Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Nuajm ibnu Mes’ud r.a.

“Nuajm ibnu Mes’udi është ai i cili e kuptoi se lufta është strategji.”

Nuajm ibën Mes’udi ishte një djalosh i zgjuar, i mençur dhe i zhdërvjelltë. Nuk e ndalte kurrëfarë pengese e as kurrëfarë vështirësie. Ishte shembull tipik i beduinit të shkretëtirës, me të gjitha tiparet e inteligjencës, pjekurisë, mendjemprehtësisë dhe largpamësisë, tipare këto që ia kishte dhuruar Allahu. Krahas kësaj, ishte i dhënë pas kënaqësive dhe dëfrimeve, të cilat më së shumti i gjente në shoqëri të çifutëve të Jethribit (Medinës).

Sa herë dëshironte të dëgjonte ndonjë këngëtare apo veshi i tij të dëgjonte ndonjë zë të rrallë, shalonte kalin dhe nisej nga vendlindja e tij “Nexhdi” për në Jethrib, ku me gjithë dëshirë u jepte shpërblim çifutëve të Jethribit, e në anën tjetër ata edhe më me dëshirë i ofronin Nuajmit këna-qësinë e kërkuar.

Pasi  vizitat e Nuajmit në Jethrib ishin të shpeshta, edhe lidhja e tij me çifutët ishte e fortë, e posaçërisht me fisin Benu Kurejdha.

*   *   *

Kur Allahu e fisnikëroi njerëzimin me dërgimin e të Dërguarit të Tij me udhëzim dhe fe të vërtetë dhe rrethinën e Mekës e shndriti me dritën e Islamit, Nuajmi ende nuk e frenonte vetveten…

Fenë e re e refuzoi me një vrazhdësi të paparë nga frika se ajo do të jetë pengesë mes tij dhe kënaqësive të tij.

Nuk vonoi dhe u gjend në radhët e armiqve më të përbetuar të Islamit, plot mllef e pezm dhe ishte prej atyre që nuk nguruan ta vringëllojnë shpatën kundër Islamit dhe muslimanëve.

*   *   *

Mirëpo, Nuajmi i hapi vetes një faqe të re në historinë e thirrjes islame ditën e betejës së Hendekut. Në këtë faqe ai shkroi me shkronja të arta tregimin më mahnitës të strategjisë së luftërave, tregim të cilin historia ende e përmend me një admirim të madh, me të gjitha aktet, e posaçërisht strategjinë e kryeheroit të saj të mençur e të zhdërvjelltë.

*   *   *

Për t’u ndalur te tregimi i Nuajm ibnu Mes’udit patjetër duhet të kthehesh pak prapa…

Në prag të betejës së Hendekut disa nga prijësit e çifutëve të fisit Benu Nadir zbritën në Jethrib dhe filluan bisedimet sekrete për grupimin e sa më shumë grupacioneve për ta luftuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe për ta shkatërruar fenë e tij njëherë e përgjithmonë.

Madje shkuan edhe në Mekë për t’i nxitur kurejshët në luftë kundër muslimanëve, duke u premtuar se do t’u bashkohen atyre kur të arrijnë në Medinë dhe për këtë dhanë garanci të mëdha se nuk do ta shkelin premtimin.

Pastaj i lanë ata dhe u nisën te gatafanët në Nexhd duke i nxitur edhe ata në luftë kundër Islamit dhe të Dërguarit të Allahut. I ftuan që ta çrrënjosin këtë fe të re nga faqja e dheut dhe në fund u treguan atyre për marrëveshjen që kishin lidhur me kurejshitët. Edhe gatafanëve iu premtuan sikur kurejshitëve, se do ta mbajnë premtimin për marrëveshjen e lidhur me ta.

*   *   *

Kurejshitët, i madh i vogël, kalorës dhe këmbësorë dolën nga Meka nën komandën e liderit të tyre Ebu Sufjan bin Harbit dhe u nisën për në Medinë. Po ashtu edhe gatafanët nga Nexhdi dolën që të gjithë nën komandën e Ujejne bin Hisën El Gatafanit.

Në ballë të burrave të Gatafanit ishte edhe heroi i tregimit tonë Nuajm ibnu Mes’udi…

Kur të Dërguarit të Allahut i arriti lajmi për daljen e tyre, i tuboi shokët e tij dhe u këshillua me ta se çka duhet të ndërmarrin. U pajtua me vendimin e tyre për hapjen e hendekut rreth Medinës me qëllim që ta mbrojnë nga kjo ushtri e madhe kundër të cilës nuk kishin forcë të mjaftueshme për t’i përballuar. Hendeku sado pak do të ishte një mburojë kundër kësaj ushtrie të madhe të armikut.

