Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Ikrime ibn Ebu Xhehl r.a.

“Do t’iu vijë juve Ikremeja si besimtar dhe muhaxhir. Mos e fyeni babain e tij, sepse fyerja e të vdekurit  e mundon të gjallin dhe nuk e arrin të vdekurin! Muhammedi a.s.

“Mirë se erdhe, o kalorës muhaxhir!”

Nga përshëndetja e Pejgamberit a.s. drejtuar Ikremes.

Ishte në dekadën e tretë të jetës së tij ditën kur Pejgamberi i mëshirës e shpalli haptazi thirrjen e tij në rrugën e drejtë.

Ishte më i autoritori dhe më i pasuri prej kurejshitëve.

Me siguri se edhe ai do të kalonte në fenë Islame, ashtu siç vepruan mocanikët e tij si Sa’d ibnu Ebi Vekkasi, Mus’ab ibnu Umejri dhe të tjerët prej familjeve më të njohura të Mekës, sikur të mos ishte babai i tij.

A thua, kush ishte babai i tij?

Ai ishte mizori më i madh i Mekës, prijësi i parë i shirkut (politeizmit), persekutuesi dhe torturuesi më i madh, me anë të të cilit Allahu e sprovoi imanin e besimtarëve dhe e vuri në sprovë sinqeritetin e besimtarëve, por ata u mbetën besnikë parimeve të tyre. Ai ishte Ebu Xhehli dhe kjo mjafton…

Ky ishte babai i tij. Ndërsa ai është Ikreme ibnu Ebi Xhehl ElMahzumij, njëri nga kryetrimat e rrallë kurejshitë dhe njëri ndër kalorësit më të shquar prej tyre.

*  *  *

Ikremeja u kthye në Mekë pasi kishte lënë kufomën e të parit të kurejshitëve në Bedër. Disfata nuk ia kishte mundësuar ta merrte me vete për ta varrosur në Mekë. Ikja për ta shpëtuar kokën e kishte detyruar që t’ia lërë kufomën e babait të vet muslimanëve, të cilët e kishin hedhur në “ElKalib” bashkë me dhjetëra kufoma të tjera të pabesimtarëve, të cilët i kishte mbuluar rëra e shkretëtirës.

*  *  *

Prej asaj dite qëndrimi i Ikremes ndaj Islamit kishte ndryshuar tërësisht.

Në të kaluarën ai luftonte për shkak të babait të vet, ndërsa sot ai luftonte për t’u hakmarrë për gjakun e babait të vet.

Prej këtu, Ikremeja dhe një grup tjetër, baballarët e të cilëve ishin vrarë në betejën e Bedrit, nxitën zjarrin e hakmarrjes në zemrat e pabesimtarëve të kurejshitëve ndaj Muhammedit, si rezultat i të cilës ishte përgatitja dhe shkuarja e tyre për ta luftuar Pejgamberin a.s. në Medinë, e që në historinë islame njihet me emrin Beteja e Uhudit.

*  *  *

Ikreme ibnu Ebi Xhehli shkoi në Uhud dhe me vete mori edhe gruan e tij, Umu Hakimin, me qëllim që bashkë me gratë e tjera të kurejshitëve, të cilat kishin humbur të afërmit e tyre në betejën e Bedrit, të qëndronin në prapavijë, t’u binin defave, me duhej t’u jepnin kurajo kurejshitëve në luftë kundër muslimanëve dhe t’u jepnin zemër kalorësve të tyre në rast se ata do të tentonin ta lëshonin betejën.

* *  *

Kurejshitët e kishin caktuar komandant Halid ibnu Velidin në anën e djathtë të kalorësisë, ndërsa në anën e majtë Ikreme ibnu Ebi Xhehlin. Të dy kalorësit pabesimtarë korrën sukses  në atë betejë, duke treguar epërsi të dukshme mbi ushtrinë e Muhammedit a.s. dhe sahabëve të tij. Ky sukses i pabesimtarëve bëri që Ebu Sufjani të thotë:

– Kjo është hakmarrje për ditën e Bedrit.

* * *

Në betejën e Hendekut pabesimtarët e mbajtën të rrethuar Medinën disa ditë me radhë, derisa Ikremeja nuk mundi të durojë më dhe vërejti një vend të ngushtë në Hendek dhe e detyroi kalin e tij ta kalojë atë. Pas tij kështu vepruan edhe disa të tjerë, por këtë e pagoi me kokë Amr ibnu Abd Vuddin ElAmiri…

Ndërsa Ikremen e shpëtoi vetëm ikja.

