Home » Sahabet » Utbe bin Gazvani r.a.

“Vërtet, Utbe bin Gazvani ka një vend të lartë në Islam.” Omer ibnul Hattabi

Omer ibnul Hattabi, emiri i muslimanëve, pas namazit të jacisë u shtri në shtratin e tij, me qëllim që të pushojë pak dhe të përgatitet për shëtitjen e tij të natës.

Mirëpo, gjumi ishte tretur nga sytë e halifes, ngase postieri e kishte lajmëruar se ushtrisë persiane, sa herë që ishte para mposhtjes dhe në rrezik që të shkatërrohej nga ana e muslimanëve, i vinte ndihma prej të gjitha anësh dhe nuk vononin e tubonin forcat e tyre për të vazhduar luftën.

Omerit r.a. i kishte ardhur lajmi se qyteti i “Ubulles” (afër Basrës) konsiderohej si njëri nga burimet më të rëndësishme që i ofronin ndihmë ushtrisë persiane, në pasuri e në njerëz.

Mu për këtë, Omeri r.a. vendosi që të dërgojë një ushtri për ta çliruar Ubullen dhe t’ua ndërprejë ndihmën persianëve, mirëpo u befasua nga mungesa e njerëzve që  kishte pranë.

Arsyeja e kësaj mungese qëndronte në atë se rinia, burrat dhe të vjetrit kishin dalë pothuajse që të gjithë të luftojnë në rrugën e Allahut dhe s’kishte mbetur në Medinë askush përveç një grupi të vogël.

Megjithatë, kjo nuk e luhati aspak, meqë u mbështet në strategjinë e tij të pashoqe, për të cilën ishte i njohur, … e ajo ishte: kompensimi i numrit të vogël të ushtrisë me forcën e udhëheqësit… (komandantit).

Filloi t’i analizojë, një nga një, tiparet e shokëve që kishte pranë, siç thonë “me sitë e me shoshë” dhe sakaq brofi nga shtrati i entuziazmuar, duke thënë:

 E gjeta… Po, e gjeta…

Pastaj u ul përsëri në shtrat – duke thënë:

 Me të vërtetë, është luftëtar që përballoi sfidat e Bedrit, Uhudit, Hendekut dhe betejave të tjera simotra…

U shqua për trimëri të pashoqe në luftën e Jemames, asnjëherë nuk është goditur nga shpata, e shtiza e tij as që ka gabuar cakun ndonjëherë… I ka përjetuar dy emigrimet (në Abisini dhe në Medinë) dhe është njëri prej shtatë të parëve që pranuan Islamin në sipërfaqen e tokës…

Kur agoi mëngjesi, tha:

 Ma thirrni shpejt Utbe bin Gazvanin.

Atë e emëroi udhëheqës të treqind e sa njerëzve dhe i premtoi se do ta ndihmojë më vonë me disa njerëz, aq sa të ketë mundësi.

*   *   *

Kur ushtria e vogël muslimane vendosi të nisej, para tyre doli Faruku (Omeri r.a.) për ta pëcjellur udhëheqësin e saj, Utbenë, dhe e porositi duke i thënë:

 O Utbe, të nisa kah “Ubulla”. Dije se ajo është njëra prej fortifikatave të armikut, e lus Allahun që të ngadhënjesh dhe ta mposhtësh atë. Kur të gjendesh pranë saj, ftoje popullin e saj që t’i besojnë Allahut. Kush të përgjigjet, zmbrapsu prej tyre, e kush refuzon, merr prej tyre “xhizjen” për të vegjlit dhe të rriturit…

Në të kundërtën, luftoj dhe mbyti pa dhembje.

Ki frikën Allahut, o Utbe, për atë që t’u ka besuar!

Ki kujdes që epshi yt mos të të shpjerë në mendje-madhësi e ta humbësh botën e amshueshme. Dije se ke pasur nderin ta shoqërosh të Dërguarin e Allahut, nder me të cilin të lartësoi i Madhërishmi. Të bëri të fortë e të pathyeshëm, pasi ishe i dobët, derisa arrite të bëhesh prijës dhe udhëheqës, që urdhrat e tua të zbatohen kur flet dhe urdhëron. Sa mirësi e madhe është kjo, nëse nuk të mashtron epshi e të bëhesh mendjemadh, ngase mosmirënjohja ndaj këtyre dhuntive të shpie në xhehenem. Le të na mbrojë Allahu të dyve nga zjarri i tij!

