“Të rrallë janë njerëzit si Umejr Ibnu Sa’di ” (Omer ibnul Hattabi)
Qysh në fëmijërinë e tij të hershme, Umejr ibnu Sa’d El Ensariu e shijoi gotën e hidhur të jetimërisë (bonjakërisë) dhe të varfërisë. Babai i vdiq pa i lënë kurrfarë pasurie apo dikë që të kujdeset për të. Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe nëna e tij u martua me një të pasur nga fisi Evs,me Xhulase ibne Suvejdin, i cili pranoi të përkujdeset për Umejrin dhe e afroi pranë vetes.
Sjelljet i mira dhe ndjenjat fisnike të Xhulases bënë që Umejri sado pak të harrojë se është jetim. Ai e deshi Xhulasen, siç do i biri babanë, por edhe Xhulaseja ushqente dashuri të madhe ndaj tij, si babai ndaj fëmijës së vet.
Sa vinte e rritej Umejri, dashuria dhe përkujdesi i Xhulases ndaj tij gjithnjë vinte e shtohej, sepse ai në të shihte shenjat e mendjemprehtësisë, pjekurisë dhe virtytet e besnikërisë e të sinqeritetit në çdo punë e sjellje.
* * *
Që fëmijë vetëm sa i kishte kaluar të dhjetat, Umejr Ibnu Sa’di përqafoi fenë islame. Imani zuri vend në zemrën e njomë të këtij djaloshi dhe u mishërua thellë në shpirtin e tij të pastër.
Edhe pse i ri, kurrë nuk vonohej që të falte namazin pas Resulullahit. Nënës së tij i bëhej zemra mal nga gëzimi kur e shihte të birin tek shkonte e vinte nga xhamia, herë vetëm e herë me të shoqin e saj.
* * *
Mirëpo, deshi Zoti xh.sh. që ta sprovojë zemrën dhe imanin e këtij djaloshi të ri me një sprovë të rëndë e të vështirë, të cilën rrallë kush prej mocanikëve të tij do të mund ta përballonte.
Në vitin 9 h. (hixhrijj), i Dërguari i Zotit vendosi t’iu kundërvëhet romakëve në Tebuk dhe thirri të gjithë muslimanët në mobilizim të përgjithshëm. Gjatë luftërave të mëparshme Pejgamberi a.s. gjithmonë e mbante të fshehtë kahun dhe drejtimin, përveçse në rastin e Tebukut. Ai e shpalli këtë botërisht për shkak të largësisë së madhe, vështirësive të udhëtimit dhe forcës së madhe të armikut.
Këtë e bëri me qëllim që njerëzit të mendojnë më shtruar dhe të vendosin vetë për këtë çështje.
Edhe përkundër thatësisë së madhe e cila mbretëronte atë verë, e cila sapo kishte hyrë, saqë edhe frytet ishin tharë nga vapa përcëlluese, muslimanët me të madhe iu përgjigjën thirrjes së Pejgamberit a.s. dhe filluan të përgatiten për këtë luftë me të gjitha mundësitë e tyre.
Mirëpo, në anën tjetër, një grup munafikësh nëpër ndejat e tyre flisnin fjalë të liga kundër Resulullahut dhe në çdo mënyrë mundoheshin ta dobësonin dhe të thyenin moralin e ushtrisë muslimane duke futur dyshim në suksesin e kësaj lufte.
Në njërën prej këtyre ditëve që i paraprinë shkuarjes së ushtrisë muslimane, Umejr ibnu Sa’di u kthye në shtëpi pas faljes së namazit, e fytyra i shkëlqente si drita (nuri) nga të gjitha ato pamje të sakrificës dhe vetëmohimit të rrallë të muslimanëve, të cilat i kishte parë e dëgjuar me sytë dhe veshët e tij.
…I kishte parë gratë e ensarëve dhe muhaxhirëve tek vinin te Pejgamberi a.s. për t’i dhuruar hallhallet dhe stolitë e tyre, që me to të përgatitet ushtria muslimane. Kishte parë Osman ibnu Affanin r.a. duke sjellë para Pejgamberit a.s. një qyp me 1000 (një mijë) dinarë ari.
Kishte qenë dëshmitar edhe i faktit kur Abdurrahman ibnu Avfi solli para Pejgamberit a.s. 200 (dyqind) okë ari. Madje kishte parë një njeri që kishte nxjerrë në shitje edhe mbulojën e fjetjes, vetëm e vetëm që me çmimin e saj të blejë një shpatë për të luftuar në rrugën e Allahut.
