“Nuk mbajti toka e as nuk njohu qielli njeri më të drejtë se Ebu Dherrin.” Muhammedi a.s.
Në luginën “Veddan”, e cila e lidh Mekën me botën e jashtme, jetonte fisi “Gifar”.
Fisi “Gifar” jetonte me ato dromca të vogla të tregtisë, që mbartnin karvanet e kurejshëve duke shkuar në Sham apo duke u kthyer prej tij.
Ndoshta jetonin edhe nga plaçkitja e këtyre karvaneve, nëse ata nuk u jepnin atë që dëshironin ata.
Xhundub ibnu Xhunadete, i njohur me ofiqin Ebu Dherr, ishte njëri prej bijve të këtij fisi. Mirëpo, ai dallohej prej tyre me guximin, mençurinë dhe largpamësinë e tij…
Ai me plot keqardhje i shikonte pjesëtarët e popullit të vet që i adhuronin idhujt e ndryshëm.
Ai i shikonte me përbuzje besimet në të cilat besonin arabët për shkak se ato nuk kishin kurrfarë vlere.
Ai priste paraqitjen e një pejgamberi të ri, i cili do t’ua mbushte njerëzve mendjet dhe zemrat dhe do t’i nxirrte prej errësirës në dritë.
* * *
Pas pak kohe, derisa ishte në shkretëtirën e tij, Ebu Dherrit i arriti lajmi i paraqitjes së Pejgamberit të ri në Mekë, e ai i tha vëllait të vet, Enisit:
– Shko deri në Mekë, studio lajmet e këtij njeriu që pretendon se është pejgamber dhe thotë se atij i vjen shpallja nga qielli, dëgjo disa prej fjalëve të tij dhe më sill diçka prej tyre.
* * *
Enisi shkoi në Mekë dhe u takua me të Dërguarin e Allahut, dëgjoi prej tij, pastaj u kthye në shkretëtirë, ku ishte duke e pritur me padurim Ebu Dherri. Ai e pyeti me plot dashuri për lajmet e pejgamberit të ri.
Enisi i tha:
– Betohem në Allahun se pashë një njeri që thërret në moral të lartë dhe thotë fjalë që nuk janë poezi.
Ebu Dherri atëherë pyeti:
– Ç’thonë njerëzit për të?
Ai u përgjigj:
– Thonë se është magjistar, fallxhi dhe poet.
Ebu Dherri tha:
– Betohem në Allahun se nuk e ke shuajtur etjen time e as nuk e ke kryer porosinë time. A pranon të kujdesesh për familjen time e unë të shkoj atje dhe ta studioj çështjen e tij?
Enisi i tha:
– Po. Mirëpo, ki kujdes me njerëzit e Mekës.
* * *
Ebu Dherri u përgatit për rrugë, mori me vete një kënatë të vogël me ujë dhe të nesërmen u nis në drejtim të Mekës. Dëshironte të takohej me Pejgamberin a.s. dhe të studionte vetë çështjen e tij.
* * *
Ebu Dheri arriti në Mekë i frikësuar nga banorët e saj. Atij i kishin arritur lajmet e hidhërimit të kurejshëve për përbuzjen e zotërave të tyre nga ana e pasusve të Muhammedit.
Për këtë ai nuk dëshiroi të pyes askë për Muhammedin, sepse nuk e dinte se njeriun që do ta pyeste a do të ishte prej pasuesve apo kundërshtarëve të tij.
* * *
Kur erdhi nata, ai u shtri në Qabe. Rastësisht kaloi atypari Aliu r.a., e njohu se është jabanxhi dhe i tha:
“Eja tek unë o njeri!” Shkoi me të dhe atë natë e kaloi tek ai. Në mëngjes e mori kënatën dhe janxhikun e tij dhe u kthye në Qabe, duke mos e pyetur njeritjetrin për asnjë send.
Ebu Dherri e kaloi edhe ditën e tij të dytë duke mos u njohur me Pejgamberin a.s. Kur erdhi mbrëmja, i mori sendet që kishte me vete prej Qabes dhe pranë tij kaloi Aliu r.a., i cili i tha:
– A nuk ka ardhur koha që njeriu të dijë shtëpinë e vet?!
Pastaj e shoqëroi deri në shtëpi, bujti përsëri natën e dytë, dhe nuk e pyetën njëritjetrin për asnjë send.
Natën e tretë Aliu i tha shokut të vet:
– A më tregon ç’të solli në Mekë?
