“Fitoi tregtia o Ebu Jahja… fitoi tregtia.” (Muhammedi a.s.)
A thua kush prej nesh nga radhët e muslimanëve nuk e njeh Suhejb Er-Rumin dhe nuk ka dëgjuar për një pjesë të ngjarjeve nga jeta e tij dhe për biografinë e tij?!
Por, çështja të cilën nuk e dinë shumë prej nesh është se Suhejbi nuk ka qenë bizantin, por arab i pastër, nga fisi Beni NUmejr dhe e ëma nga fisi Beni Temim. Sa i përket përkatësisë së Suhejbit me bizantinët, për të ekziston një rrëfim që ende e kujton historia dhe flet për shtegtimet e tij. Para ardhjes së Kur’anit, afro dy dekada, me Ubullen qeveriste Sinan ibnu Malik EnNUmejrij përmes pushtetit të Mbretit të Persisë.
Fëmija më i dashur i tij ishte djaloshi, që nuk kishte mbushur pesë vjeç, të cilin e quante Suhejb.
Suhejbi kishte fytyrë të shkëlqyer, flokë të kuqe dhe ishte tejet i zhdërvjelltë. Krahas kësaj, ai ishte i ngazëllyer, me shpirt të këndshëm, që ndillte gëzimin në zemrën e të atit, dhe ia largonte me të madhe vëmendjen nga pasuria.
E ëma e Suhejbit, me birin e saj të vogël dhe me suitën e saj shkoi në fshatin Eththenij të territorit të Irakut duke kërkuar qetësi dhe rehati. Atë fshat e sulmoi një njësi ushtarake e ushtrisë bizantine, e cila mbyti rojet e tij, ua plaçkiti pasurinë dhe zunë robër fëmijët e tyre.
Në grupin e fëmijëve të zënë robër ishte edhe Suhejbi. Ai shitej në tregjet e vogla të territorit të Bizantit. Ai kalonte prej një dore në një dorë tjetër, prej një pasaniku në tjetrin, prej një shërbimi në një shërbim tjetër. Detyra e tij ishte si ajo e mijëra skllevërve të cilët kishin mbushur pallatet e perandorisë bizantine.
Edhe Suhejbit iu dha rasti të depërtojë në brendësi të bashkësisë shoqërore bizantine dhe të qëndrojë brenda.
Ai pa me sytë e vet se çfarë veprash të shëmtuara dhe çnjerëzore bëheshin atje.
Ai me veshët e vet dëgjonte se çfarë aktesh të turpshme dhe krimesh bënin ata. Ai e urrente atë bashkësi dhe e përçmonte. Një ditë tha me vete:
“Një bashkësi si kjo nuk mund të pastrohet me asgjë tjetër përveçse me përmbytje.”
Megjithëse Suhejbi u rrit në oborrin e perandorisë bizantine dhe në tokat e saj dhe familjet e tyre, ndonëse harroi apo gati e harroi arabishten, atij kurrë nuk i hiqej nga kujtesa se është arab nga bijtë e shkretëtirës… Malli nuk iu hoq për asnjë çast deri në ditën kur lirohet nga robëria dhe i bashkohet popullit të vet.
Atij iu shtua malli edhe më shumë për tokat arabe. Një ditë kishte dëgjuar një prift nga priftërinjtë e krishterë duke i thënë zotërsë të tij:
“Është afrua koha për të ardhur nga Meka një pejgamber në Siujdhesën Arabe, i cili vërteton pejgamberllëkun e Isait, të birit të Mejremes, dhe njerëzit do t’i nxjerrë nga errësira në dritë.”
Pastaj Suhejbit i jepet rasti të ikë nga skllavopronarët e tij dhe të drejtohet për në Mekë (me emrin e njohur Umul Kura), vendstrehim i arabëve, vend ky nga i cili do të vijë Pejgamberi i ardhshëm. Kur u vendos në të, njerëzit e pagëzuan me emrin Suhejb ErrRrumi për shkak të gjuhës së rëndë që fliste dhe flokëve të tij të kuqe.
