Home » Sahabet » Ebu Derda r.a.

“Ebu Derda’ ishte larguar nga bota (e stërngarkuar materialiste) për të kërkuar e gjetur qetësi shpirtërore në të dy botët.” Abdurrahman ibnu Avf

Uvejmir ibnu Malik ElHazrexhijj  i quajtur Ebu Derda-u u zgjua herët nga gjumi dhe shkoi te idhulli i tij, që e kishte vendosur në vendin më të bukur të shtëpisë së tij. Ai e përshëndeti atë dhe e parfumosi me aromën më të mirë të shitores së tij madhe. Pastaj veshi ca rroba të reja mëndafshi nga më të mirat, të cilat ia kishte dhuruar një tregtar i ardhur nga Jemeni.

Kur u ngrit dielli lart, Ebu Derda doli nga shtëpia dhe u nis për në shitoren e vet.

Rrugët gumëzhinin nga radhët e njerëzve që ngushtoheshin duke shkuar pas Muhammedit (a.s.), ndërsa ata ktheheshin nga Bedri. Në krye të tyre ishin disa grupe robërish nga kurejshitët. Iu prezentua atyre. Nuk qëndroi gjatë dhe u takua me një djalë, i cili ishte nga Hazrexhinjtë. Djaloshin e pyeti për Abdullah ibnu Revahanë.

Djaloshi hazrexhij i tha:

-Ai është sprovuar në Luftën e Bedrit me sprovat më fisnike dhe është kthyer shëndosh e mirë dhe i tha të mos brengoset për të.

Djaloshi nuk u habit me pyetjen që ia bëri Ebu Derda lidhur me Abdullah ibnu Revahan. Pasi të gjithë njerëzit kishin dijeni për lidhjen vëllazërore që i obligonte ata në mënyrë të ndërsjellë, ngase ata kanë qenë të vëllazëruar që në kohën e injorancës. Kur u shpall feja islame, atë e pranoi ibnu Revaha, ndërsa Ebu Derda nuk e pranoi.

Por, ky veprim i tillë nuk shkëputi lidhjet e forta vëllazërore ndërmjet tyre. Kështu, Abdullahu zuri t’i propo-zojë Ebu Derdasë që t’i bëjë vizitë dhe ta ftojë në fenë islame, me ç’rast ai kërkon prej tij ta pranojë atë dhe i vjen keq që po kalonte koha e ai ende është pabesimtar.

*  *  *

Ebu Derda arriti në shitoren e tij dhe u ul në një karrige të lartë.

Ai zuri të shesë dhe të blejë gjëra, urdhëronte dhe ndalonte shërbëtorët e tij… Ai nuk dinte gjë se ç’po ndodhte në shtëpinë e tij. Në atë kohë Abdullah ibnu Revaha shkoi në shtëpinë e shokut të tij, tek Ebu Derda. Ai kishte vendosur të bëjë një punë… Kur arriti në shtëpi, ai e pa derën e hapur, e shikoi nënën e Ebu Derdasë në oborrin e tij dhe tha:

– Shpëtimi i Zotit qoftë mbi ty, o rob i Allahut!

 Edhe mbi ty qoftë shpëtimi i Zotit, o vëlla i birit tim, Derdas!  ia ktheu ajo.

 Ku është Ebu Derda?  pyeti ai.

Ajo tha:

– Ai ka shkuar në shitoren e vet dhe nuk do të vonohet shumë e do të kthehet.

A më lejoni të hyj?  tha ai.

Ti je i mirëseardhur,  tha ajo dhe zuri t’ia lirojë rrugën. Ajo shkoi në dhomën e saj dhe u angazhua për të rregulluar shtëpinë dhe për t’u përkujdesur për fëmijët e saj.

*  *  *

Abdullah ibnu Revaha hyri në dhomën ku e kishte vënë Ebu Derda idhullin e tij.

Ai e mori atë dhe zuri ta thyejë duke thënë:

“A nuk është çdo gjë të cilës i lutet njeriu, përveç Allahut, veprim i kotë…? A nuk është çdo gjë të cilës i lutet njeriu, përveç Allahut, veprim i kotë?”

