Prindërit: Mut’im b. Adi b. Neufel / Umm Xhemil bint Said b. Amir
Data/Vendi i Lindjes: (Mekke)
Vendi i ndërrimit jetë: ~59 AH (Medine)
Vendbanimet: Mekke / Medine
Vëllezërit/motrat:
Bashkëshorti/ja:
Fëmijët: Muhamed bin Xhubejr bin Mut’im, Nafi bin Xhubejr bin Mut’im
Xhubejr ibn Mut’imi, (r.a.), jetoi me pendimin e të qëndruarit larg dritës së Islamit për një kohë të gjatë. Ai ka transmetuar rreth gjashtëdhjetë hadithe nga i Dërguari i Allahut (a.s.). Në këto transmetime mund të shihet qartë mallëngjimi dhe pendimi i tij. Disa prej këtyre haditheve fisnike janë këto:
Xhubejr ibn Mut’imi (r.a.), tregon: “I Dërguari i Allahut, (a.s.), në një vend të quajtur Hajf në Mina, u ngrit në këmbë dhe tha:
“Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që e dëgjon fjalën time dhe e predikon ashtu siç e ka dëgjuar, sepse ka shumë njerëz që e dinë fikhun (të mbushur me hadithe), por që nuk janë fakihë. Ka shumë mbartës hadithesh që ua çojnë hadithet atyre që janë më fakihë se ata.
Ka tri cilësi që përderisa të jenë ato, zemra e besimtarit nuk mbart urrejtje dhe armiqësi: Ta bësh punën me sinqeritet për hir të Allahut Teala, të jesh dashamirës ndaj udhëheqësve myslimanë dhe të frekuentosh xhematin e myslimanëve… Sepse lutjet e myslimanëve i përfshijnë të gjithë ata që i bashkohen xhematit.” (Ibn Maxhe, Menasik, 76.)
Ebu Muhamed Xhubejr ibn Mut’imi, (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut, (a.s.), ka thënë: “Ai që i shkëput lidhjet me të afërmit e tij nuk mund të hyjë në Xhenet.” (Buhari, Edeb 11; Muslim, Birr 18-19.)
Xhubejr ibn Mut’imi (r.a.), ka thënë: Ndërsa po ecja bashkë me të Dërguarin e Allahut, (a.s.), kur po ktheheshim nga lufta e Hunejnit, arabët beduinë filluan ta kërkonin me këmbëngulje ndarjen e plaçkave të luftës. Më së fundi, të Dërguarin e Allahut (a.s.), e ndaluan nën pemën Semure. Pelerina e Pejgamberit tonë të dashur ngeci te pema. Pejgamberi, (a.s.), e ndaloi devenë dhe u tha:
“Ma jepni pelerinën! Po të kisha kafshë aq sa këto pemë që i shikoni, të gjitha do t’jua ndaja juve. Pastaj edhe ju do ta shihnit se unë nuk jam një koprrac, mashtrues dhe frikacak!” (Buhari, Xhihad 24, Humus 19.)
Xhubejr ibn Mut’imi (r.a.), tregon: I Dërguari i Allahut, (a.s.), ka thënë: “O Beni Abdumenaf! Kushdo prej jush që merr ndonjë përgjegjësi në udhëheqjen e popullit, kurrë të mos e ndalojë dikë që e viziton Shtëpinë e Allahut në ndonjë orë të ditës apo të natës dhe që fal namaz.” (Tirmidhi, Haxhxh 42; Ebu Davud, Menasik 53.)
Xhubejr ibn Mut’imi (r.a.), tregon: I Dërguari i Allahut, (a.s.), ka thënë: “Unë kam pesë emra: Unë jam Muhamedi, unë jam Ahmedi, unë jam el-Mahi (ai me të cilin Allahu do ta shkatërrojë kufrin). Unë jam Hashiri (mbledhësi). Njerëzit do të mblidhen pas meje. Unë jam Akibi (pasardhësi). Pas meje nuk do të ketë Pejgamber tjetër.” (Buhari, Menakib 17; Muslim, Fedail 125; Tirmidhi, Edeb 67.)
Xhubejr ibn Mut’imi, (r.a.), mori pjesë në grupin që shkoi për t’u takuar dhe për t’i kthyer mbrapsht mëkatarët që bënë kryengritje kundër Osmanit (r.a.) dhe që po shkonin drejt Medines për të sulmuar. Pasi Osmani ra dëshmor, mori pjesë në varrimin e tij duke marrë parasysh çdo lloj rreziku. Madje, sipas një transmetimi, namazin e xhenazes së Osmanit, (r.a.), e fali ai. Xhubejr ibn Mut’imi (r.a.), ndërroi jetë në Medine në vitin 58 hixhrij ose thënë ndryshe në vitin 678 të erës sonë.
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
Allahu Teala na bëftë të gjithëve largpamës dhe të sinqertë si Xhubejr ibn Mut’imi (r.a.)! Amin!..
Shto koment