Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Abdullah ibn Hudhafe Sehmij r.a.

“Çdo musliman ka të drejtë ta puthë kokën e Abdullah ibnu Hudhafes dhe unë i pari e bëj këtë.” Omer ibnul Hattabi

Historia ka mundësi të kalojë para këtij njeriu ashtu sikurse kaloi para miliona arabëve para tij pa i përmendur fare.

Mirëpo, Islami madhështor ia bëri të mundur Abdullah ibnu Hudhafes të takohet me dy sundimtarët e botës së asaj kohe: Kisranë e persianëve dhe Cezarin, perandorin e romakë-ve, dhe me secilin prej tyre të ketë nga një ndodhi, të cilat do t’i ruajë kujtesa e kohës dhe do t’i rrëfejë historia.

YouTube player

*  *  *

Ngjarja e tij me Kisranë e persianëve ndodhi në vitin e gjashtë të hixhretit, kur Pejgamberi a.s. vendosi t’i dërgojë disa prej sahabëve të vet me mesazhe mbretërve dhe perandorëve të huaj, me anë të të cilëve i ftoi në fenë islame.

Muhammedi a.s. ishte i vetëdijshëm për rrezikun që mbarte në vete ky mision.

Emisarët e tij do të shkonin në vende të largëta, të cilat nuk kishin pasur rast t’i vizitonin më parë. Ata nuk kishin njohuri për gjuhët e atyre popujve e as nuk ua dinin temperamentin mbretërve të tyre.

Pastaj, do t’i ftonin ata mbretër të braktisnin fetë e tyre dhe të hiqnin dorë nga pozitat dhe pushteti që mbanin dhe të hynin në fenë e një populli, i cili deri dje ishte i nënshtruar prej tyre.

Vërtet ky ishte një udhëtim i rrezikshëm. Ai i cili merrte guximin të nisej në atë rrugë, ishte i humbur, ndërsa ai që kishte fat të kthehej prej saj, ishte i lindur për së dyti.

Prandaj Pejgamberi a.s. i tuboi shokët e vet dhe u foli atyre. Pasi falënderon Allahun xh.sh., siç e kishte zakon, iu drejtua sahabëve të vet me këto fjalë:

– Unë dëshiroj t’i dërgoj disa prej jush te mbretërit e huaj, prandaj mos polemizoni me mua ashtu si polemizuan të bijtë e Izraelit rreth Isait, të birit të Mejremes.

Sahabët iu përgjigjën:

– O Pejgamber i Allahut, ne jemi në gjendje të kryejmë çdo urdhër tëndin, dërgona kudo që dëshiron ti!

*  *  *

Pejgambari a.s. i dërgoi gjashtë prej sahabëve t’i mbartin mesazhet e tij te mbretërit arabë dhe ata joarabë. Në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibnu Hudhafe EsShe-mija. Ishte emisar i Pejgamberit a.s., që mbarte mesazhin e tij te Kisra i Persisë.

*  *  *

Menjëherë pas udhëzimeve të marra nga Pejgamberi a.s., Abdullah ibnu Hudhafe e përgatiti devenë e tij. U përshëndet me bashkëshorten dhe fëmijët dhe u nis në misionin e tij të shenjtë, duke kaluar nëpër male të larta dhe rrafshina, i vetmuar, nuk kishte me vete askë, përveç Allahut xh.sh. Pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, arriti në kryeqendrën e Persisë, në pallatin e perandorit. Kërkoi leje për të hyrë te perandori dhe u tregoi ndihmësve të tij për mesazhin, që kishte me vete.

Kur Kisra mori vesh për këtë, u vesh me stolitë më të bukura perandorake dhe e ftoi parinë dhe njerëzit më me autoritet të marrin pjesë në mexhlisin e tij. Ata iu përgjigjen ftesës. Pastaj urdhëroi që t’i lejohet Abdullah ibnu Hudhafes të hyjë në pallatin e tij.

Abdullahu hyri te Perandori i persianëve i veshur me xhelabijen  e tij të hollë dhe me shallin e tij të bardhë prej materiali të vrazhdë, në të cilin dukej modestia arabe.

Megjithatë, ai ishte kryelartë, i vendosur. Në tërë trupin e tij ndiente fuqinë e Islamit dhe në thellësinë e zemrës së tij vlonte krenaria e imanit (besimit).