Kur e copëtoi atë doli nga shtëpia.

Nëna e Ebu Derdas hyri në dhomën ku ishte idhulli. Ajo u shtang kur e pa atë të bërë copë e grimë… copat e tij i gjeti të hedhura për tokë… Ajo zuri t’i bjerë faqeve të saj me duar dhe tha:

“Më shkatërrove, më shkatërrove, o ibnu Revaha!”

*  *  *

Nuk kaloi shumë kohë dhe Ebu Derda u kthye në shtëpi dhe e gjeti gruan e tij duke qarë dhe duke bërtitur, e ulur te dera e dhomës ku ishte idhulli i thyer. Në fytyrën e saj pikaseshin shenja frike.

Ç’u bë me ty?  tha ai.

Vëllai yt, Abdullah ibnu Revaha, ka ardhur te ne kur ti nuk ishe në shtëpi dhe, siç po e sheh, ka vepruar kështu me idhullin tënd!

Ai shikoi idhullin dhe vuri re se ai ishte thyer. U tërbua nga mllefi dhe i shkoi mendja t’i hakmerret për këtë, por nuk kaloi shumë kohë dhe e ndërroi atë mendim të pamatur dhe i kaloi mllefi. Mendoi në atë se ç’kishte ndodhur dhe tha:

– Po të kishte ndonjë dobi në këtë put, ai vetë do të mbrohej nga shkatërrimi.” Pastaj menjëherë shkoi te Abdullah ibnu Revahasë dhe së bashku me të shkuan tek i Dërguari i Allahut dhe njoftoi botërisht se po e pranon Fenë e Allahut. Ai ishte banori i fundit nga lagjja e tij që pranoi fenë islame.

*  *  *

Ebu Derda që në çastin e parë besoi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij me besim të sinqertë me tërë qenien e vet.

Ai u pendua sinqerisht për kohën që kishte kaluar pa bërë mirësi. Mësoi mirë se ç’kishin bërë shokët e tij në përvetësimin dhe mësimin e rregullave të Fesë së Allahut, në mësimin përmendsh të Librit të Tij, adhurimin (ibadetin) dhe devocionet që ishin mishëruar në shpirtrat e tyre për Allahun.

Ai vendosi t’a arrijë atë që i kishte ikur me një angazhim të madh, t’i vazhdojë pëpjekjet e natës me pëpjekjet e ditës, gjersa t’i arrijë shokët e tij dhe të mbajë shtegun me ta.

Ai filloi të bëjë adhurim duke u larguar nga kënaqësitë e kësaj bote. Filloi të marrë dije me ëndje të madhe, ndaj me përkushtim iu dha mësimit të Librit të Allahut, duke mësuar Fjalët e Tij, dhe zuri të thellohej në përceptimin e thënieve të tij.

Kur vuri re se tregtia do ta pengonte nga të shijuarit e shijes së adhurimit si dhe nga pjesëmarrja në tubime të ndryshme që bëheshin për të nxënë dituri, ai hoqi dorë nga ajo pa u hamendur dhe pa i ardhur keq fare.

Një njeri e pyeti atë për këtë veprim të tij, për të cilin u përgjigj:

– Unë isha tregtar para se t’ia jepja besën Pejgamberit të Allahut dhe kur u bëra musliman dëshiroja t’i bashkoja tregtinë dhe ibadetin (adhurimin), por unë nuk e kisha drejt. Andaj lashë mënjanë tregtinë dhe iu rreka adhurimit.”

Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i Ebu Derdas, unë nuk dëshiroj të kem sot një shitore para derës së xhamisë e të më kalojë një namaz pa e falur me xhemat sesa të shes, të blej dhe të fitoj çdo ditë nga 300 dinarë.

Pastaj i hodhi një shikim pyetësit dhe i tha:

– Unë nuk them se Allahu xh.sh. ka ndaluar shitblerjen, por unë dua të jem njëri prej atyre që nuk i largon tregtia e as shitblerja nga përmendja e Allahut.”

