Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Zejneb binti Xhahsh r.a. – Kurorë e vendosur nga Allahu

Me një vendim hyjnor të ardhur në anulim të birësimit në Islam, në moshën 58 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e shtatë, Zejneb bintu Xhahsh, pasi u divorcua me Zejdin, ish-skllavin e liruar dhe birësuar nga Profeti a.s. Zejneb bintu Xhahshi r.a. lindi në vitin 33 para Hixhri dhe ishte gruaja e parë e Profetit a.s. që ndërroi jetë pas tij, në vitin 20 Hixhri, pra rreth 9 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Ajo është një nga gratë e shquara të Islamit të hershëm dhe nga emigrantet e para që emigruan nga Meka për në Medinë. Më parë ajo ishte e martuar me Zejd ibën Harithen r.a. dhe pas divorcit me të, atë e merr për grua i Dërguari i Allahut a.s. i cili e quajti Zejneb, pasi emri i saj i mëparshëm ishte i ndryshëm. Ajo ishte nga gratë më të shkëlqyera në fe, në devocion dhe bamirësi. Ajo ishte prej grave më të pashme dhe u bë shkak për zbritjen e ajetit uranor mbi vendosjen e hixhabit (mbulesës së femrës muslimane). Burimi

Martesa e Profetit me Zejneben (r.a.)

Të gjithë armiqtë e besimit, të rinj e të vjetër, janë marrë e kanë folur në të gjitha mënyrat për martesën e Profetit me Zejneben (r.a.), duke dashur të hedhin baltë mbi Profetin e duke e keqinterpretuar këtë çështje. Kjo ngjarje, në Kur’an shpjegohet kështu: “Ti (o Muhamed) i the atij, që Allahu dhe ti vetë i keni bërë mirësi: “Mbaje gruan tënde dhe frikësoju Allahut!” Në të vërtetë, ti po fsheh në vetvete atë që Allahu do ta nxjerrë në shesh dhe ti po u frikësohesh njerëzve, kur më e drejtë është t’i frikësohesh Allahut. E, pasi Zejdi jetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte, në mënyrë që besimtarët të mos ngurrojnë që të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, pasi ata ta kenë plotësuar dëshirën e tyre dhe të jenë ndarë. Urdhri i Allahut do të përmbushet detyrimisht!”(Ahzab 33/37)

