Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Akil ibn Ebi Talibi (r.a.)

Emri i plotë: Akil ibn Ebi Talib ibn AbdulMuttalib b. Hashim b. ‘Abd Manaf b. Qusayy b. Kilab b. Murrah
Prindërit:
Abu Talib ibn ‘Abd al-Muttalib / Fatime bint Esed
Data/Vendi i Lindjes:
33 BH/590 CE (Makke)
Vendi i ndërrimit jetë:
~60 AH/680 CE (Medine)
Vendbanimet:
Makke/Medine/Kufe
Vëllezërit/motrat:
Talib, Xhafer, Ali, Umm Hani, Xhumane
Bashkëshorti/ja:
Umm Said, Umm Ueled, Fatime bint Shejbe bin Rabi’a, Fatime bint ‘Utba b. Rabi’a
Fëmijët:
Jezid, Said, Muslim, Xhafer, Issa, El-Hasan, Xhafer, Usman, Hamza, Ali, Muhammad bin ‘Aqil bin Abi Talib, Ramlah

Akil ibn Ebi Talibi (r.a.), ishte një sahab i nderuar, që mori lavdërimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.): “Unë të dua ty për dy arsye.”

Ai ishte djali i dytë i madh i xhaxhait të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Ebu Talibit.

Ai ishte vëllai i Aliut (r.a.), njëzet vjet më i madh. Kur kishte mosmarrëveshje ndërmjet fisit të kurejshëve, shkonin dhe e merrnin për të gjykuar. Ishte njëri prej katër vetave që respektoheshin më së shumti.

Ai ka lindur në Mekë në vitin 580 e.s. Në ditët kur drita e Islamit ndriçoi botën, si një i ri ndjeu afërsi ndaj Islamit, por nuk e pranoi dot menjëherë. Çdo gjë ngeli vetëm në shkallën e dashurisë. Gjithashtu, nuk shfaqi ndonjë veprim që e mohonte Islamin. Ai hezitoi nga gjendja sociale e shoqërisë dhe torturat që politeistët mekas u bënin myslimanëve. Për këtë arsye, nuk e shprehu dot mendimin e tij. Për shkak të kësaj, nderimit të tij me Islam iu desh një kohë e gjatë.

Për sa i përket vitit se kur është bërë mysliman, ka transmetime të ndryshme. Sipas disave prej tyre, Islamin e ka pranuar para Marrëveshjes së Hudejbijes. Por sipas disa të tjerëve ai ka pranuar Islamin menjëherë pas kësaj marrëveshjeje. Por të dhëna të tjera na tregojnë se ai mund ta ketë pranuar Islamin para çlirimit të Mekës në vitin 630 e.s.

Pasi Akil ibn Ebi Talibi (r.a.), u bë mysliman, nuk qëndroi më në Mekë, menjëherë emigroi në Medinë. Këtej e tutje, jetën e tij e kaloi pranë të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të. Ai asnjëherë nuk u largua nga Pejgamberi ynë i nderuar në Mesxhidu’n-Nebevi. Fali namaz bashkë me të dhe dëgjoi ligjëratat e tij.

Ai kishte një dije të gjerë për prejardhjet dhe për historinë. Me këtë cilësi kreu detyra të rëndësishme ndërmjet njerëzve të fisit Kurejsh në kohën e Xhahilijetit. Ai u respektua si njëri prej katër vetave që i merrnin për të gjykuar kur kurejshit kishin mosmarrëveshje ndërmjet tyre. (Isabe, IV, 438-439.)

Ngaqë ngeli nën presionin e mushrikëve të Mekës, ai luftoi përkrah tyre në Luftën e Bedrit. Këtë gjë ai e bëri pa dëshirë, duke qenë i detyruar. Më së fundi, në këtë luftë ai ra rob në duar të myslimanëve. Nuk ishte në gjendje të paguante shpagim për t’u liruar. Kështu, shpagimin për lirimin e tij e bëri xhaxhai i vet, Abbas ibn Abdulmuttalibi. Pasi u paguan 4000 dërhem, ai shpëtoi nga robëria, pra u la i lirë.

Akil ibn Ebi Talibi, radijall-llahu anh, para se të bëhej mysliman, ishte i varfër. Pasi bëri hixhret, u varfërua edhe më shumë. Kur pa këtë gjendje të tij, i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve selem, pas luftës së Hajberit, i lidhi atij një pagë vjetore. Ai nuk kishte të ardhura të tjera, kalonte vetëm me këtë pagë.

