Home » Sahabet » Ebul As ibnu Rebia r.a.

“Më foli Ebul Asi dhe ishte i sinqertë, më premtoi dhe e mbajti besën!”  (Muhammedi a.s.)

Ebul As ibnu Rebia el Abshemij el Kureshij ishte një i ri i pashëm dhe elegant, saqë kushdo, që e shihte, mahnitej me tiparet e tij. Pasuria dhe mirësitë e kishin mbuluar nga çdo anë. E ndjente veten tejet krenar, pasi rridhte nga një familje me prejardhje fisnike. Mbi të gjitha, shquhej si njëri ndër kalorësit më të njohur arabë me krenarinë, burrërinë, guximin dhe besnikërinë, tipare këto të cilat i kultivonte me dashuri dhe krenari, ngase i kishte trashëgim nga të parët e tij.

*  *  *

Dashurinë për tregti Ebul Asi e trashëgoi nga kurejshitët, të cilët ishin të njohur me udhëtimet e tyre: dimrit dhe verës (JemenSham). Devetë e tij s’kishin të ndalur nga shkuarja dhe ardhja ndërmjet Mekës dhe Shamit. Karvani i tij numëronte mbi njëqind deve dhe mbi dyqind njerëz. Njerëzit kishin besim të madh në shkathtësinë, sinqeritetin dhe besnikërinë e tij, kështu që pa ngurrim ia dorëzonin pasurinë e tyre për të tregtuar dhe për të fituar dhe gjithmonë ndaheshin të kënaqur me të.

*  *  *

Hatixhe bintu Huvejlidi, e shoqja e Muhammedit a.s., ushqente dashuri të madhe ndaj tij, sikurse ta kishte djalë të vetin. Në zemrën dhe shtëpinë e saj Ebul Asi gëzonte respekt të veçantë dhe përherë ishte i dashur dhe i mirëseardhur në atë mes.

As dashuria e Muhammedit a.s. ndaj Ebul Asit nuk ishte aspak më e vogël sesa dashuria e Hatixhes.

*  *  *

Vitet kaluan me shpejtësi e në shtëpinë e Muhammedit a.s., u rrit më e madhja bijë e tij, Zejnebja. Ajo lulëzoi ashtu siç lulëzojnë lulet e bukura kur i hapin petalet e tyre dhe lëshojnë aromë të këndshme. Bukurisë së saj i lakmuan shpirtrat e bijve të parisë dhe të fisnikëve të Mekës.

E si të mos e lakmonin, kur ajo ishte më fisnikja dhe më e ndershmja prej bijave të kurejshitëve për nga familja, më fisnikja për nga babai dhe nëna dhe më e larta për nga morali dhe edukata?!

Por… si të arrinin deri te zemra e saj kur në mes të saj dhe atyre ishte i biri i tezes së saj, Ebul As ibnu Rebia, më i pashmi prej djelmërisë së Mekës?!

*  *  *

Nuk kaloi shumë kohë nga martesa e Zejnebes, bijës së Muhammedit a.s. me Ebul Asin dhe Meka shndriti nga shkëlqimi i dritës hyjnore. Allahu xh.sh. e dërgoi Pejgamberin e Tij, Muhammedin a.s. me udhëzim dhe fe të vërtetë. E urdhëroi që t’i thërrasë të afërmit dhe farefisin e tij në besim. E para nga femrat që i besoi ishte gruaja e tij Hatixhja dhe bijat e tij: Zejnebja, Rukajja, UmmuKulthumi dhe Fatimja, ndonëse ajo atëherë ishte e vogël.

Për çudi, dhëndri i tij Ebul Asi nuk deshi që të largohet nga feja e të parëve të tij dhe refuzoi të hyjë në atë fe në të cilën hyri e shoqja e tij Zejnebja, ndonëse e donte atë me një dashuri të pastër dhe të sinqertë.

*  *  *

Kur u ashpërsuan mosmarrëveshjet ndërmjet të Dërguarit të Allahut dhe kurejshitëve, disa prej tyre u thanë të tjerëve:

– Mjerë për ju… Ju me martesën e vajzave të Muham-medit me djemtë tuaj ia lehtësuat atij brengat për to. Nëse ia ktheni ato, ai sigurisht se do të merakoset për to dhe do t’ju lërë juve të qetë…

Sa ide e mirë është kjo që thatë  thanë ata dhe shkuan te Ebul Asi dhe i thanë: – Ndaju nga gruaja jote dhe ktheja atë babait të saj, e ne të martojmë ty me cilëndo grua që dëshiron nga gratë më fisnike të kurejshitëve.

 Jo për Zotin  tha ai,  nuk ndahem nga gruaja ime dhe nuk e ndërroj atë me të gjitha gratë e botës… Dy bijat e tjera të Muhammedit a.s., Rukajjën dhe Umu Kulthumin i lëshuan dhe i kthyen në shtëpitë e prindërve të tyre. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi të, u gëzua për kthimin e tyre. Dëshironte që edhe Ebul Asi të vepronte ashtu siç kishin vepruar dy të tjerët, mirëpo mbeti vetëm të shpresonte, sepse nuk kishte forcë që ta detyrojë Ebul Asin ta bënte një gjë të tillë, e në anën tjetër ende nuk kishte zbritur ajeti për ndalimin e martesës së muslimanes me idhujtarin (jomuslimanin).

