Emri i plotë: Sulaiman bin Sard b. al-Junn b. Abi al-Junn(‘Abdul ‘Uzza) b. Manqidh b. Rabi’a b. Asram b. Dubays
Prindërit: Sard b. al-Junn (‘Abdul ‘Uzza) /
Data/Vendi i Lindjes: (Hixhaz)
Vëllezërit/motrat:
Vendi i ndërrimit jetë: ~67 AH (Afer Sirise)
Vendbanimet: Medine/Kufe
Bashkëshorti/ja:
Fëmijët:
“Ah sikur të kisha vdekur para njëzet vjetësh!..”
Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), ishte një sahab jetëgjatë, i përkushtuar ndaj adhurimit dhe hero!.. Ai i përkiste fisit Huzaa. Lindi në Merru’z-zahran, i cili ishte atdheu i dytë i këtij fisi që pati ardhur nga Jemeni. Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), para se të bëhej mysliman e kishte emrin Jesar. Pasi u bë mysliman, i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ia ndërroi emrin dhe ia vendosi Sulejman. Në literaturën islame, për fat të keq, nuk gjenden shumë të dhëna në lidhje me jetën e tij. Vetëm thuhet se ai ka qenë ndër ata që kanë emigruar në Medine dhe se ka transmetuar hadithe.
Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), ishte trim, i dashur, i mëshirshëm dhe zemërbutë. Ai kishte një personalitet të dashur dhe të nderuar ndërmjet njerëzve të fisit të tij.
Kur u themelua qyteti i Kufës, ai ishte ndër të parët që shkoi atje për të banuar. Në Siffin qëndroi pranë Aliut (r.a.). Në luftën e Xhemelit nuk mori pjesë. Për këtë arsye, u qortua nga Aliu (r.a.).
Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), gjithmonë u shqetësua prej këtyre ngjarjeve të dhimbshme e të tmerrshme që ndodhën ndërmjet sahabëve. Deri në fund të jetës së tij nuk shpëtoi dot nga ndikimi i këtyre ngjarjeve. Dhimbjen dhe shqetësimin që ia shkaktonte në zemër kjo fitne e madhe e shprehu vazhdimisht deri në fund të jetës duke thënë: “Ah sikur të kisha vdekur njëzet vjet më parë dhe të mos i shikoja këto që po ndodhin!” Shpesh nuk i mbante dot lotët prej trishtimit qw i sillnin ngjarjet nw fjalw. (Ibn Ebi Shejbe, Musannef, VII, 546/37835.)
Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), pasi Aliu (r.a.), ra dëshmor, i dha besën birit të tij, Hz. Hasanit. Pasi ai ia la kalifatin Muavije ibn Ebi Sufjanit, nuk ia dha besën Muavijes dhe kreu detyrën e zëdhënësit të delegacionit që shkoi te Hasani (r.a.), që të hiqte dorë nga vendimi për ta lënë kalifatin.
Ai ka transmetuar rreth dhjetë hadithe. Njëri prej tyre përmendet në “Rijazu’s-Salihin”. Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), tregon: “Një ditë po qëndroja pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Dy vetë e ofenduan njëri-tjetrin. Njërit prej tyre iu skuq shumë fytyra prej zemërimit dhe iu frynë damarët e qafës. Pastaj menjëherë doli jashtë. Sapo i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, e pa këtë, tha:
“Unë di një fjalë që nëse ky njeri e thotë atë, do t’i kalojë zemërimi. Nëse ai thotë: Eudhu bi’l-lahi mine’sh-shejtani’rr-rraxhim / i kërkoj mbrojtje Allahut nga shejtani i mallkuar, do t’i largohet zemërimi.” Ata që gjendeshin aty, e njoftuan atë për këtë këshillë të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).” (Buhari, Bed’u’l-Halk 11, Edeb 44, 76; Muslim, Birr 109; Ebu Davud, Edeb 3.)
Në shpjegimin e këtij hadithi fisnik vihen në pah këto specifika: Një njeri që i është ngjitur gjaku në tru, që është skuqur shumë për shkak të zemërimit dhe që i janë fryrë damarët e qafës e damarët anësorë të kokës, këshillohet që të thotë “eudhu besmelenë”, në mënyrë që të qetësohet pa bërë ndonjë veprim të gabuar. Kjo këshillë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), e përforcon këshillën hyjnore që jepet në ajetin fisnik: “Nëse djalli fillon të të nxisë, kërko mbështetje te Allahu. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.” (Fussilet, 36)
Gjithashtu ka edhe një hadith tjetër që e transmeton Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), i cili i ndriçon shumë bukur ngjarjet e ditëve të sotme. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), dha një lajm që do ta gëzonte umetin, pasi ushtria politeiste u arratis në fund të luftës së Hendekut. Ai dha sihariqin se tashmë e kishin myslimanët përparësinë për ta sulmuar armikun. Ja, hadithi të cilin e ka transmetuar Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.):
Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), thotë: “Kur ushtria politeiste u shpërnda dhe po arratisej ditën e Hendekut, të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), e dëgjova duke thënë:
“Këtej e tutje do t’i sulmojmë ne mushrikët, jo ata ne!.. Radhën e kemi ne…” (Buhari, Megazi 29.)
Lufta e Hendekut tregohet kështu në Kuranin Fisnik. Allahu i Madhëruar ua dërgoi ndihmën e Tij atyre që besonin. Në ajetet fisnike thuhet: “O ju që keni besuar! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit; ndërsa Allahu i sheh të gjitha ato që bëni ju.” (Ahzab, 9) “Allahu i zmbrapsi jobesimtarët (e ushtrisë së aleatëve) me hidhërimin e tyre dhe ata dolën duarbosh. Ai i kurseu besimtarët nga lufta. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Ahzab, 25)
Kur politeistët ikën të poshtëruar, mbrapa lanë shumë kafshë, armatime lufte, ushqime dhe gjëra të tjera. Në sajë të këtyre, mori fund edhe gjendja e dobët në Medine. Pas kësaj mirësie hyjnore dhe fitoreje të madhe, i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, u tha sahabëve: “Tashmë radhën e keni ju! Këtej e tutje kurejshit nuk mund t’ju sulmojnë!” (Buhari, Megazi, 29)
Në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), u shpreh se tashmë nuk do të bënin vetëmbrojtje, porse mund të kalonin në sulm, sepse mushrikët ishin thyer edhe nga aspekti i krenarisë, edhe nga aspekti i fuqisë për të sulmuar. Tashmë në të gjitha zemrat e besimtarëve jehonin fjalët e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që shprehnin këtë të vërtetë: “Këtej e tutje do t’i sulmoni ju ata!”
Sulejman ibn Surad el-Huzai (r.a.), ra dëshmor në moshën 93- vjeçare, në vitin 65 hixhri, në luftën Ajnu’l-Verde nën komandën e Ubejdullah ibn Zijadit që u bë me forcat emevite.
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
Allahu na dhëntë të gjithëve prehje dhe paqe! Na e mundësoftë të gjithëve që të marrim mësim nga përpjekjet dhe heroizmi i Sulejman ibn Surad el-Huzait (r.a.)! Të gjithë neve na bashkoftë në Xhenet me të! Amin!
Marre nga: https://www.progresibotime.com/post.php?p_id=1106
Shto koment