Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Shamun bin Zejd bin Hunafa r.a. (Ebu Rejhane) – Sahabet shqip

Prindërit:
Data/Vendi i Lindjes:  Mekke
Vendi i ndërrimit jetë: Medine
Vendbanimet: Medine, Damask, Egjipt, Palestine
Vëllezërit/motrat:
Bashkëshorti/ja:
Fëmijët:

Zemra e Ebu Rejhanes (r.a.), ishte e mbushur plot me dëshirën për perpjekje ne rruge te Allahut. Gjithashtu, ai ishte edhe një sahab i dashuruar me dijen! Kështu hyri në grupin e sahabëve të Sufes dhe mori dituri, urtësi dhe udhëzim prej Resulullahut (a.s.). Ishte shumë i përkushtuar ndaj adhurimit dhe njihej për devotshmërinë dhe besimin e tij të sinqertë.

Vinte prej fisit Ezd. Emri i tij i vërtetë ishte, Them’un Ibni Jezid el-Ezdi. Më vonë u bë i njohur me emrin Ebu Rejhane (babai i Rejhanës), për shkak se kishte një vajzë me këtë emër.

Në lidhje me çështjen se ku dhe si u bë mysliman Ebu Rejhane (r.a.), ka transmetime të ndryshme. Megjithatë, transmetohet se ai u nderua me Islam në qytetin e Medinës. Kur u ndërtua Mesxhidi i Profetit (a.s.), ai qëndroi në pjesën e quajtur Sufe dhe nuk u nda asnjëherë prej Resulullahut (a.s.). Prej tij mësoi dituri e urtësi dhe së bashku morën pjesë në shumë beteja. Në librat e hadithit, gjenden pesë hadithe të transmetuara prej tij.

Ebu Rejhane (r.a.), e kishte shumë pasion leximin e Kuranit. Edhe pse me vështirësi, ai mundohej të lexonte. Mirëpo, për shkak të një problemi në të folur, nuk mund të lexonte ashtu siç i dëshironte zemra. Kjo gjendje ia brente shumë shpirtin. Një ditë, shkoi tek Resulullahu (a.s.) dhe ia shfaqi problemin e vet me këto fjalë:

“O Resulullah! Kam shumë dëshirë ta lexoj Kuranin, por e kam të vështirë”- tha ai. Resulullahu (a.s.), i tha: “O Ebu Rejhane! Mos e detyro veten tënde me gjëra për të cilat nuk ke fuqi! Ti vazhdo të bësh sexhde!” (Isabe, III, 289-290.)

Ebu Rejhane (r.a.), ishte një trim, i cili në fushat e betejave luftonte si luan, ndërsa në kohë paqeje merrej gjithmonë me adhurim, dhikër, mësim diturie dhe meditim. Netëve falte namaz për një kohë të gjatë. Kur ishte në kijam lexonte sure të gjata dhe sa mbaronte një sure, kalonte te tjetra. Në këtë mënyrë i mbante gjallë netët e tij.

Ibën Mubarek, në librin e tij “Zuhd”, shprehet kështu në lidhje me mënyrën e të jetesës së Ebu Rejhanes (r.a.):

“Një mbrëmje, erdhi në shtëpinë e tij pasi ishte kthyer nga një betejë. Pasi hëngri bukë, mori abdest dhe filloi të falte namaz në një qoshe të shtëpisë. Namazin e falte me sure të gjata. Pasi mbaronte një sure, kalonte tek tjetra. Në këtë mënyrë, i përqendruar dhe me shpirt të qetë, fali namaz deri në mëngjes. Kur u thirr ezani i sabahut, fali namazin dhe shkoi pranë gruas së tij.

Gruaja, e habitur jashtë mase me gjendjen e tij, e mërzitur, i tha: “O Ebu Rejhane! Ti sapo erdhe nga lufta. Edhe lufta, edhe lodhja e rrugës, edhe ndarja!.. Po të drejtat e mia!? A nuk kam unë vlerë për ty?”

Ebu Rejhane (r.a.), me shumë sinqeritet dhe me zemër të pastër, i tha: “Patjetër që ke të drejtat e tua dhe për mua ke vlerë të madhe. Mirëpo të betohem, se nuk më erdhe fare në mendje. Po të më kishe ardhur në mendje, nuk të kisha lënë kurrë pas dore”.

Gruaja e tij u habit edhe më shumë prej përgjigjes së tij dhe e pyeti të shoqin: “O Ebu Rejhane! Ç’është ajo gjë që ta mori mendjen kaq fort?”

Ebu Rejhane, përsëri me mendim dhe ndjenja të pastra iu përgjigj me fjalë që i buronin prej zemrës: “Në ajetet që lexova gjatë namazit, përshkruhej xheneti. Mirësitë e tij, bukuritë dhe hijeshitë më morën dhe më shpunë në xhenet. Kjo gjendje kënaqësie vazhdoi deri sa dëgjova ezanin e sabahut”. (Isabe, III, 289-290.)