Profeti e donte Zejdin së tepërmi. Ai nuk kishte pranuar një tjetër veç tij si bir në shpirt. Aq afër ishte ai me Profetin, sa të gjithë e trajtonin si të ishte biri i tij i vërtetë. Zejdi ia kishte kushtuar gjithë jetën Profetit dhe kauzës së tij. Ndërsa Profeti ia kishte hapur deri në fund portat e zemrës e të dashurisë së vet këtij djali besnik. Zejdi ishte një libert (skllav i liruar). Profeti ia kishte falur atij lirinë dhe e kishte bërë atë bir në shpirt. Po në kushtet e shoqërisë së asaj kohe, çfarëdo që të ndodhte, për Zejdin ishte e pamundur të shpëtonte nga damka e libertit. Ky gjykim ishte rrënjosur në atë shoqëri, duke i hapur rrugë lloj-lloj padrejtësive e duke sëmurur edhe shpirtin e individëve të saj. Sado që tashmë nuk ishte skllav, po libert, një person i tillë shihej si qytetar i klasës së dytë. Ky mendim duhej çrrënjosur dhe shoqëria duhej shëruar nga një plagë e tillë. Ky ishte një problem që priste zgjidhje imediate nga Profeti, po që njëkohësisht e zhyste Atë në mendime të thella. Së pari; zgjidhja duhej të ishte e tillë, që të mos vlente vetëm teorikisht, po të pranohej edhe praktikisht nga të gjithë. Ndaj dhe metoda që ndoqi Profeti me këta njerëz që mbanin damkën e robërisë në ballë, ishte krejt e ndryshme. Liria ishte shumë e rëndësishme, po më e rëndësishme në këtë pikë, ishte mbajtja në dorë e saj. Një njeri që nuk ishte në gjendje të përballonte peshën e lirisë, sado që t’i falet liria, nuk arrin të jetojë si një i lirë. Edhe në Amerikë, pas lirimit të skllevërve, ky problem është përjetuar me gjithë ashpërsinë e tij dhe janë dashur vite të tëra, që të arrihet një zgjidhje e pranueshme. Këta njerëz, në atë kohë ende të pamësuar me atmosferën e lirisë, shitën gjithë mundësitë që iu dhanë dhe kërkuan të ktheheshin sërish pranë pronarëve të tyre. Sepse ato ditë, ata akoma nuk ishin të gatshëm të mbushnin mushkëritë me ajrin e pastër të lirisë. As individët dhe as vetë shoqëria, nuk kishte arritur standardet e duhura për këtë proces. Ndaj dhe përpjekjet e lirimit të skllevërve nuk dhanë rezultatet e pritura, për një kohë të gjatë. Ndërsa Profeti e kishte marrë në dorë trajtimin e këtij problemi serioz, me gjithë specifikat e tij të mundshme. Nga njëra anë, trajtonte ish-skllevërit në një mënyrë të tillë, që të mësoheshin moralisht e fizikisht me lirinë; nga ana tjetër përgatiste shoqërinë ndaj një lëvizjeje të tillë dhe përpiqej që t’i bënte këta individë, pjesë të konsoliduar të një shoqërie të zhvilluar e pa paragjykime. Këta njerëz, që deri dje s’kishin qenë, veçse një orendi shtëpie, do të bëheshin, si gjithë të tjerët, një organ aktiv në atë shoqëri që po ndërtohej. Profeti, vazhdimisht priste rastin e volitshëm për t’i dhënë goditjen përfundimtare këtij mentaliteti të rrënjosur në shoqëri. Ishte një punë si e zorshme, ashtu edhe shumë delikate. Por Ai, Profeti i Lartësuar, do ia dilte mbanë sërish, pa vështirësi. Si në betejat ku poziciononte të afërmit e Tij në frontet më të vështira, edhe këtë herë, Ai do ndiqte të njëjtën metodë. Një grua, ndër më fisniket, vajzën e hallës së vet, motrën e Abdullah bin Xhahshit (r.a), do e martonte me një libert. Profeti ynë hynte e dilte vazhdimisht në këtë shtëpi të të afërmve të vet. Kjo shtëpi ishte shtëpia e hallës së vet… Kjo familje, kishte vite që priste një propozim prej tij. Të ishe bashkëshorte e Profetit ishte ëndërr e ideal i të gjitha grave në atë kohë.. ndaj këtu nuk ka asgjë për t’u paragjykuar. Sikur e kam shprehur edhe më lart, kur Profeti sheh të arsyeshme të divorcohet nga znj. Sevde (r.a.), kjo grua e lartë vjen e i lutet Profetit, duke i thënë se është dakord që edhe ditën që i takon asaj të rrijë me Profetin, është e gatshme t’ia falë Aishes, mjaft që të mos divorcoheshin, duke i shprehur kështu se e vetmja dëshirë e saj ishte të vdiste nën kurorën e Profetit. Omeri gjithë jetën u përpoq të krijonte lidhje fisnore me këtë familje, madje ai edhe kërkoi dorën e Fatmës (r.a.). Por, pas martesës së saj me Aliun (r.a.), Omeri (r.a.) priti të martohej me vajzën e Aliut, Ummu Gulthumin. Kur u martua me të, kjo vajzë ishte ende shumë e re, por Omeri donte të realizonte sa më parë ëndrrën e tij: të lidhte krushqi me Profetin e të bëhej pjesë e familjes së tij. Ishte shumë normale në ato kushte, që halla të dëshironte martesën e së bijës me nipin e saj. Aq më tepër që Zejnebja e meritonte të ishte grua profeti nga çdo aspekt. Ndoshta edhe ajo vetë e ëndërronte këtë martesë. Kur Profeti viziton sërish shtëpinë e hallës së vet, dhe tha “kërkoj dorën e Zejnebes”, të gjithë në shtëpi, sa nuk fluturuan nga gëzimi. Domethënë, për ta kishte ardhur dita, që kishte vite që e prisnin. Po ai personalitet, posedues i logjikës e intuitës më të lartë, e nuhati menjëherë se nuk ishte kuptuar drejt, ndaj shtoi: “E kërkoj dorën e Zejnebes për Zejdin!”. Të gjithë u shtangën atë moment. Po të mos kishte qenë i Dërguari i Zotit ai që po thoshte këto fjalë, do ta kishin dëbuar pa një, pa dy. Po ishte e pamundur për ta të refuzohej kërkesa e Profetit. Kjo martesë u pranua vetëm se ishte dëshira e Profetit e tillë. Kështu u formua një familje e re, po pa shumë dëshirë nga palët. Gruaja ishte fisnike, i përkiste një dere të madhe, kështu që edhe edukata e mënyra e jetesës së saj, ishte krejtësisht në përshtatje me fisnikërinë e saj. Porse Zejdi, edhe pse Profeti e donte pa masë, ishte thjesht një libert në sytë e shoqërisë së asaj kohe. Rridhte nga një familje e thjeshtë, ndaj dukej e pamundur që ata të dy të ishin të përshtatshëm par njëri-tjetrin. Më saktë, Zejdi, me një botëkuptim të hapur, si nga ana materiale, ashtu edhe nga ajo shpirtërore, nuk e shihte veten të bashkëmatshëm e të barabartë me një grua të tillë. Zejnebja kishte të tjera ndjenja, tjetër zemër, tjetër vullnet… Ajo ishte një brilant, që në të ardhmen do të bëhej pjesë e familjes së Profetit. Në lidhje me këtë problem, Zejdi kishte shkuar disa herë në derën e Profetit dhe i kishte shprehur dëshirën për t’u ndarë. Po ne secilin rast, Profeti e kishte kthyer Zejdin, duke i thënë: ”Mos e ndaj gruan, druaju Allahut!” Në vetvete, profeti kishte vetëm një qëllim; me anë të kësaj martese Ai donte të shkatërronte një mentalitet të ngritur mbi injorancë e të ushqyer nga vetë injoranca. Kjo kishte qenë dëshira e Tij, kjo ishte arsyeja për të cilën ishte bërë shkak për këtë martesë. Po çdo ditë e më tepër, pakënaqësia e trazimet në çift po rriteshin. Kjo lidhje kishte ardhur në pikën e këputjes. Në të vërtetë, divorci dukej i pashmangshëm, po në praktikë, profeti e kishte vërtetuar më së miri se një martesë e tillë, mes një fisnikeje e një liberti, ishte krejtësisht e mundshme. I Dërguari i Allahut ishte një udhërrëfyes, ndaj si i tillë, në rrugën që u tregonte të tjerëve, duhet të ecte vetë, ose të vinte të ecnin të afërmit e tij më parë. Të gjitha këto bëheshin të mundshme me lejen e me ndihmën e Zotit. Po këtë herë në horizontet e shpalljes ishin ravijëzuar konturet e disa ngjarjeve të rënda e të disa episodeve që do kërkonin durim e rezistencë të jashtëzakonshme. Me njoftimin e Allahut, Profeti e dinte mirë se një ditë Zejnebja do të bëhej bashkëshortja e Tij, po Ai nuk kishte urdhëresën për ta treguar këtë fakt haptazi, ndaj dhe e mbante të fshehtë në vetvete. Si kur thotë edhe Aishe (r.a.), “Nëse do të mund të fshihte diçka nga shpalljet i Dërguari i Allahut, pa dyshim që do të fshihte ajetet që flisnin për këtë martesë.”