*  *  *

Kur i Dërguari i Allahut emigroi në Medinë, gjendja ndërmjet tij dhe kurejshitëve u acarua edhe më shumë, kur ata dolën ta luftojnë atë në Bedër, e në mesin e tyre ishte edhe Ebul Asi, i cili u detyrua të dalë me ta pa dëshirën e tij.

Ndonëse nuk kishte dëshirë që të luftojë kundër muslimanëve, pozita që kishte ai në popullin e vet e shtyu që t’u bashkangjitet atyre në këtë betejë… Toka e Bedrit u ngrit lart me humbjen e hidhur që iu shkaktua kurejshëve, ku iu thyen turinjtë shirkut dhe iu dërmuan shpinat udhëheqësve të tyre. Një grup prej idhujtarëve u vranë, disa u zunë robër e disa të tjerë shpëtuan duke ikur.

Në mesin e të zënëve rob ishte edhe Ebul Asi, burri i Zejnebes, bijës së Muhammedit a.s., paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

*  *  *

I Dërguari i Allahut obligoi të zënët rob që çdonjëri prej tyre, nëse do të lirohet, duhet të paguajë dëmshpërblim në vlerë prej një mijë deri në katër mijë dërhemë, varësisht nga pozita në shoqëri dhe pasuria që kishin.

Njerëzit filluan të udhëtojnë pandërprerë ndërmjet Mekës dhe Medinës duke çuar pasuri me të cilën do t’i lironin të zënët rob.

Edhe Zejnebja dërgoi një njeri në Medinë me dëmshpër-blimin për lirimin e burrit të saj, Ebul Asin. Në atë pasuri kishte vënë edhe qaforen që i kishte dhuruar nëna e saj, Hatixhja, në ditën kur ia kishte uruar martesën.

Kur i Dërguari i Allahut e pa qaforen, fytyrën e tij fisnike e mbuloi një pëlhurë e hollë pikëllimi. Ndjeu një dhembshuri të thellë për bijën e tij, pastaj u kthye nga shokët e tij dhe u tha:

 Zejnebja e dërgoi këtë mall për lirimin e Ebul Asit. Nëse e shihni të rrugës t’ia lironi asaj bashkëshortin e zënë rob dhe t’ia ktheni mallin, veproni.

Po, o i Dërguar i Allahut, do të veprojmë ashtu siç kërkove,  i thanë ashabët e tij.

*  *  *

Para se ta lironin Ebul Asin, i Dërguari i Allahut i kushtëzoi atij lirimin me kusht që t’ia sjellë pa vonesë në Medinë vajzën e tij, Zejneben.

Ende pa arritur mirë në Mekë, Ebul Asi nxitoi ta përmbushë obligimin e tij… Urdhëroi të shoqen të përgatitej për udhëtim dhe e informoi se përcjellësit e caktuar nga babai i saj janë duke e pritur jo fort larg Mekës. Ia përgatiti ushqimin dhe mjetin për udhëtim dhe e ngarkoi të vëllanë e tij Amr ibnu Rebian që ta shoqërojë Zejneben dhe t’ua dorëzojë përcjellësve të saj personalisht.

*  *  *

Amri vuri harkun dhe shigjetat mbi supe, e vendosi Zejneben mbi deve dhe doli së bashku me të nga Meka në pikë të ditës dhe para syve të kurejshitëve. Kur e panë këtë skenë, populli i Mekës u trazua dhe iu lëshuan pas derisa e arritën. Ulërima e tyre e frikësoi dhe e trembi Zejneben…

Mirëpo, Amri sakaq rroku harkun e tij, e hapi strajcën e shigjetave dhe tha: – Për Zotin, askush prej jush nuk mund t’i afrohet asaj pa ia ngulur më parë shigjetën në qafën e tij. Amri ishte shenjues me nam, saqë shigjeta e tij kurrë nuk gabonte cakun…

Ebu Sufjani, i cili i printe asaj turme njerëzish, i doli përpara dhe i tha:

 O biri i vëllait tim, largoje shigjetën tënde prej nesh që të mund të flasim.

Amri e lëshoi shigjetën, kurse Ebu Sufjani vazhdoi e i tha:

 Me të vërtetë bëre një gjest të pahijshëm dhe të pakontrolluar kur dole me Zejneben haptazi para syve të njerëzve. Sigurisht je i vetëdijshëm se të gjithë arabët kanë marrë vesh për pësimin tonë në Bedër dhe atë çka na gjeti nga dora e babait të saj, Muhammedit.

Nëse del me bijën e tij haptazi, ashtu siç veprove,  fiset arabe do të na quajnë frikacakë dhe do të na konsiderojnë si të ligj, prandaj kthehu me të dhe lëre disa ditë në shtëpinë e burrit të saj, që njerëzit të thonë se ne e kthyem atë, e pastaj largoje atë fshehurazi dhe dërgoje te babai i saj. Ne nuk kemi asgjë kundër që ajo t’i bashkangjitet babait të saj.