*   *   *

Utbeja u nis me luftëtarët e tij, e me të ishte edhe gruaja e tij, në mesin e pesë grave të tjera, gra dhe motra të ushtarëve, derisa arritën afër “Ubulles”, në një vend plot me kallam sheqeri. S’kishin asgjë me vete për të ngrënë…

Kur i kaploi uria, Utbeja u tha disave: – Kërkoni në këtë vend diçka për të ngrënë, me qëllim që të shuajmë urinë.

Lidhur me kërkimin e ushqimit është një ngjarje interes-ante, të cilën e ka transmetuar njëri prej tyre duke thënë:

– Derisa kërkonim diçka për të ngrënë, hymë në një pyll të dendur, kur ja, në njërën prej pemëve i pamë të varura dy krojshe, në njërën kishte hurma e në tjetrën kokrra të bardha, të vogla, të mbështjella me lëvozhgë të verdhë. I morëm me vete. Njëri prej nesh shikoi nga krojsha në të cilën ishin kokrrat dhe tha:

 Ky është helm të cilin na e ka përgatitur armiku, andaj mos hani.

Atëherë i morën hurmat dhe filluam t’i hamë …

Derisa hanim hurma, një kalë që i kishte këputur frerët, iu afrua krojshes me kokrrat e bardha dhe filloi t’i hajë. Deshëm ta presim menjëherë që së paku të përfitonim nga mishi i tij, para se të ngordhte, mirëpo pronari i tij tha: – Lëreni, se do ta ruaj atë gjithë natën dhe nëse e shoh se do të ngordhë, do ta ther.

Të nesërmen, me të gdhirë, pamë se kali ishte shëndosh dhe s’e kishte gjetur gjë.

 

 

Motra ime tha:

 O vëlla! E kam dëgjuar babain tim duke thënë: – Helmi nuk bën dëm nëse vendoset në zjarr dhe piqet apo zihet.

Atëherë unë mora disa nga kokrrat dhe i vendosa në një enë e ia vura flakën përfund. Nuk vonoi shumë e ajo tha:

 – Ejani e shikoni si janë skuqur kokrrat, pastaj prej tyre filloi të ndahej lëvozhga dhe dilnin disa kokrra të bardha. I nxorëm në një enë të madhe për të ngrënë e Utbeja na tha: Përmendeni emrin e Allahut dhe hani prej këtij ushqimi…

Kur filluam për të ngrënë, vërejtëm se kishte një shije të mirë.

Më vonë morëm vesh se ky ushqim quhej oriz.

*   *   *

“Ubulleja”, të cilës ia kishte mësyer Utbeja me ushtrinë e tij të vogël, ishte një qytet i fortifikuar mirë, i ngritur në brigjet e lumit Dixhle.[1]

Persianën e kishin bërë këtë qytet depo të armëve të tyre, ndërsa pyrgjet e tij i kishin bërë vende për roje, nga të cilat përcillnin lëvizjet e armiqve të tyre. Megjithatë, kjo aspak nuk e pengoi Utben që t’ia mësyjë mposhtjes së “Ubulles”, edhe pse kishte një ushtri të vogël dhe pak armë. Me vete nuk kishte më tepër se gjashtëqind luftëtarë, të shoqëruar nga një grup i vogël grash. Të vetmet armë të tyre ishin shpatat dhe shtizat. Për këtë arsye patjetër i duhej të përdorte mençurinë dhe strategjinë e tij.

*  *  *

Për gratë, Utbeja përgatiti flamuj, të cilët i lidhi në majë të shtizave… Ato i urdhëroi që të shkojnë pas ushtrisë dhe u tha: Kur t’i afrohemi qytetit, çoni pluhur pas nesh me tërë forcën derisa të mbushet qielli. Kur iu afruan “Ubulles”, ushtarët persianë u dolën para dhe i panë muslimanët duke ardhur. Shikuan flamujt tek valëviteshin pas tyre dhe panë se pluhuri kishte mbuluar qiellin dhe i thanë njëritjetrit:

 Vërtet, këta janë pararoja e ushtrisë muslimane. Sigurisht se pas tyre qëndron një ushtri e hatashme e cila e ka çuar tërë këtë pluhur, kurse ne jemi shumë pak…

Në zemrat e tyre hyri frika dhe i kaploi pasiguria. Filluan t’i mbartin sendet e lehta e të shtrenjta dhe nxitonin për të hipur nëpër anijet të cilat ishin të vendosura në Dixhle, duke lënë pas vetes qytetin e boshatisur. Utbeja hyri në “Ubulle” pa humbur asnjë ushtar e pastaj çliroi qytetet dhe fshatrat përreth, një nga një.

