Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Umejr ibn Vehb r.a.

“Umejr ibnu Vehbi është më i dashur tek unë se disa prej fëmijëve të mi.” Omer ibnul Hattabi

Umejr ibnu Vehbi elXhumehiju u kthye prej Bedrit shëndosh e mirë, mirëpo kishte lënë pas të birin, Vehbin, rob në duar të muslimanëve.

Umejri kishte frikë se muslimanët do ta marrin të riun me sy të keq dhe do ta torturojnë në shenjë hakmarrjeje për shkak të fajit të babait të tij, i cili e kishte keqtrajtuar Pejgamberin a.s dhe sahabët e tjerë dhe u kishte shkaktuar dëme të shumta.

Një mëngjes Umejri u nis për në Qabe, me qëllim që të bëjë tavafin dhe të kërkojë ndihmë prej idhujve. Aty gjeti Safvan ibnu Umejen të mbështetur në krah. U drejtua kah ai dhe e përshëndeti:

– Mirëmëngjesi, o zotëri i kurejshitëve!

Safvani iu përgjigj:

– Mirëmëngjesi, o Eba Vehb! Ulu këtu pranë meje të bisedojmë pak, sepse koha kalon duke biseduar.

Umejri u ul pranë Safvan ibnu Umejes. Filluan të rikujtoj-në luftën e Bedrit dhe tragjedinë e madhe që u kishte ndodhur. Nisën t’i numërojnë robërit e luftës, që kishin rënë në duar të Muhammedit dhe sahabëve të tij. Ndjenin dhembje të madhe për parinë e Kurejshit mbytur nga shpatat e muslimanëve dhe që i kishte marrë Kalibi në thellësitë e tij.

Safvan ibnu Umeje ofshani thellë dhe tha:

– Betohem në Zotin se jeta nuk ka shije pas tyre.

Umejri ia priti:

– Betohem në Zotin se është ashtu si thua ti.

Pastaj heshti për disa çaste dhe tha:

– Betohem në Zotin e Qabes, se sikur të mos i kisha disa borxhe, të cilat nuk kam mundësi t’i paguaj, si dhe të mos ishin fëmijët që i lë pas dhe për të cilët kam frikë se do të humbin pas meje, do të shkoja te Muhammedi dhe do ta mbytja. Me këtë do t’i jepja fund sherrit të tij.

Pastaj vazhdoi të flasë me një zë të ulët:

– Meqënëse biri im Vehbi gjendet në duar të tyre, shkuarja ime në Jethrib nuk do të ngjallte kurrfarë dyshimi.

*  *  *

Safvan ibnu Umeje, i shfrytëzoi fjalët e Umejr ibnu Vehbit dhe deshi ta shfrytëzojë këtë rast, e iu drejtua atij me këto fjalë:

– O Umejr sa i përket borxheve të tua, unë po i marr përsipër të gjitha ato, sado e madhe të jetë shuma e tyre. Ndërsa familjen tënde do t’ia bashkoj familjes sime dhe do të interesohem për ta sa të jem gjallë unë dhe ata.

Unë kam pasuri të mjaftueshme, e cila do t’u mundësojë atyre jetë të rehatshme.

Umejri ia ktheu:

– Atëherë mbaje në fshehtësi bisedën tonë dhe mos i trego askujt për këtë.

Safvani i tha: – Ashtu qoftë.

*  *  *

Umejri u nis prej Qabes dhe zjarri i urrejtjes së tij kundër Muhammedit ia përvëlonte zemrën. Pa u vonuar filloi të bëjë përgatitjet e duhura për ta realizuar atë që kishte vendosur. Nuk kishte frikë se dikush do të dyshonte në udhëtimin e tij, sepse anëtarët e familjeve të të zënëve robër nga kurejshitët shpeshherë udhëtonin për në Medinë, duke u përpjekur që t’i lironin anëtarët e familjeve të tyre.

Umejri urdhëroi që të përgatitet shpata e tij, të mprehet mirë dhe t’i vendoset helm. Kërkoi t’ia sjellin devenë, hipi në të dhe u nis. Ia mësyu Medinës, e në zemrën e tij fshehte urrejtjen dhe qëllimet më të këqija.

Pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, Umejri arriti në Medinë dhe u nis në drejtim të xhamisë: dëshironte Pejgamberin a.s. Posa arriti pranë derës së xhamisë, e ndali devenë dhe zbriti.

