Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Rebia ibnu Ka’bi r.a.

Rebi’a ibnu Ka’bi rrëfen në vetën e parë:

Isha në moshë djaloshare atë ditë kur drita e besimit preku shpirtin tim dhe zemra ime kënaq e u qetësua kur mora mësimet e fesë islame.

Kur sytë e mi e panë për herë të parë Resulullahun a.s. e desha me një dashuri që m’i përshkoi tërë gjymtyrët.

Zura të merrem me të me pasion aq të zjarrtë, saqë lash anash çdo gjë, andaj i thashë vetes:

“Qofsh i mëshiruar, o Rebi’a, përse nuk i përkushtohesh shërbimit të Resulullahut s.a.v.s.?!

T’i paraqitem atij personalisht dhe në qoftë se më pranon, do të jem i lumtur që do të gjendem pranë tij, do ta përfitoj dashurinë e tij, do të jem fatlum dhe do t’i fitoj të mirat e dynjasë dhe të ahiretit (të kësaj bote dhe të botës tjetër).”

Pastaj, pa vonuar iu paraqita vetë Pejgamberit a.s. dhe e luta që të më pranojë të jem në shërbim të tij.

Ai nuk ma refuzoi lutjen dhe pranoi që të bëhem shërbëtor i tij. Andaj, që nga ajo ditë, zura ta shoqëroj Pejgamberin a.s. mu si hija e trupit të tij.

 Ecja me të kudo që shkonte dhe e përcillja. Posa hidhte shikimin nga unë, ngrihesha menjëherë dhe i paraqitesha. Sa herë që kishte ndonjë nevojë të ngutshme, shpejtoja që t’ia kryej. I shërbeja gjatë tërë ditës, e kur kalonte dita dhe pasi ai falte jacinë e fundit (vitrin) dhe hynte në dhomën e tij, vetëm atëherë vendosja që të largohesha.

Megjithatë, thosha me vete: – Ku do të shkosh, o Rebia?! Vallë, mos do t’i paraqitet Pejgamberit a.s. ndonjë nevojë gjatë natës? Prandaj ulesha te dera e dhomës së tij dhe nuk largohesha prej pragut të shtëpisë së tij.

Pejgamberi a.s. një pjesë të natës e kalonte duke u falur. Më bëhej se e dëgjoja duke lexuar suren “ElFatiha”, të cilën vazhdimisht e përsëriste gjatë një të tretës së natës e ndoshta edhe më gjatë, ndërsa unë lodhesha dhe e lëja atë apo më mbylleshin sytë dhe fleja.

Nganjëherë më bëhej se e dëgjoja duke thënë: “Semi’a Allahu li men hamideh” (“Allahu e dëgjon atë njeri i cili e lavdëron Atë”). Këtë e përsëriste vazhdimisht, madje edhe më gjatë se suren “ElFatiha”.

*  *  *

Resulullahu e kishte princip që t’ia kthejë me të mirë çdokujt që bënte një të mirë.

Ai dëshiroi të më shpërblejë për shërbimin që i bëja. Njëherë erdhi tek unë dhe më thirri: O Rebi’a ibnu Ka’bi!

 Të dëgjoj dhe të përgjigjem, o Resulullah, qofsh përherë i gëzuar!  ia ktheva.

Atëherë ai më tha:

 Kërko prej meje ndonjë gjë të ta jap.

Mendova pak e pastaj i thashë:

 Më jep pak afat, o Resulullah, që të mendoj se çka të kërkoj prej teje, e pastaj do të të njoftoj.

 Nuk prish punë,  më tha ai.

Asokohe isha i ri dhe i varfër, nuk kisha familje, pasuri e as shtëpi, por strehohesha në Suffen e xhamisë, me të varfërit tjerë muslimanë.

Njerëzit na quanin “mysafirë të Islamit”. Kur ndonjëri sillte ndonjë sadaka te Resulullahu a.s., ai na e dërgonte atë në tërësi, e nëse dikush i dhuronte diçka, ai e merrte për vete një pjesë, kurse pjesën tjetër na e dërgonte neve.

Shpirtërisht dëshiroja të kërkoja diçka nga të mirat e kësaj bote nga Pejgamberi a.s., në mënyrë që të bëhem i pasur, që ta gëzoj jetën sikur të tjerët dhe të kem pasuri, grua dhe fëmijë.

Por s’vonoi shumë dhe thashë me vete: “Qofsh i shkatërruar, o Rebi’a ibnu Ka’b, vërtet kjo botë është kalimtare, andaj Allahu i Lartmadhëruar ta ka caktuar rrisk-un (kafshatën e jetës) e ai patjetër do të të arrijë.”