*  *  *

Ditën e çlirimit të Mekës kurejshitët e panë se nuk kanë mundësi t’i kundërvihen Muhammedit dhe sahabëve të tij. Prandaj vendosën që ta lënë të hyjë në Mekë. Ajo që u ndihmoi të ndërmarrin këtë vendim ishte fakti se Pejgamberi a.s. i kishte urdhëruar komandantët e ushtrisë së tij që të mos e përdornin forcën, vetëm në rast mbrojtjeje.

* * *

Mirëpo, Ikreme ibnu Ebi Xhehli dhe një grup me të nuk i ishin përmbajtur vendimit të kurejshëve dhe iu kundërvënë ushtrisë së madhe. Mirëpo, Halid Ibnul Velidi në një përleshje të vogël i mposhti ata; disa prej tyre u vranë e të tjerët ikën. Në mesin e të ikurve ishte edhe Ikreme ibnu Ebi Xhehli.

* * *

Ikremeja tashmë ishte penduar thellë. Pas kësaj që ndodhi, atij nuk i kishte mbetur më vend në Mekë, meqenëse ajo tani ishte në duar të muslimanëve. Pejgamberi a.s. kishte shpallur amnisti të përgjithshme për kurejshitët. Mirëpo, ai i kishte përjashtuar prej kësaj amnestie disa persona dhe kishte urdhëruar që ata të vriteshin, edhe nëse gjenden nën perdet e Qabes.

Në krye të këtij grupi ishte Ikreme ibnu Ebi Xhehl. Për këtë ai e kishte lëshuar fshehtasi Mekën dhe ishte nisur në drejtim të Jemenit, sepse nuk i kishte mbetur vend tjetër.

*  * *

Ndërkohë, bashkëshortja e Ikremes, Umu Hakimi dhe Hindu bintu Utbe, të shoqëruara nga dhjetë gra kurejshite, vendosën të shkojnë te shtëpia e Pejgamberit a.s. për të dhënë betimin e besueshmërisë dhe të dëgjueshmërisë. Ato hynë te Pejgamberi a.s., ku ishin dy gratë e tij, vajza e tij Fatimja, si dhe disa gra të familjes benu Abdul Muttalib. Së pari, fjalën e mori Hindi, e cila e kishte mbuluar fytyrën e saj në shenjë turpi për shkak të masakrimit të xhaxhait të Pejgamberit a.s., Hamza ibnu AbdulMuttalibit, në luftën e Uhudit:

– O i Dërguari i Allahut! Falënderimi dhe lavdërimi i qoftë Allahut, i Cili e forcoi dhe e lartësoi Fenë të cilën Ai Vetë e zgjodhi. Unë kërkoj prej teje të kesh mëshirë ndaj meje për shkak të lidhjeve tona familjare. Unë që sot jam grua besimtare e sinqertë.

Pastaj e zbuloi fytyrën e saj dhe vazhdoi:

– Unë jam Hindi, e bija e Utbes, o i Dërguari i Allahut. Atëherë, Pejgamberi a.s. i tha:

– “Mirësevjen!”

Ndërsa ajo ia ktheu:

– Betohem në Allahun se nuk ka pasur në sipërfaqen e tokës shtëpi më të urryer dhe më të nënçmuar se shtëpia jote, ndërsa sot nuk ka në sipërfaqen e tokës shtëpi më të dashur se shtëpia jote.

Pejgamberi a.s., atëherë i tha: Por, edhe më tepër se kaq.

Pastaj e mori fjalën Umu Hakimi, gruaja e Ikremes ibnu Ebi Xhehlit, e cila në fillim deklaroi se e pranoi Fenë Islame, pastaj tha:

– O i Dërguari i Allahut! Ikremeja iku për në Jemen nga frika jote, se do ta vrasësh. Të lutem, fale atë, të faltë Allahu.

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

– I falur qoftë.

Pa vonuar, Umu Hakimi doli për ta kërkuar bashkëshortin e saj, Ikremen. Me vete mori një rob të saj romak. Posa kaluan një pjesë të gjatë të rrugës, djaloshi e ndryshoi sjelljen ndaj zonjës së tij, por ajo me premtime dhe zvarritje e mashtroi derisa arriti në një fshat arab dhe kërkoi ndihmë prej tyre. Ata e lidhën djaloshin dhe e burgosën.

