“Për Allahun, Zejd ibnu Harithi ka qenë i lindur për të komanduar dhe ishte njeriu më i dashur tek unë.” (Muhammedi a.s.)
Su’da, e bija e Tha’lebesë, doli nga shtëpia me qëllim që të vizitojë fisin e saj, Beni Ma’nin, ndërkaq në shoqëri me të ishte djali i saj, Zejd ibnu Harithi i fisit Ka’b. Pak para se të arrinte te fisi i saj, atë e sulmoi një grup kalorësish të Beni El Kejn. Ata ua plaçkitën pasurinë, i çuan devetë përpara dhe ua morën fëmijët…
Në grupin e fëmijëve që i morën ishte edhe i biri i saj Zejdi ibnu Harithi.
Zejdin, ndonëse i vogël, sapo mbushi tetë vjeç e dërguan në tregun Ukadh dhe e ofruan për ta shitur.
Atë e bleu një pasanik nga paria kurejshite, i quajtur Hakim ibnu Hazam ibnu Huvejlidi, për katërqind dërhemë. Bashkë me të bleu gjithashtu edhe një grup fëmijësh dhe i solli në Mekë.
Kur halla e tij, Hatixhja, e bija e Huvejlidit, mori vesh për ardhjen e tij nga rruga, ajo e vizitoi atë, e përshëndeti dhe i dëshiroi mirëseardhje. Ai i tha asaj:
– Oj hallë, kam blerë një grup fëmijësh në tregun Ukadh. Zgjidhe cilin ta duash, të ta jap dhuratë!
Zonja Hatixhe u hodhi një shikim fytyrave të fëmijëve… dhe zgjodhi Zejd ibnu Harithin, pasi ai iu duk se kishte shenja pjekurie dhe shkoi me të.
Pas pak kohe, Hatixhja, e bija e Huvejledit u martua me Muhammedin, të birin e Abdullahut. Ajo dëshiroi që t’ia japë atij dhuratë atë djalë. Ajo nuk gjeti djalë më të dashur se Zejd ibnu Harithin dhe ia dhuroi. Derisa djaloshi fatlum ishte nën përkujdesjen e Muhammedit, të birit të Abdullahut, dhe kënaqej me shoqërimin e tij fisnik dhe pajisej me cilësitë më të bukura, nëna e tij e pikëlluar nuk i ndalte lotët, as s’i hiqej malli për të dhe as s’i qetësohej shpirti.
Ajo që ia shtonte pikëllimin ishte fakti se ajo nuk e dinte a është gjallë i biri i saj, me qëllim që ta presë t’i kthehet, apo në mos është i vdekur, e t’i shlyejë shpresat për të.
Sa i përket të atit, ai zuri ta kërkojë atë në çdo vend, të pyesë çdo karvan. Nga malli që e merrte për të, ai thurte poezi elegjiake, e cila ia hante shpirtin kur e lexonte:
“Qava për Zejdin e nuk di seçka bërë,
A është gjallë e do të kthehet, a i ka ardhur vdekja?
Për Zotin unë nuk di, andaj pyes prore.
A të rrëmbeu fusha apo kodrina, duke ngarendur pas meje.
Dielli, me të lindur, atë ma përkujton.
E kur perëndon, kujtimin ma largon.
Do ta nxitoj devenë të ecë nëpër tokë duke u munduar ta gjej djalin.
As do të më lodhë rruga, as do të lodhet deveja.
Do të rroj apo do të më vijë vdekja?!”
Se çdo gjë merr fund, po ta mashtrojë shpresa.
* * *
Në kohën e haxhit një njeri nga fisi i Zejdit shkoi në Qabe. Ndërsa po silleshin përreth Qabës, ata u poqën fytyrë për fytyrë me Zejdin. Ata e njohën atë, por edhe ai i njohu ata. Ata e pyetën se mos ishte vetë Zejdi. E ai i pyeti se mos ishin ata nga familja e tij. Kur e kryen haxhin dhe u kthyen në shtëpitë e tyre, e njoftuan Harithin se ç’kishin parë dhe ç’kishin dëgjuar.
* * *
Harithi e përgatiti me të shpejtë atin e shalës. Me vete mori pasuri si shpërblim për lirimin e djalit të vet. Rrugës për në Qabe e shoqëroi i vëllai.
Ata u nisën që të dy, duke shpejtuar rrugës për në Mekë. Kur arritën atje, shkuan te Muhammedi, i biri i Abdullahut, dhe i thanë:
– O biri i Abdul Mutallibit! Ju jeni fqinjët e Allahut, ju u jepni lypsave dhe atyre që kanë gjetur strehim, ushqeni të uriturin dhe e ngushëlloni të pikëlluarin. Ne kemi ardhur për birin tonë, që është te ti. Dhe të kemi sjellë pasuri si shpërblim për lirimin e tij, ose çfarë të duash!”
Muhammedi tha:
– E kush është biri juaj, për të cilin e keni fjalën?
Djaloshi yt, Zejdi, i thanë ata.
A keni diçka më të përshtatshme sesa shpërblimi për lirim? i pyeti ai.