Pejgamberi a.s. gëzon pozitë të lartë te Zoti, prandaj për hir të asaj grade atij nuk i refuzohet asnjë kërkesë dhe thashë në vetvete të kërkoj prej Resulullahut që ai ta lutë Allahun për të më dhënë diçka nga mirësitë e ahiretit.

Kjo kërkesë më pëlqente në shpirt. Pastaj shkova tek i Dërguari i Zotit xh.sh. e ai më pyeti:

 Çfarë do të thuash, o Rebi’a?!

 O Resulullah! Unë kërkoj prej teje që ta lutësh Allahun e Lartmadhëruar që të më bëjë shoqërues tëndin edhe në xhenet,  i thashë.

 Kush të këshilloi për këtë?  më pyeti ai.

 Jo, për Allahun, askush nuk më ka këshilluar për këtë, por kur më the: “Kërko prej meje që të të jap”, unë shpirtërisht dëshiroja që të kërkoja diç nga të mirat e kësaj bote. Pastaj s’vonova dhe u udhëzova që ta kërkoj jetën e përhershme e jo atë kalimtare. Andaj kërkova prej teje ta lutësh Allahun që të jem shoqëruesi yt në xhenet. Kështu i thashë Pejgamberit a.s.

Atëherë Pejgamberi a.s. heshti një kohë të gjatë dhe tha:

 A dëshiron diçka tjetër, o Rebi’a?

 Jo, o Resulullah, sepse nuk barazoj asgjë me atë që kam kërkuar  i thashë.

 Pra më ndihmo duke bërë sexhde të shumta  më porositi Resulullahu a.s.

Atëherë fillova ta shpeshtoj adhurimin që ta kem mirësinë për ta shoqëruar Pejgamberin a.s. në xhenet, në botën e ardhshme, ashtu siç pata fatin që t’i shërbej dhe ta shoqëroj edhe në këtë botë.

*  *  *

Prej atëherë nuk kaloi kohë e gjatë kur Pejgamberi a.s. më ftoi dhe më pyeti:

 A nuk do të martohesh, o Rebi’a?!

 Nuk dëshiroj të angazhohem me asgjë tjetër vetëm se të jem në shërbimin tënd, o Resulullah  ia ktheva.  Pastaj, unë nuk kam pasuri që ta paguaj mehrin për grua e as me çfarë ta furnizoj atë për jetë.

Atëherë ai heshti.

Kur më takoi herën tjetër, përsëri më pyeti:

 A nuk do të martohesh, o Rebi’a?!

Iu përgjigja njësoj si herën e parë.

Por kur mbeta vetëm u pendova dhe thashë: U mjerë për ty, o Rebi’a…! Për Zotin, Pejgamberi a.s. e di më mirë se cila pjesë e ibadetit më shpaguhet më së miri dhe çka të kërkoj nga Zoti në këtë botë. Madje ai është informuar mirë se çfarë zotëroj.

Për Zotin, nëse Pejgamberi a.s. më fton herën tjetër për martesë, gjithsesi do t’i përgjigjem pozitivisht.

Nuk kaloi kohë e gjatë dhe Pejgamberi a.s. më pyeti për herë të tretë:

 A nuk do të martohesh, o Rebi’a?!

 Po, gjithsesi do të martohem  ia ktheva këtë herë, – por kush do të më martojë mua, kur jam në gjendjen të cilën edhe ti e di fare mirë?!

Atëherë ai më tha:

 Shko te një familje e caktuar dhe thuaju atyre: “Pejgamberi a.s. ju urdhëron që të më martoni me një vajzë tuajën.”

Unë shkova i turpëruar tek ajo familje dhe thashë: “Pejgamberi a.s. më ka dërguar që të më martoni me një vajzë tuajën.”

Ata më pyetën të habitur: – Si thua, me një, me një vajzë tonën?!

– Po, – u thashë atyre.

Ata thanë: – Ne mirëpresim urdhrin e Resulullahut a.s., andaj mirëseke ardhur i dërguari i tij. Për Zotin, nuk do të kthehet i dërguari i Resulullahut a.s. pa iu plotësuar kërkesa… Ata më fejuan me atë vajzë…

Pastaj u ktheva te Pejgamberi a.s. dhe i thashë:

 O Resulullah! Erdha prej më të mirës shtëpi… Më besuan, më mirëpritën dhe më fejuan me vajzën e tyre. Por, si do ta paguaj mehrin?!

Pejgamberi a.s. ftoi Burejde ibnu ElHasibin, i cili ishte nga paria e fisit tim, Benu Eslem, dhe i tha:

– O Burejde, tuboje sasinë e caktuar të arit, – dhe e bëri këtë për mua.

