu shtua brenga për shkak të Remlesë, e cila kishte pranuar fenë islame. Ndaj nuk dinte si t’ia bënte dhe çka t’u thonte kurejshitëve kur të takohej me ta, pasi u tregua i paaftë që ta nënshtrojë bijën e tij dhe ta bindë të mos e pasojë Muhammedin.

Pasi kurejshitët hetuan se Ebu Sufjani është brengosur për Remlenë dhe burrin e saj, morën guximin dhe filluan t’ua ngushtojnë rrethin, t’i lodhin aq shumë, saqë jeta e atyre të dyve në Mekë u pamundësua.

Kur Pejgamberi a.s. lejoi muslimanët të migrojnë në Etiopi (Abisininë e atëhershme v.j.), Remleja, bija e Ebu Sufjanit, bija e saj e vogël Habibja dhe burri i saj Ubejdullahu ishin të parët që migruan në rrugën e Allahut duke u përpjekur që të gjejnë strehim te Nexhashiu (mbret i Etiopisë), i cili kishte dëgjuar Kur’anin, kishte besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i kishte strehuar muslimanët.

*  *  *

Por, Ebu Sufjani dhe krerët e tjerë kurejshit u zhgënjyen shumë, sepse grupi i muslimanëve shpëtoi nga duart e tyre dhe shkoi ta shijojë kënaqësinë e rehatisë në vendet e Etiopisë. Andaj, ata dërguan emisarët e tyre te Nexhashiu me qëllim që të ushtrojnë ndikim dhe t’i kërkojnë që t’ua dorëzojë muslimanët që kishin emigruar, por edhe t’ia përkujtojnë se ata kanë thënë fjalë fyese për Isain dhe nënën e tij, Merjemen.

Nexhashiu dërgoi disa njerëz të vet të besueshëm te krerët e emigrantëve muslimanë, që t’i ftojë ata në selinë e tij dhe t’i pyesë për të vërtetën e fesë së tyre, që t’i lexojnë diçka nga Kur’ani, i cili i zbret Pejgamberit të tyre.

Pasi muslimanët e njoftuan atë mbi të vërtetën e Islamit dhe ia lexuan disa nga versetet e Kur’anit, ai qau gjersa iu lag mjekra dhe u tha:

– Vërtet, kjo që i është zbritur Pejgamberit tuaj, Muhammedit, dhe ajo me të cilën ka ardhur Isai, i biri i Mejremes, dalin nga i njëjti burim drite.

Pastaj shpalli besimin e tij në Allahun Një dhe të Pashoq dhe besoi pejgamberllëkun e Muhammedit a.s.

Ai gjithashtu njoftoi opinionin se do t’i marrë në mbroj-tje të gjithë ata që kanë emigruar nga radhët e muslimanëve në vendin e tij, edhe pse priftërinjtë e tij refuzuan të besojnë dhe mbetën në Krishterimin e tyre.

*  *  *

Umu Habibeja mendoi se pas gjithë asaj që ndodhi, vuajtjet e gjata dhe rrugëtimi i saj i mundimshëm në rrugën e dhembjeve përfundoi në kopshtin e besimit… dhe se do të vijnë ditë të lumtura për të.

Por ajo nuk dinte se çfarë fshihet në përcaktimet e të Lartmadhërishmit…

*  *  *

Deshi Allahu, bekuar qoftë urtësia e Tij, që ta provojë Umu Habiben me një provim të vështirë, para të cilit trashen edhe mendjet e burrave të mençur.

Dhe nga ajo sprovë e rëndë, Ai deshi që ajo të dalë triumfuese, duke arritur me të suksesin më të madh në jetë.

*  *  *

Një natë, Umu Habibeja ra në shtratin e saj dhe pa një ëndërr. Ajo pa burrin e saj, Ubejdullahun, duke u përpëlitur në një det gllabërues. E kishin mbuluar skëterrat, njëra mbi tjetrën, kurse ai (Ubejdullahu) ishte në gjendjen më të keqe. Atëherë ajo u zgjua e trishtuar dhe e shqetësuar…

Ajo nuk dëshiroi që t’ia thotë atij dhe askujt tjetër atë që kishte parë në ëndërr.

