Prindërit: Erkam b. Zejd b. Kajs
Data/Vendi i Lindjes: (Mekke)
Vendi i ndërrimit jetë: ~68 AH or 65 AH (Kufe)
Vendbanimet: Medine /Kufe
Vëllezërit/motrat: Enes bin Erkam
Bashkëshorti/ja:
Fëmijët:
Ky sahab pati transmetuar nëntëdhjetë hadithe nga Profeti Muhamed a.s.. Në moshë të thyer, kur i kërkonin që të raportonte hadithet që dinte, ai nuk pranonte, duke thënë se tashmë kishte filluar të harronte për shkak të moshës dhe e kishte të vështirë t’i riprodhonte me përpikmëri hadithet që ruante në kujtesë. Shumë hadithe të transmetuara nga Zejdi gjenden të regjistruara në Kutubi Site apo në libra të tjerë të haditheve. Tetëdhjetë e katër prej tyre, duke llogaritur edhe ato që përsëriten në kapituj të ndryshëm, gjenden në librin Musned të Ahmet b. Hanbelit (IV, 366-375)
Zejdi sillej me përpikmëri të madhe në lidhje me raportimin e haditheve dhe kur kërkohej ndonjë njohuri fetare prej tij. Kjo karakteristikë e tij vihet re në këtë raportim:
Raportohet nga ibn Ebu Evfa se, kur shkonim pranë Zejd ibn Erkamit, kërkonim prej tij të raportonte hadithet që dinte nga i Dërguari i Allahut. Ai na përgjigjej se tani është plakur dhe ka nisur të harrojë. Raportimi nga i Dërguari i Allahut është një punë me përgjegjësi. (Ibn Asakir, Kenz, V/239; Muhamed Jusuf Kandehlevi, Hajatu’s-Sahabe, 3/518)
Zejd ibn Erkam ishte ortak në tregti me Bera ibn Azibin, prandaj ai kishte njohuri mbi artin e tregtisë, veçanërisht në këmbimin e arit me argjendin. Ai nuk i jepte përgjigje çdo pyetjeje që i bëhej në lidhje me fushën e fikhut, por ata që pyesnin i drejtonte të shkonin të pyesnin persona që kishin më shumë njohuri sesa ai në lidhje me atë çështje. Në lidhje me këtë rast, rrëfen Ebu Minhali:
- Pyeta Zejd ibn Erkam dhe Bera ibn Azibin në lidhje me shkëmbimin e arit me argjendin. Asnjëri prej tyre nuk më jepte përgjigje, se të dy tregoheshin të kujdesshëm në këtë çështje. Sa herë që i drejtohesha njërit prej tyre, më adresonte tek tjetri, duke më thënë: “Shko dhe pyete atë më mire, se ai është dijetar dhe njohës më i mirë sesa unë në këtë çështje. (Ibn Abdulber, Xhami, II/166)
Një dijetar nga Kufeja, që i takonte brezit të tabiinëve, rrëfen këtë ngjarje në të cilën tregohet përpikmëria e tij:
- Jezid ibn Hajjani rrëfen se një ditë kishin shkuar Husajn ibn Sebre dhe Amr ibn Muslimin tek shtëpia e Zejd ibn Erkamit. Pasi hymë brenda dhe u rehatuam Husajn ibn Sebre mori fjalën dhe tha:
- O Zejd! Ty të ka dhuruar Allahu shumë mirësi. Ti je takuar me të Dërguarin e Allahut (a.s.). Ke bashkëbiseduar me të, je falur pas tij dhe ke marrë pjesë në luftë së bashku me të. Të gjitha këto janë arsye të ndihesh i privilegjuar dhe i gëzuar. O Zejd! Na rrëfe se çfarë ke dëgjuar nga i Dërguari i Allahut!
Pasi e dëgjoi, Zejd ibn Erkam (r.a.), i tha:
- Nipi im! Vallahi jam bërë plak tani. Ka kaluar shumë kohë nga ato ditë për të cilat pyet ti. I kam harruar një pjesë të atyre që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut. Prandaj mësoni ato që u them dhe mos më kërkoni të kujtoj gjëra që nuk i mbaj mend mirë.
Pastaj Zejdi vazhdoi duke thënë:
Një ditë, i Dërguari i Allahut (a.s.), u ngrit në këmbë kur ishim tek burimi i ujit Hum, që gjendet mes Mekës dhe Medines dhe mbajti një ligjëratë. Pasi e lavdëroi Allahun më parë, tha këto këshilla:
- O njerëz! Edhe unë jam një njeri si ju! Së afërmi do të më vijë edhe mua engjëlli i Zotit dhe do të më ftojë që të shkoj në jetën tjetër. Po ju lë pas dy gjëra të rëndësishme. Njëra është Kurani, udhërrëfyes dhe dritë për njerëzit që t’i shpjerë ata në rrugën e drejtë. Kapuni fort pas tij.
Pasi na këshilloi gjerë e gjatë në lidhje me kapjen fort pas Kuranit, vazhdoi duke thënë:
- Po ju lë pas edhe familjen time profetike! Kijeni frikë Allahun dhe respektojeni familjen time. Kijeni frikë Allahun dhe respektojeni mirë familjen time!
Husajn ibn Sebre e ndërpreu Zejdin dhe e pyeti:
- Kush quhet familja e Profetit? A nuk janë edhe gratë e Profetit pjesë e familjes profetike?