*  *  *

Ebu Derda nuk e braktisi vetëm tregtinë, por ai u largua edhe nga shijimi i kënaqësive të botës. Hoqi dorë nga stolitë dhe ornamentet. Ai u kënaq vetëm me një kafshatë të thatë për të plotësuar nevojat e tij jetësore dhe rroba të thjeshta për të mbuluar trupin.

Një natë kur po bënte ftohtë i madh, tek ai kthyen një grup njerëzish. Ai u ofroi ushqim të nxehtë, por mbulojë nuk u ofroi. Kur zuri t’i marrë gjumi, ata filluan të pyesin njëritjetrin për mbulojë dhe njëri prej tyre tha:

– Unë po shkoj dhe po e pyes për to.

Lëre, kthehu!  i tha tjetri. Por ai nuk u ndal, derisa sa arriti te dera dhe pa të zotin e shtëpisë të shtrirë, kurse gruaja e tij ishte ulur afër tij. As ajo e as ai nuk kishin gjë mbi trup, përveç nga një rrobë të hollë që nuk i mbronte nga vapa e as nga të ftohtit.

Njeriu i tha Ebu Derdas:

– Siç po shoh, t’i po bie të flesh ashtu siç po biem ne! Ku i keni plaçkat tuaja?

Ebu Derda’ iu përgjigj:

– Ne kemi një shtëpi në të cilën shokëve u sjellim çdo gjë që kemi nga sendet tona. Sikur të kishim diçka më tepër nga ato sende, ne do t’ua jepnim juve.

Pastaj, në këtë rrugë që ia kemi mësyrë, gjer në atë shtëpi, është një pengesë e fshehtë dhe e mundimshme. Ai që ka barrë më të lehtë, aq më mirë për të. Ne deshëm ta lehtësojmë barrën tonë nga sendet e rënda me shpresë që ta kalojmë atë.

Pastaj i tha njeriut:

– A kuptove?

Po, e mora vesh. U shpërblefsh me të mira!  i tha ai.

Në kohën e halifatit të ElFarukut (Omerit r.a.) atij deshën t’i jepnin për qeverisje një vilajet në Sham. Por ai e hodhi poshtë atë dhe tha:

– Nëse dëshiron (o Omer) të shkoj, që t’ua mësoj atyre Librin e Allahut dhe Sunetin (traditat dhe hadithet) e Pejgamberit dhe të falem me ta, po shkoj.

Omeri u kënaq me përgjigjen e tij.

Ebu Derda shkoi në Damask. Kur arriti atje vuri re se njerëzit ishin dhënë me pasion pas luksit dhe jetës komode. Këto e tronditën. Andaj dhe i ftoi njerëzit në xhami. Ata u tubuan rreth tij dhe u ngrit dhe tha:

– O banorë të Damaskut! Ju jeni vëllezërit e mi nga feja, fqinjët dhe aleatët tanë (në luftë) kundër armiqve.

O banorë të Damaskut! A thua, çfarë ju ndalon juve të mos më doni e të mos i përifillni këshillat e mia, ndërsa unë nuk kërkoj asgjë nga ju. Këto këshilla jua jap juve, por unë nuk varem prej jush. Siç po e shoh, njerëzit tuaj të ditur po shkojnë (ndërrojnë jetë), kurse të paditurit nuk po mësohen!

Unë po vërej se ju jeni dhënë pas atyre gjërave për të cilat ju ka garantuar Allahu xh.sh., ndërsa i keni lënë gjërat për të cilat jeni urdhëruar!

Po ndërtoni ndërtesa në të cilat nuk banoni!

Po meditoni për atë që nuk e realizoni!

Po grumbulloni atë që nuk e hani.