Akil ibn Ebi Talibi (r.a.), e donte shumë Pejgamberin (s.a.s.). Sa herë i jepej mundësia, mundohej t’ia shprehte të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), lidhjen dhe dashurinë që kishte për të. Edhe Pejgamberi, Dielli i dy botëve e donte shumë. Një ditë e lavdëroi kështu:

“-O Akil! Unë të dua për dy arsye. E para ngaqë të kam të afërt, e dyta ngaqë e di se xhaxhai im të donte shumë.” (Dhehebi, Sijeru alami’n-nubela, I, 218-219; Ibn Sa’d, IV, 42-44.)

Akil ibn Ebi Talibi (r.a.), tregonte shumë kujdes dhe ishte shumë i rregullt në çështjen e praktikimit të Sunetit  të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ai i këshillonte njerëzit përreth që të qëndronin larg zakoneve të injorancës dhe atyre që bënin bidate duke u kujtuar hadithin fisnik: “Mos rrini me ata që bëjnë bidate! Mos hani e mos pini me ta!”

Ndërsa në një tjetër hadith fisnik të transmetuar po nga ai, ka bërë të ditur se i Dërguari i Allahut (s.a.s.), është lutur kështu për çiftet e martuara. Kështu, sipas transmetimit të Hasan Ibn Hasenit, kur Beni Xhushem u martua me një grua, e uruan duke i thënë “Me jetë dhe fëmijë të mbarë!” Kurse Akil ibn Ebi Talibi i kishte këshilluar që të bënin lutjen që bënte i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam dhe kishte thënë: “Allahu ju bekoftë ju dhe martesën tuaj dhe ju dhëntë bereqet!” (Nesai, Nikah, 73.)

Akil ibn Ebi Talibi, radijall-llahu anh, dhe familja e tij ishin nga Ehli Bejti. Këtë e mësojmë nga ky transmetim i Zejd ibn Erkamit (r.a.).

Jezid ibn Hajjani (r.a.), tha kështu:

“-Një ditë bashkë me Husejn ibn Sebrenë dhe Amr ibn Muslimin shkuam në shtëpinë e Zejd ibn Erkamit. Pasi u ulëm pranë tij, fjalën e mori Husejn ibn Sebre, i cili tha:

“-O Zejd! Ti ke pasur fatin të kesh shumë mirësi. Ke parë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), i ke dëgjuar fjalën, ke marrë pjesë në luftëra përkrah tij dhe ke falë namaz pas Tij. Të them të drejtën ke arritur një lumturi të madhe. Na trego edhe ne nga ato që ke dëgjuar prej Pejgamberit, alejhi’s-selam!” Nisur nga kjo kërkesë që i bëri, Zejdi tha:

“-Nipi im! Për Zotin jam plakur shumë. Ka kaluar shumë kohë. Një pjesë nga ato që kam dëgjuar e kam mësuar prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i kam harruar. Prandaj ngulitini mirë në mendje këto që do t’ju them. Ndërsa për ato që nuk do t’ju tregoj, mos këmbëngulni!” Pastaj vazhdoi:

“-Një ditë i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, u ngrit në këmbë në krye të burimit Hum që ndodhej ndërmjet Mekës e Medinës dhe na mbajti një fjalim. Pasi falënderoi Allahun Teala, na këshilloi e na tha:

“-O njerëz! Edhe unë jam një njeri. Së afërmi lajmëtari i Zotit do të më vijë edhe mua dhe unë do ta pranoj ftesën e tij e do të iki nga kjo botë. Juve po ju lë dy gjëra. Njëri është Kurani, libri i Allahut që është udhëzuesi dhe drita që e drejton njeriun në rrugë të drejtë. Kapuni fort pas tij! Po ju lë gjithashtu edhe Ehli Bejtin tim (familjen time). Kijeni frikë Allahun dhe silluni me respekt ndaj Ehli Bejtit! Kijeni frikë Allahun dhe silluni me respekt ndaj Ehli Bejtit!”

Husejn ibn Sebre (r.a.), pyeti: “O Zejd! Kush është Ehli Bejti i të Dërguarit të Allahut? A nuk konsiderohen bashkëshortet e tij prej Ehli Bejtit?”

Zejdi (r.a.), tha: “Edhe gratë e tij janë prej Ehli Bejtit. Por Ehli Bejti i vërtetë i tij janë ata që e kanë haram të marrin sadaka pas tij.”

Husejni (r.a.), tha: “O Zejd! Kush janë ata që e kanë të ndaluar të marrin lëmoshë?”

Zejdi u përgjigj: “Janë: familja e Aliut, familja e Akilit, familja e Xhaferit dhe familja e Abbasit.”

Husejni pyeti përsëri: “Të gjithë këta e kanë haram të marrin lëmoshë?”

Zejd ibn Erkami (r.a.), iu përgjigj: “Po!” (Muslim, Fedhailu’s-sahabe, 36.)