*  *  *

Omer ibnul Hattabi  në atë moment  ishte ulur para derës së xhamisë me disa prej sahabëve që përkujtonin Bedrin dhe pasojat e saj për palën kurejshite, numrin e madh të të zënëve robër dhe të vrarëve. Përkujtonin trimëritë që kishin treguar në atë luftë muhaxhirët dhe ensarët. Përmendnin nderimin e madh që u kishte bërë atyre Allahu xh.sh. me atë fitore dhe dëshpërimin dhe humbjet e mëdha që kishte pësuar armiku.

Për një moment, kur e ktheu fytyrën, Omeri vërejti Umejr ibnu Vehbin duke zbritur prej devesë dhe duke u nisur në drejtim të xhamisë me shpatën e ngjeshur në krah. Omeri u ngrit prej mexhlisit i tmerruar dhe tha:

– Ky qen është armiku i Allahut, Umejr ibnu Vehbi! Betohem në Allahun se ky ka ardhur vetëm për sherr. E kanë nxitur kundër nesh armiqtë e Mekës. Ishte agjent i tyre para betejës së Bedrit. Pastaj iu drejtua sahabëve të pranishëm me këto fjalë:

– Shkoni te Pejgamberi a.s. gjenduni pranë tij dhe kini kujdes se mos po e tradhton ky njeri i keq.

Omeri nuk vonoi dhe vetë shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha:

– O i Dërguari i Allahut! Armiku i Allahut, Umejr ibnu Vehbi ka ardhur me shpatë të ngjeshur. Mendoj se nuk ka ardhur për tjetër gjë, por vetëm ka për qëllim që të bëjë ndonjë të keqe.

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

– Urdhëroje të hyjë brenda tek unë!

Omeri u nis në drejtim të Umejr ibnu Vehbit, e kapi nga rrobat, ia lidhi mbajtësen e shpates për qafe dhe e çoi në drejtim të Pejgamberit a.s.

Kur Pejgamberi a.s., e pa në këtë gjendje, e urdhëroi Omerit duke i thënë:

– Liroje, Omer!

Omeri iu bind urdhrit të Pejgamberit a.s. dhe e liroi menjëherë.

Pejgamberi a.s. pastaj iu drejtua Omerit:

– Shko prapa tij!

Omeri u tërhoq mbrapa.

Pejgamberi a.s. pastaj iu drejtua Umejr ibnu Vehbit me këto fjalë:

– O Umejr ibnu Vehb, afrohu pranë meje!

Umejri u afrua dhe i tha:

– Mirëmëngjes! (Kjo ishte përshëndetje e arabëve në kohën e injorancës)

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

– Allahu na ka nderuar me një përshëndetje më të mirë se kjo përshëndetja jote, o Umejr! Allahu na ka nderuar me përshëndetjen e selamit (paqes). Kjo është përshëndetja e banorëve të xhenetit.

 

Umejri ia ktheu:

– Besoj se nuk është e panjohur kjo përshëndetje jona për ty.

Pastaj Pejgamberi a.s. iu drejtua me këto fjalë:

– Çfarë e mire të ka prurë këtu, o Umejr?

Umejri u përgjigj:

– Kam ardhur t’ju lutem, nëse është e mundur, të ma lironi robin e luftës të zënë te ju, keni mirësinë ndaj meje për këtë.

Pejgamberi a.s., pastaj e pyeti:

– Ç’është kjo shpatë  e varur në qafën tënde?!

Umejri u përgjigj:

– Sa të kobshme janë këto shpata! A na ndihmuan diçka në betejën e Bedrit?!

Pejgamberi a.s. e pyeti përsëri:

– Bëhu i sinqertë. Çka të ka shtyrë të vish deri këtu, o Umejr?!

Umejri u përgjigj:

– Nuk kam ardhur për asgjë tjetër, vetëm për atë që të thashë më parë.

Pejgamberi a.s., atëherë i tha:

Ishe duke ndenjur ti dhe Safvan ibnu Umeje në Qabe dhe në bisedë e sipër i përkujtuat të varrosurit e Kalibit, në Bedr, prej të vrarëve të kurejshëve, pastaj iu ankove atij se, sikur të mos kishe disa borxhe dhe sikur të mos kishe fëmijët që do të mbeteshin pa kujdestar, do ta mbytje Muhammedin. Pas kësaj Safvan ibnu Umeje e mori përsipër borxhin tënd dhe përkujdesjen për familjen tënde me qëllim që të më mbysësh mua…

Mirëpo, Allahu është Ai i cili të pengon në realizimin e qëllimit tënd.