Ebu Dherri i tha:
– Unë erdha në Mekë prej një vendi të largët. Dëshiroj të takohem me Pejgamberin e ri dhe të dëgjoj diçka që thotë ai.
Shenjat e gëzimit u dukën në fytyrën e Aliut r.a. e i tha:
– Betohem në Allahun se ai vërtet është i Dërguari i Allahut dhe ai… dhe ai…
Nesër në mëngjes eja pas meje. Nëse shoh diçka prej së cilës kam frikë për ty, unë do të ndalem, do të bëj sikur dua të derdh ujë, e nëse vazhdoj, përcillmë dhe hy aty ku do të hyj unë.
* * *
Atë natë, Ebu Dherri nuk i mbylli sytë nga gëzimi se do të takohet me Pejgamberin a.s. dhe dëshira për të dëgjuar diçka që i shpallet atij.
Në mëngjes, Aliu u nis me mysafirin e tij për në shtëpinë e Pejgamberit fisnik e pas tij shkonte Ebu Dherri, duke e përcjellë hap pas hapi, pa shikuar as majtas e as djathtas, derisa më në fund hyn në shtëpinë e Pejgamberit a.s. e Ebu Dherri tha:
– Esselamu alejke ja resulullah”! (Paqja e Zotit qoftë mbi ty, o i Dërguar i Allahut!)
Pejgamberi a.s. ia ktheu:
– Ve alejke selamullahi ve rahmetuhu ve berekatuhu” (Edhe mbi ty qoftë paqja e Allahut, mëshira dhe begatia e Tij!)
Ebu Dherri ishte i pari që e përshëndeti Pejgamberin me përshëndetjen islame, pastaj ajo u përhap dhe u përgjithësua.
* * *
Pejgamberi a.s. filloi ta ftojë Ebu Dherrin në fenë islame dhe ia lexonte Kur’anin. Aty për aty e shpalli fjalën e dëshmisë dhe hyri në fenë e re para se të largohej prej aty. Ishte i katërti apo i pesti prej atyre që kishin pranuar fenë islame.
Ia japim fjalën Ebu Dherrit të na tregojë pjesën e mbetur të tregimit të tij, i cili thotë:
Pas kësaj qëndrova me Pejgamberin a.s. në Mekë, i cili m’i mësoi bazat e fesë islame, më mësoi të lexojë disa pjesë të Kur’anit e pastaj më tha:
– Mos i trego askujt për Islamin tënd në Mekë, sepse unë kam frikë se do të të vrasin.
Atëherë thashë:
– Betohem në Allahun, në duart e të Cilit është shpirti im, se nuk do të largohem nga Meka derisa të shkoj në Qabe dhe të bërtas me tërë fuqinë time për thirrjen e vërtetë në mesin e kurejshitëve. Pejgamberi a.s. heshti.
Shkova në Qabe. Kurejshitët ishin ulur dhe bisedonin në mes vete. Shkova në mesin e tyre dhe bërtita me zë të lartë: O Kurejshë! Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Ende pa arritur fjalët e mia në veshët e popullit, të gjithë u tmerruan dhe u ngritën prej kuvendimeve të tyre dhe thanë:
– Na e sillni atë të marrë.
U ngritën dhe filluan të më rrahin deri në vdekje. Aty më kapi ElAbas ibnu Abdul Mutalibi, xhaxhai i Pejgamberit, i cili më mori në mbrojtje, pastaj iu drejtua atyre dhe iu tha: – Medet për ju! A doni të vrisni një njeri prej “Gifarit”, kurse rruga e karvaneve tuaja është nëpër tokën e tyre?! Largohuni prej meje!
Pasi më doli kllapia, shkova te Pejgamberi a.s. Kur pa se çka më kishte ndodhur, më tha:
– A nuk ta ndalova që të shpallësh Islamin tënd?
I thashë:
– O i Dërguari i Allahut. Kjo më brente thellë në shpirt dhe desha ta bëja.
Atëherë më tha:
– Shko te populli yt! Lajmëroji ata për atë që ke parë dhe që ke dëgjuar. Thirri ata në fenë e Allahut. Me siguri Allahu do të të shpërblejë ty për të gjitha këto.
Kur të të arrijë lajmi se unë e kam shpallur thirrjen islame haptazi, eja tek unë.
Ebu Dherri pastaj vazhdon e thotë:
– U nisa dhe arrita në vendlindjen time. Më takoi vëllai im, Enisi, i cili më pyeti:
– Ç’bëre?
I thashë:
– Unë e pranova fenë islame.
