Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Zejdul Hajr r.a.

“Ti ke dy cilësi, të cilat i do Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij: durimin dhe shpirtmadhësinë.” Muhammedi a.s.

Njerëzit janë me karaktere të ndryshme. Ata që ishin më të zgjedhurit në kohën e injorancës janë më të zgjedhurit edhe në Islam.

Ja, po të sjellim dy pamje të një sahabi fisnik. E para përshkruan vrazhdësinë e injorancës, ndërsa e dyta përshkruan butësinë e Islamit.

Ky sahabij është “Zejdul Hajl” (Zejdi i kuajve), siç e quanin njerëzit në kohën e injorancës dhe “Zejdul Hajr” (Zejdi i mirësisë), ashtu siç e quajti Pejgamberi a.s. pas kalimit të tij në Fenë Islame.

Pamjen e parë e gjejmë në librat e letërsisë, në të cilat shkruhet:

Shejbaniu transmeton nga një plak i fisit Beni Amir, i cili kishte thënë:

– Ishte një vit i thatë, gjatë të cilit u dogjën të lashtat e ngordhën shtazët, dhe një njeri prej nesh me tërë familjen e vet shkoi në El Hire, i la aty dhe u tha:

“Pritni këtu derisa të kthehem përsëri.”

Pastaj u betua se nuk do të kthehet derisa të bëhet i pasur apo të vdesë.

Mori pak ushqim me vete dhe udhëtoi tërë ditën derisa ra nata. Para tij gjeti një tendë, afër së cilës ishte një gomar i lodhur, dhe tha me vete:

“Kjo është plaçka e parë.” U nis në drejtim të tij, filloi ta zgjidhë, por kur deshi të hipë mbi të dëgjoi një zë duke thirur: Lëre atë e shpëtoje vetveten!” E la gomarin dhe shkoi.

Pastaj udhëtoi shtatë ditë rresht deri në një vend pushimi për deve, e aty afër ishte një tendë e madhe me një kupolë prej lëkure, e cila jepte shenjë për pasuri dhe begati, dhe njeriu tha me vete:

“Në këtë vend patjetër duhet të ketë deve dhe në këtë tendë patjetër duhet të ketë njerëz.”

Pastaj iu afrua tendës  pak para perëndimit të diellit  dhe në të gjeti një plak të lodhur. U ul prapa tij e plaku nuk e hetoi fare.

Nuk kaloi shumë kohë dhe perëndoi dielli e aty arriti një kalorës i fuqishëm, hipur në një kalë të lartë e rreth tij ishin dy robër që shkonin në të majtë dhe në të djathtë dhe me të afër njëqind deve, të cilave u printe një deve e madhe. Aty ra deveja e madhe dhe rreth saj ranë edhe të tjerat.

– Mile këtë, – i tha kalorësi njërit prej robërve të vet, duke i dhënë shenjë për njërën nga devet e majme, – dhe jepi të pijë qumësht plakut.

Ai e moli atë, derisa u mbush ena, ia ofroi para duarve të plakut dhe u largua pak. Plaku piu një gëllënjkë apo dy e pastaj e la. Atëherë iu afrova plakut fshehtasi, ia mora enën dhe e piva tërë qumështin e mbetur. Robi u kthye, e mori enën dhe tha:

– O Zotëriu im, plaku e piu të tërë qumështin, kalorësi u gëzua për së tepërmi dhe tha:

– Mile këtë, – duke i dhënë shenjë për një deve tjetër. Përsëri e la enën para duarve të plakut. Robi e zbatoi urdhrin e zotëriut të vet. Plaku e piu përsëri një gëllënjkë dhe e la. Unë mora dhe e piva gjysmën e qumështit. Nuk desha ta pijë të tërin që të mos ngjallja dyshim te kalorësi.

Pas kësaj, kalorësi e urdhëroi robin tjetër që të prejë një dele. Kalorësi u çua, vetë ia pjeku delen plakut dhe e ushqeu me duart e veta derisa ai u ngop, dhe atëherë nisi të hajë ai dhe dy robërit e tij.

Nuk kaloi shumë dhe të gjithë shkuan të flejnë nëpër shtretërit e tyre dhe i zuri një gjumë i thellë.

Atëherë u drejtova te deveja kryesore, e zgjidha, i hipa dhe pas saj u nisën edhe devetë e tjera dhe kështu vazhdova udhëtimin tërë natën. Kur agoi mëngjesi, shikova në të gjitha anët dhe nuk vërejta se më përcillte kush. Kështu vazhdova derisa u erdhi mesdita.

Nuk kaloi shumë kohë dhe, posa u ktheva anash, pashë diçka që i përngjante shqiponjës apo një shpendi të madh. Kur u afrua pranë meje, vërejta se ai ishte një kalorës hipur në kalin e tij dhe vazhdonte të vinte kah unë derisa më në fund vërejta se ai ishte kalorësi, që kërkonte devetë e tij.