Aq e rëndë i kishte ardhur profetit martesa me Zejneben! Po kush mund të refuzonte një kurorë të paravendosur që në parathënien e destinitetit. Shprehja e Allahut (xh.xh.) ishte kjo: “E martuam atë me ty!” Kjo kurorë ishte vendosur nga Zoti. Dëshmitarët e saj ishin banorët engjëllorë të qiejve të lartë. Me anë të këtij akti martesor, që kishte rëndesën e peshën e vet në zbatim për palët, Allahu (xh.xh.) kishte bërë të ditur një tjetër normë: “Bijtë e adoptuar nuk janë bijtë e vërtetë të njerëzve, ndaj dhe u përkasin normave të ndryshme.” Nëse divorcohen, gratë e tyre nuk janë të ndaluara për babain në shpirt, e anasjelltas. Po në epokën e injorancës, biri i adoptuar pranohej si biri i vërtetë dhe të gjitha normat sociale të lidhura me të, ishin të njëjta me ata të birit të vërtetë. Kjo praktikë e gabuar e epokës së injorancës, ashtu si edhe shumë të tjera, duhej të merrte fund e të shkulej nga mendësia e njerëzve. Dhe po shkulej e po shkatërrohej, po gërmadhat e saj i mbante në sup i vetëm, si gjithmonë, i Dërguari i Allahut. Pikat e rëndësishme të këtij provimi të rëndë, janë këta: Sa me fat, ajo e nderuara Zejnebe, që me dy martesat e saj, shemb dy dogma të gabuara të injorancës.

