Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Asim ibnu Thabit r.a.

“Kush lufton, le të luftojë ashtu siç lufton Asim ibnu Thabiti.” (Muhammedi a.s.)

Kurejshitët, i madh e i vogël, zotërinj e skllevër, dolën në Uhud që ta luftojnë Muhammedin a.s.

Urrejtja shtazarake ua kishte mbushur zemrat e tyre me një egërsi të paparë dhe dëshira e hakmarrjes për të vrarët në Bedër i kishte kapluar marrëzisht shpirtrat e tyre të trazuar.

Nuk u mjaftoi vetëm kjo, por me vete morën edhe zonjat kurejshite, që t’i nxisnin burrat e tyre për luftë, të ndezin në shpirtrat e tyre ndjenjat luftarake dhe t’ua forcojnë vendos-mërinë e tyre sa herë që u dobësohej elani luftarak.

Në mesin e grave që dolën ishin edhe Hindi, e bija e Utbes, përndryshe e shoqja e Ebu Sufjanit, pastaj Rejta bintu Munebbih, bashkëshortja e Amr ibnul Asit dhe Sulafe bintu Sa’d me të shoqin Talhanë dhe tre djemtë e saj, Musafiun, Xhulasin dhe Kilabin, si dhe shumë gra të tjera.

*  *  *

Kur u takuan dy taborret në Uhud e zjarri i luftës filloi të ndizet, Hindi e bija e Utbes dhe gratë e tjera që ishin me të dolën prapa radhëve, morën defat në duar dhe duke u rënë atyre recitonin: “Nëse vërsuleni në luftë, do t’ju përqafojmë dhe do t’ju shtrojmë shtrojat më të mira, po nëse zmbrapseni, do të ndahemi prej jush përgjithmonë.”

Brohoritjet e tyre ndeznin edhe më shumë urrejtjen në zemrat e luftëtarëve dhe thuajse ndikonin në shpirtrat e tyre si magjia.

Kur luftimet në fushëbetejë u pashitën dhe kurejshët i detyruan muslimanët që të zmbrapsen duke lënë pas shumë të vrarë, gratë e kurejshëve, të cilat i kishte pushtuar euforia e fitores, lëshonin zëra dhe ulurima duke ecur e brohoritur nëpër fushën e betejës…

Filluan t’i masakrojnë të vrarët në mënyrë shtazarake duke ua shqyer barqet, duke ua nxjerrë sytë, duke ua prerë veshët dhe duke ua sakatosur hundët.

Njëra prej tyre nuk mundi ta qetësojë tërbimin e saj shtazarak derisa bëri nga hundët dhe veshët e dëshmorëve muslimanë qafore dhe bylyzykë, duke u stolisur me to në shenjë hakmarrjeje për babain, vëllanë dhe xhaxhain e saj, të cilët më parë i ishin vrarë në Bedër…

*   *   *

Por, Sulafe binti Sa’di kishte halle dhe preokupime të tjera, në dallim nga gratë kurejshite.

Ishte tejet e shqetësuar dhe e brengosur, pasi priste t’i vinte burri apo ndonjëri prej tre bijve të saj, që të marrë vesh për gjendjen e tyre dhe pastaj t’u bashkangjitet grave të tjera në gëzimin e fitores.

Pritja e pashpresë zgjati tepër, prandaj vendosi që të futet thellë në vendin ku ishte zhvilluar beteja dhe filloi t’i shikojë fytyrat e të vrarëve. Tek ecte mbi kufomat e të vrarëve e gjeti burrin e saj të vrarë dhe të mbuluar me gjak.

Nga pezmi, si luaneshë e tërbuar, filloi të vrapojë nëpër fushëbetejë duke kërkuar me sy bijtë e saj: Musafiun, Kilabin dhe Xhulasin.

Nuk vonoi shumë dhe i pa të shtrirë në luginën e Uhudit…

Musafiu dhe Kilabi kishin vdekur, ndërsa Xhulasin e gjeti ende të gjallë, duke u përpëlitur në ankthet e vdekjes.