Suhejbi arriti një marrëveshje me një zotëri nga Meka. Ai ishte Abdullah ibnu Xhudلn dhe zuri të merret me tregti. Ai pati shumë dobi dhe u pasurua shumë. Megjithatë, tregtia dhe fitimet nuk ia hoqën nga mendja Suhejbit fjalët e priftit të krishterë. E kurdoherë i binte ndër mend ajo fjalë e tij. Ai pyeste veten me padurim:
“Kur do të vijë ajo ditë?” Vetëm pak kohë kaloi dhe e gjeti përgjigjen e kësaj pyetjeje.
Një ditë Suhejbi u kthye në Mekë nga një rrugë që kishte marrë më parë. Ai dëgjoi se Muhammedi, i biri i Abdullahut, është dërguar pejgamber dhe ka filluar t’i thërrasë njerëzit në besimin e të vetmit Zot, i nxit ata të mbajnë drejtësi dhe të bëjnë mirësi, i ndalon ata nga amoraliteti dhe gjërat e shëmtuara. Ai tha:
– A mos është njeriu që e quanin besnik?
Ata i thanë:
– Po.
– Ku qëndron ai njeri? pyeti Suhejbi.
Ata i thanë:
– Ai qëndron në shtëpinë e El Erkam ibnu El Erkamit te Safaja… por ki kujdes mos të të shohë ndonjëri nga kurejshitët, se, në të pafshin, do të të bëjnë çka të kanë bërë, e ti je njeri i panjohur. Ti nuk ke grup të fuqishëm djelmoshash që të mbron dhe as fis që të ndihmon.”
Suhejbi shkoi me të shpejtë në shtëpinë e El Erkamit duke shikuar me kujdes. Kur arriti te dera gjeti Ammar ibnu Jasirin, që e njihte më parë.
Ai ngurroi një çast, pastaj iu afrua dhe i tha:
– Ç’do o Ammar?
Ammari tha:
– Po çfarë do ti, se?
Suhejbi i tha:
– Dëshiroja të hyja te ky njeri dhe të dëgjoja se ç’thotë.
Edhe unë dua ta dëgjoj atë, ia ktheu Ammari.
Suhejbi tha:
– Pra, po hyjmë së bashku me bekimin e Zotit. Suhejb ibnu Sinan Errumi dhe Ammar ibnu Jasiri hynë tek i Dërguari i Allahut dhe dëgjuan seç thoshte. Drita e besimit shkëlqeu në zemrat e tyre dhe ngarendën t’ia shtrijnë dorën atij menjëherë. Ata dëshmuan se s’ka Zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij. Ata kaluan ditën tek ai duke marrë udhëzimet e tij, të kënaqur në shoqërimin e tij.
Kur erdhi nata dhe u rralluan lëvizjet e njerëzve, ata u larguan nga ai nën errësirën e natës, por me vete kishin nga një dritë në zemër, e cila do t’u mjaftojë ta ndritin tërë botën.
Suhejbi përjetoi keqtrajtime bashkë me Bilalin, Ammarin, Sumejen Habbabin dhe me dhjetëra muslimanë të tjerë që ua bënë kurejshitët. Ai vuante nga depresioni i paparë që ia bënin kurejshitët. Sapo dilte në një kodër, ata menjëherë e kërcënonin. Të gjitha këto ai i përballoi me urtësi dhe durim, ngase e dinte se rruga e parajsës është e rrethuar me gjëra të neveritshme.
Kur Pejgamberi a.s. i lejoi sahabët të migrojnë në Medinë, Suhejbi vedosi të jetë në shoqërim të Pejgamberit dhe të Ebu Bekrit, por kurejshitët e vunë re se ai kishte vendosur të shpërgulej. Ndaj dhe ia ndaluan atë. I caktuan vëzhgues në prita, që mos t’u përvidhej dhe, mos të marrë me vete atë që kishte fituar nga tregtia argjendin dhe arin.
