Home » Sahabet » Shifa binti Abdullah (r.a.) – Zonjat sahabe shqip

Prindërit: Abdullah b. Abd Shems b. Halaf / Fatime bint Uehb el Muhzumi
Data/Vendi i Lindjes:  Mekke
Vendi i ndërrimit jetë: Medine
Vendbanimet: Medine / Mekke
Vëllezërit/motrat:
Bashkëshorti/ja: Ebu Hathama bin Hudhejfe
Fëmijët: Sulejman bin Ebu Hathama bin Hudhejfe

Shifa binti Abdullah, radijallahu anha, ishte një zonjë sahabe, e cila u nderua me Islamin në Mekë, para hixhretit… Asaj i pëlqente t’u shërbente njerëzve edhe në periudhën e injorancës, ishte e mençur, e zgjuar dhe virtuoze… Ishte një zonjë që mjekonte disa sëmundje duke bërë dua, ajo vazhdimisht ishte burim shërimi…E quanin edhe Lejla.

Ajo ishte nga Meka dhe u përkiste adijve prej fisit Kurejsh. Babai i saj ishte Abdullah ibn Abdu’sh-Shems, ndërsa nëna ishte Fatima binti Vehb bin Amr. Që në vitet e para të Islamit, i dha besën të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem, dhe u nderua me Islam.

Ajo u martua me Ebu Hajseme ibn Hudhejfen. Nga kjo martesë i lindën dy djem, që quheshin Sulejman dhe Merzuk. Asaj ia vendosën nofkën “Ummu Sulejman-Nëna e Sulejmanit”,  sepse djali i parë e kishte emrin Sulejman.

Edhe kur shumë pak njerëz, mes arabëve, dinin shkrim e këndim, ajo arrinte të shkruante në arabisht. E donte shumë edhe shërbimin fetar. Ishte një grua që kishte intuitë të mprehtë.

Kur i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, shkoi për vizitë te shtëpia e saj, ajo i përgatiti një minder dhe një shtrat të veçantë, në mënyrë që Pejgamberi (a.s.), të ulej e të pushonte. Ai (s.a.s.), e vizitonte shpesh zonjën në fjalë.

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, pas namazit të drekës shkonte te shtëpia e Shifasë, radijallahu anha, për gjumin e drekës. Edhe ajo (r.a.), sa herë që e vizitonte, i shtronte këtë minder dhe dyshekun që kishte. Në këtë mënyrë, përpiqej të shfaqte dashurinë që kishte në zemër, ndaj të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem. Këtë kujtim të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), e ruajti përgjatë gjithë jetës së saj. Pasi ajo ndërroi jetë, ato u ngelën fëmijëve të saj. Më vonë, këto gjëra të çmueshme me vlerë shpirtërore, i kaluan prijësit Emevi, Mervanit.

Shifaja, radijallahu anha, ishte një zonjë fatlume, që vazhdimisht bënte dua. Në kohën e xhahilijetit, lexonte për shërimin e disa lloj puçrrave të një sëmundjeje lëkure ngjitëse që jepnin temperaturë. Dhe Allahu Teala i shëronte. Shtëpia e saj ishte bërë si spital për ata që prekeshin nga kjo sëmundje. Pasi u bë myslimane, shkoi te i Dërguari i Allahut për t’i marrë leje për këtë lloj mjekimi. Hz. Hafsa (r.a.), ishte pranë saj. Këtë gjë që ia copëtonte zemrën, ia tregoi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Hz. Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, e lejoi ta vazhdonte këtë shërbim dhe i tha:

“Mësoja këtë lutje edhe Hafsës, siç e ke mësuar të shkruajë!”

Pasi i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, i dha leje, ajo e vazhdoi këtë shërbim me zemër të qetë. Të dhënat në lidhje me këtë lloj mjekimi, ia mësoi edhe nënës sonë Hz. Hafsas (r.a.).

Shifaja, radijallahu anha, ishte një zonjë e sjellshme, e ndjeshme dhe e devotshme. Një ngjarje që i ndodhi, e tregon kështu: “Një ditë shkova te i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, për ta pyetur për diçka. Ngaqë ishte koha e namazit, më kërkoi ndjesë dhe filloi namazin. Unë dola dhe shkova te shtëpia e vajzës sime, e cila ishte e martuar me Surah b. Hasene.

Suraha ishte në shtëpi, edhe pse ishte koha e namazit. Unë e pyeta atë: “Namazi ka filluar, ndërsa ti akoma je në shtëpi?” I thashë edhe gjëra të tjera.

Ndërsa Suraha më tha:

“Mos më qorto o teze, sepse unë kisha vetëm një rrobë. Sot i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, erdhi te ne dhe na kërkoi një rrobë. Menjëherë ia dhamë. Unë nuk dola jashtë, ngaqë nuk kisha rrobë tjetër.” I kërkova ndjesë, duke i thënë: “Nëna dhe babai im të qofshin falë! Unë nuk arrita ta kuptoja këtë.”

Shifaja, radijallahu anha, ishte një zonjë që të gjithë përfitonin nga mendimet e saj; e ditur, e sjellshme dhe e respektueshme. Hz. Umeri (r.a.), preferonte të zgjidhte atë për të marrë prej saj këshilla dhe mendime. E dinte se ajo ishte e zgjuar dhe e virtytshme. Përfitonte prej mendimeve të saj dhe ngelte shumë i kënaqur.

Një ditë, Shifaja, radijallahu anha, pa disa njerëz që shtireshin në sjelljet e tyre, që flisnin ngadalë dhe që ecnin rëndë-rëndë. Ajo pyeti:

“Kush janë këta?” Iu përgjigjën:

“Këta janë asketët.” Shifa binti Abdullah, radijallahu anha, u përgjigj duke thënë:

“Betohem në Allahun se Umeri, radijallahu anhu, fliste me zë të lartë kur thoshte ndonjë fjalë për Allahun. Ecte shpejt kur ecte dhe të godiste shumë kur të rrihte. Krahas kësaj, ai ishte adhurues dhe asket.”

Transmetohet se Shifa binti Abdullah, radijallahu anha, ka transmetuar disa hadithe nga i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem. Njëri prej tyre është ky. “Një ditë e pyeta të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):

-O i Dërguari i Allahut! Cila vepër është më e virtytshme?

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, m’u përgjigj:

-Besimi ndaj Allahut, xhihadi në rrugë të Tij dhe haxhi i pranuar.”

Allahu qoftë i kënaqur prej saj!

Allahu Teala e bëftë banore të xhenetit Firdeus! Amin!

Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up