Por ëndrra e saj sakaq u vërtetua, ngase ende pa kaluar dita, pas asaj nate të kobshme, Ubejdullah ibnu Xhahshi ndërroi fenë islame dhe u krishterizua…

Pastaj, ai u vërsul mbi dyqanet e pijeve alkoolike dhe konsumonte ato që ishin burim i të gjitha të këqijave, prandaj as nuk mundi ta shuajë etjen e as të ngopet kurrë.

Asaj i propozoi të zgjedhë njërën prej dy gjërave, më e ëmbla prej atyre të dyjave ishte gjithashtu e hidhur:

– të shkurorëzohet nga ai,

– ose të krishterizohet…

*  *  *

Umu Habibeja gjeti veten e saj befas ndërmjet tri vendimeve:

T’i përgjigjet burrit të saj, i cili filloi t’i bëjë presion dhe e ftonte të bëhej e krishtere, me çka ajo do të rebelonte nga feja e saj  Zoti mos e dhëntë  dhe do të kthehej në turpin e kësaj bote dhe të ndëshkohej në botën e amshue-shme.

Kjo është një çështje të cilën ajo kurrë nuk do ta bënte, edhe sikur t’i krehej mishi nga kockat me krehëra të hekurt…

Të kthehej në shtëpinë e babait të saj në Mekë, kur ai ende konsiderohej si shtyllë e politeizmit, atëherë do të jetonte e demoralizuar dhe e mposhtur në fenë e saj… ose

Të mbetej e vetmuar në tokat etiopiane, e dëbuar dhe e arratisur, pa familje, pa atdhe dhe pa ndihmës.

Atëherë ajo zgjodhi atë me të cilën Allahu është i kënaqur, e asgjë tjetër…

Vendosi të qëndrojë në Etiopi derisa Allahu të sjellë mburojë dhe ndihmë për të.

Pritja e Umu Habibes nuk zgjati shumë.

Posa i kaloi ideti (koha e caktuar që duhet të kalojë gruaja pas vdekjes së bashkëshortit ose pas shkurorëzimit nga ai) nga burri i saj, i cili nuk jetoi shumë pas krishterizimit të tij, Allahu i solli asaj ndihmën e Tij…

Në atë gjendje të pikëlluar, pa kurrfarë premtimi të caktuar… i erdhi gëzimi dhe hareja si një puhi e freskët mëngjesi në dritret e shtëpisë së saj.

Në një mesditë të ndritur, në një moment të lirë të jetës, trokiti dera e saj. Kur ajo hapi derën, u befasua kur pa “Ebrehen”, shërbëtoren e Nexhashiut, mbretit të Etiopisë.

Ajo e përshëndeti Umu Habiben në mënyrë të njerëzishme, pastaj kërkoi leje që të hyjë brenda dhe i tha:

– Mbreti të përshëndet dhe të thotë: “Vërtet, Muhammedi, Pejgamberi i Zotit ka kërkuar dorën tënde për martesë.

Ai ka dërguar një shkresë te mbreti, me të cilën e autorizon që të bëjë marrëveshjen e fejesës me ty, andaj autorizo kë dëshiron ti.”

*  *  *

Umu Habibeja gati fluturoi nga gëzimi dhe brohoriti: “Të përgëzoftë Allahu me të mirë… Të përgëzoftë Allahu me të mirë…”

Ajo filloi t’i zhveshë stolitë që kishte, i hoqi dy rrathët e artë dhe ia dhuroi “Ebrehes” (shërbëtores personale të mbretit etiopian)…

Pastaj këtë e përcolli duke i dhënë “hallhallen” (stoli të cilën gruaja e mban në këmbën e saj)… e mëpastaj dy vathet dhe unazat e veta…

Sikur t’i posedonte të gjithë thesarët e kësaj bote, do t’ia jepte asaj në atë moment.

Pastaj i tha shërbëtores:

– Në emër timin autorizoj Halid ibnu Se’id ibnu ElAsin, sepse ai është më i afërmi im.

*  *  *

Në pallatin e madh Nexhashiut, i ngritur mbi një bregore me drunj, në një kopsht të bukur etiopian dhe në njërën prej sallave të gjera të skalitura me shkathtësi, të ndriçuara me llampa të bukura prej bakri, të shtruara me shtroja të shtrenjta, ishin tubuar shokët e Pejgamberit që qëndronin në Etiopi, në krye të të cilëve ishin Xhafer ibnu Ebi Talibi, Halid ibnu Se’id ibnul Asi, Abdullah ibnu Hudhafe esSehmi dhe të tjerët që të dëshmojnë marrëveshjen e fejesës së Umu Habibes, bijës së Ebu Sufjanit, me Pejgamberin a.s.