Zejdi u përgjigj:
- Gratë e Profetit janë të gjitha pjesë e familjes profetike. Më saktë, të gjithë ata që e kanë të ndaluar të marrin pjesë nga sadakaja janë pjesë e familjes profetike.
- Kush e ka të ndaluar të marrë sadaka? – pyeti Husajni.
- Familja e Aliut, e Akilit, e Xhaferrit dhe e Abasit, – u përgjigj Zejdi.
- Të gjithë antarët e këtyre familjeve e kanë haram të marrin pjesë nga sadakaja? – pyeti sërish Husajni.
- Po. – u përgjigj Zejdi. (Muslim, Fedailu’s-sahabe 36)
Sipas një raportimi tjetër, i Dërguari i Allahut ka thënë:
- Po ju lë pas dy gjëra të rëndësishme. Njëra është Libri i Allahut. Kapuni fort pas saj. Ai është litari që ju mban juve të lidhur me Allahun. Kush e lëshon këtë litar humbet rrugën e drejtë dhe kush e mban fort atë, do të jetë përherë në rrugën e drejtë. (Muslim, Fedailu’s-sahabe 37.)
Nga Zejd ibn Erkami janë raportuar hadithe në lidhje me tema të ndryshme. Njëra prej tyre është edhe ky hadith, në të cilin tregohet përpikmëria e Ebu Bekrit për t’u distancuar nga çdo llokmë haram. Hadithi është:
Ebu Bekri kishte një skllav që nganjëherë i bënte ndonjë rreng. Një ditë skllavi në fjalë i solli një ushqim në shtëpi Ebu Bekrit. Ebu Bekri mori një llokmë nga ai ushqim. Skllavi e pyeti Ebu Bekrin:
- Çfarë ka ngjarë me ty sot? Çdo herë që të kam sjellë ndonjë gjë për të ngrënë më ke pyetur më parë se nga vinte ai ushqim, ndërsa sot nuk më pyete.
- Më kishte marrë shumë uria. – i tha Ebu Bekri. – Me të vërtetë, nga e solle këtë ushqim?
- Kalova sot nga një miku im, që e kam njohur që nga kohët e xhahilijes. Po bënin një dasmë dhe më dha nga ky ushqim.
Kur i dëgjoi këto fjalë, Ebu Bekri u nxeh shumë me skllavin e tij dhe i tha:
- Ti ke vendosur të më shkatërrosh mua apo si e ke hallin?!
Pastaj nisi ta provokonte me duar stomakun që të villte, por i thanë se mundohej më kot ashtu, se vetëm me ujë mund ta villte ushqimin. Ai urdhëroi t’i sillnin ujë.
Nga një anë mundohej të pinte ujë, ndërsa nga ana tjetër përpiqej që ta villte atë që kishte ngrënë. Kështu vazhdoi deri sa e volli tërë ushqimin.
- Allahu të faltë. – i thanë ata që gjendeshin aty. – Gjithë këtë e bëre vetëm për një kafshatë?!
Ebu Bekri u përgjigj:
- Do ta nxirrja atë kafshatë edhe po ta dija se do të më dilte shpirti më parë, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë se vendi që meriton trupi që rritet me haram është zjarri i xhehenemit. Kisha frikë se trupi do të ushqehej me këtë kafshatë. (Ebu Nuajm, Hilje I/31)
Zejdi (r.a.), u mësonte sahabëve të tjerë duatë që duhet të lexojë një besimtar gjatë jetës së përditshme:
I Dërguari i Allahut (a.s.), kur e përfundonte namazin, thoshte këto dua:
- O Zoti im! Zoti i çdo gjëje! Unë dëshmoj se vetëm Ti je Zot! I vetëm dhe pa shok!
- O Allahu im! O Zoti im! Zoti i çdo gjëje! Unë dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari Yt!
- O Allahu im! Zoti i çdo gjëje! Unë dëshmoj se të gjithë besimtarët janë vëllezër me njëri-tjetrin.
- O Allahu im! O Zoti im! Zoti i çdo gjëje! Më bëj mua të sinqertë me veten time dhe me familjen time, si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën tjetër.
- O Zot madhështor dhe bamirës. Më prano lutjet që t’i drejtoj. Allahu është më madhështori.
- O Allahu im! Ndriçoji qiejt dhe tokën. Allahu është më madhështori.
- Mua më mjafton vetëm ndihma e Allahut. Ai është mbrojtësi më i mirë. Allahu është më madhështori. (Bidaje, IV/243; Hilje, I/119)
Në një hadith tjetër ai na mëson këtë dua nga Profeti.
Zejd ibn Erkami raporton se i Dërguari i Allahut (a.s.), bënte këtë dua:
- Allahu im! Më ruaj nga pamundësia fizike, përtacia, koprracia dhe dënimi i varrit.
- Allahu im! Më fal devotshmërinë dhe më pastro nga çdo lloj gjynahu. Vetëm Ti i fal gjynahet.
- Allahu im! Më ruaj nga njohuritë e padobishme, nga zemra e pandjeshme, nga egoja që nuk di të ngopet dhe nga duatë që nuk pranohen prej Teje! (Muslim, Dhikr 73)
Në vitet e fundit të jetës së tij, Zejd ibn Erkam u vendos në Kufe, ku edhe vdiq në vitin 686 (66 hixhri).
Allahu qoftë i kënaqur me të. Zoti ynë na bëftë të gjithëve të sinqertë në fe si Zejdi dhe na mundësoftë shefaatin e Profetit.
Amin!
Shto koment