E cila është më e përshtatshme? i thanë ata.
Ai tha:
– Po jua sjell këtu, para jush, e le të zgjedhë kë të dojë mes meje dhe juve. Nëse ai ju zgjedh juve, ai është juaji, pa kurrfarë shpërblimi. E nëse më zgjedh mua, për Allahun, unë jam me atë që dëshiron të zgjedhë kë të dojë.
Ata i thanë:
– Ti u solle ndershmërisht me ne dhe ishe tejet i drejtë.
Muhammedi thirri Zejdin dhe e pyeti:
– Kush janë këta të dy?
Ky është babai im, Harith ibnu Shurahili, e ky është xhaxhai im, Ka’bi- ia ktheu Zejdi.
Unë të lë të lirë të zgjedhësh; nëse do, shko me ta, e nëse do, rri me mua, i tha Muhammedi.
Pa vonuar dhe pa kurrfarë ngurrimi, ai tha:
– Jo, po rri me ty.
Për këtë, babai i tij i tha:
– Mjerë ti, o Zejd! Zgjodhe dikë tjetër të duash në vend të babait dhe nënës sate?
Zejdi i tha:
– Nga ky njeri kam parë diçka dhe unë nuk mund të ndahem kurrë prej tij.
* * *
Kur Muhammedi dëgjoi fjalët e Zejdit, e mori për dore dhe e dërgoi te Qabja. Ai u ndal me të te guri, tek ishte një turmë kurejshitësh, dhe tha:
– O ju kurejshitë, dëshmoni se ky është djali im, ky më trashëgon mua dhe unë e trashëgoj atë…
Shpirti i të atit dhe xhaxhait të tij u gëzuan. Ata e lanë atë te Muhammedi, i biri i Abdullahut, e te fiset e tyre u kthyen me shpirtëra të qetësuar dhe pabrenga. Që nga ajo ditë Zejd ibnu Harithi quhej Zejd ibnu Muhammed. Ai vazhdoi të quhet kështu gjersa u ngarkua me mision Pejgamberi i Allahut. Feja islame hodhi poshtë këtë lloj adoptimi fëmijëshkur zbriti Fjala e Allahut:
“Thirri ata në emër të etërve të tyre.” (ElAhzab: 5)
Ndaj edhe Zejdi vazhdoi të quhej Zejd ibnu Harithi.
* * *
Zejdi nuk dinte se çfarë përfitimi të madh kishte fitua, atëherë e preferoi Muhammedin ndaj nënës dhe babait të vet.
Ai nuk e dinte se zotëria i tij, që e pranoi si pjesëtar familjes dhe fisit të vet, është kryezotëria i të parëve dhe të mbramëve dhe Pejgamber i Allahut për të gjitha krijesat e Tij.
Atij nuk i shkonte mendja se do të ngrihej një shtet hyjnor në rruzullin tokësor, e në mes Lindjes dhe Perëndimit do të mbushet mirësi dhe drejtësi dhe se ai vetë do të ishte prej themeluesve të parë të kësaj perandorie të madhe…
Nga e tërë ajo asgjë nuk i sillej në kokë Zejdit… por ajo ishte dhunti prej Allahut, të cilën Ai ia jep atij që do… E Allahu është Dhurues i madh.
Kaluan vetëm ca vite rreth zgjedhjes së tij kur Allahu e dërgoi Pejgamberin e Vet, Muhammedin, për t’i ftuar njerëzit në fenë e udhëzimit dhe të së vërtetës. Zejd ibnu Harithi ishte i pari prej meshkujve që i besoi atij.
A thua ekziston çështje tjetër, mbi këtë çështje me përparësi, ku do të konkuronin konkuruesit?
Zejd ibnu Harithi u bë besnik i fshehtësive të Pejgamberit të Allahut, udhëheqës i delegacioneve dhe i njësive të tij,si dhe njëri nga zëvendësit e tij në Medinë, kur Pejgamberi a.s. u largua nga ajo.
* * *
Ashtu siç e donte Zejdi Pejgamberin, më shumë se të ëmën dhe babain e vet, edhe Pejgamberi Fisnik e donte dhe e pranoi si pjesëtar familje dhe bir të tij të vogël. Atë e merrte malli kur i mungonte dhe i gëzohej kthimit të tij në shtëpi. Kur takohej me të, asgjë nuk e gëzonte më shumë.
Në vazhdim, ja një rast që na e përshkruan Aishja r.a. nga çastet e gëzimit të Pejgamberit të Allahut mbi takimin e tij me Zejdin, ku thotë:
“Zejd ibnu Harithi kishte ardhur në Medinë, e Pejgamberi gjendej në dhomën time. Ai trokiti në derë. Pejgamberi i Allahut, ashtu siç ishte i zhveshur nuk kishte gjë mbi trup, përveç një rrobe prej kërthize e gjer në gjunj shkoi te dera duke i tërhequr rrobat e veta pas, e përqafoi dhe e puthi atë. Për Zotin, nuk e kisha parë Pejgamberin të zhveshur para këtij rasti e as pas tij.”