*   *   *

Sulafeja u hodh përmbi djalin e saj, të cilin e kishin kapluar ethet e vdekjes, ia vendosi kokën në prehërin e saj dhe filloi t’ia fshijë gjakun nga balli dhe nga goja e tij. Lotët tashmë i ishin tharë nga fatkeqësia që e kishte goditur. Iu drejtua atij dhe e pyeti:

 Kush të mbyti, o biri im?

Ai u përpoq t’i përgjigjej, por ethet e vdekjes e ndalën. Megjithatë, ajo ishte këmbëngulëse në pyetjen e saj, kështu që Xhulasi me një gjysmë zëri të mekur tha ngadalë:

 Më vrau Asim bin Thabiti, e vrau edhe vëllain tim, Musafiun, dhe… pastaj lëshoi frymën e tij të fundit…

*   *   *

Sulafeja u tërbua nga kjo skenë rrëqethëse. Filloi të vajtojë dhe të bërtasë duke u betuar në Latin dhe Uzanë se pezmin e saj nuk do ta ndalin as lotët e as dhembja derisa kurejshët të mos e marrin hakun nga Asim bin Thabiti dhe t’ia japin asaj kafkën e tij që të pijë verë në të…

Pastaj u zotua se atij që e zë apo e mbyt Asimin dhe ia sjell kokën e tij, do t’i japë çka të dojë nga pasuria e saj e vlefshme.

Lajmi i zotimit  premtimit të saj u përhap me shpejtësi rrufeje ndër kurejshë, kështu që çdo i ri nga të rinjtë e Mekës shpresonte se do ta gjejë dhe do ta mbysë Asimin dhe t’ia sjellë kokën e tij Sulafesë, mos ndoshta ai do të jetë fitues i shpërblimit të saj.

*  *  *

Pas Uhudit muslimanët u kthyen në Medinë dhe filluan ta përkujtojnë betejën dhe rrjedhat e saj. Për të vrarët kërkuan mëshirë nga Allahu dhe me dhembshuri e respekt përkujtonin ata të cilët u sprovuan dhe u persekutuan. Prej atyre që përmendej më së tepërmi ishte Asim bin Thabiti. U habitën se si qe e mundur që në mesin e atyre që i kishte vrarë Asimi, të ishin edhe tre vëllezër të një shtëpie.

Dikush prej tyre tha:

 Si mund të çuditeni për këtë?! A nuk ju kujtohet kur i Dërguari i Allahut në prag të luftës së Bedrit na pyeti si do të luftojmë?!

A nuk ju kujtohet kur u ngrit Asimi dhe e mori harkun e tij në dorë e tha: – Kur armiku të jetë afër meje njëqind hapa, gjuajtja do të jetë me shigjeta…

Kur të afrohen aq sa i arrin shtiza, atëherë sulmi do të jetë me shtiza, gjersa të thyhen ato. Kur të thyhen shtizat, i lëmë ato mënjanë dhe i rrokim shpatat e luftojmë me to…

I Dërguari i Allahut tha:

 Kështu është lufta e vërtetë… kush lufton, le të luftojë ashtu siç lufton Asimi…

*   *   *

Nuk kaloi shumë kohë nga lufta e Uhudit dhe i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të, i ngarkoi gjashtë nga shokët e tij të ndershëm me një detyrë të rëndësishme. Asimin e caktoi udhëheqës të tyre.

Grupi i zgjedhur u nis për kryerjen e asaj që i urdhëroi i Dërguari i Allahut. Derisa ata ishin në rrugë  jo larg Mekës  u diktuan nga një grup prej fisit Hudhejl dhe shpejt u rrethuan prej tyre.

Asimi dhe ata që ishin me të rrokën shpatat e tyre dhe synuan luftimin e atyre që i rrethuan.

Hudhejlët u thanë: – Ju nuk keni forcë që të na kundër-viheni. Nëse dorëzoheni, për Zotin nuk do t’ju bëjmë ndonjë të keqe. Besa e Zotit qoftë mes nesh dhe jush, se nuk do t’ju dëmtojmë…

Shokët e të Dërguarit të Allahut shikuan njëritjetrin, sikur donin të këshilloheshin se si të veprojnë.