Amri u pajtua me këtë propozim dhe e ktheu Zejneben në Mekë, mirëpo nuk kaluan as dytri net të plota e ai e nxori atë nën hijen e natës dhe ua dorëzoi në dorë atyre që i kishte dërguar babai i saj, ashtu siç e kishte porositur i vëllai.

*  *  *

Pas ndarjes me gruan e vet, Ebul Asi qëndroi një kohë në Mekë e pak para çlirimit të Mekës shkoi në Sham për të tregtuar. Derisa ishte duke u kthyer në Mekë u ndal të pushojë me karvanin e tij, i cili numëronte më se njëqind deve. Me vete kishte 170 njerëz. Gjatë një kontrollimi, njëra prej ekspeditave të të Dërguarit të Allahut hasi në atë karvan në afërsi të Medinës. Ata ia morën devetë Ebul Asit dhe i robëruan njerëzit e tij. Ai (Ebul Asi) u fsheh dhe nuk e gjetën dot.

Kur nata mbuloi dhenë Ebul Asi, nën perden e errësirës së saj, hyri në Medinë fshehurazi nga frika se do të diktohej, derisa arriti te Zejnebja dhe kërkoi prej saj që ta strehojë, gjë që ajo edhe e bëri.

*   *   *

Kur doli i Dërguari i Allahut për ta falur namazin e sabahut, u drejtua në mihrab dhe mori tekbirin fillestar e pas tij morën tekbir edhe njerëzit e tjerë. Prej safit (rreshtit) të grave u dëgjua zëri i lartë i Zejnebes, e cila tha:

 O ju njerëz! Unë jam Zejnebja, e bija e Muhammedit. Kam strehuar Ebul Asin dhe do t’iu lutesha ta keni në konsideratë strehimin e tij! Kur i Dërguari a.s. e mbaroi namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha:

 A e dëgjuat atë që e dëgjova edhe unë?!

 Po, o i Dërguari i Allahut,  i thanë ata.

Pasha Allahun, në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk kam pasur kurrfarë dijenie për këtë derisa e dëgjova këtë që edhe ju dëgjuat  tha Resulullahu, pastaj shkoi në shtëpinë e tij dhe i tha të bijës:

Respektoje shtëpinë e Ebul Asit dhe dije se nuk ke të drejtë bashkëshortësie me të. Pastaj i thirri njerëzit e ekspeditës, të cilët ia kishin marrë devetë dhe mallin Ebul Asit dhe ia kishin zënë rob njerëzit e tij, dhe u tha:

Ju e dini afërsinë e këtij njeriu te ne. Ia keni marrë mallin, por nëse keni mirësinë dhe ia ktheni atë çka është e tij, do të na bëhej qejfi, e nëse refuzoni, ajo është dhuratë e Allahut për ju, në të cilën keni të drejtë.

 Për hatrin tënd ne do t’ia kthejmë atij mallin e vet, o i Dërguar i Allahut,  i thanë ata.

Kur erdhi Ebul Asi që ta marrë karvanin e tij, disa i thanë:

O Ebul As, me të vërtetë ne të njohim nga më bujarët ndër kurejshitët, je djali i xhaxhait të Pejgamberit a.s. dhe dhëndër i tij, pranoje Islamin dhe ne do të heqim dorë nga kjo pasuri në favor tëndin. Kështu do ta kesh edhe mallin e mekasve, edhe do të mbetesh me ne në Medinë.

Sa vepër të keqe kërkoni prej meje,  u tha ai. A po dëshironi që të filloj besimin tim të ri me mashtrim e tradhti?!

*  *  *

Ebul Asi me karvanin e tij vazhdoi rrugën për në Mekë derisa arriti në të dhe pasi ua ktheu të gjithëve atë që u takonte, u tha:

O paria e kurejshëve, a i ka mbetur dikujt prej jush diçka nga pasuria tek unë e që ende nuk e ka marrë?

Jo,  i thanë ata.  Zoti të shpërbleftë për ne, se vërtet je besnik dhe fisnik.

Pas këtyre fjalëve, Ebul Asi iu drejtua kurejshëve dhe u tha: – Pasi i përmbusha obligimet ndaj jush dhe i dhashë secilit prej jush atë që i takon, unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i Tij.

Për Zotin, asgjë nuk më ndaloi që të deklaroj dëshminë islame para Muhammedit në Medinë, përveç frika se ju do të mendonit se desha t’ua rrëmbej pasurinë…

Kur Allahu ua ktheu atë dhe unë u lirova nga barra e saj, e pranova Islamin…

Pastaj u largua nga Meka dhe u nis për në Medinë. Menjëherë iu paraqit Resulullahut dhe deklaroi botërisht përqafimin e Islamit.

I Dërguari i Allahut e nderoi dhe e respektoi Ebul Asin siç është më së miri. Ia ktheu bshkëshorten dhe gjithmonë thoshte për të:

“Më foli Ebul Asi dhe ishte i sinqertë, më premtoi dhe e mbajti besën! .”

Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up