Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Ebu Hurejre r.a. – Sahabet e Resulullahut s.a.v.
YouTube player

“Ebu Hurejre i ka mësuar përmendsh më shumë se një mijë e gjashtëqind hadithe të Pejgamberit a.s. dhe i ka ruajtur ato për popullin islam.” Historianët

S’ka dyshim se ti lexues i nderuar e njeh këtë yll ndriçues nga radhët e shokëve të Pejgamberit a.s.

A ka njeri nga umeti islam i cili nuk e njeh Ebu Hurejren?!

Në kohën e injorancës, njerëzit e thirrnin “Abdu shems” (d.m.th. rob i diellit) e kur e udhëzoi Allahu në Islam dhe u takua me të Dërguarin a.s., ai e pyeti: “Si quhesh?”

Iu përgjigj: – Quhem Abdu shems (rob i diellit).

Pejgamberi a.s. i tha: – Le të quhesh AbdurrRrahman (rob i Gjithëmëshirshmit).

Ai tha: – Po, AbdurrRrahman. Ty, o Resulullah, të nderoj si babanë dhe nënën time.

Kurse shkaku pse është quajtur Ebu Hurejre (d.m. th. baba i macës së vogël) është sepse ai në fëmijëri kishte një mace të vogël me të cilën luante dhe qysh atëherë moshatarët e tij filluan ta thërrasin “Ebu Hurejre (baba i macës së vogël).

Kjo u përhap dhe mori dhenë, saqë mbizotëroi edhe vetë emrin e tij të vërtetë.

Pasi u ngërthyen të gjitha këto, Pejgamberi i Zotit shpeshherë e thërriste “Ebu Hirrrr” (d.m.th. baba i maçokut) për butësi dhe dashuri. Atëherë e pëlqeu më shumë të quhej “Ebu Hirrrr” sesa “Ebu Hurejre”, duke thënë:

– Me atë emër më ka thërritur i dashuri im, Resulullahu.

Maçoku është mashkull, kurse macja është femër, e mashkulli është më i mirë (më i vlefshëm) sesa femra…

*   *   *

Ebu Hurejra e pranoi Islamin nëpërmjet Tufejl ibnu Amrit EdDejlemiut dhe mbeti në tokën e fisit të tij “Devs” edhe gjashtë vjet mbas hixhretit, kur shkoi me një grup nga fisi i tij te Resulullahu në Medinë.

*   *   *

Djaloshi devsian u vu në shërbim të Pejgamberit a.s. dhe në shoqërim të Tij. Xhamia ishte vendqëndrimi i tij, kurse Pejgamberi a.s. ishte mësuesi dhe imami i tij, sepse nuk pati grua e as fëmijë gjersa ishte gjallë Muhammedi a.s. Megjithatë ai kishte një nënë plakë, e cila këmbënguli në politeizëm, kurse ai vazhdimisht e ftonte në Islam për hir të dhembjes dhe respektit që kishte ndaj saj, por ajo largohej prej tij dhe e pengonte atë.

I brengosur dhe i thyer në zemër, Ebu Hurejre largohej prej saj.

Një ditë prej ditësh ai përsëri e thirri nënën e tij në iman (besim) në Allahun xh.sh. dhe në Pejgamberin e Tij, kurse ajo tha një fjalë fyese për Pejgamberin a.s. që e brengosi dhe e dëshpëroi pamasë. Shkoi te Resulullahu duke qarë.

Pejgamberi a.s. e pyeti:

– Përse qan o Ebu Hurejre?!

Ai iu përgjigj:

– Vazhdimisht e ftoja nënën time në Islam, por ajo refuzonte. Kur e përsërita ftesën sot, ajo më tha një fjalë fyese për Ty, të cilën nuk e pëlqeva, andaj lute Allahun e Lartmadhëruar që të anojë zemra e nënës sime (e Ebu Hurejres) kah Islami.

Pejgamberi a.s. i bëri lutje Allahut për të.

 

Ebu Hurejre tregon:

– Atëherë kam shkuar në shtëpi, kur ja dera m’u mbyll dhe dëgjova gurgullimën e ujit, e kur tentova të hyj, nëna ime më tha:

Qëndro në vendin tënd o Ebu Hurejre…

Pastaj veshi rrobat e veta dhe tha:

– Hy! Hyra brenda e ajo tha: – Eshhedu en lâ ilàhe illallllah ve eshhedu enne Muhammeden abduhu e resuluhu… (“Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij).