 

 

Umejri u shtang për një çast, pastaj tha:

– Dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut.

Pastaj vazhdoi e tha:

– Të përgënjeshtronim, o i Dërguari i Allahut, derisa ishe në Meke, për lajmet të cilat të vinin nga Qielli dhe çka të zbritej ty prej Shpalljes. Mirëpo, bisedën time me Safvan ibnu Umejen nuk e dinte askush përveç meje dhe atij… Betohem në Allahun se tani jam i bindur se për këtë nuk të ka bërë me dije askush përveç Allahut.

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili më drejtoi deri te ti që të më udhëzojë mua në fenë islame.” Pastaj e shqiptoi fjalën e dëshmisë! “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut”, dhe e pranoi fenë Islame.

Atëherë Pejgamberi a.s. i urdhëroi sahabëve të vet:

– Mësojani vëllait tuaj fenë, mësojani atij Kur’anin dhe lirojeni robin e tij!

*  *  *

Muslimanët u gëzuan pa masë me islamin e Umejr ibnu Vehbit, saqë Omer ibnul Hatabi tha:

– Një derr ishte më i dashur tek unë sesa Umejr Ibnu Vehbi, kur ai erdhi te Pejgamberi a.s., ndërsa sot është më i dashur tek unë se disa prej fëmijëve të mi!

*  *  *

Derisa Umejri pajisej me mësimet islame, e mbushte zemrën e vet me dritën e Kur’anit, dhe jetonte ditët më të lumtura dhe më të begatshme të jetës së tij, gjë që e bënë atë ta harrojë Meken dhe kush ishte në të, Safvan ibnu Umeje i bënte qejfin vetes, duke kaluar pranë klubeve të kurejshitëve e duke paralajmëruar: “Gëzohuni për një lajm të madhërishëm, i cili do t’ju vijë së shpejti e me të do ta harroni betejën e Bedrit.”

Meqenëse pritja e Safvanit u zgjat, filloi të depërtojë shqetësimi në shpirtin e tij. Kështu ai nisi t’i pyeste kalorësit që vinin nga Medina për Umejr ibnu Vehbin, por nuk gjente tek asnjëri përgjigjen që dëshironte.

Derisa një ditë erdhi një kalorës dhe e lajmëroi se Umejri është bërë musliman. Ky lajm i erdhi sikurse rrufeja.

Ai ishte më se i bindur se Umejr ibnu Vehbi nuk do të bëhej musliman dhe sikur ta përqafonin fenë islame të gjithë njerëzit që jetojnë në rruzullin tokësor.

*  *  *

Ndërkohë Umejr ibnu Vehbi vazhdoi të mësojë fenë islame dhe të mësojë përmendsh Fjalët e Allahut xh.sh., derisa një ditë erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: ”O i Dërguari i Allahut! Kaloi një kohë dhe unë isha i palodhshëm në shuarjen e dritës së Allahut. I keqtrajtoja pa masë të gjithë ata që kishin pranuar fenë islame. Dëshira ime është të më lejosh të kthehem në Meke që t’i thërras kurejshitët në rrugën e Allahut xh.sh dhe të Dërguarit të Tij. Nëse e pranojnë këtë prej meje, do të bëjnë një punë shumë të mirë, e nëse nuk e bëjnë, atëherë do t’i keqtrajtoj në fenë e tyre, ashtu siç veproja me sahabët e të Dërguarit të Allahut xh.sh.”

Pejgamberi a.s. e lejoi të kthehet në Meke. Me të arritur në Mekë, shkoi në shtëpinë e Safvan ibnu Umejes dhe i tha:

– O Safvan, ti je njëri prej zotërinjve të kurejshitëve dhe njëri prej më të mençurve ndër ta. A ta merr mendja se idhujt prej gurëve, që i adhuroni dhe që flijoni për ta, janë fe?!

Sa më përket mua, unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij.

*  *  *

Umejri pastaj filloi të thërrasë në rrugën e Allahut, në Meke, dhe në sajë të tij një numër i madh njerëzish e pranuan fenë islame.

Allahu e shpërbleftë Umejr ibnu Vehbin dhe ia ndriçoftë varrin.

El Kalib: një pus në të cilin ishin varrosur të vrarët e palës së Kurejshit në betejën e Bedrit. Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 48 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...