Home » Sahabet » Abdullah ibnu Ummi Mektum r.a.

“Njeriu i verbër për të cilin Allahu zbriti gjashtëmbëdhjetë ajete, të cilat u lexuan dhe do të vazhdojnë të lexohen derisa të ndërrohet nata dhe dita.” Komentatorët

Kush është ky për të cilin u qortua Pejgamberi fisnik prej mbi shtatë qiejve me qortimin më të ashpër dhe më të dhembshëm?!

Kush është ky për të cilin zbriti Xhebraili besnik në zemrën e Pejgamberit fisnik me shpallje nga ana e Allahut?!

Ai është Abdullah ibnu Ummi Mektumi, muezini i Pejgamberit a.s.

*  *  *

Abdullah ibnu Ummi Mektumi ishte mekas, kurejshit. Me Pejgamberin a.s. e lidhnin lidhjet familjare. Ai ishte i biri i dajës së nënës së besimtarëve, Hatixhes, të bijës së Huvejlidit r.a.

Babai i tij ishte Kajs ibnu Zaidi, kurse nëna e tij ishte Atika bintu Abdullah. Është quajtur Umu Mektum, sepse ajo e kishte lindur atë të vërbër!

*  *  *

Abdullah ibnu Ummi Mektumi e përjetoi lindjen e dritës në Mekë dhe Allahu ia zgjeroi zemrën e tij me iman (besim) dhe ishte prej muslimanëve të parë.

Abdullah ibnu Ummi Mektumi i përjetoi vuajtjet e muslimanëve në Mekë me të gjitha sakrificat dhe qëndrueshmëritë.

Vuajti nga mundimet dhe torturat e kurejshitëve ashtu sikurse edhe ashabët e tjerë. Mirëpo, ai i përballoi të gjitha torturat dhe asnjëherë nuk iu dobësua besimi. Përkundraj, ato ndikuan që lidhja e tij me fenë e Allahut të forcohet, dashuria e tij për Librin e Tij të jetë më e madhe dhe dashuria e tij për Pejgamberin a.s. të shtohet.

*  *  *

Dashuria e tij ndaj Pejgamberit a.s. dhe dëshira e tij për ta mësuar përmendsh Kur’anin e Madhërishëm bëri që ai të shfrytëzojë çdo rast për këtë qëllim.

Dëshira e tij që të jetë sa më gjatë në shoqëri me Pejgamberin a.s. nganjëherë e mashtronte që ta merrte pjesën e vet dhe pjesën e tjetërkujt…

Në këtë kohë, Pejgamberi a.s. ballafaqohej me të madhe me parinë kurejshite, lakmonte në Islamin e tyre. Një ditë prej ditësh u takua me Utbe ibnu Rebian, vëllanë e tij, Shejbe ibnu Rebian, Amr ibnu Hishamin, të njohur me ofiqin Ebu Xhehl, Umeje ibnu Halefin, ElVelid ibnul Mugiren, babain e Sejfullahut dhe Halidin dhe hyri me ta në dialog, duke ua ofruar atyre parimet islame, duke shpresuar se ata do t’i përgjigjen apo së paku do t’i ndërprejnë torturat e tyre ndaj ashabeve të tij.

*  *  *

Në momentin kur Pejgamberi a.s. ishte duke biseduar me ta, iu afrua Abdullah ibnu Ummi Mektumi, e luti t’ia lexojë një ajet të Kur’anit dhe i tha:

– O i Dërguari i Allahut, më mëso diçka prej atyre që të ka mësuar ty Allahu!

Por, Pejgamberi a.s. ia ktheu shpinën atij, e shikoi mrrolshëm dhe shkoi pas parisë kurejshite, duke shpresuar se ata do ta pranojnë Fenë Islame dhe me kalimin e tyre në Islam ai do të forcohet dhe thirrja e re do të fitojë një fuqi të re.

Posa Pejgamberi a.s. e përfundoi bisedën e tij me ata dhe u nda prej tyre dhe  deshi të kthehej te familja e tij, Allahu xh.sh. ia mori një pjesë të të pamurit të tij dhe iu duk sikur diçka i mëshonte në kokën e tij.