Edhe para jush popujt janë tubuar dhe kanë medituar. Nuk kaloi shumë kohë dhe turma e tyre mbeti e shkatërruar, synimet e tyre mashtrim dhe shtëpitë e tyre varreza…

Ky ishte Adi, populli i Pejgamberit Hud, o banorë të Damaskut! Toka ia ka gllabëruar pasuritë dhe bijtë…

Cili prej jush sot blen mbeturinat e Adit për dy dërhemë?

Njerëzit zunë të qajnë me zë gjersa u dëgjuan zërat nga oborri i xhamisë.

*  *  *

Që nga ajo ditë Ebu Derda’ zuri të shkojë në tubime të njerëzve, të futet në tregjet e tyre. Ai i përgjigjej njeriut që pyeste, mësonte të paditurin, ia tërhiqte vërejtjen atij që ishte i pakujdesshëm duke shfrytëzuar çdo rast (që i jepej).

*  *  *

Ndërsa po kalonte pranë një grupi njerëzish, të cilët ishin tubuar rreth një njeriu dhe kishin filluar ta rrahin e ta fyejnë, ky iu afrua atyre dhe i pyeti:

– Ç’u bë?!

Një njeri ka bërë mëkat të madh,  i thanë ata.

Ai tha:

– Po ta kishit parë se ai po bie në ndonjë gropë, a nuk do ta nxirrnit prej saj?!

Po!  i thanë ata.

– Mos e fyeni (pra), as mos e rrihni, por këshillojeni dhe mësojeni (mos të gabojë) dhe falënderojeni Allahun që ju ka shpëtuar të mos bëni gabim të tillë siç ka bërë ai,  tha ai.

Ata e pyetën: -A nuk e urren atë?

Ai tha: -Jo, unë urrej veprën që ka bërë dhe kur të heqë dorë prej saj, ai është vëllai im.

*  *  *

Pas kësaj njeriu zuri të qajë me zë dhe u pendua.

Ky i ri iu afrua Ebu Derdasë dhe i tha:

– Më këshillo, o shok i Pejgamberit të Allahut.

Ai i tha:

– O biri im, përmende Allahun kur je më së miri, e Ai të përmend ty kur je më së ngushti!

O biri im, bëhu i urtë dhe i ditur, i dëgjueshëm dhe mos u bë injorant, se shkatërrohesh!

O biri im, le të jetë xhamia shtëpia jote, se kam dëgjuar Pejgamberin e Allahut duke thënë: “Allahu Fuqiplotë u ka garantuar atyre, për të cilët xhamitë janë shtëpi të devotshmërisë, mirëqenie, mëshirë dhe kalimin në rrugën e cila shpie në arritjen e kënaqësisë së Allahut Fuqiplotë.”

*  *  *

Ndërkaq një grup njerëzish, djem të rinj, ishin ulur në rrugë, bisedonin dhe shikonin kalimtarët. Ai iu afrua atyre dhe u tha:

– O bijtë e mi! Shtëpia e njeriut musliman është vend hermetik ku njeriut i ulet tensioni dhe ul shikimin e tij. Kini kujdes të mos uleni nëpër tregje, se një veprim i tillë ju bën të pakujdesshëm që të flitni fjalë të pamatura.

*  *  *

Gjatë qëndrimit të Ebu Derdas në Damask, valiu i Shamit, Muavijetu ibnu Ebi Sufjani dërgoi një njeri te Ebu Derda për t’ia kërkuar bijën e Derdas për djalin e vet, Jezidin. Ai nuk u pajtua që e bija e tij të martohet me të, ndaj të bijën ia dha një të riu musliman të thjeshtë, me besimin dhe moralin e të cilit ai (Ebu Derda) ishte i kënaqur. Ky lajm u përhap në popull, që zuri të thotë:

“Jezidi, i biri i Muaviut, ka kërkuar për martesë bijën e Ebu Derdasë, por atë e ka refuzuar i ati i saj dhe ia ka dhënë një muslimani të varfër.”

Një njeri e pyeti se ç’e kishte shtyrë të veprojë ashtu.

Unë kam pyetur se përse ka vepruar ashtu Ebu Derda i devotshëm.

