Home » Sahabet » Mistah bin Uthathe r.a. – Sahabet e Profetit a.s. shqip

Prindërit: Uthathe bin Abbad bin el Muttalib / Umm Mistah bint Ebi Ruhm b. el Muttalib
Data/Vendi i Lindjes:  (Mekke)
Vendi i ndërrimit jetë: 34 AH ose 37 AH (Medine)
Vendbanimet: Mekke / Medine
Vëllezërit/motrat: Mudhtaja bin Uthathe b. Abbad, Hind bint Uthathe b. Abbad b. el Mutt
Bashkëshorti/ja:
Fëmijët:

Mistah ibn Uthathe, radijall-llahu anhu, ishte një nga myslimanët e parë!.. Ishte një djalosh që kishte njohur Resulullahun, salallahu alejhi ve selem, dhe i ishte dorëzuar atij tërësisht!.. Ishte një nga të afërmit e Hazreti Ebu Bekrit (r.a.)!.. Ishte një burrë i imanit dhe një nga studentët e parë të Suffes!.. Ishte një sahab që i qe ngatërruar emri në Ngjarjen e Ifkut!.. Ai lindi dhe jetoi në Mekë. Bënte pjesë në familjen e bijve të Muttalibit, që ishte i lidhur me fisin e kurejshëve. Njerëzit përreth e njihnin më shumë me epitetin e tij sesa me emrin e tij. Emri i tij i vërtetë ishte Avf  kurse Mistah ishte epiteti. Nëna e tij ishte Ummu Mistah binti Ebu Ruhm. Ajo ishte vajza e tejzes e Hazreti Ebu Bekër Siddikut (r.a.). Mistahu ishte jetim, ngaqë kishte humbur babain që kur ishte i vogël. Ai pranoi Islamin që në moshë të re, atëherë kur Resulullahu (s.a.s.), po predikonte fshehurazi Islamin.  Ai e mësoi Islamin nga vetë Resulullahu (s.a.s.), duke shkuar fshehurazi në shtëpinë e Erkamit. Vahjin që sapo shpallej e mësonte përmendsh menjëherë. Kur shkonte në shtëpi, ua mësonte Islamin së ëmës, vëllezërve dhe motrave të veta. Nëna Ummu Mistah dhe e motra Hind u bënë menjëherë myslimane. (Usdul-gabe, IV, 296.) Në vitet e para të Islamit, mushrikët dhunonin dhe torturonin myslimanët e rinj, veçanërisht ata që nuk kishin përkrahje, jetimët dhe të varfrit. Duke u ushtruar dhunë përpiqeshin t’i kthenin nga Islami. Ndaj dhe Mistahu (r.a.), e kishte mbajtur sekret se ishte bërë mysliman në ditët e para, kur kishte nisur të shpallej Islami. Mirëpo, mushrikët barbarë e kishin kuptuar se Mistahu kishte braktisur idhujt dhe ishte bërë mysliman. Ndaj dhe filluan ta torturonin edhe atë në mënyrë shtazarake. I bënë të gjitha torturat. Mirëpo, me gjithë ato ushtrime dhune që i bënë, nuk arritën ta bindnin Mistahun të ndërronte fe. Nuk arritën t’ia hiqnin nga zemra nurin e besimit aq fort të ngulitur. Sahabët, zemra e të cilëve ndrinte plot iman, nuk u dorëzuan kurrë përballë dhunës mizore të mushrikëve. Kurrë nuk e flijuan ahiretin për një detaj sado me rëndësi qoftë të dynjasë. Rezistuan!.. Duruan vështirësitë!.. Qëndruan dinjitozë me imanin e tyre!.. Dhe kështu u bënë yjet e rruzullit tokësor. Krenaria e Gjithësisë, Muhamedi (s.a.s.), u dha leje të emigronin atyre sahabëve që mezi po u rezistonin dhunimeve të mushrikëve. Fillimisht emigruan në Abisini, pastaj në Medinën e Përndritur.  Kështu, Mistahu (r.a.), Ubejd Ibn Harise dhe dy vëllezërit e tij Tufejli dhe Husejni nisën të bënin emigrimin, duke ikur fshehurazi nga Meka. Duke ecur natën dhe ditën, duke u fshehur arritën më në fund në Medinë. Qëndruan si mysafirë në shtëpinë e Abdurrahman Ibn Seleme-së. Kur mbërriti në Medinë zotëria i të dy botëve, Resulullahu (s.a.s.), Mistahun (r.a.) e bëri vëlla me Zejd Ibn Muzejjenin (r.a.). Ndërkohë që ndërtohej Mesxhidi Nebevi, Mistahu (r.a.), qëndroi në Suffe. Ai u bë një nga studentët e parë të Suffes. Ai ishte një trim shumë i shquar. Futej në mesin e radhëve të armikut pa iu trembur syri. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i pati dhënë disa detyra atij në disa herë. Si fillim, e pati çuar në ushtrinë e Harrar-it, që ishte nën udhëheqjen e Sa’d Ibn Ebi Vakkasit (r.a.). Resulullahu (s.a.s.), kishte përgatitur një grup prej dhjetë vetësh. U pati dhënë detyrë të kontrollonin karvanin e kurejshëve. Sa’d ibn Ubade, lidhur me këtë ushtri tregon:

“Rrugën për në Harrar po e bënim në këmbë, natën ecnim dhe ditën fshiheshim. Na u deshën plot pesë ditë që të mbërrinim në Harrar. Mësuam se kishim mbërritur një ditë pasi kishte qenë karvani i kurejshëve. Kështuqë u kthyem pa pasur asnjëfarë konflikti.” (Ibn Sa’d, Tabakat, 2/7; 8/228.) Mistuahu (r.a.), pati bërë për së dyti bajraktarin në ushtrinë e Rabig-ut. Pastaj pati marrë pjesë në Betejën e Bedrit. Rrugën për në Bedër e patën bërë duke hipur në deve me radhë Tufejli dhe Husejn Ibn Harisi. Në Bedër dhe në Uhud Mistahu (r.a.), pati treguar trimëri të mëdha. (Vakidi, Megazi, I/24; 2/434.) Pas kësaj, Mistahu (r.a.), mori pjesë në Betejën e Murejsi-së. Në këtë betejë ndodhej edhe nëna e besimtarëve, Hazreti Aisheja (r.a.). Aisheja (r.a.), shpëtoi me vështirësi nga kjo betejë dhe kaloi një sprovë të rëndë. Në atë sprovë të vështirë, që mbante emrin Ngjarja e Ifkut ishte përzier edhe emri i Mistahut. Kishte humbur gjerdani i Hazreti Aishesë (r.a.). Duke u përpjekur për t’i gjetur gjerdanin e saj, Mistahu kishte mbetur mbrapa dhe pastaj i qe bashkuar ushtrisë. Hipokritët e përdorën këtë ngjarje për një fushatë shpifjeje. Disa myslimanë u bënë vegël për këtë shpifje. Njëri prej të cilëve qe edhe Mistahu.  Atëherë, kur u shpallën ajetet 11 – 20 të sures Nur, u bë e ditur pafajësia e Hazreti Aishesë. Zoti i Madhëruar në këto ajete shprehet në këtë mënyrë: “Me të vërtetë, ata që shpifën janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh. Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: ‘Kjo është shpifje e qartë”?! Pse nuk sollën për këtë katër dëshmitarë? Meqë nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarë para Allahut. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh për atë që bëtë.  Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe. Përse kur e dëgjuat përgojimin, nuk thatë: ‘Nuk ka hije për ne të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)! Kjo është shpifje e madhe!” Allahu ju paralajmëron, që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë. Allahu ju shpjegon shpalljet; se Allahu është i Urtë, i Gjithëdijshëm. Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini. Sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, si dhe fakti se Ai është i Butë e Mëshirues (dënimi i Tij do të shpejtonte)!” Atyre që u përzien në këtë ngjarje iu dha ndëshkimi i merituar. As Mistahu nuk u shpëtoi dënimeve. Kjo ndodhi në këtë mënyrë: “Hazreti Ebu Bekri (r.a.), vazhdimisht i gjendej në ndihmë Mistahut dhe familjes së tij. Kur pa që edhe ai bënte pjesë në grupin që po shpifnin për vajzën e tij, Hazreti Aishen, ai u betua se nuk do ta ndihmonte më as atë e as familjen e tij. Kur u shkëput ndihma e Hazreti Ebu Bekrit, familja e Mistahut kishte filluar ditët e vështira të skamjes. Zoti i Madhëruar, pas kësaj ndërprerjeje të ndihmës, shpalli këto ajete: “Mos e bëni pengesë betimin në Allahun për kryerjen e veprave të mira, largimin prej të ligave dhe për pajtimin e njerëzve! Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.” (Bakara, 224.) Pasi u shpallën këto ajete, Ebu Bekri (r.a.), tha: “Natyrisht, unë dua që Allahu të më falë!” Pastaj, pasi bëri shlyerjen e betimit, vazhdoi të bënte bamirësinë e mëparshme. (Buhariu, Megazi, 34; Muslimi, Teube, 56; Taberiu, Tefsir, II, 546.) Sa sjellje shembullore!.. Sa dorëzim shembullor!.. Sa virtyt!.. Sa vëllazëri e bukur!.. Ja pra, shembulli i pashoq i mëshirës së Zotit ndaj njerëzve të vet!.. Ja pra, një qëllim që lartëson shoqërinë e virtytit!.. O Zot i Gjithëdijshëm, dhurona edhe ne një virtyt të tillë!.. Thuhet se Mistah Ibn Uthathe (r.a.), ka ndërruar jetë në vitin 34 hixhri. Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Zoti na mbrojtë nga rënia në shqetësime të tilla të mëdha dhe nga sprovat e tilla të rënda!

Amin!

Burimi

Shto koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 25 other subscribers

Kurban Bajrami20/07/2021
Gezuar Bajramin
Scroll Up