U ktheva te Resulullahu duke qarë nga gëzimi, ashtu sikurse qaja një orë më parë nga dëshpërimi dhe thashë:

– Të përgëzoj, o Resulullah… Allahu pranoi lutjen Tënde dhe Ai e udhëzoi nënën e Ebu Hurejres në Islam…

*   *   *

Ebu Hurejra e ka dashur Pejgamberin a.s. me një dashuri që ia ka përzier mishin dhe gjakun e tij…

Ai nuk ngopej nga shikimi tek ai dhe thoshte:

– Nuk kam parë diçka më të bukur e më të ndritshme se Resulullahun a.s., saqë më bëhet sikur dielli ecën në fytyrën e tij.

Gjithnjë falënderonte Allahun që ia mundësoi ta shoqërojë Pejgamberin e Tij dhe ta ndjekë fenë e Tij dhe thoshte:

– El hamdu lillahi (Lavdi i qoftë Allahut), i Cili e udhëzoi Ebu Hurejren në Islam…

El hamdu lillahi (Lavdi i qoftë Allahut), i Cili ia mësoi Ebu Hurejrës Kur’anin…

El hamdu lillahi (Lavdi i qoftë Allahut), i Cili ia mundë-soi Ebu Hurejrës që ta shoqërojë Muhammedin a.s. …

*   *   *

Ashtu siç e ka dashur Pejgamberin a.s., Ebu Hurejra e ka dashur edhe dijen, të cilën e bëri synim dhe traditë të tij të shpresuar.

Lidhur me këtë, Zejd ibnu Thabiti thotë:

– Gjersa unë, Ebu Hurejra dhe një shok imi ishim në xhami duke i bërë lutje Allahut të Lartmadhëruar dhe e përmendnim Atë, kur ja Resulullahu a.s. erdhi te ne dhe u ul në mesin tonë.

Ne heshtëm, kurse ai tha:

– Kthehuni në atë që ishit!

E lutnim Zotin unë dhe shoku im, para Ebu Hurejres, kurse Resulullahi e vërtetonte lutjen tonë…

Pastaj bëri lutje Ebu Hurejre duke thënë:

O Zoti im, vërtet unë të lutem Ty për atë që u lutën dy shokët e mi… Si dhe të lutem të më japësh dije që nuk harrohet…

Atëherë Resulullahu tha:

– Amin!

Pastaj edhe ne thamë:

– Edhe ne të lutemi, o Allah, për dije që nuk harrohet!

Pejgamberi tha: – Ju tejkaloi djaloshi devsian.

*   *   *

Siç e deshi dijen për vete, ashtu ia dëshiroi atë edhe të tjerëve…

Një ditë Ebu Hurejra kaloi nëpër tregun e Medinës. E frikësoi angazhimi njerëzve me jetën e kësaj bote si dhe thellimi i tyre në shitblerje dhe në këmbim të mallrave. Aty u ndal dhe iu drejtua atyre:

Sa të paaftë jeni o medinas!!

 

Ata pyetën:

Ç’ke vërejtur nga paaftësia jonë, o Ebu Hurejre?

Ai iu tha atyre:

Mirazi (trashëgimia) i Resulullahut po ndahet e ju ende jeni këtu…! A nuk do të shkoni dhe të merrni pjesën tuaj?

Ata thanë:

Po ku është ajo (trashëgimi), o Ebu Hurejre?

Ai tha:

Ajo po ndahet në xhami.

Atëherë ata me shpejtësi dolën nga tregu, kurse Ebu Hurejre mbeti aty gjersa u kthyen ata dhe, kur e panë, i thanë:

O Ebu Hurejre! Ne shkuam në xhami dhe hymë brenda, por as që pamë diçka aty duke u ndarë!

Ai pyeti:

A nuk patë ndonjë njeri në xhami?!

Ata thanë:

Po, gjithsesi… pamë njerëz duke u falur, disa duke lexuar Kur’anin dhe disa të tjerë përkujtonin hallallin dhe haramin (të lejuarën dhe të ndaluarën)…

Ai iu drejtua atyre:

Mjerë për ju… Ai është mirazi (trashëgimia) i Muham-medit a.s.

*   *   *

Ebu Hurejra ka vuajtur shumë për shkak të përkushtimit të tij ndaj dijes dhe përcjelljes së kuvendeve të Resulullahut a.s., aq sa s’ka vuajtur asnjë njeri nga uria dhe nga vrazhdësitë e jetës.

Ai flet në veten e parë dhe thotë:

Vërtet, më shtohej uria, kurse unë pyetja ndonjë sahab për një ajet nga Kur’ani, ndonëse unë e dija atë, por kisha për qëllim që të më merrte me vete në shtëpi të vet me qëllim që të më jepte ushqim…

Njëherë isha shumë i uritur, saqë shtrëngoja një gur në bark dhe u ula në rrugë ku kalonin sahabët. Atypari kaloi Ebu Bekri dhe e pyeta për një ajet nga Kur’ani, ndonëse nuk e pyeta për asgjë tjetër, por vetëm e vetëm që të më ftojë mua, por ai nuk më ftoi.

