Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Selman el Farisiu r.a.
YouTube player

“Selmani është prej nesh Ehli Bejtit” Muhammedi a.s.

Ky është rrëfimi ynë për njeriun që kërkonte të gjente të vërtetën, për njeriun që hulumtonte të zbulonte Allahun.

Ky është rrëfimi për Selman ElFarisiun, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Po ia japim fjalën vetë Selmanit të na rrëfejë ngjarjet e tregimit të tij, sepse ndjenjat e tij janë më të thella, rrëfimet e tij janë më precize dhe më të sinqerta.

Ja se si e tregon Selmani rrëfimin e tij:

– Isha djalosh persian prej Isfahanit, nga fshati “Xhejjan”.

Babai im ishte kryetar i fshatit, më i pasuri ndër ta dhe me autoritet të lartë.

Isha krijesa më e dashur tek ai prej ditës kur u linda dhe kjo dashuri sa vinte e shtohej me kalimin e kohës, derisa nga frika se do të më ndodhë diçka më mbylli në shtëpi ashtu siç mbyllen vajzat.

Isha adhurues i zjarrit dhe arrita në hierarkinë më të lartë, derisa m’u besua ndezja e zjarrit që ai të mos fiket asnjëherë, as ditën as natën.

Babai im kishte një kopsht të madh, i cili na jepte të lashta të shumta, e ai interesohej për të dhe i merrte të lashtat e tij.

Një ditë prej ditësh babai ishte i zënë me punë të tjera, të cilat nuk ia mundësuan shkuarjen në fshat dhe më tha:

– O djali im, unë nuk mund të shkoj në kopsht për atë që po e sheh edhe vetë. Shko ti sot atje dhe kujdesu për të.” U nisa me qëllim që të shkoj te kopshit ynë. Duke shkuar rrugës, kalova pranë një kishe të të krishterëve e cila, pasi dëgjova zërat e tyre duke u lutur, më tërhoqi vëmendjen.

*  *  *

Nuk dija asgjë për të krishterët apo për besimtarët e feve të tjera për shkak të periudhës së gjatë të izolimit tim dhe ndërprerjes së kontakteve me njerëzit. Kur i dëgjova zërat e tyre, hyra brenda në kishë që t’i shoh se çka po bëjnë.

Pas një meditimi të gjatë më pëlqeu mënyra e lutjes dhe lakmova fenë e tyre dhe thashë:

Për Zotin kjo fe është më e mirë se feja jonë. Betohem në Allahun se fare atë ditë nuk u ndava prej tyre deri në mbrëmje dhe nuk shkova te kopshti i babait tim.

Pastaj i pyeta ata:

– Ku është burimi i kësaj feje?

Më thanë: – Në Sham (Siri).

Në mbrëmje u ktheva në shtëpi dhe babai filloi të më pyes se ç’kisha bërë. Unë iu përgjigja:

– O babai im! Rrugës për në kopshtin tonë kalova pranë një kishe në të cilën luteshin disa njerëz. Zërat e tyre tërhoqën vëmendjen time dhe hyra brenda. Lutjet e tyre më pëlqyen dhe aty qëndrova derisa perëndoi dielli.

 Babai im u tmerrua nga veprimi im dhe më tha:

– O djali im! Në fenë e tyre nuk ka asgjë të mirë! Feja jote dhe e baballarëve të tu është më e mirë se ajo.

Unë ia ktheva:

– Assesi, për Allahun, feja e tyre ishte më e mirë se feja jonë. Babai im u frikësua prej kësaj që thashë dhe pati frikë se do ta braktis fenë tonë. Prandaj më burgosi në shtëpi dhe m’i lidhi këmbët.

Shfrytëzova rastin e parë dhe i lajmërova të krishterët:

– Nëse shkon ndonjë karvan për në Sham, më lajmëroni.