Ai u përgjigj: – Ç’do të mendonit për Derdan po të vinin shërbëtorët e t’i shërbenin asaj, ndërsa ajo të gjendet në pallate, ku shkëlqimi i gurëve të çmuar t’i merr sytë…?

Ku do të mbetej besimi i saj atëherë?!

*  *  *

Gjatë qëndrimit të Ebu Derdas në Sham, prijësi i muslimanëve, Omer ibnul Hattabi, kishte shkuar në një vizitë për të parë gjendjen e muslimanëve dhe vizitoi shokun e tij, Ebu Derdan, natën në shtëpinë e tij. Ai shtyu derën, e cila kishte qenë pa dry. Hyri pa frikë në dhomën e errët. Kur Ebu Derda dëgjoi zërin e tij, u ngrit në këmbë për ta përshëndetur dhe i tha të ulet.

Të dy burrat filluan të bisedojnë, e errësira nuk u mundësonte që ta shohin shokushokun.

Omeri preku jastëkun e Ebu Derdasë dhe vërejti se ai ishte një shtrojë që vihet mbi kalë. Omeri vazhdoi të prekë shtratin e tij dhe vuri re se ai ishte prej gurëve të vegjël…

Kur e preku mbulojën e tij vërejti se ajo ishte një mbulojë e hollë, që nuk e pret fare të ftohtin e Damaskut.

Ai tha: – Zoti pastë mëshirë ndaj teje! A nuk të kam bërë të pasur dhe a nuk të kam dërguar ty?!

Ebu Derda i tha: – A të kujtohet, o Omer, një hadith që na e tregoi i Dërguari i Allahut?

Cili është ai?  pyeti Omeri.

Ai tha: – A nuk ka thënë Pejgamberi a.s.: “Le të jetë pasuria juaj në këtë jetë sa pasuria e një udhëtari?

– Po, ashtu është.

– Ç’kemi bërë ne pas tij, o Omer?!

Omeri zuri të qajë e edhe Ebu Derdas i plasi vaji. Ata vazhduan t’i përgjigjen njëritjetrit në pyetjet e ndërsjella, ashtu duke qarë, derisa u bë mëngjes.

* * *

Ebu Derda mbeti në Damask që t’i këshillojë banorët e tij, t’ua përkujtojë dhe t’ua mësojë Kur’anin dhe urtësinë, derisa i erdhi vdekja. Kur e kaploi sëmundja e vdekjes, e vizituan shokët e tij dhe i thanë:

– Nga çka ankohesh?

– Nga mëkatet e mia,  tha ai.

– Çfarë dëshire ke?  e pyetën ata.

– Dua të më falë Allahu,  ua ktheu ai.

Atëherë u tha njerëzve përreth: – Thoni, La Ilahe Illallllah, Muhammederrrresullullllah, dhe vazhdoi t’i përsërisë këto fjalë gjersa ndërroi jetë.

* * *

Kur Ebu Derda iu kthye Zotit të tij, Avf ibnu Malik El Eshxhij pa, siç sheh njeriu në gjumë, një livadh të gjelbër, hapësirë të gjerë dhe një strehimore të madhe në të cilën ishte një kupolë e madhe prej lëkure, e në të ishte një dele duke mrizuar, gjë që syri i njeriut kurrë nuk e kishte parë më parë.

E tha:

– E kujt është kjo?!

– E Abdurrrrahman ibnu Aufit,  i thanë ata.

Abdurrahmani doli nga kupola e i tha:

– O Malik, kjo është ajo që na e ka dhënë Allahu xh.sh. me Kur’an. E nëse ke nderin të trasosh këtë rrugë, do të shohësh çka nuk të kanë parë sytë, do të gjesh atë që shpirti yt kurrë s’e ka marrë me mend.

Ibn Maliku tha:

E kujt është tërë kjo, o Ebu Muhammed?!

Ai tha: – Allahu Fuqiplotë e ka përgatitur atë për Ebu Derdan, ngase ai ishte larguar nga bota për të kërkuar e gjetur qetësi shpirtërore për të dy botët.

Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up