*   *   *

Ende pa arritur te kodrinat e Medinës dy ushtritë e nisura nga Meka dhe Nexhdi, liderët çifutë të Beni Nadirit shkuan te liderët e Beni Kurejdhas, të cilët banonin në Medinë dhe filluan t’i nxisin që të hyjnë në luftë kundër të Dërguarit të Allahut dhe t’u bashkangjiten dy ushtrive të mëdha që po vinin nga Meka dhe Nexhdi.

Liderët e Beni Kurejdhasve u thanë:

 Na ftuat në atë që dëshirojmë dhe lakmojmë, por ju e dini se ne me Muhammedin kemi marrëveshje që në rast rreziku të ndihmohemi dhe të mbrohemi mes vete dhe që të mund të jetojmë në Medinë të sigurtë e të qetë. Ju e dini mirë se ngjyra me të cilën është shkruar marrëveshja jonë ende nuk është tharë…

Ne frikësohemi se, nëse Muhammedi fiton në këtë luftë, do të na ndëshkojë me një dënim të hatashëm dhe do të na dëbojë nga Medina përgjithmonë për shkak të tradhtisë sonë ndaj tij…

Por liderët e Benu Nadirit filluan t’i nxisin edhe më shumë në shkeljen e marrëveshjes duke ua hijeshuar tradh-tinë ndaj Muhammedit a.s. I siguronin se pa dyshim kësaj radhe fati i keq do ta përcjellë atë. Bindjen e fortë të tyre e mbështetnin në ardhjen e dy ushtrive të mëdha.

Nuk vonoi shumë e çifutët e Beni Kurejdhas lëshuan pe dhe shkelën marrëveshjen e tyre me Muhammedin a.s… E grisën shkresën që kishin nënshkruar me të… dhe e shpallën bashkangjitjen e tyre ushtrive që po vinin të luftonin kundër tij…

Ky lajm jehoi si bubullima te muslimanët…

*   *   *

Ushtritë aleate rrethuan Medinën dhe banorëve të saj ua ndërprenë furnizimin me ushqim dhe të mirat e tjera…

I Dërguari a.s. e ndjeu se u gjend ndërmjet nofullave të armikut…

Kurejshët dhe Gatafanët ishin përballë muslimanëve jashtë Medinës, ndërsa Benu Kurejdha gjendeshin prapa muslimanëve brenda në Medinë… në çdo çast të gatshëm për sulm. Pastaj hipokritët dhe ata me zemra të luhatura në besim zbulonin fshehtësitë e shpirtërave të tyre dhe thonin:

“Muhammedi na premtoi se do të zotëronim thesarët e Kisrasë dhe Cezarit e ja, sot askush prej nesh nuk është i sigurtë që të shkojë as deri në nevojtore!!!” Shumë prej tyre filluan të ndahen grupe-grupe nga i Dërguari a.s., me arsyetim se po frikësohen për gratë, fëmijët dhe shtëpitë e tyre nga sulmi i mundshëm i Benu Kurejdhës kur të fillojë lufta. Me të Dërguarin e Allahut mbetën vetëm disa qindra besimtarë të sinqertë.

Në një natë prej netëve të rrethimit, i cili zgjati afër 20 ditë, i Dërguari i Allahut iu drejtua Krijuesit të tij dhe filloi t’i lutet Atij nga thellësia e shpirtit, duke thënë:

 O Zoti im, prej Teje kërkoj shpëtimin e premtuar…!

 O Zoti im, prej Teje kërkoj shpëtimin e premtuar…!

*  *  *

Atë natë, Nuajm ibnu Mes’udi rrotullohej andejkëndej në shtratin e tij, por kot, gjumi që moti ishte tretur nga sytë e tij. Thuajse ishin gozhduar kapakët e syve dhe nuk mund t’i mbylleshin për të fjetur. E kishte drejtuar shikimin e tij të mprehtë te yjet në hapësirën e qiellit të kthjellët… U kredh i tëri në mendime, kur befas iu duk se ndërgjegja e shpirtit të tij po e pyet dhe po i thotë:

“Mjerë për ty, o Nuajm!!!

Ç’të solli ty prej atij vendi të largët të Nexhdit për ta luftuar këtë njeri dhe ata që janë me të?!!

Ti nuk je duke luftuar kundër tij për ta fituar ndonjë të drejtë të cunguar apo për ta mbrojtur moralin e përdhosur familjar, por ke ardhur ta luftosh atë pa ndonjë arsye…

A i ka hije një njeriu të mençur, siç je ti, të luftojë e të vrasë apo edhe të vritet pa ndonjë arsye?!!