Allahu xh.sh. pastaj e zbriti Fjalën e Vet:

“U vrenjt dhe ktheu shpinën. Ngase atij i erdhi i verbri. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi! E ai që nuk ndien nevojë (për Zotin) pse ka pasuri, ti atij i vë veshin. Po ti nuk ke përgjegjësi pse ai nuk pastrohet. Ndërsa ai që nxiton edhe vjen te ti. Ngase ai frikësohet. E ti nuk ia vë veshin atij! Kurrsesi! (ashtu mos bëj). Ai është mësim. Andaj kush do, e merr atë mësim (Kur’anin). Është në fletë të çmueshme. Me vlerë të lartë e të ruajtur. Në duar të udhëtuesve (engjejve). Fisnikë e të pagabueshëm.” (80:116)

Gjashtëmbëdhjetë ajete i zbriti Xhebraili besnik në zemrën e Pejgamberit fisnik rreth çështjes së Abdullah ibni Ummi Mektumit, të cilat lexohen prej ditës së zbritjes e deri më sot dhe do të vazhdojnë të lexohen derisa të ekzistojë toka dhe krijesat mbi sipërfaqen e saj.

Prej asaj dite, Pejgamberi tregoi respekt të veçantë ndaj Abdullah ibnu Ummi Mektumit. Kur shkonte tek ai, e ofronte pranë mexhlisit të vet, e pyeste për gjendjen e tij dhe çdo nevojë që kishte ai ia plotësonte.

Kjo nuk duhet të na çudisë aspak, sepse për këtë njeri Pejgamberi a.s. ishte qortuar prej mbi shtatë qiejve në mënyrën më të ashpër.

*   *   *

Kur kurejshitët e ashpërsuan terrorin dhe reprezaljet e tyre ndaj Pejgamberit a.s. dhe atyre që ishin me të, Allahu xh.sh. ua lejoi muslimanëve të bëjnë hixhret. Abdullah ibnu Ummi Mektumi ishte i pari që e lëshoi vendlindjen duke ikur për hir të ruajtjes së fesë së vet.

Ai dhe Mus’ab ibnu Umejri ishin prej të parëve që arritën në Medinë nga sahabët e Pejgamberit a.s.

Posa arriti në Jethrib, Abdullah ibnu Ummi Mektumi dhe shoku i tij, Mus’ab ibnu Umejri, filluan të shkonin nëpër njerëz për t’ua mësuar leximin e Kur’anit dhe bazat elementare të fesë.

Me ardhjen në Medinë Pejgamberi a.s. e mori Abdullah ibnu Ummi Mektumin dhe Bilal ibnu Rebahin si dy muezina të muslimanëve, të cilët pesë herë në ditë e thërrisnin me zë të lartë fjalën e dëshmisë, i ftonin njerëzit në punën më të mirë dhe i nxitnin në shpëtim.

Bilali e thirrte ezanin, kurse Ibnu Ummi Mektumi bënte ikametin, apo ndoshta ezanin e thirrte Ibnu Ummi Mektumi kurse ikametin e bënte Bilali.

Bilali dhe Ibnu Ummi Mektumi ishin të njohur për banorët e Medinës, në veçanti gjatë muajit të Ramazanit, sepse muslimanët hanin syfyr kur njeri prej tyre e thirrte ezanin dhe i jepnin fund syfyrit kur ezanin e thirrte tjetri.

Bilali e thirrte ezanin natën dhe i çonte njerëzit në syfyr, ndërsa Ibnu Ummi Mektumi priste agimin e mëngjesit dhe asnjëherë nuk  gabonte.

Pejgamberi a.s. e respektonte aq shumë Ibnu Ummi Mektumin saqë e caktoi zëvendës të vetin në Medinë më shumë se dhjetë herë kur ai nuk ishte prezent aty. Njëra prej tyre ishte dita kur Pejgamberi a.s. mori pjesë në ekspeditën e çlirimit të Mekës.

Pas betejës së Bedrit, Allahu xh.sh. ia zbriti Pejgamberit a.s. disa ajete kur’anore me anë të të cilave lartësohet vlera e atyre që luftojnë në rrugën e Allahut dhe kanë përparësi ndaj atyre të cilët nuk marrin pjesë në luftë, që ta nxisë luftëtarin në luftën e tij dhe ta përbuzë atë që nuk merr pjesë në luftë për shkak të indiferentizmit të tij. Kjo ndikoi dukshëm në shpirtin e ibnu Ummi Mektumit dhe i erdhi rëndë të mos jetë pjesëmarrës në këtë të mirë, dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut, sikur të mund të luftoja, do të vija në luftë.” Pastaj e luti Allahun xh.sh. nga thellësia e zemrës që t’i zbresë ndonjë pjesë të Kur’anit për të dhe për ata që janë të ngjashëm me të, të cilët janë të penguar të marrin pjesë në luftë për shkak të ndonjë të mete të tyre dhe filloi të lutet me një bindje të thellë:

“O Zoti im, largoje pengesën time!

O Zoti im, largoje pengesën time!”