Pejgamberi a.s. më tha:

 Merri këto dhe shko tek ajo familje dhe vajzës e thuaju atyre: ”Ky është mehri për vajzën tuaj.”

Shkova te familja e vajzës dhe e pagova mehrin, kurse ata e pranuan, mbetën të kënaqur dhe thanë: – Është mjaft dhe mirë…

– Po ku të marr të holla e pasuri për ta bërë dasmën?!

Pejgamberi a.s. përsëri iu drejtua Burejdes:

 Tuboni vlerën për të blerë një dash për Rebi’an, – e ata e blenë një dash të madh dhe të majmë.

Pejgamberi a.s. më tha:

 Shko tek Aishja dhe thuaji asaj të ta japë elbin!

Shkova tek ajo dhe më tha: – Merri ata shtatë sa’a elb se, për Allahun, nuk kemi ushqim tjetër përveç tij. Mora dashin dhe elbin dhe shkova te familja e të fejuarës sime dhe ata më thanë:

 Sa i përket elbit, ne do ta përgatisim atë, kurse për dashin urdhëroji shokët e tu që ta përgatisin.

Mora dashin dhe bashkë me disa njerëz të fisit tim Benu Eslem e therëm dhe pastaj e ziem. Pra, tani kishim bukën dhe mishin për dasmë.

E bëra dasmën, e ftova Resulullahun dhe ai iu përgjigj ftesës sime.

Mëpastaj, Pejgamberi a.s. ma lejoi një tokë pranë asaj të Ebu Bekrit. Më hyri në qejf aq shumë jeta e kësaj bote, saqë lindi një mosmarrëveshje mes meje dhe Ebu Bekrit për një hurmë dhe i thashë: – Ajo është në tokën time, – kurse ai më tha: – Jo, ajo është në tokën time. U grinda me të, e ai ma ktheu me fjalë e cila nuk më pëlqeu.

Por, pasi rodhi fjala, ai u pendua dhe më tha:

 O Rebi’a! Ma kthe me një fjalë të ngjashme, me qëllim që të jetë ndëshkim për mua.

 Jo, për Zotin, nuk do ta bëj këtë, – i thashë atij.

Atëherë ai më tha:

 Pra, do të shkoj te Pejgamberi a.s. dhe do t’i ankohem që po e bën ndëshkimin ndaj meje…  më tha ai.

Ai u nis për te Pejgamberi a.s., kurse unë i shkova pas, e pas meje erdhën edhe disa njerëz nga fisi im, të cilët thanë:

 Ai (Ebu Bekri) ka filluar i pari dhe të ka fyer e tani po shkon para teje te Pejgamberi a.s. që të ankohet kundër teje?!!

Unë u thashë: – A e dini se kush është ky?!

 Ky është EsSiddiku… ky është kryeplaku i muslima-nëve…, Prandaj kthehuni para se t’ju shikojë, meqë do të mendojë që keni ardhur për të më ndihmuar kundër tij dhe ai do të hidhërohet, pastaj do të shkojë tek Resulullahu e edhe ai do të hidhërohet për hidhërimin e Ebu Bekrit, dhe më në fund edhe Allahu do të hidhërohet për hidhërimin e atyre të dyve, kështu që do të shkatërrohem unë, Rebi’a, prandaj kthehuni!

Ebu Bekri arriti te Pejgamberi a.s. dhe ia tregoi ngjarjen ashtu siç ishte. Atëherë Pejgamberi a.s. e ngriti kokën dhe më pyeti:

 Ç’ke ti dhe Ebu Bekri, o Rebi’a?

Unë iu përgjigja:

 O Resulullah! Ai dëshiroi që unë t’i them njësoj siç më ka thënë ai mua, por unë nuk veprova ashtu.

 Jo, mos i thuaj siç të ka thënë ty, por thuaj: Zoti ia faltë gabimin Ebu Bekrit!  më tha Resulullahu a.s.

Atëherë unë i thashë: – Ta faltë Allahu gabimin, o Ebu Bekër!

Derisa po shkonte rrugës, lotët i shkonin rrëke dhe tha:

– Allahu të shpërbleftë me të mirë nga ana ime, o Rebi’a!

Allahu të shpërbleftë me të mirë nga ana ime, o Rebi’a ibnu Ka’bi!

Suffe: Vend i posaçëm në xhami të Pejgamberit a.s., ku banonin më të varfërit, të cilët s’kishin shtëpi, andaj për këtë quheshin “banorë të Suffes”.

Sa’a: Është njësi matëse për peshë. Një sa’ë është baraz me katër grushta plot.

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...