Umejri i vogël filloi t’i rikthejë edhe njëherë në kujtesën e tij këto pamje të rralla dhe çuditej me ngadalësinë dhe ngathtësinë e Xhulases tek përgatitej për udhëtim me Resulullahun, edhe përkundër mundësive dhe pasurisë së tij. Mu për këtë shkak Umejri dëshironte ta nxiste kërshërinë dhe vullnetin e Xhulases dhe filloi t’i rrëfejë atij për atë që kishte parë e dëgjuar, e sidomos për atë grupin e muslimanëve të cilët, nga pamundësia për të blerë armë, e lutnin Pejgamberin a.s. me lot në sy që t’i marrë edhe ata me vete në luftë. Mirëpo, Pejgamberi a.s., i kishte refuzuar vetëm pse s’kishte kafshë mbartëse për të gjithë.
Ndërsa Xhulaseja, pasi e dëgjoi Umejrin deri në fund, lëshoi nga goja e tij një fjalë që e hutoi dhe e stepi në vend djaloshin besimtar…
Ai tha: “Nëse është Muhammedi i sinqertë në preten-dimin e tij se është pejgamber, atëherë ne jemi edhe më të këqinj se gomerët.”
* * *
Umejri, i shtanguar nga habia, nuk u besonte veshëve të tij për atë që dëgjoi. Nuk ia merrte mendja se nga goja e një njeriu të moshuar e të mençur si Xhulaseja mund të dalin këso fjalë, të cilat e nxjerrin njeriun atypëraty (hëpërhë) nga imani në kufër (mosbesim) të vërtetë.
…Ashtu siç i zbërthen me shpejtësi problemet e ndërlikuara matematikore llogaritësi i saktë elektronik, ashtu edhe truri i Umejrit filloi të hulumtojë e të mendojë se çfarë të bëjë…
Nëse hesht dhe e mbulon atë që tha Xhulaseja, atëherë ajo do të ishte tradhti ndaj Allahut xh.sh. dhe ndaj Pejgamberit a.s. dhe njëherazi edhe dëmtim i Islamit, ndaj të cilit hipokritët po planifikonin kurthe, intriga e komplote të ndryshme.
E nëse e shfaq dhe i përcjell fjalët e tij te Pejgamberi a.s., atëherë kjo do të ishte padëgjueshmëri dhe gjest i mosmirënjohjes ndaj njeriut të cilin e kishte si në vend të babait. Do të ishte “shpërblim” me të keq për të mirat e Xhulases ndaj tij, sepse Xhulaseja ishte ai që e mori në përkujdesje kur ishte jetim, e nxori nga varfëria në pasuri dhe ia kompensoi humbjen e dashurisë atërore.
Para djaloshit ishin vetëm dy zgjidhje: cilën të zgjedhë prej dy të hidhurave?!… Vendosi me shpejtësi dhe u kthye nga Xhulaseja e i tha: – Për Zotin, o Xhulase, nuk ka për mua njeri më të dashur se ti në fytyrën e tokës pas Muhammedit a.s. Ti je njeriu më i shtrenjtë, më i afërt dhe më mirëbërësi ndaj meje, por the një fjalë që, nëse e përmend do të të turpërojë para njerëzve, e nëse e mbaj, atëherë do ta tradhtoj amanetin, shpirtin dhe fenë time. Prandaj, dije se unë kam vendosur që të shkoj tek i Dërguari i Zotit dhe do ta lajmëroj për atë që the.
* * *
Umejri i vogël shkoi në xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe e lajmëroi atë për fjalët që i dëgjoi nga Xhulaseja. Kur i dëgjoi Muhammedi a.s. këto fjalë e ndali Umejrin pranë vete dhe e dërgoi njërin prej shokëve të tij që të thërrasë Xhulasen.
Nuk vonoi shumë e ia behu Xhulaseja dhe pasi, e përshëndeti Pejgamberin, u ul para tij.
Ç’janë këto fjalë që ka dëgjuar Umejri prej teje, o Xhulase?! e pyeti Pejgamberi a.s.
Ka gënjyer dhe ka shpifur ndaj meje, o i Dërguar i Zotit, se prej gojës sime kurrë nuk kanë dalë fjalë të tilla ia ktheu ai.
Atëherë sahabët filluan t’i drejtojnë shikimet e tyre herë nga Xhulaseja e herë ka Umejri, sikur dëshironin të lexonin në shenjat e fytyrave të tyre atë që fshehnin në zemra.
Filluan të përshpërisin e njëri prej tyre i tha “djalë mosmirënjohës që të mirën e kthen me të keqe.” Kurse të tjerët thonin: Jo, por djalë që është rritur në respektin ndaj Allahut, sepse shenjat e fytyrës së tij flasin se ai thotë të vërtetën.