Kur erdhën të gjithë të ftuarit, Nexhashiu shpalli tubimin të hapur dhe iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë:

– Falënderoj Allahun e Lartmadhëruar, i Cili duhet besuar dhe është Fuqiplotë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij, është ai për të cilin ka paralajmëruar Isai, i biri i Merjemes.

Mëpastaj tha:

– Vërtet, Resulullahu a.s. ka kërkuar prej meje që në emër të tij të bëj kurorëzimin e tij me Umu Habiben, të bijën e Ebu Sufjanit, prandaj i jam përgjigjur në atë që ka kërkuar dhe kam paguar “mehrin”[1] prej 400 dinarë të arit në vend të tij…

Sipas porosisë së Allahut dhe të Dërguarit të Tij…

Pastaj, ai hodhi dinarët para Halid ibnu Se’id ibnu elAsit.

Me këtë rast Halidi u ngrit dhe tha:

– Lavdi i takon vetëm Allahut, andaj Atë e falënderoj dhe prej Tij kërkoj ndihmë, prej Tij kërkoj falje, tek Ai pendohem dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Ai e ka dërguar atë t’i thërrasë njerëzit në fenë udhërrëfyese dhe të drejtë, që t’i vëjë themelet e saj dhe ta bëjë atë fenë më të fuqishme, të qëndrueshme, edhe nëse e urrejnë jobesimtarët.

Pastaj vazhdoi: “Unë iu përgjigja kërkesës së Resullullahit a.s. dhe me të kurorëzova Umu Habiben, të bijën e Ebu Sufjanit për të cilën kam autorizimin nga vetë ajo.

Pejgamberi a.s. dhe e fejuara e tij qofshin të bekuar nga Allahu.

Urime për Umu Habiben, për mirësinë që ka përcaktuar Allahu.

Ai pastaj e mori mehrin e saj dhe u nis që të shkojë tek ajo. U ngritën edhe shokët e tij dhe u nisën që të shkojnë së bashku me të.

Nexhashiu atëherë u tha:

 Uluni, sepse është traditë e Pejgamberëve që, kur martohen, të shtrojnë ushqim.

I ftoi ata për të ngrënë, andaj njerëzit hëngrën e pastaj u shpërndanë.

*  *  *

Umu Habibeja ka thënë:

– Kur më arriti “mehri” i dërgova “Ebrehesë”, e cila më kishte përgëzuar, mëse 50 mithkal (njësi matëse për arin dhe të ngjashme) e unë i thashë: “Unë do të ta dhuroja këtë atëherë kur më solle lajmin e gëzuar, por asokohe nuk kisha pasuri…”

Nuk vonoi dhe Ebreheja erdhi tek unë, ma ktheu arin dhe nxori një kuti të erërave në të cilën ishte rrethi i arit të cilin ia kisha dhuruar asaj, ma ktheu atë dhe më tha:

– Mbreti më ka urdhëruar që të mos marr asgjë prej teje, kurse gratë e veta i ka urdhëruar që t’i dërgojnë erërat e tyre.”

Të nesërmen, ajo solli një bimë shafrani, një lloj arome për parfemosje, anber (lloj parfemi, gjithashtu) e pastaj tha:

 Unë kam një nevojë të ngutshme…

Çfarë është ajo?  e pyeti.

Ajo më tha:

 Tashmë unë kam pranuar fenë islame, prandaj përcillja përshëndetjet e mia Pejgamberit a.s. dhe informoje që unë kam besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe mos harro!

Pastaj, më ndihmoi që të përgatitem.

*  *  *

Më pas, më transferuan tek i Dërguari i Allahut xh.sh.

Posa e takova atë, e informova se si u arrit fejesa jonë, se si u solla ndaj “Ebrehesë” kur mora lajmin e gëzuar… dhe ia përcolla përshëndetjet e saj.

Atëherë ai u gëzua pa masë për këtë lajm dhe tha:

“Edhe mbi të qoftë paqja, shpëtimi dhe bekimi i Alla-hut.” Burimi

[1] Mehri: është dhurata që burri ia jep gruas së tij me rastin e lidhjes së kurorës.

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up