Mjerë për ty o Nuajm!…

Çka të shtyu ta ngresh shpatën tënde në fytyrën e këtij njeriu të devotshëm, i cili i urdhëron pasuesit e tij në drejtësi, mirësi dhe në respektin e të afërmve?!!

Ç’është ajo që të shtyn ta futësh shtizën tënde në gjakun e shokëve të tij, të cilët e pasuan udhëzimin dhe të vërtetën me të cilën ai erdhi?!!”

Ky dialog i ashpër ndërmjet Nuajmit dhe ndërgjegjës së tij nuk përfundoi ndryshe përveçse me vendim të prerë: të ngrihet nga shtrati në atë moment dhe të shkojë te Pejgamberi a.s.

*    *    *

Nën hijen e natës Nuajmi u përvodh nga kampi i popullit të vet dhe shkoi me nxitim tek i Dërguari i Allahut…

Kur i Dërguari i Allahut e pa para vetes, u çudit dhe tha: – Nuajm ibnu Mes’udi?!

 Po, o i Dërguari i Allahut,  ia ktheu ai.

Çka të solli ty në këtë kohë?!  e pyeti prapë Resulul-lahu.

– Erdha që të dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij, dhe se ajo me çka ke ardhur është e vërtetë,  u përgjigj Nuajmi dhe vazhdoi:

O i Dërguari i Allahut, unë e pranova Islamin, mirëpo populli im nuk di gjë për këtë, prandaj më urdhëro çka të duash…

I Dërguari i Allahut i tha:

Me të vërtetë ti në mesin tonë konsiderohesh si njeri i besueshëm, prandaj shko te populli yt dhe largoji ata prej nesh, nëse mundesh, ngase vërtet lufta është strategji.

Po, o i Dërguari i Allahut,  i tha ai,  do të shohësh me sytë tu atë që do të gëzojë, në dashtë Allahu.

*   *  *

Nuajmi shkoi me nxitim te Beni Kurejdhasit, me të cilët më parë kishte pasur shoqëri të ngushtë dhe u tha:

 O Beni Kurejdha, juve u është e njohur dashuria dhe sinqeriti im në këshillat ndaj jush.

Po,  i thanë ata.  Nuk je i dyshimtë te ne…

 Kurejshët dhe Gatafanët, në dallim nga ju, kanë tjetër pozitë në këtë luftë, u tha ai.

Si?!  pyetën ata.

Këtë vend e keni tuajin  u tha prapë ai.  Këtu keni pasurinë, fëmijët dhe gratë tuaja dhe nuk keni mundësi t’i transferoni në ndonjë vend tjetër… Kurse, sa i përket Kurejshëve dhe Gatafanëve, vendi, pasuria, fëmijët dhe gratë e tyre janë në vende të largëta.

Erdhën që ta luftojnë Muhammedin dhe kërkuan prej jush që ta shkelni marrëveshjen tuaj me të dhe t’u bashkoheni atyre, gjë që edhe e bëtë. Nëse ata korrin fitore ndaj tij do të marrin pasuritë e tij, por nëse nuk korrin sukses, atëherë do të kthehen në vendin e tyre të sigurtë, e juve do t’ju lënë në duart e tij që të hakmerret ashpërsisht.

Besoj se jeni të vetëdijshëm se nuk keni fuqi kundër tij kur të mbeteni vetëm me të… – Të vërtetën e thua,  thanë ata, por çfarë të bëjmë tani?

Ai u tha:

– Unë mendoj që të mos luftoni me të derisa të mos merrni disa nga fisnikët e Kurejshëve dhe Gatafanëve dhe t’i mbani peng. Me këtë do t’i detyroni që të luftojnë së bashku me ju derisa të triumfoni ndaj tij, ose të shkatërrohet edhe njeriu i fundit, prej jush e prej tyre.

 Na sinjalizove dhe na këshillove…  ia kthyen ata.

Pas kësaj u largua prej tyre dhe shkoi te udhëheqësi i kurejshëve, Ebu Sufjani, dhe atij e të tjerëve që ishin me të u tha:

 O paria kurejshite, ju e dini dashurinë time ndaj jush dhe armiqësinë time ndaj Muhammedit… Kam marrë vesh diçka prandaj e pashë të udhës t’ua tregoj edhe juve. Do t’ju lutja që këtë ta mbani të fshehtë dhe të mos e shpallni se unë ju tregova.

Ashtu qoftë  thanë ata.