Për dashurinë e Pejgamberit ndaj Zejdit u përhapën fjalë në mes muslimanëve dhe zuri të flitej edhe më tej. Ndaj atë e quanin “Zejdi i dashur” dhe e pagëzuan me nofkën i dashuri i Pejgamberit të Allahut. Të birin e tij, Usamën, e pagëzuan, më vonë, “i dashuri i të Dërguarit të Allahut dhe i biri i të dashurit.”
* * *
Në vitin VIII të hixhretit deshi Allahu, bekuar qoftë urtësia e Tij, që të vihet në sprovë “i dashuri” me rastin e ndarjes nga “i dashuri” i vet.
Kjo ndarje u bë për shkak se Pejgamberi a.s. dërgoi Harith ibnu Umejr El Ezdijja me një shkresë te Mbreti i Busrasë, që ta ftojë atë në fenë islame.
Kur arriti Harithi në “Mueteh”, në lindje të Jordanit, atij i doli para një princ i Gasasinëve, i quajtur Shurehbil ibnu Amër. E kapi atë, ia lidhi duart dhe këmbët, dhe e qëlloi në fyt.
Ky rast e brengosi Pejgamberin a.s., se kurrë më parë nuk ia kishin pritur kaq keq dhe luftuar ndonjë delegacion përveç këtij rasti. Ai përgatiti ushtrinë në përbërje prej tre mijë luftëtarësh për ta mposhtur “Muetehën”. Në krye të ushtrisë emëroi “të dashurin e tij”, Zejd ibnu Harithin, dhe tha:
“Nëse vritet Zejdi, komandën duhet ta marrë Xhafer ibnu Ebi Talibi, e nëse vritet Xhaferi, le t’ju prijë Abdullahu ibnu Revaha. Nëse vritet Abdullahu, vetë muslimanët le ta zgjedhin njërin nga radhët e tyre.”
Ushtria vazhdoi rrugën derisa arriti në “Mean”, në lindje të Jordanit. Mbreti i perandorisë bizantine, Herakliu, mobilizoi mëse njëqind mijë luftëtarë për t’i mbrojtur Gasasinët. Atij iu bashkuan edhe njëqind mijë politeistë arabë. Kjo ushtri e madhe u vendos jo larg pozicioneve të muslimanëve.
* * *
Muslimanët qëndruan dy net në “Mean” duke u konsultuar se çfarë të bëjnë.
Njëri prej tyre tha:
– T’i shkruajmë Pejgamberit të Allahut dhe ta njoftojmë me numrin e forcave të armikut tonë dhe të presim urdhrin e tij.
Tjetri tha:
– Për Zotin, o burra, ne nuk luftojmë me një numër, as me një fuqi e as me një masë të caktuar, por luftojmë për hir të kësaj feje.
Pra nisuni për atë mision për të cilin keni dalë nga shtëpitë tuaja.
Allahu ju ka garantuar fitoren me njërën nga këto dy mirësi, ose triumfin ose rënien dëshmorë…”
* * *
Pastaj dy taborret u ndeshën në “Mueteh”. Muslimanët zhvilluan një luftë e cila i habiti bizantinët. Ata ua futën frikën bizantinëve në palcë me ata tre mijë ushtarë që i bënë ballë ushtrisë së armikut, e cila numëronte më se dyqind mijë ushtarë. Zejd ibnu Harithi zhvillonte luftë të ashpër për flamurin e Pejgamberit të Allahut a.s. Historia nuk njeh njeri të ketë zhvilluar betejë të tillë si ky, gjersa ia shqyen trupin e tij dhjetëra shigjeta, nga të cilat ai ra i vdekur në tokë, i larë në gjak.
Prej tij, flamurin e mori Xhafer ibnu Ebi Talibi dhe zuri ta mbronte atë në mënyrën më të ndershme, gjersa iu bashkua kolegut të tij (ndërroi jetë).
Prej tij, flamurin e mori Abdullah ibnu Revaha. Ai luftoi për të trimërisht, gjersa e gjeti ajo që i gjeti shokët e tij.
Në vend të tij njerëzit emëruan Halid ibnu Velidin. Ai sapo kishte pranuar fenë islame. Ai u tërhoq dhe e shpëtoi atë ushtri nga shkatërrimi i paevitueshëm.
* * *
Pejgamberin e lajmëruan për ngjarjen e “Muetehës” dhe për vdekjen e tre komandantëve të tij. Ai u pikëllua shumë për ta si kurrë më parë.
Ai shkoi te familjet e tyre dhe u shprehu ngushëllime. Kur arriti te shtëpia e Zejd ibnu Harithit, iu afrua bija e tij e vogël, e cila ia kishte plasur vajit. Pejgamberit të Allahut filluan t’i rrjedhin lotët, gjersa ia nisi të qajë në zë.
Ndaj Sad ibnu Ubejde i tha:
– Ç’është ky vaj, o i Dërguari i Allahut?
I Dërguari i Allahut iu përgjigj:
– Ky është vaji i “të dashurit” për “të dashurin.”
Shto koment