“Atë që ua thotë Hudhejfeja, besojeni (merreni për të vërtetë) dhe atë që ua lexon Abdullah ibnu Mes’udi, lexojeni!” (Hadith sherif)
“Zgjidh kë ke më të dashur në shpirt, në daç bëhu prej muhaxhirëve, në daç prej ensarëve.”
Këto fjalë ia tha Pejgamberi a.s. Hudhejfes kur e takoi për herë të parë në Mekë. Ndërsa për mundësinë e tij që të zgjedhë, se a do të shkojë me grupin e muhaxhirëve apo të ensarëve, është thurur një tregim mjaft interesant…
ElJemani, babai i Hudhejfes, ishte mekas nga fisi Beni Abs, por u gjaksua me një familje dhe u detyrua që ta lëshojë Mekën dhe të shpërngulet për në Jethrib (Medinën e ardhshme).
Aty u miqësua me familjen e Beni Abdel Eshheliut dhe u martua me një vajzë të tyre, e cila i lindi një djalë, të cilin e quajti: Hudhejfe.
Pasi kaloi një kohë, u hoqën ndalesat për kthyerjen e Jemanit në Mekë. Ai filloi të lëvizte shpesh ndërmjet Mekës dhe Medinës. Megjithatë, kohën më të madhe e kalonte në Jethrib (Medinë).
Kur shkëlqeu drita e Islamit në Siujdhesën Arabe, Jemani, babai i Hudhejfes, ishte njëri prej atyre të dhjetëve nga delegacioni i Beni Absit, të cilët erdhën te Pejgamberi a.s. dhe e shpallën Islamin e tyre para tij.
* * *
Për këtë arsye Hudhejfeja konsiderohej me prejardhje mekase, i rritur në Medinë. Hudhejfeja u rrit në familje islame, i edukuar nën kujdesin dhe ngrohtësinë e gjirit prind-ëror, të cilët ndër të parët përqafuan fenë e Allahut xh.sh. Hudhejfeja e përqafoi Islamin para se ta shohë Pejgamberin a.s.
* * *
Emocionet dhe ndjenjat e zjarrta të Hudhejfes për ta takuar të Dërguarin e Zotit ia kishin pushtuar tërë qenien. Çdo ditë pyeste për të, ndërsa dashuria dhe dëshira e madhe për ta parë atë sa vinin e shtoheshin edhe më tepër.
Udhëtoi enkas për në Mekë vetëm që ta shohë Resulullahun dhe, kur e pa, pa një pa dy e pyeti: – A jam unë prej muhaxhirëve apo prej ensarëve, o i Dërguar i Allahut?
– Zgjidhe cilën e ke më të dashur në shpirt, në daç bëhu prej muhaxhirëve në daç prej ensarëve”, i tha Pejgamberi a.s.
Prej ensarëve, prej ensarëve, o i Dërguar i Allahut, iu përgjigj Hudhejfeja.
* * *
Kur u shpërngul Muhammedi a.s. në Medinë, Hudhejfeja nuk iu nda kurrë duke e përcjellur atë si hijahijen.
Mori pjesë në të gjitha luftërat dhe betejat që zhvilloi i Dërguari i Zotit, përveç luftës së Bedrit.
Për mosshkuarjen dhe mospjesëmarrjen në këtë luftë le të na rrëfejë vetë Hudhejfeja, kur thotë:
Ajo që më pengoi të jem i pranishëm në Bedër është se unë dhe babai im ishim jashtë Medinës. Idhujtarët kurejshitë na zunë dhe na pyetën:
Për ku jeni nisur?
Në Medinë, iu përgjigjëm ne.
Nuk ju besojmë dot, – thanë ata, – sepse ju dëshironi t’i bashkangjiteni Muhammedit!
“Nuk duam të shkojmë askund përveç Medinës, – iu thamë prapë ne. Por ata refuzuan të na lëshojnë derisa morën premtimin prej nesh se nuk do t’i ndihmojmë Muhammedit a.s. kundër tyre e as nuk do të luftojmë në radhët e tij.
Vetëm pas këtij premtimi na liruan që të shkojmë në shtëpi, rrëfen Hudhejfeja.
Kur arritëm në Medinë, shkuam te Resulullahu dhe i treguam për ngjarjen dhe për besën e dhënë kurejshitëve, pastaj e pyetëm se çka të bëjmë? Si të veprojmë?!
T’i mbajmë premtimet me ta, duke kërkuar prej Allahut ndihmë kundër tyre, na tha Resulullahu s.a.v.s.