Ebu Rejhane (r.a.), së bashku me Resulullahun (a.s.), mori pjesë në shumë beteja. Ai na i tregon kështu ato që i kishin ndodhur në njërën prej tyre:

“Bënte një i ftohtë shumë i madh. Për t’u mbrojtur nga të ftohtit, hapëm gropa dhe u futëm brenda tyre. Askush nuk mbeti jashtë. Kur Resulullahu (a.s.), kur e pa këtë gjendje, tha:

“Kush do bëjë roje sonte? Unë do t’i lutem Allahut që ta begatojë atë me cilësi të larta”. Dikush prej Ensarëve u hodh dhe tha: “Unë, o Resulullah!”. Resulullahu (a.s.), i tha: “Afrohu!” dhe e pyeti: “Kush je ti?” Pas kësaj bëri shumë dua për të.

Kur i dëgjova duatë që bëri Resulullahu (a.s.), dola nga gropa ku isha strukur dhe thirra:

“O Resulullah! Edhe unë do të bëj roje.” Resulullahu më tha: “Po ti kush je?” “Jam Ebu Rejhane!”- i thashë. Pastaj Resulullahu (a.s.), bëri dua për mua, edhe pse jo aq sa ç’bëri për Ensarin. Pas kësaj, Resulullahu (a.s.), tha: “Xhehenemi nuk mund ta djegë syrin që bën roje në rrugë të Allahut. (Nesai, Xhihad 10; Musned, IV, 134.)

Në një transmetim tjetër, Ebu Rejhane (r.a.), dëshmon se e ka dëgjuar Resulullahun (a.s.), duke thënë:

“Zjarri i xhehnemit është haram për syrin që rri pa gjumë në rrugë të Allahut. Zjarri i xhehnemit është haram për syrin, i cili loton nga frika e Allahut. Zjarri i xhehnemit është haram për syrin, i cili u kthen shpinën harameve dhe nuk i sheh ato.” (Nesai, Xhihad 10; Musned, IV, 134.)

Në një tjetër prej haditheve që ka transmetuar Ebu Rejhane (r.a.), thuhet:

“Ai që qan prej ndjenjës së përgjegjësisë që ka para Allahut (prej frikës së Allahut), nuk do të hyjë në xhehnem, ashtu si qumështi i mjelë nuk kthehet përsëri në gji. Pluhuri që bie mbi atë i cili punon e përpiqet për të forcuar fenë e Allahut në tokë, nuk do të bashkohet kurrë me tymin e xhehnemit.” (Nesai, Xhihad: 9.; Ibën Maxhe: Xhihad: 64.)

Ebu Rejhane (r.a.), e kishte mbushur zemrën e tij me dije, adhurim dhe përpjekje të jashtëzakonshme. Në kohën e Omerit (r.a.), mori pjesë në çlirimin e Damaskut dhe për një farë kohe qëndroi aty. Më vonë, shkoi dhe u vendos në Bejtu’l Mukades (Kudus).

Për sa kohë qëndroi në Kudus, vazhdimisht mbante ligjërata për popullin. Gjatë gjithë jetës, jetoi me devotshmëri të lartë. Ai nuk e braktisi kurrë xhihadin, thirrjen nw fe dhe udhëzimin për në rrugën e drejtë. Mori pjesë në çlirimin e Egjiptit dhe në luftërat që u zhvilluan në zonat kufitare, si Mejafarikini dhe Askalani. Njëherë, iu kujtua se nuk i kishte paguar paratë e kapistrës që kishte blerë në Mejafarikin. U kthye përsëri në atë qytet, që ishte 12 milje larg kalasë së Ristinit dhe pagoi borxhin që i kishte tregtarit. (Isabe, III, 291.)

I pëlqente të vishej pastër, bukur dhe me rroba të reja. Një ditë, dëgjoi se Resulullahu (a.s.), kishte thënë: “Kush ecën duke e tërhequr rrobën zvarrë, Allahu nuk do t’ia shohë fytyrën atij”.

Ebu Rejhanen (r.a.), nuk e mbajti vendi dhe e pyeti Resulullahun: “O Resulullah! Vallahi unë kam dëshirë të vishem bukur. A është kjo shenjë mendjemadhësie?” Resulullahu (a.s.), iu përgjigj:

“Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Ai dëshiron ta shohë mirësinë e Tij tek robi i Tij. Mendjemadhësi është nënvleftësimi dhe kthimi i shpinës ndaj së vërtetës. Gjithashtu, t’i tallësh njerëzit për ato që bëjnë, duke bërë shenja me sy e me vetulla.” (Ebu Daud, Libas 14; Tirmidhi, Edeb 45.)

Ebu Rejhane (r.a.), pjesën e fundit të jetës e kaloi në Kudus, ku edhe ndërroi jetë. Allahu qoftë i kënaqur prej tij dhe na e bëftë të mundur të përfitojmë prej jetës dhe moralit të tij të lartë.

Amin!..

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events