Pastaj kaloi pranë meje Omer ibnulHattabi dhe e pyeta për një verset tjetër nga Libri i Allahut. Gjithashtu edhe ai nuk më ftoi, derisa kaloi pranë meje Resululahu a.s.. E kuptoi se sa i uritur jam e tha:

Ebu Hurejre?!

Unë iu përgjigja: – Urdhëro Resulullah. Iu vura mbrapa dhe hyra me të në shtëpi, ai e gjeti një enë në të cilën kishte qumësht dhe iu drejtua familjes së tij:

– Prej nga ky qumësht?!

Ata i thanë:

Ta ka dërguar një njeri.

Atëherë Pejgamberi më tha:

– O Ebu Hurejre, shko te njerëzit e Suftes dhe thiri ata!

Mua s’më pëlqeu që më dërgoi për t’i thërritur ata dhe thashë me vete: “A iu mjafton ky qumësht njerëzve të Suftes?!”

Shpresoja që të marr pak nga qumështi me qëllim që të freskohem dhe pastaj të shkoja tek ata. Megjithatë, shkova te njerëzit e varfër, i ftova ata dhe erdhën. Kur u ulën te Resulullahu, ai tha:

Ebu Hurejre, merre qumështin dhe jepju atyre! Fillova t’ju jap njerëzve gjersa u ngopën dhe pinë të gjithë, ia dhashë enën Resulullahut a.s., kurse ai e ngriti kokën i buzëqeshur dhe tha:

Mbetëm unë dhe ti.

Unë i thashë:

– Po, vërtet ashtu është, o Resulullah.

Ai më tha:

– Atëherë pi, – dhe unë piva.

Mandej më tha përsëri:

– Pi, – dhe unë prapë piva.

Vazhdimisht më thoshte:

– Pi, – dhe unë pija, derisa i thashë:

– Pasha Atë, i Cili të ka dërguar Ty me drejtësi dhe të vërtetën, nuk mund të pi më asnjë pikë qumësht.

Atëherë e mori enën dhe piu prej saj…

*   *   *

Nuk kaloi kohë e gjatë nga ai rast gjersa të mirat i vërshuan muslimanët dhe iu shumëzuan fitimet, kurse Ebu Hurejra bëri pasuri, shtëpi, furnizime për jetë, mori grua dhe i lindi një djalë…

Por, e tërë kjo aspak nuk e ndryshoi shpirtin e tij fisnik e as që e bëri ta harrojë të kaluarën e tij. Ai thoshte:

– Jam rritur jetim, pa babë, jam shpërngulur i varfër dhe punoja si skllav te Busraja, bija e Gazvanit, vetëm për një kafshatë buke, iu ndihmoja njerëzve për të zbritur nga devetë, kurse kur iu hipnin atyre i tërhiqja ato (për kërpeshi) dhe më në fund u martova me vetë atë (Busreten)…

Lavdi i qoftë Allahut, i Cili e bëri fenë sistem jete dhe shtyllë të saj dhe e bëri Ebu Hurejren imam (ai është bërë vali i Medinës nga Muaviu…).

Ebu Hurejre u emërua disa herë vali i Medinës nga Muavi ibnu Ebi Sufjani, por ai post nuk ndikoi asnjëherë në shpirtbutësinë dhe zemërgjerësinë e tij.

Edhe pse ishte vali, një ditë kaloi nëpër rrugët e Medinës duke mbartur dru për familjen e tij, kurse pranë tij kaloi Tha’lebe ibnu Malik. Ai i tha:

– Liroje rrugën për emirin, o Ibën Malik! Ai ia ktheu emirit:

– Të mëshiroftë Allahu, a nuk po të mjafton tërë kjo fushë?!  Ebu Hurejre i tha:

– Hape rrugën për emirin dhe barrën e tij mbi shpinë.

*   *   *

Ebu Hurejra fisnikëroi shpirtin e tij të dëlirë me dijën e tij të madhe, me devotshmëri dhe pietet. Agjëronte gjatë ditës, falej gjatë një të tretës së natës, pastaj e zgjonte gruan e tij, e cila gjithashtu falej në një të tretën e pjesës tjetër të natës dhe pastaj kjo e zgjonte bijën e saj, e cila falej gjatë pjesës së tretë dhe të fundit të natës…

Pra, adhurimi ndaj Allahut në shtëpinë e tij nuk ndërpritej gjatë tërë natës…

*   *   *

Ai kishte një shërbëtore zezake nga Sudani. Një ditë ajo i kishte bërë një të keqe atij dhe i kishte fyer familjen. Ebu Hurejra sapo e ngriti shkopin për ta goditur, u ndal menjëherë e tha: – Sikur të mos ishte ndëshkimi në Ditën e Gjykimit do të të sakatoja njësoj siç më nënçmove mua, megjithatë do të të shes tek ai që më jep çmimin e mjaftueshëm për ty, meqë kam më shumë nevojë për të holla sesa për ty.