Atëherë e lidha devenë, nxora një shigjetë prej strajcës dhe e vura në hark. Devetë i lashë prapa meje. Kalorësi qëndronte larg meje dhe më tha:

– Zgjidhe frerin e devesë!

Unë ia ktheva:

– Assesi. Ka ditë që kam lënë disa gra të uritura në “ElHire” dhe jam betuar se do të kthehem tek ato vetëm atëherë kur të grumbulloj pasuri, ase i vdekur.”

Ai më tha:

– Atëherë, ti je i vdekur. Zgjidhe frerin e devesë!

Unë ia ktheva:

– Nuk do ta zgjidhi.

Ai përsëri më tha:

– Medet për ty. Ti je i mashtruar.

Pastaj tha:

– Më trego mua lidhjen e devesë. Nyjet ishin tri. Pastaj më pyeti se në cilën prej nyjeve dëshiroj ta hidhte shigjetën. I dhashë shenjë në të mesmen. E hodhi shigjetën dhe ia qëlloi asaj sikur ta kishte lidhur me dorën e vet. Pastaj e qëlloi të dytën dhe të tretën. Atëherë nuk më mbeti tjetër vetëm ta kthej shigjetën në strajcën time dhe qëndrova para tij i dorëzuar. U afrua pranë meje, e mori shpatën dhe harkun tim dhe tha:

– Hip pas meje! Hipa pas tij dhe më tha:

– Çfarë mendon se do të bëj me ty?

Iu përgjigja: – Mendoj më të keqen.

Më pyeti: Përse?!

Iu përgjigja: – Për atë që bëra ndaj teje.

Për mundin që të shkaktova dhe më në fund Allahu ta mundësoi të më kapësh.”

Atëherë më tha:

– A mendon se unë do të sillem keq ndaj teje kur ti je ai që e shoqërove “Muhelhelin” (e ka fjalën për babain e vet) në pirjen dhe ushqimin e tij dhe fjete me të atë natë?!!

Posa dëgjova emrin e Muhelhelit, i thashë:

– Ti je “Zejdul Hajl”?!

Më tha: -Po. Unë jam.

I thashë:

– Sillu mirë ndaj robit tënd!

Më tha: – Mos u merakos për këtë dhe më mori deri në vendin e tij dhe më tha:

– Betohem në Allahun se, sikur të ishin të miat këto deve, të gjithat do t’i jepja ty, por ato janë të njërës prej motrave të mia. Rri me mua disa ditë, sepse së shpejti kam ndërmend të ndërmarr një sulm e ndoshta do të plaçkis diçka.”

Nuk kaluan as tri ditë e ai e sulmoi fisin “Benu HUmejr” dhe plaçkiti mbi njëqind deve e të gjitha m’i fali mua. Po ashtu me mua dërgoi disa njerëz të tij që të më mbrojnë nga çdo sulm eventual derisa të arrija në “ElHire”.

*  *  *

Ky ishte personaliteti i Zejdul Hajlit në kohën e injorancës, ndërsa për personalitetin e tij në Islam na rrëfejnë librat e historisë, të cilat thonë:

Posa i arritën lajmet e Pejgamberit a.s. Zejdul Hajlit, ai u ndal dhe i studioi disa nga parimet në të cilat thërriste ai. E përgatiti karvanin e tij dhe i ftoi disa nga të parët e popullit të vet që të vizitojnë Jethribin dhe të takohen me Pejgamberin a.s. Me të u nis një delegacion i madh prej fisit “Taj”, në mesin e të cilëve ishin Zurru ibnu Sedusi, Malik ibnu Xhubejri, Amir ibnu Xhuvejni dhe shumë të tjerë. Kur arritën në Medinë, u nisën në drejtim të xhamisë së Pejgamberit a.s. dhe i lidhën devetë e tyre te dera e xhamisë.

Në momentin e arritjes së tyre, Pejgamberi a.s. ishte duke u folur muslimanëve nga minberi i tij. Atyre u pëlqyen fjalët e tij, u habitën nga përqendrimi i madh i muslimanëve dhe ndikimi i fjalëve të tij në mendjet dhe zemrat e tyre.

Kur Pejgamberi a.s. e vërejti praninë e tyre iu drejtua muslimanëve me këto fjalë:

– Unë jam më i mirë për ju sesa Uzzaja dhe të gjithë ata që i adhuroni…

Unë jam më i mirë për ju sesa deveja e zezë, të cilën ju e adhuroni.

* * *

Fjalët e Pejgamberit a.s. ndikuan në mënyra të ndryshme te Zejdul Hajli dhe tek ata që ishin me të. Disa prej tyre iu përgjigjën të vërtetës dhe e pranuan atë, e disa të tjerë nuk iu përgjigjën dhe u treguan kryelartë.

Një grup fitoi xhenetin e grupi tjetër meritoi xhehenemin. Zurru ibnu Sedusi, kur e pa Pejgamberin a.s. në atë pozitë të lartë dhe shikimet dhe zemrat e besimtarëve të drejtuara kah ai, iu ngjall zilia në shpirt kurse zemrën e kaploi frika. Pastaj iu drejtua atyre që ishin me të dhe u tha:

– Unë po shoh para meje një njeri, që i paska përfituar zemrat e arabëve, por unë nuk lejoj që ai të përfitojë edhe zemrën time.