Ajo vazhdoi rrugën e saj derisa e takoi Ikremen në bregdet, në provincën Tihame, kur ai ishte duke u marrë vesh me një marinar musliman për mbartjen e tij. Marinari i thoshte:

“Paguaj që të çoj matanë detit.”

Ikremeja i thoshte atij:

– Si të paguaj?

Ai ia ktheu:

Thuaj: – Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij.

Ikremeja ia ktheu:

– Unë nuk ika për asgjë tjetër vetëm prej kësaj.

Në momentin kur ata ishin duke biseduar rreth kësaj, Umu Hakimi i doli përpara Ikremes dhe i tha:

– O biri i xhaxhait tim! Po vij nga njeriu më fisnik, më bamirës dhe njeriu më i mirë, nga ana e Muhammedit, të birit të Abdullahut. Kërkova prej tij të të falë dhe ai të fali. Prandaj, mos e humb veten kot.

Ikremeja pyeti i habitur.

– Ti bisedove me të?!

Ajo ia ktheu:

– Po. Unë bisedova me të dhe ai të fali.

Kështu vazhdoi ta qetësojë dhe ta sigurojë derisa ai u bind të kthehet me të.

Pastaj i rrëfeu atij për ndodhinë e djaloshit romak. Ikremeja kaloi pranë fshatit arab dhe në shenjë hakmarrjeje e mbyti djaloshin para se ta pranonte fenë islame.

Gjatë kthimit për në Mekë, ata u kthyen të pushojnë në një shtëpi dhe Ikremeja deshi të ketë marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij, por ajo nuk e pranoi një gjë të tillë dhe i tha:

– Unë jam muslimane, kurse ti je pabesimtar.

Kjo sjellje e saj e habiti Ikremen dhe tha:

– Ajo që na pengon të kemi marrëdhënie intime në mes nesh është çështje e madhe.

Në momentin kur Ikremeja i ishte afruar Mekës, Muhammedi a.s. u tha ashabëve të tij.

– Do t’ju vijë Ikreme ibnu Ebi Xhehli, besimtar dhe muhaxhir, e mos e fyeni babain e tij, sepse fyerja e të vdekurit e shqetëson të gjallin e nuk e arrin të vdekurin.

Nuk shkoi shumë kohë dhe Ikremeja së bashku me bashkëshorten e tij arriti aty ku ishte Pejgamberi a.s. Kur e pa Pejgamberi a.s. u ngrit i gëzuar për të. Posa u ul Pejgamberi a.s., Ikremeja qëndroi para tij dhe i tha:

– O Muhammed! Umu Hakimi më lajmëroi se ti më ke falur mua…

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

– Ka thënë të vërtetën. Ti je i falur.

Ikremeja pastaj pyeti:

– Në çfarë thërret ti, o Muhammed?

Pejgamberi a.s. iu përgjigj:

– Të thërras të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam rob dhe i Dërguari i Tij. Të falësh namazin, të japësh zekatin, – derisa i numëroi të gjitha bazat e Islamit.

Ikremeja pastaj ia ktheu:

– Betohem në Allahun se ti thërret vetëm në atë që është e vërtetë dhe urdhëron vetëm në mirësi. Pastaj shtoi e tha:

– Betohem në Allahun, se ti, edhe para thirrjes në Islam, ishe më i sinqerti, më besniku dhe më bamirësi ndër ne.

Pastaj ia shtriu dorën dhe tha: – Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Ti je robi dhe i Dërguari i Tij, e pastaj shtoi:

– O i Dërguari i Allahut! Më mëso ta them fjalën më të mirë.

Pejgamberi a.s. i tha:

– Thuaj: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij.”

Ikremeja pastaj tha:

– Pas kësaj çfarë?

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

– Thuaj: “Dëshmoj para Allahut dhe dëshmoj para këtyre që janë prezentë se unë jam musliman, luftëtar dhe muhaxhir.”

Ikremeja e përsëriti këtë pas Pejgamberit a.s.

Atëherë, Pejgamberi a.s. i tha:

– Sot nuk ekziston asnjë send që kërkohet prej meje t’ia jap dikujt, e të mos të ta jap edhe ty.

Atëherë Ikremeja tha:

– Unë kërkoj të më falësh çdo armiqësi që kam treguar ndaj teje, në çdo vend që jam takuar me ty, apo çdo fjalë që kam thënë kundër teje, qoftë në prezencën tënde apo atëherë kur ti nuk ishe prezent.