Shko, ti je e lirë, për Allahun e Lartmadhëruar.

*   *   *

E bija e tij i thoshte: – O baba, vërtet vajzat më përqe-shin dhe më thonë: Përse nuk të stolis babai me ar?!

Ai iu përgjigj:

– Vajza ime, thuaju atyre: – Vërtet, babai im ka frikë për mua se më djeg zjarri i xhehenemit (ferrit).

 

*  *  *

Ebu Hurejra nuk e pengoi vajzën e vet për t’u stolisur për shkak të koprracisë ose që të ruajë pasurinë, sepse ai ishte bujar, dorëlirë në rrugën e Allahut.

Mervan ibnu ElHakemi ia dërgon atij 100 dinarë ari, kurse ai të nesërmen ia dërgoi atij një shkresë dhe i tha:

– “Në të vërtetë, shërbëtori im ka gabuar dhe t’i ka dhënë dinarët, kurse unë nuk e kam pasur qëllimin që t’i jap ty, por tjetërkujt.”

Atëherë Ebu Hurejre ra në dilemë dhe i penduar tha:

“I kam shpërndarë në rrugën e Allahut dhe as që ka qëndruar tek unë asnjë dinar prej tyre, por kur të më arrijnë të ardhurat e mia nga arka shtetërore e muslimanëve, merri ata dinarë prej të ardhurave të mia.”

Mervani e bëri këtë për ta provuar atë dhe pasi e ndoqi rastin e gjeti se ishte i vërtetë.

*   *   *

Ebu Hurejra gjatë tërë jetës së tij mbeti gjithnjë me sjellje të mira ndaj nënës së vet. Sa herë që dilte prej shtëpisë, ndalej në derë të dhomës së saj dhe i thoshte:

 Es-selamu alejki, oj nëna ime, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ty!

Ajo ia kthente:

Ve alejkesselam, o biri im, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ty gjithashtu!

Ai thoshte:

Të mëshiroftë Zoti, ashtu siç më ke edukuar kur isha i vogël!

Ajo ia kthente:

Të mëshiroftë Zoti, ashtu siç më ke respektuar edhe pasi u rrite!

Pastaj, kur kthehej në shtëpi e përsëriste të njëjtën gjë.

*   *   *

Ebu Hurejra ishte shumë i kujdesshëm dhe i thirrte njerëzit që t’i respektojnë prindërit dhe farefisin e tyre.

Ai pa njëherë dy njerëz, njëri më i moshuar se tjetri, duke ecur së bashku dhe pyeti më të riun:

 Kush është ky njeri me ty?

Ai tha:

 Ky është babai im.

Ebu Hurejre i tha:

 Mos e thërrit atë në emër, mos ec përpara tij dhe mos u ul para tij!…

*   *   *

Kur Ebu Hurejra u sëmur dhe u gjet para vdekjes, ai vajtoi…

Atëherë i kanë thënë:

 Përse po qan, o Ebu Hurejre?!

Ai është përgjigjur:

Nuk po qaj për jetën e kësaj bote…, por po qaj për udhëtimin e gjatë dhe përgatitjen e mangët për të…

Jam ndalur në fund të një rruge e cila do të më hedhë në xhenet apo në xhehenem… dhe nuk e di… në cilën prej tyre do ta kem vendin!!

Mervan ibnu Hakemi e vizitoi atë dhe i tha:

Të mëshiroftë Allahu, o Ebu Hurejre.

Në ato çaste, ai tha:

 O Zoti im, vërtet e dëshiroj takimin me Ty, andaj dëshiroje o Allah takimin tim me Ty dhe të lutem shpejtoje atë (aludon në vdekje, v.jonë).

Ende pa u larguar Mervani nga shtëpia e Ebu Hurejres, ai u shkëput nga jeta e kësaj bote…

*   *   *

Allahu e mëshiroftë Ebu Hurejren me një mëshirë të gjerë, meqë ai ka ruajtur për muslimanët më tepër se 1609 hadithe të Resulullahut a.s..

E shpërbleftë Allahu me të mirat e Tij për hir të Islamit dhe të muslimanëve.

Njerëzit e Suftes ishin mysafirët e Allahut prej muslimanëve të varfër, të cilët nuk kishin familje, fëmijë e as pasuri dhe uleshin në Sufte (vend i posaçëm nën hije) në xhaminë e Resulullahit dhe për këtë u quajtën “njerëzit e Suftes”.

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events