Të mirat e fituara materiale ishin aq të mëdha, saqë vështirë numëroheshin dhe tejkaluan çdo parashikim. Kur njëri nga njerëzit e tij u kthye në Medinë, njerëzit e pyetën:

Si janë muslimanët në “Ubulle”?

– Për çfarë po pyetni?!  pyeti ai.

Për Zotin i kam lënë duke tubuar ar dhe argjend me të madhe. Këto fjalë të tij nxitën shumë njerëz që t’ia mësyjnë “Ubulles”.

*   *   *

Në këtë situatë, Utbeja kishte vërejtur se me vendosjen e ushtarëve nëpër qytetet e çliruara, kjo do të bëjë që ata të  humbin elanin për luftë, do të mësohen me një jetë pa obligime dhe do të marrin tiparet e cilësitë e banorëve vendas.

Kjo e shtyri Utbenë që t’i shkruajë letër Omerit r.a. dhe të kërkojë leje për themelimin e Basrës, pasi që më parë ia kishte përshkruar vendin e zgjedhur për të, e Omeri r.a. i dha leje.

*   *   *

Utbeja e bëri planin e qytetit dhe ndërtesa e parë që e ndërtoi ishte xhamia madhështore… S’është çudi, ngase për hir të xhamive ai dhe shokët e tij dolën në luftë në rrugën e Allahut… Dashuria ndaj fesë dhe ndaj xhamisë i bëri ata triumfues dhe ngadhënjyes ndaj armiqve të Allahut.

Ushtarët garonin se kush do të marrë më tepër tokë dhe në ndërtimin e shtëpive.

Utbeja nuk ndërtoi shtëpi për vete, por vazhdoi të jetojë në një tendë, sepse kishte ndërmend diçka tjetër…

*   *   *

Utbeja vërejti se të mirat e dynjasë i kishin preokupuar muslimanët në Basra, saqë kishin harruar vetveten dhe se ata njerëz të cilët deri dje nuk dinin për ushqim më të mirë sesa orizin e zier me lëvozhgë, kishin shijuar ushqimet e persianëve si hallvë me mjaltë; kadaifin dhe ëmbëlsira të tjera, të cilat iu kishin pëlqyer.

Nga tërë kjo mirëqenie frikësohej se të mirat e kësaj bote do t’i bëjnë muslimanët që t’i lënë pas dore detyrimeve fetare. Mu për këtë arsye tuboi njerëzit në xhaminë e Kufes, u foli dhe u tha:

 O ju njerëz, kësaj bote të përkohshme me të vërtetë do t’i vijë fundi, e ju do të transferoheni në botën tjetër, e cila është e përjetshme.

 Përpiquni që në të të kaloni me veprat më të mira. Më keni parë mua kur isha nga shtatë besimtarët e vetëm me të Dërguarin e Allahut e nuk kishim ushqim tjetër përveç gjetheve të pemëve.

Një ditë, pata gjetur në tokë, një qyrk të cilin e mora dhe e ndava me Sa’d ibni Vekkasin, gjysmën e mori S’adi për mbulesë e gjysmën tjetër e mora unë.

E sot, secili prej nesh është mëkëmbës vali i ndonjë province?

Kërkoj ndihmë dhe mbrojtje prej Allahut që të mos jem i madh në vetvete e i vogël tek Allahu…

Pas këtyre fjalëve të prekshme, njërin prej tyre e la zëvendës të vetin, u përshëndet me ta dhe u nis për në Medinë.

Kur arriti tek Omeri r.a. kërkoi prej tij që ta lirojë nga posti, por ai nuk e liroi. Utbeja insistoi me ngulm që të lirohet, por halifi nguli këmbë dhe e urdhëroi atë që të kthehet përsëri në Basra.

Iu nënshtrua urdhrit të Omerit pa dëshirë dhe duke hipur në deve tha:

 O Zot i Plotfuqishëm, mos më kthe atje!

Allahu i Madhërishëm iu përgjigj lutjes së tij, kështu që jo fort larg Medinës deveja e tij rrëshqiti dhe ai ra prej saj pa frymë në tokë…

Allahu e mëshiroftë Utbe bin Gazvanin!

[1] Dixhle  lumë që buron në Turqi, vazhdon rrjedhën e tij nëpër Irak, për t’u derdhur pastaj në Gjirin arab (persik).

Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up