Pastaj u nis në drejtim të Shamit. I qethi flokët dhe kaloi në Krishterizëm.

Ndërsa Zejdi dhe të tjerët patën një qëndrim krejtësisht tjetër. Posa e përfundoi Pejgamberi a.s. hytben e tij, Zejdul Hajli u ngrit në mesin e muslimanëve; kishte një pamje shumë të bukur, një sjellje shumë të mirë dhe ishte shumë i gjatë, saqë kur ishte hipur në kalë, këmbët i preknin në tokë, sikur të kishte hipur mbi një gomar…

Qëndroi me shtatin e tij të hedhur, e lëshoi zërin e tij të lartë dhe të gjatë e tha: – O Muhammed! Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Tij. Atëherë, Pejgamberi a.s. u nis drejt tij dhe e pyeti:

– Kush je ti?

Ai iu përgjigj: – Unë jam Zejdul Hajl ibnu Muhelhelit!

Pejgamberi a.s. atëherë ia ktheu:

– Jo, tani e tutje je Zejdul Hajr (Zejdi i mirësisë) e jo Zejdul Hajl (Zejdi i kuajve).”

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili të solli këtu prej luginave e maleve të tua dhe ta zbuti zemrën për Islam.

Pas këtij momenti ai u bë i njohur me emrin “Zejdul Hajr”.

Pejgamberi a.s. pastaj shkoi me të në shtëpinë e vet dhe me të ishte Omer ibnul Hattabi dhe një grup i sahabëve. Kur arritën në shtëpi, Pejgamberi a.s. i ofroi Zejdit një mbështe-tëse, por atij i erdhi keq të mbështetet në prani të Pejgam-berit a.s., dhe ia ktheu, e kështu vazhduan t’ia kthejnë njëritjetrit mbështetsën tri herë.

Kur të gjithë u ulën nëpër vendet e tyre, Pejgamberi a.s. i tha Zejdul Hajrit:

– O Zejd! S’ka ndodhur që një njeri të ma përshkruajnë dikë e, kur më është dhënë rasti ta shoh atë, kam vërejtur se nuk ka qenë ashtu siç ma kanë përshkruar, përveç teje dhe përshkrimit tënd.

Pastaj tha:

– O Zejd! Ti ke dy cilësi të cilat i do Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Zejdi pyeti:

– Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut?

Pejgamberi a.s. u përgjigj: Durimin dhe shpirtmadhë-sinë.

Zejdi atëherë tha:

– Falënderimi i qoftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i Cili bëri tek unë ato cilësi që i do Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Pastaj u drejtua nga Pejgamberi a.s. dhe tha:

– O i Dërguar i Allahut! M’i jep treqind kalorës dhe do t’i sulmoj ata atje ku janë strehuar, në Perandorinë Romake, dhe do t’i mund.

Pejgamberi a.s. e madhëroi këtë aspiratë të Zejdit dhe tha:

– Zoti të ruajtë ty, o Zejd! Sa njeri i mirë që je!

Së bashku me Zejdin e pranuan fenë islame të gjithë njerëzit e fisit të tij.

Kur Zejdi deshi të kthehej së bashku me njerëzit e fisit të tij në shtëpitë e tyre në Nexhd, atë e përcolli Pejgamberi a.s. dhe tha:

– Sa njeri i mirë është ky!

Sa i madh do të jetë kontributi i tij sikur të shpëtojë nga sëmundja e Medinës!

Në atë kohë në Medinë ishte përhapur një sëmundje ngjitëse. Posa u largua prej saj, Zejdul Hajri u sëmur. Posa e hetoi këtë, ai u tha shokëve që ishin në përcjelljen e tij: “Më largoni prej vendit të Kajsit, sepse ne kemi qenë në armiqësi me ta në kohën e injorancës. Betohem në Allahun se nuk do të luftoj asnjë njeri, derisa të takohem me Krijuesin tim.”

* * *

Zejdul Hajri e vazhdoi udhëtimin e tij në drejtim të shtëpive të fisit të tij në Nexhd, edhe pse dhembjet e sëmundjes sa vinin e shtoheshin pas çdo çasti. Kishte një dëshirë të vetme; të takohej me popullin e vet dhe ata ta pranonin fenë islame para tij.

Kështu, ai vazhdoi të bëjë gara me vdekjen, mirëpo më në fund ajo e mundi. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai vdiq në mes të rrugës. Prej kohës kur ai kishte pranuar fenë islame ishte një kohë tejet e shkurtër gjatë së cilës nuk kishte bërë asnjë mëkat. Burimi


ElHire, qytet në Irak ndërmjet Nexhefit dhe Kufes.

Uzza: Idhull i madh prej idhujve që arabët adhuronin gjatë kohës së injorancës.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...