* * *
Ndërsa në luftën e Uhudit Hudhejfeja mori pjesë së bashku me të atin. Hudhejfeja në këtë betejë u sprovua me sprovat më të mëdha e më të vështira, duke dalë prej saj shëndosh e mirë, kurse babai i tij Jemani ra dëshmor; jo nga shpata armike, por nga shpatat muslimane!
Në ditën e luftës së Uhudit Pejgamberi a.s. vendosi Jemanin dhe Thabit bin Vakshiun në vendstrehimore së bashku me gratë dhe fëmijët, sepse që të dy ishin pleq të vjetër e të moshuar.
Kur u ndez lufta me tërë ashpërsinë e saj, Jemani i tha shokut të vet:
– A thua, çfarë po presim ne?! Për Zotin, nuk na ka mbetur nga jeta në këtë botë asgjë më tepër sesa një grimcë e vogël. Ne jemi plakur e rrëzbitur dhe sot apo nesër mund të vdesim, prandaj përse të mos i marrim shpatat tona e t’i bashkangjitemi të Dërguarit a.s. Mos ndoshta Allahu xh.sh. na nderon me gradën e shehidit.
Pas këtyre fjalëve, morën shpatat dhe u futën në zemër të luftës. Gjersa Allahu e fisnikëroi Thabit bin Vakshiun me gradën e dëshmorit nga duart e idhujtarëve, Jemanin, babain e Hudhejfes, e goditën dhe e plagosën shpatat e muslimanëve duke mos e njohur.
Kur e pa këtë skenë, Hudhejfeja filloi të thërrasë me zë të lartë: – Ai është babai im! Ai është babai im!… por askush nuk mundi ta dëgjojë nga zhurma e luftës që po zhvillohej dhe plaku ra i vdekur në tokë nga shpatat e muslimanëve.
Hudhejfeja nuk tha më asgjë, përveç: “Allahu ua faltë. Ai është Falësi dhe Mëshiruesi më i madh!”
Pejgamberi a.s. deshi që t’ia kompensojë Hudhejfes gjakun e babait, por Hudhejfeja nuk pranoi dhe tha: – Ai kërkoi që të binte dëshmor dhe atë e arriti. O Zot, dëshmo se unë ua fala gjakun e tij muslimanëve.
Për këtë durim dhe qëndrim stoik të tij, Hudhejfeja u ngrit lart në piedestal dhe në autoritet te Pejgamberi a.s.
* * *
Muhammedi a.s. i sprovoi aftësitë dhe zotësitë e Hudhejfes në tri gjëra:
mendjeprehtësinë e rrallë në zgjidhjen e shpejtë të problemeve (rasteve të vështira e të ndërlikuara),
të kuptuarit e menjëhershëm të çështjeve, dhe
mbajtjen e sekreteve “në shtatë dryna” pa ia zbuluar askujt.
* * *
Problemi më i madh me të cilin ballafaqoheshin muslimanët në Medinë ishin munafikët (hipokritët – dyfytyrëshit), nga ana e hebrenjve dhe përkrahësve të tyre dhe intrigat e komplotet që ata i përgatisnin Pejgamberit a.s. dhe shokëve të tij.
Muhammedi a.s. të vetmit shok që ia besoi një sekret tejet të fshehtë “emrat e munafikëve” ishte Hudhejfeja. Atë e porositi që t’i përcjellë lëvizjet dhe aktivitetet e tyre, në mënyrë që muslimanët të kenë kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për manovrim e mbrojtje nga rreziku i tyre për fenë islame dhe për muslimanët.
Nga ky çast, Hudhejfes i dhanë ofiqin “Njeriu besnik i sekreteve të Muhammedit a.s.”
* * *
I Dërguari i Allahut, Muhammedi a.s., në shumë momente të vështira, vendimtare e kritike, u mbështet në prirjet dhe afinitetin e pashtershëm të Hudhejfes, e më së shumti në mendjehollësinë e tij të rrallë e të pashoqe.
Këtë prirje të tij Pejgamberi a.s. e përdori në kulmin e tendosjes gjatë luftës së “Hendekut”, kur muslimanët ishin të rrethuar nga armiqtë e tyre nga të gjitha anët. Nga ky rrethim, që zgjati shumë, muslimanët u sprovuan me vështirësitë më të mëdha që mund të përjetohen në këtë jetë.