Akil ibn Ebi Talibi, radijall-llahu anh, e transmeton kështu një kujtim në të cilin tregon se i Dërguari i Allahut (s.a.s.), nuk hoqi dorë nga predikimi i fesë edhe në kushtet më të vështira:

“Një ditë, një grup nga kurejshët erdhën te babai im, Ebu Talibi dhe iu ankuan duke i thënë:     “Ky djali i vëllait tënd na shqetëson në kuvendet tona! Ndaloje atë prej këtij veprimi!”

Babai më thirri mua dhe më tha: “O Akil, shko dhe më sill Muhamedin!”

Unë shkova menjëherë. E gjeta atë në një shtëpi të vogël prej shtëpive të familjes së Ebu Talibit. I thashë se e thërriste babai. Të dy së bashku dolëm në kohën më të nxehtë të drekës. Për shkak të nxehtësisë përvëluese të rërës, ai kërkonte hije dhe mundohej të ecte nga hija. Ndonëse me vështirësi, arriti te shtëpia e Ebu Talibit. Babai e pa atë me mëshirë e dashuri dhe i tha:

“Këta kushërinjtë thonë se i ke shqetësuar në kuvendet e tyre. Tashmë mos i shqetëso ata!”

Pas këtyre fjalëve i Dërguari i Allahut (a.s.), drejtoi fytyrën nga qielli, nguliti sytë drejt tij dhe i pyeti kurejshët që ndodheshin pranë xhaxhait të tij:

“A e shikoni këtë diell?”

“Po”, thanë ata.

I Dërguari i Allahut (a.s.), tha gjithë seriozitet:

“Ashtu siç ju nuk keni fuqinë të merrni nga ky diell edhe një gacë zjarr, as unë nuk kam fuqinë të heq dorë nga ky predikim.”

Kështu ai u tregoi atyre mjaft qartë dhe me shprehje të spikatura se nuk do të hiqte kurrë dorë nga kauza e predikimit të Islamit. Kur pa këtë vendosmëri të nipit të tij, Ebu Talibi u tha kurejshëve:

“Për Zotin! Djali i vëllait tim nuk na ka gënjyer asnjëherë deri më sot. Prandaj, ngrihuni dhe largohuni!” Ai i përcolli ata duke u thënë që të mos i përziheshin më në punët e nipit të tij. (Ibn Is’hak, 136; Hakim, III, 668/6467; Hejsemi, VI, 15.)

Me informacionin e thellë që kishte për traditat e zakonet, historitë dhe legjendat e kohës së xhahilijetit (injorancës), Akil ibn Ebi Talibi (r.a.), respektohej shumë ndërmjet fiseve fqinje. Pasi u bë mysliman, ngaqë i njihte mirë zakonet që i përkisnin kohës së xhahilijetit, e dinte mjaft mirë se ngase duhej të hiqte dorë.

Ai u nderua me jetë të gjatë dhe përgjigje të çastit. Jetoi më shumë se njëqind vjet. Duke mbajtur anën e Hazreti Husejnit (r.a.), në mosmarrëveshjen që ai pati me Jezidin, bëri një veprim mjaft të rëndësishëm.

Ishte vet i treti vëlla prej një nëne, dhjetë vjet më i madh se Xhafer et-Tajjari (r.a.) dhe njëzet vjet më i madh se Hazreti Aliu (r.a.). Atij i thoshin edhe Ebu Jezid. (Istiab, III, 1078-1079; Isabe, IV, 438-439.)

Akil ibn Ebi Talibi (r.a.), bashkë me vëllain e tij, Xhaferin morën pjesë në luftën Mu’tes. Gjatë kthimit e kapi një sëmundje që i zgjati shumë. Për shkak të kësaj sëmundjeje nuk mundi të merrte pjesë në luftërat e mëvonshme. Dihet se ka marrë pjesë vetëm në Luftën e Hunejnit. Madje transmetohet se në këtë luftë shfaqi heroizma të mëdha dhe se, në një çast kur të gjithë u shpërndanë, ai nuk u nda për asnjë moment nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të.

Akil ibn Ebi Talibi (r.a.), ishte i famshëm në fushën e letërsisë dhe në çështjen e përgjigjeve të rrufeshme. Ai ndërroi jetë në vitin 680 e.s. në periudhën e Muavijes (r.a.), apo në ditët e para të udhëheqjes së Jezidit. (Isabe, IV, 438-439.)

Allahu qoftë i kënaqur prej tij dhe na bashkoftë me të në Xhenetin e përhershëm!

Amin!

Marre nga: https://www.progresibotime.com/post.php?p_id=961

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events