Nuk shkuan pak ditë dhe arriti tek ata një karvan që shkonte për në Sham. Më lajmëruan për këtë dhe shpejt e shpejt i zgjidha këmbët dhe dola me ata duke u fshehur derisa arrita në Sham.

Kur arrita atje, pyeta: – Kush është njeriu më i devotshëm i kësaj feje?

Ata u përgjigjën:

– Ipeshkvi, kujdestari i kishës. Shkova tek ai dhe i thashë:

– Unë e pëlqeva Krishterimin dhe dëshiroj të të shoqëroj ty, të jem në shërbimin tënd, të mësoj prej teje dhe të lutem me ty.

Ai më tha:

Urdhëro. Hyra tek ai dhe fillova t’i shërbej atij.

Nuk shkoi pak kohë dhe kuptova se ai ishte njeri i keq. I urdhëronte besimtarët të jepnin lëmoshë dhe u premtonte shpërblime të mëdha prej saj. Mirëpo, prej tërë asaj që ata i jepnin, ai nuk u jepte asgjë të varfërve dhe atyre që kishin nevojë për ndihmë. Por, të gjitha i ruante për vete, derisa më në fund grumbulloi shtatë qypa me ar.

Kjo sjellje e tij më bëri ta urrej. Nuk vonoi dhe vdiq. Të krishterët, si zakonisht, u tubuan për ta varrosur, e unë u thashë atyre:

Njeriu, për varrosjen e të cilit jeni tubuar ishte njeri i keq. Ai ju urdhëronte të jepni lëmoshë dhe, kur ju e bënit atë, ai ato i ruante për vete dhe nuk u shpërndante asgjë të varfërve.

Ata më pyetën të habitur:

– Si mund ta dish ti këtë?!

 

Unë ua ktheva:

– Për ta vërtetuar këtë, po ju drejtoj te thesari i tij.

Ata më thanë:

– Na drejto pra atje. Ua tregova vendin e thesarit të tij të fshehtë prej ku nxorën shtatë qypa përplot ar dhe argjend. Kur e panë këtë, thanë:

– Për Zotin, nuk do ta varrosim.

 Pastaj e gozhduan atë në një vend publik dhe e gjuajtën me gurë.

Pas pak kohe, në vend të tij zgjodhën një njeri tjetër. E shoqërova edhe atë dhe nuk kisha parë në jetë njeri më modest se ai, e as më të dhënë për botën tjetër, as më të devotshëm. Ai lutej natën dhe ditën. E desha shumë dhe me të kalova një kohë të gjatë dhe para se të vdiste i thashë:

– Të lutem, te kush më këshillon të shkoj pas teje?

Ai u përgjigj:

– O djaloshi im! Nuk di të gjendet ndonjë njeri si unë në këto anë, përveç njërit në Mosul, i cili nuk ka devijuar nga parimet e Krishterimit, prandaj shko dhe bashkangjitju atij.

Pasi vdiq shoku im, iu bashkangjita atij njeriu në Mosul. Kur arrita tek ai, i rrëfeva tregimin tim dhe i thashë:

– Filani më këshilloi para se të vdiste që të të shoqëroj dhe më tregoi se ti je besnik dhe i përmbahesh parimeve të vërteta të Krishterimit.

Atëherë ai më tha:

– Qëndro këtu tek unë!

U vendosa tek ai dhe vërejta se sjelljet dhe veprat e tij ishin për çdo lëvdatë. Por, ai ishte në moshë të shtyrë dhe nuk shkoi shumë kohë dhe vdiq. Por, para se ta lëshonte shpirti, e pyeta:

– O filan! Si duket, ti do të kalosh në jetën e amshueshme dhe ti e di gjendjen dhe hallin tim. Te kush më këshillon të shkoj pas teje?

Ai me dhembje m’u drejtua duke më thënë:

– O djaloshi im! Për Zotin, nuk di të ketë njeri në këto anë sikurse unë, përveç njërit në “Nessibin”, e ai është filani. Shko tek ai.