Posa e pa se ishte nisur në drejtim të tij, Kisra i dha shenjë njërit prej njerëzve të tij që t’ia merrte mesazhin prej dorës, por Abdullahu i tha:

– Jo! Mua më ka urdhëruar i Dërguari i Allahut që këtë mesazh ta dorëzoj ty, personalisht në dorë, dhe unë nuk mund ta shkel urdhrin e të Dërguarit të Allahut.

Atëherë, Kisra iu drejtua njerëzve të tij:

– Lëreni të afrohet pranë meje!

Abdullahu iu afrua Kisrasë dhe ia dorëzoi mesazhin e Pejgamberit a.s. me dorën e vet.

Kisra dha urdhër që të vijë një çatip arab prej banorëve të Hires. Për një çast hyri çatipi, e Kisra e urdhëroi ta hapë mesazhin para tij dhe t’ia lexojë atij, në të cilin, përveç të tjerash, shkruante:

“Me emrin e Allahut, të Mëshiruesit e Mirëbërësit.

Prej Muhammedit, të Dërguarit të Allahut, deri te Kisra, të madhit të Persisë. Paqja qoftë mbi atë që i përmbahet udhëzimit…!”

Posa dëgjoi vetëm këtë pjesë të mesazhit në zemrën e Kisrës gufoi hidhërimi si zjarri. Fytyra e tij u skuq e u bë all dhe i gufuan damarët për arsye se Pejgamberi a.s. kishte filluar mesazhin me emrin e vet. E tërhoqi mesazhin prej dorës së çatipit të vet dhe nisi ta shqyejë, pa e ditur fare se ç’përmbajtje kishte në vazhdim, e në ndërkohë nisi edhe të bërtasë:

– Mua të më shkruajë  kështu, e ai është robi im?!!

Pastaj dha urdhër që Abdullah ibnu Hudhafe të nxirret prej mexhlisit të tij dhe ashtu u veprua.

 

*  *  *

Abdullahu doli prej mexhlisit të Kisras dhe nuk dinte se çka do të bënte Allahu me të.

A do të mbytet apo do të lihet i lirë?

Mirëpo, pasi mendoi një çast, tha:

“Pasha Allahun, le të ndodhë me mua çkadoqoftë, pasi që unë e dorëzova mesazhin e Pejgamberit a.s.” Nuk vonoi, i hipi devesë dhe u nis.

Pas një kohe, Kisrasë i kaloi hidhërimi, urdhëroi që të  hyjë tek ai Abdullahu, por ai nuk ishte. E kërkuan në të gjitha anët, por ai kishte humbur pa shenjë, pa gjurmë.

E kërkuan në rrugën që shpiente drejt Gadishullit Arabik, por më kot, ai kishte shkuar.

Kur kishte arritur në Medinë, pas një udhëtimi të mundimshëm, Abdullahu u paraqit te Pejgamberi a.s. dhe i tregoi se çka kishte ndodhur me Kisranë dhe shqyerjen e mesazhit. Atëherë Pejgamberi a.s. tha:

– Allahu ia shkatërroftë perandorinë!!!

Ndërkohë, Kisra i shkruajti Badhanit, mëkëmbësit të tij në Jemen: “Dërgoja atij njeriu që është paraqitur në Hixhaz dy njerëz të fuqishëm nga ana jote dhe udhëroji ata të ma sjellin mua.”

Pa humbur kohë, Badhani dërgoi dy njerëz të fuqishëm, nga më të afërtit e tij, te Pejgamberi a.s. dhe me vete ua dha një letër në të cilën kërkonte prej tij të nisej së bashku me ata për t’u takuar me Kisran pa u vonuar.

Në bisedë me ta Badhani kërkoi prej tyre që ta hulumto-jnë çështjen e Pejgamberit a.s. dhe t’i sjellin atij informata më të plota për të.

*  *  *

Ata u nisën dhe pas një kohe arritën në Taif, ku u takuan me disa tregtarë të Kurejshit dhe në bisedë e sipër i pyetën ata edhe për Muhammedin a.s. Ata u përgjigjën se ai gjendet në Jethrib. Tregtarët e Kurejshit vazhduan rrugën e tyre të gëzuar e të kënaqur dhe filluan t’i përgëzonin kurejshitët me këto fjalë:

– Gëzohuni sepse Kisra do t’i kundërvihet Muhammedit dhe do t’ju kursej prej sherrit të tij!