Pejgamberi a.s. tha:

– O Zoti im! Falja Ikremes çdo armiqësi që ka treguar ndaj meje dhe çdo udhëtim të tij që ka shkuar për ta shuar dritën Tënde. Falja atij çdo përpjekje për ta nëpërkëmbur nderin tim në prezencën apo mosprezencën time.

Pas kësaj fytyra e Ikremes ndriçoi nga gëzimi dhe tha:

– Të betohem ty, o i Dërguari i Allahut, se nuk do të lë asnjë pjesë të pasurisë sime të cilën e kam shpenzuar në të kaluarën për ta penguar thirrjen Tënde e e të mos e jap dyfishin e saj në rrugën e Allahut, si dhe do ta dyfishoj luftën time në rrugën e Allahut.

*  *  *

Prej asaj dite Ikremeja iu bashkangjit radhëve të thirrjes islame si një kalorës trim në sheshet e luftës, adhurues i devotshëm, lexues i Librit të Allahut. Ai e vinte mushafin në fytyrën e tij dhe thoshte:

“Libri i Zotit tim… Fjala e Zotit tim…” dhe qante nga frikë e Allahut.

Ikremeja e mbajti premtimin dhënë Pejgamberit a.s. Nuk ndodhi që muslimanët e bënin ndonjë luftë pas kalimit të tij në Islam e që ai të mos merrte pjesë në të apo të dërgohej ndonjë patrullë vëzhguese e ai të mos ishte në krye të saj.

Në luftën e Jermukut, Ikremeja hyri në luftë ashtu si vrapon i eturi pas ujit për ta shuar etjen e tij kur bën vapë e madhe.

Në një moment kur muslimanëve u ishte ngushtuar rrethi, zbriti prej kalit të vet, e theu këllëfin e shpatës së tij dhe u fut thellë në mesin e radhëve të romakëve. Kur e vërejti Halid ibnul Velidi iu afrua dhe i tha:

– Mos e bë këtë, o Ikreme, sepse vdekja jote do të jetë e rëndë për muslimanët. Ndërsa ai ia ktheu:

– Më lër mua, o Halid!

– Ti je me të Dërguarin e Allahut prej një kohe të gjatë, ndërsa unë dhe babai im ishim prej armiqve më të mëdhenj të tij. Më lejo t’i shlyej disa nga mëkatet e mia të kaluara. Pastaj tha:

– Unë e luftova Pejgamberin a.s. në shumë beteja e si të iki sot prej romakëve?!

Kjo nuk mund të ndodhë kurrë!

Pastaj iu drejtua muslimanëve me këtë thirrje:

– A dëshiron dikush të vdesë me mua? I pari u paraqit xhaxhai i tij, ElHarith ibnu Hishami dhe Dirar ibnu ElEzveri në mesin e katërqind muslimanëve dhe luftuan afër tendës së Halid ibnul Velidit dhe shpenzuan në mbrojtjen e saj edhe atomin e fundit të fuqisë së tyre.

Pasi përfundoi lufta e Jermukut me fitoren e madhe të muslimanëve, në tokën e saj kishin mbetur shtrirë tre luftëtarë të lodhur nga plagët që kishin marrë, e ata ishin: ElHarith ibnu Hishami, Ajjash ibnu Ebi Rebia dhe Ikreme ibnu Ebi Xhehl. Harithi kishte kërkuar një pikë ujë për të shuar etjen nga plagët që rëndonin mbi trupin e tij dhe, kur ia sollën ujin, e shikoi Ikremen dhe tha:

– Jepjani atij.

Kur ia afruan atij, ai e shikoi Ajjashin dhe tha:

– Jepjani atij.

Kur i afruan Ajjashit, e panë se e kishte lëshuar shpirti.

Kur u kthyen te dy shokët e tij, panë se edhe ata i ishin bashkangjitur atij. Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata! Allahu ua bëftë të mundur të pinë ujë prej kroit të Kevtherit, që kurrë më të mos kenë etje. Allahu ua dhuroftë bukuritë e Firdevsit që të kënaqen me të përgjithmonë!

Një pus i thellë në të cilin ishin hedhur kufomat e pabesimtarëve të cilët ishin vrarë në betejën e Bedrit.

Vend në bregdetin e Detit të Kuq.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...