Të dini se Beni Kurejdha janë penduar për armiqësinë e tyre ndaj Muhammedit dhe i kanë çuar fjalë atij e i kanë thënë:

– Jemi penduar për tradhtinë që kemi bërë ndaj teje…dhe kemi vendosur që të kthehemi në atë që jemi marrë vesh më parë. – A je i pajtimit që ne t’i marrim si peng disa nga Kurejshët dhe Gatafanët, t’i dorëzojmë ty, t’ua thesh qafën e pastaj të bashkohemi derisa t’i shkatërrojmë!

Ai iu ka dërguar atyre përgjigje dhe u ka thënë se pajtohem me mendimin tuaj, prandaj Nuajmi i tha Ebu Sufjanit: “Nëse çifutët kërkojnë prej jush pengje nga njerëzit tuaj, mos u jepni asnjë njeri!”

Sa aleat i mirë që je, u shpërblefsh me të mira,  i tha Ebu Sufjani.

Më pas Nuajmi doli nga Ebu Sufjani dhe vazhdoi rrugën derisa arriti te populli i tij, Gatafanët, u foli atyre ashtu siç i foli Ebu Sufjanit dhe ua tërhoqi vërejtjen ashtu siç bëri me kurejshët dhe me Ebu Sufjanin.

*   *   *

Ebu Sufjani deshi që të provojë Beni Kurejdhasit në lidhje me lajmin dhe e dërgoi të birin e tij tek ata, i cili u tha:

 Babai im ju dërgon përshëndetje dhe ju thotë:

“Rrethimi ynë që ia bëmë Muhammedit dhe shokëve të tij zgjati bukur shumë, saqë u mërzitëm…

Ne kemi vendosur ta luftojmë Muhammedin dhe ta heqim qafe. Babai im më ka dërguar tek ju që t’ju ftoj që nesër ta sulmojmë.

Benu Kurejdhasit i thanë atij: “Sot është ditë e shtunë, e ne nuk punojmë asgjë në këtë ditë, pastaj ne nuk do të luftojmë me ju përderisa të mos na i jepni shtatëdhjetë veta nga fisnikët tuaj dhe nga fisnikët e Gatafanit që të jenë te ne si pengje. Frikësohemi se nëse nuk do të keni sukses kundër tij, ju do të nxitoni në vendin tuaj dhe do të na lini të vetmuar me Muhammedin. Ju e dini se ne nuk kemi forcë t’i kundërvihemi atij…”

Kur u kthye i biri i Ebu Sufjanit te populli i tij dhe i lajmëroi se çka dëgjoi nga fisi Beni Kurejdha, kurejshët thanë njëzëri:

 Të poshtërit! Vërtet janë bij të majmunëve dhe derrrave. Për Zotin, nëse do të kërkonin si peng vetëm një dele, nuk do t’ua jepnim…

*  *  *

Nuajmi arriti që me këtë strategji të rrallë t’i shpartallojë radhët e aleatëve dhe t’i përçajë e t’i bëjë pikë e pesë.

Në anën tjetër, Allahu lëshoi kundër kurejshëve dhe aleatëve të tyre një stuhi të tmerrshme, e cila ua rrënoi tendat, ua rrotulloi plaçkat, ua shoi zjarret dhe ua mbushi sytë dhe fytyrat me pluhur…

Ata nuk gjetën rrugëdalje tjetër përveç ikjes dhe që të gjithë u larguan nën errësirën e natës…

Të nesërmen, kur u zgjuan muslimanët dhe panë se armiqtë e Allahut ua kishin mbathur këmbëve, filluan të marrin tekbire e ta madhërojnë Allahun e Plotfuqishëm.

I falënderuar qoftë Allahu, i Cili e shpëtoi robin e Tij…

E lartësoi ushtrinë e Tij… dhe mposhti ushtritë armike…

*  *  *

Prej asaj dite, Nuajmi ibnu Mes’udi u bë njeri i besueshëm tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. I besoi shumë punë të mëdha, e obligoi me përgjegjësi të ndryshme dhe i besoi mbartjen e flamujve gjatë luftërave.

Ditën e çlirimit të Mekës, Ebu Sufjani u ndal dhe derisa sodiste ushtrinë çlirimtare muslimane, shikimi iu ndal te një njeri që mbante flamurin e Gatafanit dhe i pyeti ata që ishin me të: – Kush është ky?

– Nuajm bin Mes’udi,  i thanë ata.

– Ah, sa keq na e pat punuar ditën e Hendekut!… Për Zotin, ishte armiku më i përbetuar i Muhammedit, e ja tani duke mbartur me duart e tij flamurin e fisit të vet dhe na lufton neve nën flamurin e tij!  ofshani thellë Ebu Sufjani.

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...