Ndërkohë të dy njerëzit u drejtuan kah Medina dhe pas një udhëtimi të gjatë arritën atje, e takuan Pejgamberin a.s. dhe ia dorëzuan letrën e Badhanit duke i thënë:

“Mbreti i mbretërve, Kisra, i shkroi mbretit tonë Badhanit, të dërgojë dikë që të të çojë ty deri tek ai. Ne kemi ardhur që të nisesh me ne; nëse vjen, do t’i flasim Kisrasë për atë që është në të mirën tënde dhe të të kursejë nga keqtrajtimet dhe torturat. Nëse e refuzon këtë, ti e njeh fuqinë dhe vrazhdësinë e tij për të shkatërruar ty dhe popullin tënd.”

Pejgamberi a.s. buzëqeshi dhe u tha atyre:

– Kthehuni sot te devetë tuaja dhe ejani nesër tek unë!

Kur erdhën të nesërmen te Pejgamberi a.s. e pyetën:

– A je përgatitur të udhëtosh me ne për t’u takuar me Kisranë?

 

 

Pejgamberi a.s. u përgjigj:

– Nuk do ta takoni Kisranë pas sotit. Atë e vrau Allahu. Atë e përmbysi prej pushteti i biri Shirevejhi, në këtë natë dhe në këtë muaj.

Ia hodhën një vështrim fytyrës së Pejgamberit a.s. dhe dukeshin shenjat e habisë në fytyrat e tyre, pastaj i thanë:

– A e di se çfarë je duke thënë?! A t’i shkruajmë Badhanit për këtë?!

Pejgamberi a.s. ua ktheu:

– Po. Thojini po ashtu se feja ime do ta mbulojë tërë territorin e perandorisë së Kisrasë. Nëse e pranon fenë islame, do të ta jap atë që është nën sundimin tënd dhe do të të bëj sundues të popullit tënd.

Dolën prej Pejgamberit a.s. dhe u nisën të shkojnë te Badhani për ta informuar për tërë atë që kishin parë dhe dëgjuar.

Pasi i dëgjoi Badhani me vëmendje, u tha:

– Nëse ajo që ka thënë është e vërtetë, atëherë ai është Pejgamber, e nëse jo, atëherë ne do të kemi tjetër qëndrim ndaj tij.

Nuk shkoi shumë kohë dhe Badhanit i arriti letra e Shirevejhit, në të cilën shkruante:

“Ju bëjmë me dije se unë e kam mbytur Kisranë dhe këtë nuk e kam bërë për asgjë tjetër, por vetëm në shenjë hakmarrjeje për popullin tim. Ai lejoi mbytjen e njerëzve më të ndershëm, e gratë e tyre i merrte robëresha dhe ua konfiskonte pasurinë. Posa të arrijë letra ime, bindju urdhrit tim, ti dhe të gjithë ata që janë me ty!”

Posa përfundoi Badhani letrën e Shirevejhit, e hodhi në një anë dhe e shpalli pranimin e fesë islame dhe me të e pranuan Islamin të gjithë persianët që ishin në Jemen.

Kjo ishte ngjarja që kishte ndodhur në takimin e Abdullah ibn Hudhafes me Kisranë e Persisë.

Cila ishte ngjarja që kishte ndodhur në takimin me Cezarin, të madhin e Romës (Bizantit).

Takimi i tij me Cezarin ndodhi gjatë sundimit të Omer ibnul Hattabit r.a. Ai takim ishte prej ngjarjeve më madhë-shtore në histori.

Në vitin e nëntëmbëdhjetë të hixhretit Omeri r.a. dërgoi një ekspeditë ushtarake për të luftuar kundër romakëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Abdullah ibnu Hudhafe EsSehmi-ju. Cezari ishte informuar për motivacionin dhe moralin e lartë, me të cilin njiheshin ushtarët muslimanë, si dhe besimin e madh që kishin ata në luftën e tyre në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Cezari i urdhëroi ushtarët e tij që nëse e zënë rob ndonjë ushtarë musliman, t’ia sjellin të gjallë. Deshi Allahu xh.sh. që Abdullah ibnu Hudhafe të zihet rob dhe të bjerë në duart e romakëve. Ushtarët e dërguan te perandori i tyre dhe i thanë: “Ky është njëri prej sahabëve të parë të Pejgamberit a.s., me duart tona e zumë rob dhe ua sollëm juve.”

*  *  *

Perandori romak e shikoi gjatë Abdullah ibnu Hudhafen e pastaj tha:

– Unë të ofroj ty një gjë.

Abdullahu pyeti:

– Ç’është ajo?!

Perandori iu përgjigj:

– Të ofroj të bëhesh i krishterë. Nëse e pranon këtë, do të lë të lirë dhe do të nderoj me çfarëdo pozite të duash.

