Home » Sahabet » Esad bin Zurare r.a. – 6 myslimanet e pare medinas

Esad bin Zurare ishte ne mesin e gjashtë medinasve që u takuan me Profetin në Akabe dhe u bënë myslimanë, qe në mbarim të stinës së haxhit u kthyen në Medine. Ata u treguan të afërmve gjithçka kishin parë e dëgjuar, u thanë se ishin bërë myslimanë dhe nisën ta përhapin Islamin.
Një vit më pas, në stinën e haxhit, erdhën nga Medineja në Mekë për t’u takuar me Profetin, 12 myslimanë, nga të cilët, 10 të fisit Hazrexh dhe 2 të fisit Evs. Ndër ta ishin edhe 5 vetë nga ata që kishin qenë një vit më parë në takimin e parë të Akabes. Të parë kishin përsëri Esadin, të birin e Zurares. Të dymbëdhjetë vetët i dhanë fjalën Profetit se “nuk do të njihnin zot tjetër veç Allahut, nuk do të grabisnin,
nuk do të bënin prostitucion, nuk do t’i vrisnin vajzat e vogla, nuk do të shpifnin dhe do t’u bindeshin vazhdimisht Allahut dhe të dërguarit të Tij”. Ata i dhanë besën Profetit duke i tokur duart me të.
Pas kësaj besëlidhjeje, myslimanët medinas u kthyen në vendin e tyre për t’u përpjekur për përhapjen e Islamit. Bashkë me ta, Profeti dërgoi në Medine Musab b.Umejrin si mësues të Kuranit dhe fesë.
Musabi qëndroi si mik në shtëpinë e Esad b. Zurares nga fisi Hazrexh, kryetar i grupit që lidhën besën në Akabe. Ai shkonte në shtëpinë e secilit prej pjesëtarëve të fiseve Evs dhe Hazrexh që ishin bërë myslimanë, u mësonte atyre Kuranin dhe fenë dhe, duke i bërë për vete me moralin e tij të lartë, bukurinë dhe delikatesën e sjelljes, i afronte dhe i lidhte njerëzit pas Islamit.
Me zellin dhe përpjekjet e Esad b. Zurares dhe Musab b. Umejrit, numri i myslimanëve në Medine rritej me shpejtësi. Vetëm prijësit e fisit Evxh, Sad b. Muazi dhe Usejd b. Hudajri nuk e kishin pranuar ende Islamin. Një ditë, ndërsa Esadi me Musabin po u flisnin për Islamin myslimanëve të grumbulluar rreth tyre, u afrua Usejdi që kishte për qëllim t’i pengonte. Ai u foli:
“Ç’kërkoni të bëni ju? Ju po e shmangni popullin nga rruga e etërve…”
Musabi iu suall me shumë delikatesë. I këndoi Kuran, i foli shkurt për Islamin. Usejdi mbeti i prekur nga Kurani. “Ç’gjë e bukur kjo!..” – Tha ai dhe u bë mysliman.
Pastaj Usejdi u tha të pranishmëve t’u dërgonte Sad b. Muazin. Po ta pranonte edhe ai Islamin, në atë vend nuk do të mbetej më njeri pa u bërë mysliman.
Sadi nuk ishte aspak i kënaqur me përhapjen e Islamit në Medine. Ai shkoi tërë zemërim te Esadi dhe Musabi. Ai i foli ashpër Esadit:
“O Esad, po të mos ishin lidhjet farefisnore mes meje dhe teje, nuk do të heshtja kaq lehtë para punës tënde që po na fut farën e përçarjes!..”
Musabi u soll me të me shumë butësi dhe delikatesë. Ai i foli për Islamin. I këndoi Kuran. Si përfundim, edhe Sad b. Muazi u largua që atje si mysliman. Nën ndikimin e këtyre dy prijësve, mes fiseve Evs dhe Hazrexh pothuajse s’mbeti njeri pa u bërë mysliman.
Musabi e njoftoi Profetin për këto zhvillime të kënaqshme në Medine dhe myslimanët u gëzuan shumë. Prandaj, ky u quajt “Senetu’l-Ibtihaxh”, “Viti i Gëzimit”.

Në vitin e 12 të periudhës mekase të profetësisë, në stinën e haxhit, mes vizitorëve medinas ishin edhe 75 myslimanë, nga të cilët, 73 burra e 2 gra. Këta u takuan fshehtas me Profetin në kodrën Akabe pas haxhit, në mesnatën e dytë të ejjami teshrikut. Për të mos tërhequr vëmendjen, ata u mblodhën aty duke shkuar individualisht dhe nga rrugë të ndryshme. Mes tyre ishte edhe kushëriri medinas i Profetit, Zejd b. Halidi nga fisi Nexhar, i njohur më vonë si Ebu Ejub el-Ensariu.
Profeti shkoi në mbledhje së bashku me të ungjin Abbas. Abbasi nuk ishte bërë ende mysliman. Por ai ishte i lidhur gjer në fund pas të nipit. Sipas zakoneve arabe, ai e pati marrë nën mbrojtje Profetin pas vdekjes së Ebu Talibit. Prandaj i pari foli ai:
“O hazrexhë dhe evxhë! Edhe ju e dini se Muhammedi ka tek ne një vend të lartë. Ne e kemi mbrojtur gjer tani atë nga armiqtë dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë. Por ju tani po e ftoni atë në Medine për të qëndruar aty. Edhe ai vetë e dëshiron këtë gjë. Po të jeni në gjendje ta mbroni atë nga armiqtë, merreni, po e dorëzuat, më mirë të hiqni dorë nga kjo punë që tani!”
Pasi e dëgjuan Abbasin, medinasit iu drejtuan Profetit:
“O i Dërguari i Allahut, fol edhe ti! Nga ne e ke marrë besën për hir të Allahut! Ne jemi gati!”
Pasi këndoi pak Kuran, Profeti tha:
“Kërkoj nga ju të më jepni fjalën se nuk do të lini asgjë mangut nga feja edhe kur të jeni të gëzuar, edhe kur të jeni të hidhëruar, se nuk do të druheni nga asnjë për ta çuar të drejtën në vend, se, kur të vi në vendin tuaj, do të më mbroni siç mbroni gratë dhe fëmijët tuaj!”
Esad b. Zurare tha:
“O i Dërguari i Allahut, ne erdhëm këtu për të të dhënë besën ty. Ne do të bëjmë si të na urdhërosh ti! Do të të mbrojmë më shumë se ç’mbrojmë fëmijët e familjet tona! Ne do ta mbajmë fjalën. Allahu na e sjelltë mbarë!”
Medinasit e pyetën Profetin:
“O i Dërguari i Allahut, ç’na jepet po të vdesim në këtë rrugë?”
“Shpërblim me xhennet në ahiret!” – U tha Profeti.
“Atëherë, na e jep dorën!” – I thanë ata. Pastaj, duke i dhënë dorën Profetit, i dhanë besën se, “po të duhej, do të vdisnin për Islamin”.
Në këtë takim u vendos edhe emgrimi i Profetit dhe myslimanëve në Medine. Pas mbarimit të takimit, myslimanët u kthyen përsëri veç e veç dhe në rrugë të ndryshme.  Besëlidhjen e dytë të Akabes, kurejshët e morën vesh vetëm pasi myslimanët mekas u larguan për në Medine! Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up