Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Hamza ibn AbdulMuttalib r.a.- Luani i All-llahut
YouTube player

Xhaxhai i Resulullahut , Hamza, po ashtu ka pasur mëndeshë nga fisi Benu Sa’d b. Bekër, e një herë i ka dhënë gji edhe nëna e Resulullahut , kur ka qenë në vizitë te Halimja. Hamza ka qenë vëllai mëndorë i Resulullahut nga dy anët, prej Thuvejbes dhe Halimes.

Hamza r.a. pranon Islamin Në ato kohë aq të vështira, gjersa retë e errësirës shpërndanin shpirtligësinë e vet në të gjitha anët, ndriti një rreze drite e cila i gëzoi pa masë të rrezikuarit dhe ua ndriçoi rrugën. Ky ishte kalimi i Hamzës në Islam, Hamza i biri i Abdul-Muttalibit. Ky u bë musliman nga fundi i vitit gjashtë të pejgamberisë.Shumica e historianëve mendojnë se kjo ka ndodhur në muajin dhul-hixhxhe. Gjithsesi ka ekzistuar një shkas për këtë ngjarje të ndritshme. Një herë Ebu Xhehli, duke kaluar pranë Resulullahut në Safa, e sulmon atë me fjalë të rënda. Resulullahu nuk përgjigjet, e ai e godet me gur në kokë, saqë i rrodhi gjak. Pastaj Ebu Xhehli kthehet dhe shkon në ndejë me kurejshët e tjerë para Ka’bes, dhe ulet mes
tyre.
Në Safa qëndronte robëresha e Abdullah b. Xhedanit dhe pa se çka ndodhi. Pas pak atypari kalon Hamza, i cili po kthehej prej gjuetisë, duke mbartur harkun e vet. Ajo i tregon se ç’kishte bërë Ebu Xhehli. Hamza hidhërohet shumë – e ishte njeriu më i famshëm dhe më i guximshëm i kurejshëve – dhe niset nga Ka’bja me vrap.
Askund nuk u ndal derisa arriti para Ebu Xhehlit, aty, në mesxhidin e Ka’bes, qëndroi mbi kokën e tij dhe thërriti: “O njeri i pagdhendur, ti je duke ofenduar dhe duke sulmuar nipin tim, e unë i takoj së njëjtës fe sikurse edhe ai!” Pastaj e goditi me hark në fytyrë aq fort, saqë i bëri një shenjë. Njerëzit nga familja e Benu Mahzumit qëndruan në anën e Ebu Xhehlit, kurse ata të Benu Hashimit, në anën e Hamzës. Ebu Xhehli tha: “Lëreni Ebu Amarin -Hamzën, unë e kam sulmuar keq nipin e tij.” Islami i Hamzës, në momentin e parë, ishte nga inati. Ka qenë njeri që nuk mund ta duronte më padrejtësinë, prandaj edhe reagoi aq ashpër. Por Allahu menjëherë ia ndriçoi shpirtin dhe mendjen, e ai fuqishëm e përqafoi fenë, kurse muslimanët fituan një shok me të cilin mburreshin shumë.

Ne luften e Uhudit, shehitlleku nga Vahshiu

Hamza b. Abdul-Muttalibi luftonte me fuqinë e luanit të pezmatuar. Depërtoi në zemër të ushtrisë mushrike, duke zgjedhur heronjtë e tyre sikurse dardhat e ndulkëta dhe i zhdukte nga skena, siç bart furtuna një copë letër. Hamza ka qenë “luani i Allahut.” Në fillim luftoi kundër flamurtarëve të mushrikëve, ndërsa në vazhdim kundër heronjve të tyre. Në fund të luftës u vra, duke mbrojtur Islamin dhe duke rrënuar errësirën. E mbytën mizorisht prapa shpine, e jo si trima duke e shikuar në fytyrë.
Pësimi i Hamza b. Abdul-Muttalibit – luanit të Allahut Dorasi i Hamzës, Vahsh b. Harbi rrëfen: “Isha shërbëtor i Xhubejr b. Mut’amit, xhaxhai i të cilit, Tuajmi, ishte vrarë në betejën e Bedrit. Kur kurejshët u nisën për në Uhud, Xhubejri më tha: “Nëse e mbyt Hamzën, xhaxhain e Muhammedit, dhe nëse hakmerresh për xhaxhain tim Tuajmin, do ta fitosh lirinë.”
Vahshi vazhdon: “Bashkë me të tjerët u nisa për në Uhud. Me origjinë jam abisinas, prej atyre abisinasve të cilët manovrojnë mirë me shtiza dhe rrallëherë ndodh që nuk e qëllojnë shenjën. Kur arritëm në fushëbetejë, fillova të sodisja Hamzën, nga sillej dhe si manovronte.
Kur Hamza arriti në qendër të fushëbetejës dhe i priste të gjithë përreth vetes, dukej si dromedar (deve mashkull për mbarsje) i tërbuar, i cili nuk trembej prej askujt. Duke e parë fillova ta merrja në shenjë. Dëshiroja që ta kryeja sa më parë këtë. Fshihesha prapa drurëve dhe gurëve. Siba b. Abdul Uzzai u nis në drejtim të tij. Kur e pa Hamza, i tha: “Eja këtu (i biri i gruas e cila i bën synet fëmijët).” Pastaj e goditi aq fort, saqë dukej sikur kokën nuk e kishte pasur në vendin e duhur. Të gjithë këtë e pashë ndërsa e merrja në shenjë me shtizën time. Kur vendosa të gjuaja, e hodha. Ajo iu ngul në kokë, apo në stomak, e i doli ndërmjet këmbëve të tij, Ai u nis kah unë që të hakmerrej, por ishte i qëlluar rëndë. E lashë me shtizë gjersa vdiq. Pastaj iu afrova, e nxora shtizën nga trupi i tij, vajta në kamp dhe u ula. Asgjë personalisht nuk kam pasur kundër Hamzës, nuk kam pasur arsye ta mbysja, por me këtë bleva lirinë time. Kur u ktheva në Mekë, qesh i liruar.”

Skena e varrimit

Ibni Mes’udi rrëfen: “Kurrë deri atëherë nuk e kemi parë Resulullahun të qante aq shumë, sikurse për Hamza b. AbdulMuttalibin. Resulullahu e ktheu nga Kibla dhe ia fali xhenazen. Qante me dënesë gjersa lotët i rridhnin curril. Skena e varrimit të shehidëve ishte tejet e rëndë. Prej dhimbjes dhe pikëllimit njeriut i shkundulloheshin mushkëritë. Hababi rrëfen: “Hamzën nuk kishim me çka ta mbështillnim, përveç pelerinës së tij të përhimtë. Kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e kur ia mbulonim këmbët, i zbulohej koka. Më në fund kokën ia mbuluam me pelerinë, kurse këmbët me gjeshtër (lloj bime). Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events