Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Musab ibni Umejri (r.a.) – mesuesi dhe përfaqësuesi i parë i Pejgamberit a.s.

Medinasit si mysliman te rinj kishin nevojën e një mentori. Para se të largoheshin, vendosën që ta flisnin këtë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Sytë e bekuar të Tij u nisën të kërkonin dikë që mund të shkonte në drejtim të Medinës, për ta bërë atë një qytet të qytetëruar.
– Mus’abi, – tha Resulullahu.
Me sa dukej, mentori do të ishte një njeri, i cili dje kishte hequr dorë prej pasurisë së tij për t’u bërë mysliman, madje edhe duke u përzënë prej shtëpisë, për t’iu hequr e drejta nga çdo privilegj që kishte pasur gjer më atë çast. Ky ishte Mus’ab ibni Umejri (r.a.). Kur nëna e Mus’ab b. Umejrit kuptoi se djali i saj kishte pranuar Islamin, së pari e bëri të vuante nga uria, e pastaj e përzuri nga shtëpia, edhe pse ishin të pasur. Lëkura e tij, pas këtyre vuajtjeve, i ishte mbledhur sikurse ajo e gjarprit.

Në Medinë ndizet prushi Në fakt, ky ishte një largim i hidhur për Mus’abin. Do të rrinte larg të Dashurit të tij fisnik. Mirëpo detyra ishte më e lartësuar se çdo gjë tjetër, kështu që ai duhet të nisej menjëherë, pa bërë fjalë. Atje ku do të shkonte do të përfaqësonte Resulullahun (s.a.s.), duke u mësuar të atjeshmëve fenë e re, me të gjitha imtësitë e saj. Kjo ishte një detyrë më fisnike, e cila do ta bënte Medinën e parahixhretit një vend të qytetëruar. Ishte krejt i vetëm, por po shkonte me forcën që i jepte përfaqësimi i një kauze madhështore.

Es’ad ibni Zurare i hapi portat në Medinë. E mori në shtëpi, dhe të gjithë sa ishin përpiqeshin që t’ia përçonin të gjitha gjërat e bukura dhe të mira që kishte qyteti i tyre. Këtu falnin pesë kohët e namazit,
dhe çdo ditë ia lexonin ajetet nga një personi të ri, duke u përpjekur që ato të ktheheshin në pjesë të pandarë të jetës së tyre. Tashmë po ndizej një prush i ri në Medinë, e cila do të ishte edhe oxhaku i nxehtësisë së ardhshme.

Që të dy fillojnë me entuziazëm dhe vendosmëri të madhe të kumtojnë Islamin në Jethrib. Mus’abi ishte i njohur me ofiqin “Mësues”. Suksesin më të madh në thirrjen e vet e arrin, siç tregohet, me rastin e kësaj ndodhie: Një ditë Es’adi dhe Mus’abi nisen nga shtëpitë e beni abdul-eshhelëve, me qëllim që të vizitonin në fillim këtë fis pastaj edhe fisin tjetër Beni Zufer. Kur arrijnë në tokat e tyre, hyjnë në një oborr të beni zuferëve. Ulen pranë pusit të quajtur Merekk. Shumë shpejt rreth tyre tubohen burrat që e kishin pranuar Islamin dhe Sa’d b. Mu’adhi e Usejd b. Hudajri, dy kryeparët e fisit Beni Abdul-Eshhel, atëherë ende ishin mushrikë. Kur dëgjojnë se ç’flet Mus’abi, Sa’di i thotë Usejdit: “Shko e deboji këta dy që erdhën të lëndojnë fëmijët tanë, dhe ndaloji që të vijnë më në shtëpitë tona.
Es’ad b. Zerareti është djali i tezes sime. Sikur të mos ishte kështu vetë do t’i qëroja hesapet me ta.”
Usejdi merr shtizën e vet dhe niset nga ata. Kur e sheh Es’adi i thotë Mus’abit: “Ja, po vjen kryepari i familjes së tij, ktheje në Islam.” Mus’abi përgjigjet: “Nëse ulet, do të flas me të.” Usejdi u afrohet i mrrolur dhe i gatshëm t’i shante, ndalet dhe i pyet: “Përse keni ardhur te ne? A mos, vallë, të lëndoni fëmijët tanë? Na lini të qetë dhe shporruni që këtej, nëse ende mendoni për kokat tuaja!”
Mus’abi i drejtohet: “A nuk do të ulesh me ne të dëgjosh, e nëse të pëlqen pranoje, e nëse nuk të pëlqen, refuzoje atë që e ke mëri.”