Pothuajse kishin humbur të gjitha shpresat, saqë disa prej muslimanëve paksa të luhatshëm filluan të flasin e të dyshojnë në ndihmën dhe përkrahjen e Allahut xh.sh.
Mirëpo, në anën tjetër, as kurejshitët e as aleatët e tyre nuk ishin në gjendje aspak më të mirë në këto çaste vendimtare. Allahu xh.sh. derdhi mbi ta hidhërimin e Tij, ua dobësoi fuqinë dhe ua luhati vendosmërinë. Ua dërgoi një furtunë të madhe që ua shkatërroi tendat, ua fiku zjarret dhe ua verboi e nxiu sytë me rërë dhe pluhur.
Në këso momentesh vendimtare të historisë, ku përcaktohen rrjedhat dhe kahet e luftërave, kemi dëshmi të shumta se taborri që i pari luhatet dhe zmbrapset, e humb luftën, kurse ai taborr që e përmban veten dhe ka përgatitje strategjike më të përsosur, fiton.
Mu në këto çaste vendimtare, Pejgamberi a.s. pati nevojë për përvojën dhe aftësitë e Hudhejfes dhe vendosi që nën hijen e errët të natës ta dërgojë atë mu në zemër të ushtrisë armike, që t’i sjellë lajmet e tyre, para se ata të marrin vendim për sulm.
Tani t’ia lëmë fjalën vetë Hudhejfes që të na rrëfejë për “Aventurën e tij të vdekjes”…
– Ajo natë ishte e errët dhe e ftohtë. Kurrë nuk kishim parë e as përjetuar natë më të errët se ajo. Në atë errësirë nuk mund të shihnim asgjë. Nga shpejtësia e erës, që po frynte me aq rrëmbim, dëgjoheshin zëra të fortë dhe fishkëllima sikur të bubullimës.
Ishim të rrethuar nga të gjitha anët. Në anën e epërme gjendej Ebu Sufjani me idhujtarët e Mekës, kurse në anën e poshtme kishim fisin e hebrenjve Beni Kurejdha, nga të cilët kishim frikë për sigurinë e familjeve tona.
Munafikët filluan të kërkojnë leje nga Pejgamberi a.s. duke thënë: “Shtëpitë tona i kemi të pambrojtura nga armiku,” -kurse në realitet ato nuk ishin të pambrojtura. Secilin që kërkoi leje të shkojë, Pejgamberi a.s. e la të lirë, derisa mbetën afro treqind veta.
Pas kësaj, Pejgamberi a.s. filloi të ecë në mesin e radhëve tona duke na shikuar një nga një, derisa arriti tek unë. Unë s’kisha asgjë mbi trup që të më mbronte nga të ftohtit, përveç një copëz petke të gruas sime, që nuk m’i mbulonte as gjunjtë.
U afrua pranë meje derisa isha i shtrirë në tokë dhe pyeti:
Kush është ky?
Jam Hudhejfeja iu përgjigja.
Hudhejfeja?!! u çudit Resulullahu.
Po, o i Dërguar i Allahut i thashë dhe u mblodha pak, ngase nuk mund të ngritesha në këmbë prej urisë dhe të ftohtit të madh që ndieja.
Diçka atje poshtë po ndodh me ta (armiqtë). Përvidhu disi fshehtaz te ta dhe na i sill lajmet e tyre! më tha i Dërguari a.s.
U nisa drejt tyre duke u dridhur pak nga të frika e pak nga të ftohtit. Duke çarë errësirën dëgjova Pejgamberin a.s. duke u lutur për mua: “O Allah i Plotfuqishëm, ruaje Hudhejfen nga para dhe nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta, nga lart dhe nga poshtë.”
Për Zotin, ende pa e kryer mirë lutjen e tij Pejgamberi a.s., Allahu xh.sh. ma largoi tërë frikën që më kishte pushtuar dhe tërë të ftohtit që më kishte kapluar.
Kur u largova pak, Pejgamberi a.s. më thirri me zë dhe me tha:
O Hudhejfe! Mos ndërmerr asgjë me kokën tënde derisa të kthehesh!
Mos u merakos, o i Dërguar i Allahut i thashë.
…Vazhdova të përvidhem nëpër errësirë derisa hyra në mesin e ushtrisë armike dhe u shtira sikur isha njëri prej tyre.
Nuk vonoi shumë dhe Ebu Sufjani u ngrit që t’iu flasë atyre dhe tha: O paria e kurejshitëve! Do t’ua them juve ca fjalë, por kam frikë se mos këto fjalë do t’i arrijnë Muhammedit. Le të shikojë secili prej jush bashkëulësin e vet që të jeni të sigurtë se s’ka prej tyre në mesin tonë.