Pas shpërnguljes së Pejgamberit dhe të shokëve të tij, Suhejbi vazhdoi të presë me padurim rastet që t’u bashkohet atyre, por kjo nuk i shkoi ndoresh, ngase ai ishte në sy të vëzhguesve, të cilët ishin mjaft vigjilentë dhe të zgjuar. Atij nuk i mbeti tjetër rrugë, vetëm se të provonte një dredhi.
Një natë të ftohtë Suhejbi dilte shpesh përjashtë kinse ka nevojë fiziologjike, dhe ende pa u kthye mirë nga kryerja e nevojës dilte prapë përjashtë, po për të njëjtën gjë.
Disa roje të tij i thanë njëritjetrit:
“Silluni mirë ndaj këtij (të gjori), se Lati dhe Uza’ kanë punë me barkun e tij!”
Pastaj ata u kthyen në shtretërit e tyre dhe i zuri gjumi. Suhejbi u përvodh midis tyre dhe ia mësyu Medinës.
Nuk kaloi shumë kohë nga nisja e Suhejbit, kur e hetuan rojet e tij. Ata u zgjuan me panik nga gjumi, u hipën kuajve të tyre, u lëshuan frerët dhe i vajtën pas me nxitim, gjersa e arritën.
Kur i hetoi Suhejbi, u ndal në në vend të lartë, nxori shigjetën nga këllëfi i saj ngrehu harkun e shigjetës dhe tha:
– O kurejshitë! Për Allahun, ju e dini mirë se jam gjuajtësi më i mirë nga njerëzit dhe më i qeti për të qëlluar cakun. Për Zotin, mos m’u ofroni se përndryshe me çdo shtizë do të vras nga një njërin nga ju, pastaj do t’ju luftoj me shpatë, sa të më punojë dora.
Njëri prej tyre i tha:
– Për Allahun ne nuk të ndalim ty pse po ikën me pasurinë tënde, por… ti arrite në Mekë si njeri i dobët e i varfër, u pasurove, e ke arritur suksese e suksese!!
Ai i pyeti:
– Po sikur t’ju lë pasurinë time, a do të më lironi rrugën?
Po, ia kthyen ata.
Ai i dërgoi në vendin ku kishte pasurinë, te shtëpia e vet në Mekë. Ata shkuan atje dhe ia morën atë dhe e liruan.
Suhejbi shpejtonte për në Medinë duke nxituar në Fenë e Allahut, pa iu dhimbsur pasuria, të cilën e shpenzoi për të siguruar jetën e tij të ndritshme.
Kurdoherë që e kaplonte lodhja dhe rraskapitej, dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut e këndellte dhe ai vazhdonte rrugën e vet.
Kur arriti në Kuba , atë e pa i Dërguari i Allahut duke ardhur. Ai u ngazëllye, buzëqeshi dhe tha:
– Triumfoi pasuria, o Ebu Jahja, triumfoi pasuria. Këtë fjali ai e përsëriti tri herë. Fytyrën e Suhejbit e përshkoi gëzimi dhe tha:
– Për Allahun, nuk ka ardhur kush te ti para meje, o i Dërguar i Allahut. Ty nuk të ka treguar kush për këtë përveç Xhibrilit.
Vërtet fitoi tregtia… e këtë e vërtetoi frymëzimi hyjnor…
Xhibrili dëshmoi për të… ngase ai zbriti Fjalën e Allahut xh.sh. për rastin e Suhejbit.
“Ka njerëz që flijojnë veten për të fituar kënaqësinë e Allahut. Allahu është shumë mirënjohës ndaj robërve të vet.” (Bekare:207)
Lavdi i qoftë Suhejb ibnu Sinan ErRumit dhe kthimit të tij të suksesshëm (tek Allahu)! Burimi
Shto koment