Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Erua bint Kuraiz bin Rabia r.a. – Sahabet femra shqip

Prindërit: Kuraiz bin Rabia b. Habib b. Abd Shams / Umm Hakim bint Abd el Muttalib
Data/Vendi i Lindjes:  (Mekke)
Vendi i ndërrimit jetë: ~32 AH/654 CE (Medine)
Vendbanimet: Mekke / Medine
Vëllezërit/motrat: Amir bin Kuraiz, Sadi bint Kuraiz bin Rabia
Bashkëshorti/ja: Affan ibn Ebi el As, Utbe bin Ebi Muiat
Fëmijët: Uthman ibn Affaan, Amnah bint Affaan, el Ualid bin Ukbe, Ammare bin Ukbe, Halid bin Ukbe, Umm Kulthum bint Ukbe, Umm Hakim bint Ukbe, Hind bint Ukbe

Erva binti Kurejdh, radijallahu anha, është vajza e hallës së të Dërguarit të Allahut, (a.s.)… Është nëna e Hazreti Osmanit (r.a.)… Është prej zonjave të para sahabe, që shpëtuan nga errësira e xhahilijetit dhe vrapuan drejt dritës së Islamit…

Ajo lindi në Mekë. Babai i saj është Kurejdh ibn Rebia. Nëna e saj është halla e të Dërguarit të Allahut (a.s.), Ummu Hakim Bejza binti Abdulmuttalibi.

Zonja Erva është prej grave të para sahabe, që pranuan dritën e Islamit sapo dëgjoi se ka ardhur feja e re dhe pejgamberi i fundit. Emri i saj përmendet ndërmjet myslimanëve të parë që u nderuan me Islamin duke pranuar ftesën e të Dërguarit të Allahut (a.s.).

Në kohën e xhahiljetit Erva binti Kurejdh (r.anha), pati qenë martuar me Affan ibn Ebi’l-Asin. Nga kjo martesë u lindi një djalë me emrin Osman dhe një vajzë me emrin Amine.

Pasi Affani ndërroi jetë, ajo u martua me Ukbe ibn Ebi Muajtin. Edhe nga kjo martesë solli në jetë gjashtë fëmijë: Velidin, Umaren, Halidin, Ummu Gulthumin, Ummu Hakimin dhe Hindin.

Erva binti Kurejdh (r.a.), kishte një karakter që nuk toleronte kurrë në besimin e saj. Ajo pothuajse përpëlitej për të mos rënë edhe një herë në shirk (politeizëm). I doli për zot familjes dhe fëmijëve të saj si nënë. U përpoq shumë për t’i edukuar ata të shëndoshë fizikisht dhe mendërisht. Ajo ua mësoi atyre mirësitë e fesë, u vendosi në zemër dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i largoi nga idhujt dhe i mbrojti që të mos i adhuronin ata. Pothuajse të gjithë fëmijët e saj e pranuan Islamin, duke i dhënë besën të Dërguarit të Allahut (a.s.). Ata thanë shehadetin dhe u nderuan me Islamin.

Në vitet e para të Islamit Erva (r.a.), duroi ndaj torturave dhe vuajtjeve bashkë me motrat dhe vëllezërit e tjerë myslimanë. Ajo u përpoq shumë për ta mbrojtur besimin e saj pa u ndikuar nga torturat dhe shtypjet e politeistëve. Kur myslimanëve u doli leja për të bërë hixhret, edhe ajo u bashkua me ta.

Erva (r.a.), ishte një zonjë që e mbante fjalën. Asnjëherë nuk e harroi besën dhe fjalën që ia pati dhënë të Dërguarit të Allahut (a.s.). Jetën e saj e kaloi duke e vërtetuar në çdo vend dhe në çdo kohë profetësinë e Hz. Pejgamberit dhe duke e ndihmuar atë për këtë çështje. Për hir të besimit flijoi jetën dhe pasurinë e saj. Bëri hixhret. Për këtë arsye, u detyrua të largohej nga qyteti në të cilin pati lindur dhe qe rritur. Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), u largua nga Meka, edhe ajo shkoi në Medine bashkë me vajzën e saj, Ummu Gulthumin. Pjesën tjetër të jetës e kaloi në këtë qytet të bukur.

Erva binti Kurejdh (r.a.), shfaqi një përpjekje madhështore si një nënë për t’i edukuar fëmijët e saj. Ajo i dha shumë rëndësi edukimit dhe besimit të tyre. Gjithmonë i deshi ata si një nënë. Edukimi i një fëmije si halifi i tretë i myslimanëve, Hz. Osmanin (r.a.), i cili ishte shembull në edukatë dhe turp, është argument për këtë përpjekje të saj.

Zonja Erva u bë vjehrra e dy vajzave të dashura të të Dërguarit të Allahut (a.s.), Ummu Gulthumit dhe Rukijes. Ato i deshi dhe i mbrojti si jetën e saj. U përpoq që ato të ishin sa më të lumtura dhe të gëzuara.

Ajo është një nënë me fat, që jetoi gjatë dhe arriti deri në kohën e udhëheqjes së birit të saj, Osmanit (r.a.). Në moshën nëntëdhjetë e sa vjeçare dhe në periudhën e kalifatit të Hz. Osmanit (r.a.), ndërroi jetë në Medine. Ajo u varros në Xhennetu’l-Baki.

Pasi Erva binti Kurejdh (r.a.), u vendos në varr, Hz. Osmani (r.a.), shfaqi një respekt dhe dashuri të madhe kundrejt nënës së tij. Për një kohë të gjatë nuk u largua nga varri i saj. Një kujtim në lidhje me këtë e transmeton sahabi i nderuar, Abdullah ibn Hanzala (r.a.):

“Pasi Hz. Osmani (r.a.), e varrosi nënën e tij, qëndroi në krye të varrit dhe u lut për një kohë të gjatë në këmbë. Pasi u kthye nga varri, shkoi te Mesxhidi Nebevi. Hyri brenda dhe fali namaz. Kur arriti në sexhde, me lot në sy u lut për një kohë të gjatë, duke thënë:

“O Zot! Mëshiroje nënën time!.. O Zot! Fale nënën time!..”

Allahu qoftë i kënaqur prej saj dhe e bëftë prej banorëve të xhenetit! Amin!

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...