Në disa libra, vihet re edhe një ngjarje e shpifur, e cila nuk ka asnjë farë baze të vërtetë. Gjoja Profeti një ditë sheh Zejneben, bile ajo është e martuar në ato kohë dhe i mahnitur para bukurisë së saj, thotë: “O Zot i madh, i patëmeta Ti je! Ti i kthen e i drejton zemrat”. Edhe Zejnebja e nderuar i dëgjoi këto fjalë. Këto thashetheme e kjo mënyrë mendimi, që ka për bazë doktrinën hebraike, fatkeqësisht ka ndikuar edhe disa nga dijetarët e ehli sunetit. Madje njëri prej tyre, emrin e të cilit nuk po e përmend këtu, e vazhdon mendimin e tij me një fjalë të tillë: “Kur erdhi Zejdi në shtëpi, pa se ç’kishte ndodhur”. Një mendim i tillë, një mënyrë e tillë e të shprehurit, nuk është veçse një gënjeshtër, që vetëm një armik i fesë e i besimit mund ta sajojë. Kam aq respekt për atë dijetar sa të mos i them “T’u thaftë gjuha!”, po vërtet më mirë që të thahet ajo gjuhë që flet kështu e ajo mendje që sajon këto gjepura. Së pari; Profeti nuk kishte pse të çuditej kur shihte Zejneben, sepse nuk ishte hera e parë që e shihte atë, përkundrazi, ajo ishte rritur para syve të Tij. E dyta; nëse profeti do të kishte sadopak interes ndaj Zejnebes, pse do ta kërkonte dorën e saj për Zejdin? Aq më tepër që do të pritej shumë më mirë, nëse e kërkonte atë për vete? Së treti; e gjithë shtëpia mezi priste që Zejnebja të bëhej bashkëshortja e Profetit. E çfarë e pengonte profetin, të mos e merrte atë për grua, po ta kërkonte për Zejdin? Kuptohet qartë që martesa e profetit me Zejneben është kryer vetëm për të plotësuar një urdhër hyjnor. Allahu urdhëroi këtë veprim dhe profeti plotësoi urdhrin. Sajesat e tjera nuk janë, veçse gënjeshtra, skenarë të përgatitur nga Volterët e djeshëm e Goldziherët e sotshëm e sa e sa të tjerë, që nuk kanë asnjë cilësi tjetër veç shpifjes e gënjeshtrës. I Dërguari i Zotit të jetë Ai i Dërguar i Zotit, Zejnebja ajo Zejnebe e Zejdi ai Zejd, e të imagjinohet një ngjarje e tillë! O Zot! Ç’shpifje e tmerrshme, ç’injorancë e tmerrshme, ç’armiqësi e tmerrshme kundër besimit e kundër gjithë vlerave të tij! Me keqardhje pohoj këtu, se edhe figurantët tanë, që kujtojnë se ç’janë, nuk ngurrojnë të përdorin këto materiale të shpifura. A thua një kompleks inferioriteti, është ai që i shtyn të bëjnë diçka të tillë e të përdorin fjalë të tilla? Ç’mund të themi, shpëtimin e ka Zoti në dorë, Zoti i shpëtoftë. Këtë temë e nisëm me principin “Çdo profet është i pafajshëm, i Dërguari i Allahut është më i pafajshmi ndër të pafajshëm.” Dhe me shembuj individualë u munduam të tregonim për pafajësinë e Profetit. Po duhet ta pohojmë se pafajësia e Tij qëndron tepër më lart nga ajo që mund të shprehin fjalët tona. Këtë temë ne e përcollëm nëpërmjet këtyre rreshtave, me aq sa na lejon kapaciteti ynë. Ato që shprehen këtu janë çështje të drejtpërdrejta të virtytit e të pafajësisë së Profetit. Kurse tani dua ta paraqes pafajësinë e “ismetin” e Tij nga një tjetër këndvështrim. Është e pashmangshme nevoja për njohjen e çështjeve të mëposhtme, për të arritur një koncept të saktë rreth pafajësisë së Profetit në të gjitha aspektet e saj, duke e parë atë edhe nga këndi i asketizmit, besimit absolut e adhurimit të përpiktë, koshiencës së adhurimit dhe frikës e respektit ndaj Allahut (xh.xh.). Burimi

Ajo ka transmetuar 11 hadithe, të cilat janë të pranishme tek përpilimet e gjashtë autorëve më në zë të hadithit. Gjithashtu ajo është e para ndër arabet që pasi ndërroi jetë është bartur me neash (tabut) për në varreza, gjë e cila praktikohej tek abisinasit. Kur Umari r.a. e pa këtë praktikë tha: “Sa mbulesë e mirë për gruan!”.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events