Robi (Abdullahu) iu përgjigj me krenari dhe me vendosmëri: – Larg asaj! Vdekja për mua është një mijë herë më e dashur se ajo që më ofron!

Cezari ia ktheu:

– Unë po shoh se je njeri i mençur. Nëse më përgjigjesh në atë që të ofrova, do të jesh pjesëmarrës në konzën time dhe do ta ndajmë së bashku pushtetin tim.

Robi i lidhur me pranga buzëqeshi dhe tha:

– Të betohem në Allahun se, sikur të ma dhuroje tërë pasurinë tënde dhe tërë pasurinë që kanë arabët, me qëllim që ta braktis fenë e Muhammedit a.s., për aq sa vetëm njëherë lëviz syri, nuk do ta bëja kurrë.

Kur e pa kokëfortësinë e tij, Perandori i tha:

– Atëherë do të të mbys.

Abdullahu ia ktheu:

– Bë ç’të duash!

Perandori urdhëroi që të kryqëzohet dhe i tha xhelatit në gjuhën romake:

– Hidheni afër duarve të tij! I ofronte atij të bëhej i krishterë, mirëpo ai refuzoi.

Atëherë i tha:

– Hidheni afër këmbëve të tij. I ofronte ta braktiste fenë e vet, por ai prapë e refuzoi ofertën.

Perandori urdhëroi të heqin dorë prej tij. Kërkoi prej xhelatit ta zbresë nga dërrasa e kryqëzimit. Pastaj kërkoi t’i sjellin një vorbë të madhe, të cilën e mbushën me vaj dhe e vunë mbi zjarr derisa vloi. Pastaj i mori dy muslimanë të zënë robër dhe urdhëroi që njëri prej tyre të hidhet në të. Për një çast i tërë mishi iu shkri dhe iu panë eshtrat.

Perandori iu drejtua Abdullah ibnu Hudhafes dhe i ofori përsëri të bëhet i krishterë, por këtë herë refuzimi i tij ishte edhe më i fuqishëm se herëve të tjera.

Pasi humbi çdo shpresë se do ta braktiste fenë islame, urdhëroi ta hidhnin në vorbën e mbushur me vaj të vluar, në të cilin gjeti vdekjen shoku i tij musliman. Në momentin kur e morën ta hidhnin në të, i lotuan të dy sytë. Njerëzit e Cezarit e vërejtën këtë dhe i thanë: “Robi po qan.” Perandori mendoi se ai po qan nga frika se po i dhimbsej jeta, prandaj urdhëroi e tha:

“Kthejeni tek unë!” Kur ia sollën përpara, i ofroi të bëhet i krishter, por Abdullahu përsëri refuzoi.

Atëherë, Perandori e pyeti:

– Medet për ty. Ç’është ajo që të shtyu të qash?!

Abdullahu u përgjigj:

– Ajo që më bëri të qaj ishte se thashë me vete: “Të hedhin në këtë vorbë dhe të del shpirti. Do të dëshiroja që të kem aq shpirtra sa është numri i qimeve në trupin tim dhe të gjithë ata të hidhen në këtë vorbë, në rrugën e Allahut.

Diktatori, atëherë i tha:

– A don ta puthësh kokën time e të të liroj?!

Abdullahu iu përgjigj:

– Me kusht që t’i lirosh edhe të gjithë ushtarët muslimanë të zënë robër.

Cezari u përgjigj:

– Po, do t’i liroj dhe muslimanët e zënë robër.

Abdullahu tregon:

Thashë me vete: “Ta puth kokën e njërit prej armiqve të muslimanëve dhe të lirohem unë dhe të gjithë muslimanët e zënë robër, ky ndoshta nuk është mëkat i madh për mua.

Pastaj iu afrua atij dhe ia puthi kokën. Atëherë, perando-ri romak dha urdhër që të tubohen të gjithë muslimanët e zënë robër dhe të lirohen.

*  *  *

Pas lirimit nga robëria, Abdullahu shkoi te Omer ibnul Hattabi r.a. dhe i lajmëroi për këtë, për Omeri u gëzua shumë. Pasi i shikoi robërit, u tha:

– Është detyrim i çdo muslimani ta puthë kokën e Abdullah ibnu Hudhafes dhe unë filloj i pari.

Pastaj u ngrit dhe ia puthi kokën… Burimi

Veshje tradicionale arabe, këmishë e gjatë deri në fund të këmbëve.

Hire  vend në Irak, në mes të Nexhefit dhe Kufes.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 48 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...