Nuk kaloi shumë kohë dhe atij Allahu ia zgjeroi kraharorin e i tha:
“Edhe unë pranova fenë tënde.”
Pastaj shkuam te nëna jonë dhe e thirrëm në fenë islame, e cila po ashtu e pranoi.
Prej asaj dite nisi kjo familje besimtare të thërras në fenë Islame duke i përballuar të gjitha vështirësitë derisa në fisin “Gifar” e pranuan fenë islame një numër i madh i njerëzve dhe filluan ta falin namazin.
Një grup tjetër tha:
“Do të mbesim në fenë tonë e kur të shkojë Pejgamberi në Medinë do ta pranojmë fenë islame. Por kur Pejgamberi a.s. kaloi në Medinë, ata e pranuan fenë islame. Pejgamberi a.s. për këtë kishte thënë:
– Fisin Gifar e ka falur Allahu. Ata e pranuan Islamin, Allahu i shpëtoftë!
Ebu Dherri qëndroi në shkretëtirën e tij derisa kaloi beteja e Bedrit, e Uhudit dhe e Hendekut. Pastaj kaloi në Medinë, iu përkushtua Pejgamberit a.s. dhe kërkoi leje që të jetë në shërbimin e tij. Pejgamberi a.s. e lejoi të jetë në shërbimin e tij dhe ai u kënaq me shoqërimin e tij dhe u gëzua që ishte në shërbimin e të Dërguarit.
Pejgamberi a.s. vazhdoi t’i japë përparësi atij mbi të tjerët dhe ta respektojë atë. Asnjëherë nuk ndodhi që të takojë e të mos përshëndetet dhe të mos i buzëqeshë.
* * *
Kur Pejgamberi a.s. kaloi në botën e amshueshme, Ebu Dherri nuk pati durim të qëndrojë në Medinën e ndritshme, pasiqë ajo kishte mbetur pa zotëriun e saj. Prandaj ai u shpërngul diku në fshatrat e Shamit dhe qëndroi atje gjatë hilafetit të Ebu Bekr EsSidikut dhe Omer ibnul Hatabit r.a.
Gjatë halifatit të Osmanit r.a. shkoi të jetojë në Damask dhe vërejti dhënien e muslimanëve pas begative të kësaj bote, e cila e habiti dhe e bëri ta gjykojë atë mënyrë të jetesës. Osman ibnu Afani r.a. e ftoi në Medinë. Ai iu përgjigj ftesës së tij dhe shkoi. Mirëpo ai nuk e pëlqeu dhënien e njerëzve pas të mirave të kësaj bote, por edhe njerëzit nuk e pëlqenin qëndrimin e tij ndaj tyre. Për këtë, Osmani e urdhëroi të transferohej në fshatin “Rebdha”, një fshat i vogël në afërsi të Medinës, në të cilin u shpërngul dhe jetoi larg njerëzve një jetë asketi, larg begative të kësaj bote, duke u mbështetur në përvojën e Pejgamberit a.s. dhe dy ashabëve të tij, të cilët e preferuan jetën e amshueshme nga të mirat e jetës së përkohshme.
* * *
Një ditë prej ditësh tek ai hyri një njeri dhe nisi të hedhë shikimin në të gjitha anët e shtëpisë së tij, por nuk vërejti asnjë orendi.
Atëherë e pyeti: – O Ebu Dherr, ku janë orenditë e tua?!
Ai iu përgjigj. – Ne kemi një shtëpi atje (e kishte fjalën për ahiretin), ku e dërgojmë pasurinë tonë më të mirë.
Njeriu e kuptoi qëllimin e tij dhe i tha:
– Mirëpo, ti patjetër duhet të kesh pasuri, derisa je në këtë shtëpi (do të thotë në këtë dynja).
Ai u përgjigj: – Mirëpo i zoti i shtëpisë nuk na lë në të.
* * *
Emiri i Shamit ia kishte dërguar atij treqind dinarë dhe i kishte thënë:
– Përdori këto për nevojat e tua. Mirëpo, ai ia ktheu dinarët atij dhe i tha: “A nuk gjeti emiri i Shamit njeri tjetër, vetëm mua?!”
Në vitin tridhjetë e dy sipas hixhretit, sahabi i devotshëm kaloi në jetën e amshueshme. Për të Pejgamberi a.s. kishte thënë:
“Nuk mbajti toka e as nuk njohu qielli njeri më të drejtë se Ebu Dherri.” Burimi
Shto koment