Pasi e varrosëm shokun tim, u shkova në “Nessibin” dhe i tregova atij tregimin tim dhe për porosinë e shokut tim, e ai më tha:

– Qëndro tek unë. U vendosa aty dhe vërejta se veprat dhe sjelljet e tij ishin sikurse të të dy shokëve të tij të mëparshëm. Por, nuk shkoi shumë kohë, e edhe atij i erdhi vdekja. Para se të kalonte në jetën e amshueshme e pyeta:

Ti e di hallin tim, te kush më këshillon të shkoj pas teje?

Ai m’u drejtua me këto fjalë:

O djaloshi im! Për Zotin, unë nuk njoh njeri që është në gjendjen në të cilën isha unë, me përjashtim të njërit në Amurije, e ai është filani. Të këshilloj të shkosh tek ai. Shkova në Amurije tek ai dhe i tregova për hallin tim, dhe ai më tha:

– Qëndro tek unë! U vendosa aty dhe betohem në Allahun se ishte në rrugën e shokëve të tij. Gjatë qëndrimit tek ai, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet që i kisha bërë, m’i kishte dhuruar disa lopë dhe dhurata të tjera.

Nuk kaloi shumë kohë dhe edhe atë e gjeti ajo që i kishte gjetur dy shokët e tij të mëparshëm. Por, para se të vdiste, e pyeta:

– Ti e di çështjen time, te kush më këshillon të shkoj pas teje dhe si të veproj?

Ai më tha:

– O djaloshi im, betohem në Allahun se nuk ka mbetur njeri në sipërfaqen e tokës që i përmbahet asaj që ne i përmbahemi… Mirëpo është afruar koha e paraqitjes së një Pejgamberi në tokat arabe, i cili do ta mbartë mbi supet  e tij fenë e Ibrahimit, pastaj do të shpërngulet prej vendlindjes së tij në një vend ku ka shumë hurma dhe ai ka shenja të cilat nuk mund të fshihen. Ai e pranon dhuratën, por jo edhe lëmoshën dhe në mes krahëve të tij mban vulën e profetësisë. Nëse ke mundësi të arrish në atë vend, të këshilloj të shkosh atje.

Nuk kaloi shumë kohë dhe shoku im ndërroi jetë. Unë qëndrova një kohë në Amurije, derisa atypari kaloi një karvan tregtarësh arabë të fisit “Kelb”. Pas një bisede, u thashë atyre:

– Nëse më merrni mua deri në tokat arabe, do t’ju jap lopët dhe këto dhurata. Ata më thanë:

– Po, do të të marrim. Ua dhashë ato dhe më morën. Por kur arritëm në vendin e quajtur “Vadil Kura”, më tradhtuan dhe më shitën te një çifut, i cili më mori me vete dhe më caktoi që të jem në shërbimin e tij. Nuk shkoi shumë kohë e erdhi për vizitë tek ai njëri prej kushërinjve të tij nga fisi beni Kurejdha dhe më bleu prej tij. Menjëherë më mori me vete në Jethrib dhe i pashë palmat, të cilat m’i kishte përmendur zotëriu im në Amurije. E njoha Medinën në bazë të përshkrimit të tij. Aty u vendosa te zotëriu im.

Në atë kohë, Pejgamberi a.s. e thërriste në fe popullin vet në Mekë. Mirëpo, unë nuk kisha dëgjuar për paraqitjen e tij për shkak të detyrimeve të mia të shumta që m’i impononte skllavëria.

Nuk shkoi shumë kohë dhe Pejgamberi a.s. u shpërngul për në Jethrib. Për Allahun, unë kisha hipur në majë të një hurmeje të zotëriut tim, ku isha duke kryer disa punë, ndërsa zotëriu im ishte ulur nën hijen e saj. Kur papritmas erdhi njëri nga kushërinjtë e tij dhe i tha:

– I vraftë Allahu “Benu Kajletët”! Ata janë tubuar sot në “Kuba”, duke pritur ardhjen e një njeriu që vjen nga Meka e pohon se është pejgamber.