Asimi iu drejtua shokëve të tij dhe u tha:

 Unë i gjallë nuk bie në dorë të mushrikut (idhujtarit). Pastaj iu kujtua zotimi i Sulafesë për të dhe me shpejtësi nxori shpatën nga këllefi duke thënë:

 O Zot i Madhëruar! Unë po luftoj për ta mbrojtur dhe lartësuar fenë Tënde, prandaj të lutem mbroje mishin dhe ashtin e trupit tim dhe mos lejo që trupi im të bjerë në duar të armikut!

Pas këtyre fjalëve, u vërsul mbi hudhejlasit e pas tij edhe dy prej shokëve të tij. Ata vazhduan të luftojnë me një  heroizëm të paparë derisa, u vranë njëri pas tjetrit.

Shokët e tjerë iu dorëzuan armikut, por nuk shkoi shumë dhe u tradhtuan prej tyre me tradhtinë më të keqe.

*   *   *

Në fillim, hudhejlasit nuk e dinin se njëri prej të vrarëve ishte Asimi. Kur morën vesh për këtë u gëzuan pa masë dhe filluan të mburren e të krenohen për atë që kishin bërë.

Kjo nuk ishte për t’u çuditur… A nuk ishte Sulafeja ajo që premtoi se, nëse i bie në dorë Asimi, do të pijë verë nga kafka e tij?!

A nuk ishte ajo që premtoi se atij që e sjell Asimin, të gjallë apo të vdekur, do t’i japë çka të dojë nga pasuria?!

Nuk kaluan shumë orë nga vrasja e Asimit e kurejshitët morën vesh për këtë gjë, ngase hudhejlasit banonin afër Mekës.

Paria kurejshite dërgoi një emisar të tyre te vrasësi i Asimit që t’ua jepnin kokën e tij në mënyrë që sadopak ta shuanin pezmin e Sulafesë, bijës së Sa’dit, ta përmbushnin betimin e saj dhe t’ia zbutnin një çikëz pikëllimin e saj për tre djemtë, të cilët ia kishte vrarë vetë Asimi me dorën e tij…

*   *   *

Hudhejlasit u nisën drejt trupi të Asim bin Thabitit me qëllim që t’ia ndanin kokën nga trupi, por u befasuan nga tufat e shumta të bletëve dhe të anzave që ia kishin mbuluar trupin dhe e kishin rrethuar nga çdo anë…

Sa herë që ata donin t’i afroheshin kufomës së tij, bletët dhe anzat i sulmonin në fytyrë, ua thumbonin sytë, ballin dhe çdo pjesë të trupit të tyre duke mos i lënë fare të afroheshin.

Pas shumë orvatjeve nuk arritën deri te trupi i tij dhe gati e humbën shpresën. Atëherë disa prej tyre thanë:

 Lëreni derisa të errësohet, ngase, kur të bjerë terri, insektet do të largohen e pastaj mund ta merrni kokën e Asimit.

U ulën jo fort larg dhe prisnin…, mirëpo ende pa kaluar mirë dita dhe para se të binte muzgu, qielli u mbulua i tëri me re të zeza dhe të dendura…

Vetëtoi dhe bubulloi… dhe ra një shi të cilin banorët e asaj ane nuk e kishin përjetuar kurrë më parë. Shumë shpejt u vërshuan lugjet dhe u mbushën përrojet. Vendi u përmbyt me një vërshim të paparë…

Kur agoi, hudhejlasit filluan ta kërkonin trupin e Asimit në çdo vend, por kot, nuk i gjetën asnjë gjurmë…

Uji i madh e kishte çuar kufomën e tij shumë, shumë larg… atje ku nuk mund ta gjenin kurrë.

Allahu iu përgjigj lutjes së Asim bin Thabitit dhe e mbrojti trupin e tij të pastër prej masakrimit…

E mbrojti kokën e tij fisnike që të mos pihet verë me kafkën e tij…

Vërtetë, Allahu kurrsesi nuk iu mundëson jobesimtarëve mbizotërim të plotë mbi besimtarët.

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events