Usejdi thotë: “Më binde.” Pastaj e ngul shtizën në tokë dhe ulet. Mus’abi i tregon për Islamin dhe i këndon një fragment nga Kur’ani. Mus’abi tregon: “Pasha Allahun, në fytyrë i shihej Islami edhe
para se të fliste. Ai më tha: “Sa i bukur dhe sa i mirë është ky ligjërim! Çka duhet bërë për të pranuar këtë fe?”
Mus’abi dhe Es’adi përgjigjen: “Pastrohu, pastroji rrobat dhe dëshmo me kelime shehadetin e vërtetë, pastaj fali dy rekate.” Ai thotë: “Atje pas meje është një njeri, nëse ai pranon, atëherë edhe i tërë populli i tij do të pranojë. Unë do t’jua dërgoj menjëherë.”

Pastaj Usejdi e merr shtizën e vet dhe shkon te Sa’d b. Mu’adhi i cili rrinte me shokët e vet. Sa’di thotë: “O njerëz, ju bëj be me Zotin se Usejdi po kthehet te ne i ndryshuar”, dhe e pyeti Sa’di: “Ç’bëre atje?” Ai përgjigjet: “Bisedova me ata dy dhe, për Zotin, nuk vërejta kurrgjë të keqe. Ua ndalova të qëndronin aty, e ata thanë: “Do të bëjmë ashtu si dëshiron ti.”
“U thashë”, – tregon Usejdi, – “se njerëzit e beni harithetëve janë nisur ta mbysin Es’ad bin Zeraretin, sepse e kishin kuptuar se ai është djali i tezes sate.” Sa’di ngrihet i hidhëruar, për shkak të asaj që dëgjoi, e merr shtizën e vet dhe niset nga Mus’abi dhe Es’adi. Kur i sheh të qetësuar, kupton se Usejdi kishte dashur që t’i dëgjonte ata, prandaj u drejtohet në mënyrë tallëse: “Për Zotin, o Ebu Emameh, sikur të mos ishim kushërinj aq të afërt, do të të qëlloja me këtë shtizë. Jeni duke na zënë frymën në shtëpinë tonë me atë që e kemi mëri.”
Es’adi që më parë i kishte thënë Mus’abit: “Do të të vijë prijësi i cili ka tërë popullin pas tij, po qe se e bind atë, atëherë i ke bindur që të gjithë.”
Mus’abi i thotë Sa’d b. Mu’adhit: “Ulu pak e më dëgjo! Po qe se të pëlqen, pranoje, e nëse jo, refuzo atë që ke mëri.” Ai thotë: “Dakord”, e ngul shtizën e vet në tokë dhe ulet. Mus’abi tregon për Islamin dhe i këndon një fragment nga Kur’ani.
“E kemi ditur, pasha Allahun, se do ta pranonte Islamin”, – tregojnë ata,- “sepse kjo i shihej në fytyrë para se të fillonte të fliste.”
Sa’di pyet: “Ç’bëri për t’u bërë musliman?” Mus’abi dhe Es’adi përgjigjen: “Pastrohu, pastroji rrobat tua, shqiptoje kelime shehadetin dhe fali dy rekate.” Dhe kështu bëri. Pastaj, Sa’di e merr shtizën dhe kthehet te populli i vet. Kur e panë, thanë: “Betohemi me Zotin, se është duke u kthyer me fytyrë të ndryshuar.”
Kur arriti para tyre, iu drejtua: “O popull Abdi Eshhel, çfarë mendoni për mua?” U përgjigjën: “Ti je prijësi ynë dhe je më i dijshmi.” Ai tha: “Ju ndaloj juve dhe grave tuaja të flisni me mua, përderisa nuk besoni Allahun dhe Pejgamberin e Tij. “Askush prej meshkujve të tij dhe grave nuk fjeti atë natë pa e pranuar Islamin, përveç njërit – El-Usajmirit. Ky e pranoi Islamin ditën e betejës në Uhud. Ka luftuar trimërisht dhe ka vdekur pa e bërë kurrë një sexhde para Allahut . Resulullahu ka thënë për të: “Për një mund të vogël ka fituar shpërblimin e madh.”
Mus’abi ka banuar në shtëpinë e Es’ad b. Zeraretit duke thirrur njerëzit në Islam, derisa nuk mbeti asnjë shtëpi ensarësh pa u bërë musliman, burra dhe gra, përveç shtëpive të Umejjeh b. Zejdit, Hatmetit dhe Vailit. Ata kishin poetin Kajs b. Uselitin të cilin e dëgjonin.
Ky ua ndalonte të pranonin Islamin, por ditën e Hendekut, në vitin pesë të hixhretit, edhe këta e pranonin Islamin.
Mus’ab b. Umejri kthehet në Mekë, pak para kohës së haxhit në vitin trembëdhjetë të pejgamberisë, dhe lajmëron Resulullahun për sukseset e arritura. E lajmëron për fiset e Jethribit, për pasurinë, fuqinë dhe begatitë e tyre. Burimi