Atëherë, unë reagova me shpejtësi, duke e kapur përdore atë që ishte ulur pranë meje dhe e pyeta: – Kush je ti? – Filani, i biri i filanit ma ktheu ai.
Pastaj Ebu Sufjani vazhdoi e tha:
O paria e kurejshitëve! Nuk i kemi punët mirë. Kafshët na kanë ngordhur, hebrenjtë e fisit Benu Kurejdha na e kanë kthyer shpinën, era e fortë na shkatërroi ashtu siç po e shihni edhe ju, prandaj ngrihuni të ikim prej këtu, sepse unë do të tërhiqem i pari. Pas këtyre fjalëve, Ebu Sufjani hipi mbi devenë e tij, ia zgjidhi frerët dhe e goditi me qëllim që të ngrihet.
Po të mos më kishte urdhëruar i Dërguari i Allahut që të mos ndërmarr asgjë, në atë çast do ta vrisja Ebu Sufjanin me shigjetën time.
Atëherë u ktheva te Pejgamberi a.s. dhe e gjeta duke u falur. Pasi përfundoi namazin, u ula pranë Resulullahut dhe ia tregova lajmet e kurejshitëve. U gëzua aq shumë, saqë u ngrit në këmbë duke e falënderuar dhe lartësuar Allahun xh.sh. për ndihmën e Tij.
* * *
Hudhejfe ibnul Jemani, gjatë tërë jetës së tij kurrë nuk i zbuloi sekretet e Resulullahut s.a.v.s. mbi hipokritët.
Prijësit (halifët) e muslimanëve shpeshherë konsultohe-shin me të lidhur me çështjet e hipokritëve, saqë Omeri r.a. kur vdiste dikush prej muslimanëve pyeste: – A ka ardhur Hudhejfeja t’ia falë namazin e xhenazes? Nëse i thonin po, atëherë ia falte edhe ai, e nëse i thonin jo, atëherë dyshonte dhe nuk dilte t’ia falte namazin atij të vdekuri.
Njëherë Omeri r.a. e pyeti: – A është në mesin e punëtorëve të mi dikush prej munafikëve?!
Po, është një, – i tha Hudhejfeja.
Atëherë, më trego e luti Omeri r.a.
Jo, nuk mund ta bëj këtë, – ia ktheu Hudhejfeja.
Mirëpo, thotë Hudhejfeja, – sikur dikush ta kishte inspiruar Omerin për atë munafik, ai menjëherë e gjeti dhe e përzuri.
* * *
Sigurisht se shumë pak njerëz e dinë se Hudhejfeja çliroi Nehavendin, Dejnuren, Hamedhanin dhe Rrejjen, qytete të mëdha persiane, dhe ishte shkaktar i bashkimit të muslima-nëve në një mushaf, kur njerëzit gati sa filluan të përçahen në Librin e Allahut.
Përkundër të gjitha këtyre, Hudhejfe ibnul Jemani kishte frikë të madhe për vetveten nga dënimi i Allahut xh.sh.
Kur e rëndoi sëmundja e vdekjes, disa shokë i erdhën në vizitë në mes të natës:
Çfarë kohe është tani? i pyeti ata.
Jemi afër mëngjesit iu përgjigjën.
Atëherë, Hudhejfeja u lut dhe tha: Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga mëngjesi që më shpie në zjarr (xhehenem), kërkoj mbrojtjen e Allahut nga mëngjesi që më shpie në zjarr (xhehenem)!
Pastaj tha: A e sollët qefinin?
Po i thanë ata.
Mos e teproni me qefin u tha ai, – se nëse kam ndonj mirësi tek Allahu, e ndërrroj atë me ndonjë më të mirë, e nëse është e kundërta, atëherë do të mbesë edhe pa të, dhe vazhdoi: – O Zot! Ti e di se më shumë e kam dashur varfërinë se pasurinë, modestinë se krenarinë dhe vdekjen më shumë se jetën.
…Dhe duke lëshuar frymët e fundit të jetës tha:
“I dashuri shkon tek i dashuri (tek ai që është përmalluar për ta parë e takuar). Do të shpëtojë ai që pendohet.”
Allahu e mëshiroftë Hudhejfe ibnul Jemanin!
Ishte vërtet shembull dhe ideal i lartë për brezat që do të vijnë!
Shto koment