Posa i dëgjova fjalët e tij më hipi një mundim dhe u shqetësova deri në atë shkallë saqë më kapi frika se do të bie mbi zotëriun tim. Menjëherë nisa të zbres prej hurmës dhe fillova t’i them atij njeriut:

– Çfarë po thua?! Përsërite edhe njëherë lajmin…” Prej fjalëve të mia, zotëriu im u hidhërua shumë dhe më goditi rëndë dhe më tha:

– Çka po të hyn në udhë ty kjo?! Shko atje ku ishe, në punën tënde!

*   *   *

Kur ra muzgu i mbrëmjes, mora disa hurma që i kisha mbledhur dhe u drejtova atje ku pandehja të ishte Pejgamberi. Hyra tek ai dhe, pasi e përshëndeta, i thashë:

“Kam dëgjuar se ti je njeri i mirë. Me vete ke shokë jabanxhi, të cilët kanë nevojë për ndihmë. Ja, kjo është që më ka qëlluar mua për t’ua dhënë juve si lëmoshë (sadaka) dhe e pashë se ju keni më shumë të drejtë në këtë sesa të tjerët.” Pastaj iu afrova atij, e ai u tha sahabëve të vet:

– Hani… ndërsa ai e tërhoqi dorën e nuk hëngri.

Atëherë thashë me vete: ”Kjo është njëra prej shenjave.”

Pastaj u ktheva dhe nisa të mbledh disa hurma të tjera dhe, kur Pejgamberi a.s. kaloi prej Kubas në Medinë, shkova tek ai e i thashë:

– Unë vërejta se ti nuk po e ha sadakën (lëmoshën) dhe ja, këto hurma t’i kam sjellë dhuratë, në shenjë nderimi dhe respekti ndaj teje. Ai i hëngri disa prej tyre dhe i urdhëroi sahabët që edhe ata të hanë me të, gjë që edhe e bënë.

Atëherë thashë me vete:

“Kjo është shenja e dytë…”

Pastaj shkova te Pejgamberi a.s. në “Bekie ElGarkad”, ku ishte duke varrosur njërin prej sahabëve të vet. E pashë ulur e në trup kishte dy copë pëlhurash. I dhashë selam e pastaj u solla mbrapa shpinës, se mos do ta shoh vulën, të cilën ma kishte përshkruar zotëriu im në Amurije.

Kur e hetoi Pejgamberi a.s. se jam duke shikuar shpinën e tij, e kuptoi qëllimin tim. Atëherë e hoqi mbulesën e tij prej shpinës dhe unë e pashë vulën në mes të dy krahëve të tij. Atëherë m’u bë e qartë se ky ishte Pejgamberi, që ma kishte përshkruar shoku im në Amurije. Iu hodha në shpinë dhe fillova ta puth dhe të qaj, ndërsa Pejgamberi a.s. me gjakftohtësi më pyeti:

– Çfarë ke?

Atëherë i tregova rrëfimin tim që nga fillimi. Shenjat e habisë dukeshin të qarta në fytyrën e tij. U gëzua që  sahabët e tij ishin të pranishëm aty dhe e dëgjuan atë prej gojës sime. Edhe ata ishin të habitur dhe të gëzuar.

*  *  *

Përshëndetjet dhe selamet tona qofshin për Selman ElFarisiun, i cili nuk ngurroi e as nuk u lodh ta kërkojë të vërtetën në çdo vend.

Përshëndetjet tona qofshin për Selman ElFarisiun, i cili, në momentin kur e njohu, besoi në të vërtetën, me besimin më të fortë dhe më të thellë.

Paqja e Zotit qoftë mbi Selman ElFarisiun ditën kur ai vdiq dhe ditën kur ai do të ringjal

Benu Kajlete: fiset Evs dhe Hazrexh.

Vend në Medinë që është kthyer në varreza. Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...