Mus’abi kishte një përfaqësim aq të përsosur të Islamit që… Kush e shihte ngelej i mrekulluar. Sinqeriteti, thjeshtësia dhe morali i tij i mirë tërhoqi menjëherë vëmendjen e të gjithë medinasve!.. Çdo ditë vinte nga një person i ri, ndërsa ai i tregonte prej parimeve të fesë. Të gjithë fuqinë ia kishte dedikuar Medinës, duke e sjellë në një umet më vete.
Patjetër që kishte edhe vështirësi me ato që përballej. Mirëpo këto ishin gjëra që ai i kishte provuar edhe më herët. A nuk ishte i vetëm i Dërguari i Allahut (s.a.s.) që i përballonte i vetëm vështirësitë e Mekës? Sepse askush nuk donte që të dorëzohej. Vetëm se me një ndryshim. Ata që i vinin fillimisht me shpatë për t’i bërë keq, ktheheshin me zemra të mbushura me besim. Mus’abi sillej aq mirë me sahabët
që njiheshin në egërsim e sipër me besimin, saqë edhe njeriu më i ashpër nuk mund të vazhdonte gjatë në egërshaninë e tij, por dorëzohej ashtu butazi.
– O mik, dëgjomë njëherë mua! Pastaj po deshe pritma kokën. Të betohem për Zotin se nuk kam për të të kundërshtuar, – u thoshte
Mus’abi. Po, ishte tejet e vështirë që të mos shkrije ndjesish përballë një njeriu që e shihte me kaq lehtësi jetën, i cili kishte si synim të vetëm që njerëzit të njiheshin me të vërtetën. Kështu zgjerohej nga dita në ditë hallka e besimtarëve rreth Mus’abit të nderuar.
Medina ishte një qytet tejet i begatë. Nga dita në ditë frytet e punës shtoheshin edhe më shumë. Kumtimi i Mus’abit përhapej me shpejtësinë e dritës. Brenda një kohe të shkurtër, nuk kishte ngelur asnjë familje pa një mysliman brenda saj. Shkonte me radhë për t’i vizituar të gjithë në shtëpitë e tyre, që t’i përgatiste që secili syresh të ishte një ensar në të ardhmen. Një, dy, dhe sakaq Medina kishte marrë pamjen e një qyteti të qytetëruar. Drita tashmë kishte filluar të vezullonte edhe jashtë Medinës.
Shkonte edhe te fiset që gjendeshin në periferi të qytetit, në mënyrë që t’i ftonte edhe ata në të njëjtat bukuri. Sepse edhe i Dërguari i Allahut kështu vepronte, që ndërsa nga njëra anë mundohej t’i  shpjegonte Mekës, nga ana tjetër hapej në rrethinat përreth, duke mos i privuar prej njohjes me Islamin. Edhe Mus’abi i bekuar nuk duhet të vepronte ndryshe, prandaj edhe vepronte kësisoj.
Një ditë, Mus’abi vendosi t’i shkruante një letër Profetit tonë… Ishte bërë një kërkesë, kështu që duhet ta pyeste se si duhet të vepronte për t’iu përgjigjur. Në përgjigje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i këshillonte xhumanë, kështu që ata u mblodhën në shtëpinë e Sa’d ibni Hajthemes për të falur namazin e parë të xhumasë. Kjo ishte xhumaja e parë e falur në Medinë. Burimi

Mus’ab b. Umejri e ka mbrojtur Resulullahun me trimëri të madhe, veçanërisht kur Ibni Kum’eti u vërsul me shoqërinë e vet. Mus’abi e mbante flamurin musliman me dorën e djathtë, e kur ia prenë atë, e mbante me të majtën. Kur ia prenë edhe të majtën, e vuri në gjoks ku e mbante me mjekër gjersa ra i vrarë. E vrau Ibni Kum’eti duke menduar se ky ishte Resulullahu Mus’abi i përngjante shumë Pejgamberit as. Atëherë, Ibni Kum’eti tërë gëzim u thërret mushrikëve: “Muhammedi është vrarë!”. Resulullahu ia dorëzoi flamurin Ali b. Ebu Talibit, i cili vazhdoi luftën me tërë fuqinë e vet sikurse edhe as’habët e tjerë.

Pas luftes se Uhudit, Abdu-r-Rahman b. Avfi rrëfen: “Ishte vrarë një trim më i mirë se unë Mus’ab b. Umejri. E mbështollën me pelerinën e vet. Kur ia mbulonin kokën i zbuloheshin këmbët, e kur ia mbulonin këmbët i zbulohej koka.”

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...