Allahu xh.sh. shumë shpejt iu përgjigj lutjes së tij.

Zejd ibnu Thabiti, shkruesi i shpalljes së Pejgamberit a.s., thotë:

“Isha pranë Pejgamberit a.s. kur e kapi një kllapi dhe kofsha e tij ra mbi kofshën time. Nuk kisha parë asnjë gjë më të rëndë se kofsha e Pejgamerit a.s. Pastaj i doli kllapia dhe tha:

– Shkruaj o Zejd! Unë shkruajta:

“Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që ndejtën (që nuk luftuan) dhe ata që me pasurinë dhe me jetën e tyre luftuan në rrugën e Allahut.” (4:95)

Posa e dëgjoi këtë, ibnu Ummi Mektumi u ngrit dhe tha: – O i Dërguari i Allahut, po si është puna me ata të cilët nuk kanë mundësi të marrin pjesë në luftë?! Ende pa i mbaruar të gjitha fjalët, përsëri Pejgamberin a.s. e zuri një kllapi dhe kofsha e tij ra mbi kofshën time, sikurse herën e parë. Pastaj i doli kllapia dhe tha:

– Lexo atë që shkrove, o Zejd! Unë lexova: “Nuk janë të barabartë  prej besimtarëve ata që ndejtën (që nuk luftuan) dhe ata që me pasurinë dhe me jetën e tyre luftuan në rrugën e Allahut.” Pastaj më tha: – Shkruaj “Me përjashtim të atyre që ishin të penguar pa vullnetin e tyre.”

Kështu pra zbriti përjashtimi që aq shumë e dëshiroi Ibnu Ummi Mektumi.

Edhe pse Allahu xh.sh e liroi Abdullah ibnu Ummi Mektumin dhe të tjerët si ai prej pjesëmarrjes në luftë, shpirti i tij ambicioz nuk u qetësua me qëndrimin me ata që nuk luftuan dhe vendosi të marrë pjesë në luftë për hir të Allahut…

Ai e bëri këtë për arsye se shpirtrat e mëdhenj nuk janë të kënaqur vetëm se me vepra të mëdha.

Prandaj, që prej asaj dite, ai lakmoi që mos t’i kalojë asnjë betejë dhe ia caktoi vetes vendin në sheshin e luftës. Ai thonte që:

Më lëni mua ndërmjet dy radhëve dhe ma jepni flamurin ta mbaj dhe ta ruaj…

Unë jam i verbër dhe nuk mund të iki…

* * *

Në vitin e katërmbëdhjetë të hixhretit, Omer ibnul Hattabi vendosi të hyjë me persianët në betejën vendimtare që ta shpartallojë shtetin e tyre, ta shkatërrojë fuqinë e tyre dhe me këtë t’u hapë rrugët ushtrive muslimane. Për këtë qëllim iu shkruajti mëkëmbësve të tij e u tha:

“Bëni mobilizimin e përgjithshëm. Të gjithë ata që kanë armë, kuaj dhe pasuri drejtojini tek unë sa më parë të jetë e mundur!”

Grupet e muslimanëve filluan t’i përgjigjen thirrjes së Farukut (Omerit r.a.) dhe vërshuan në drejtim të Medinës nga çdo anë. Në mesin e tyre ishte edhe luftëtari i verbër Abdullah ibnu Ummi Mektumi.

Faruku r.a. e caktoi në krye të ushtrisë së madhe Sa’d ibnu Ebi Vekkasin, të cilin e këshilloi dhe e përcolli jashtë Medinës.

Kur ushtria muslimane arriti në Kadisije, u paraqit Abdullah ibnu Ummi Mektumi, i veshur me parzmore dhe me tërë pajisjet e tij luftarake, vullnetarisht për të mbajtur flamurin e muslimanëve: ta mbrojë atë apo të vdesë me të në dorë.

*  *  *

Dy ushtritë u përleshën tri ditë të vështira e të përgjakshme…

Dy palët luftuan me aq ashpërsi, saqë historia e luftërave nuk mbante mend një luftë të tillë, derisa në agimin e ditës së tretë muslimanët korrën fitore bindëse. Në këtë luftë mori fund së ekzistuari njëra prej perandorive më të mëdha në histori…

Pushoi se ekzistuari një ndër fronet më të vjetra…

U ngrit lart flamuri i monoteizmit në tokën e paganizmit…

Çmimi i kësaj fitoreje ishte me qindra e mijëra shehidë. Në mesin e atyre shehidëve ishte Abdullah ibnu Ummi Mektumi…

U gjet i vdekur, i larë me gjakun e tij, duke e përqafuar fort flamurin e muslimanëve. Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up