Pejgamberi a.s. u kthye nga Umejri dhe vërejti se fytyra i ishte skuqur e tëra nga gjaku që po i vlonte dhe nga sytë lotët i pikonin pandërprerë duke iu ravijëzuar nëpër mollëzat e faqeve të tij dhe thoshte: “O Allah, zbriti të Dërguarit tënd sqarimin e asaj që thashë!…O Allah, zbriti të Dërguarit tënd sqarimin e asaj që thashë!”…
Kur e pa tërë këtë skenë, Xhulaseja u trimërua edhe më shumë dhe tha: – O i Dërguar i Zotit! Ajo që të thashë unë, ajo është e vërteta. Nëse ke dëshirë, ne mund edhe të betohemi para teje, e unë të betohem në Allahun se nuk kam thënë asgjë nga ajo që ta ka përcjellë Umejri.
…Ende pa i mbaruar mirë Xhulaseja këto fjalë dhe kur shikimet e njerëzve filluan të drejtohen kah Umejr Ibnu Sa’di, Pejgamberin a.s. e kaploi një kotje. Shokët e tij e kuptuan se është duke i zbritur Vahji (Shpallja), prandaj menjëherë zunë vendet e tyre për të pritur se çka do t’u komunikojë i Dërguari a.s. nga ana e Allahut xh.sh.
Në këtë çast frika dhe të dridhurat filluan ta kaplojnë Xhulasen, kurse Umejrit ndjenjat e ngrohta të kënaqësisë filluan t’i përshkojnë tërë trupin.
Atëherë Pejgamberi a.s. komunikoi Fjalët e Allahut xh.sh:
“Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë (asgjë të keqe), e në të vërtetë, kanë thënë fjalë të kufrit (mosbesimit) dhe, pasi që patën shprehur besimin, ata e mohuan dhe u përpoqën për atë (mbytjen e Pejgamberit) që nuk e arritën. Ata nuk urrejnë për tjetër pos pse Allahu nga mirësitë e Tij dhe i Dërguari i Tij i begatoi ata. Nëse ata pendohen, do të jetë më mirë për ta, e nëse refuzojnë, Allahu i dënon me një dënim të dhembshëm, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. E në këtë rruzull të tokës nuk ka për ta as mbrojtës e as ndihmës.” (EtTeube: 74)
Xhulaseja kur e dëgjoi këtë ajet, u drodh, u trishtua dhe gati iu lidh gjuha në nyjë nga frika e pastaj u kthye nga i Dërguari a.s., duke thënë: Por po pendohem o i Dërguar i Allahut, po pendohem…se Umejri e tha të vërtetën, o Pejgamber i Zotit, e unë isha prej gënjeshtarëve, prandaj lute Zotin që të ma pranojë pendimin, kurban u bëfsha për ty!
Në këtë çast i Dërguari i Zotit u kthye nga djaloshi i ri, Umejr ibnu Sa’di, dhe pa se lotët e gëzimit i kishin mbuluar fytyrën, e cila po ndriçonte e tëra nga nuri i imanit. E zgjati dorën e tij të bekuar kah veshi i tij dhe, pasi e lëmoi me butësi, tha: “Vesh besnik, atë që e dëgjove me veshët e ty o djalosh, atë ta vërtetoi Allahu xh.sh.” Ndërsa Xhulaseja pas pendimit u kthye dhe e përmirësoi Islamin e tij. Sahabët e dinin mirë gjendjen e tij, ngase kishte qenë gjithmonë bamirës e zemërgjerë, si ndaj Umejrit ashtu edhe ndaj të tjerëve. E sa herë që përmendej Umejri, ai thoshte: – Allahu e shpërbleftë me të mira në vendin tim, se ai më shpëtoi nga kufri (mosbesimi) dhe zjarri i xhehenemit.
* * *
Nuk është vetëm ky rast i vetmi dhe më i ndritshmi në jetën e djaloshit, Umejr ibnu Sa’d. Të tillë gjatë jetës së tij pati edhe shumë e shumë të tjerë.
…E tani, mirupafshim me Umejr ibnu Sa’din, në rininë e tij…
Njëri nga dy fiset e mëdha arabe që banonin në Medinë, të cilët së bashku me fisin tjetër Hazrexhin, e morën të Dërguarin e Allahut nën mbrojtjen e tyre.
Vend afër kufirit të sotëm sauditosirian, në të cilin u zhvillua njëra ndër luftërat më të njohura e më të ashpra ndërmjet muslimanëve dhe romakëve.
Në pjesën e parë ishim dëshmitarë të një pamjeje të rrallë e të ndritshme nga jeta e sahabit të njohur, Umejr ibnu Sa’dit, në fëmijërinë e tij, e tani eja të shohim një pamje tjetër të ndritshme gjatë jetës së tij në moshën madhore. Edhe ju do të shihni se ngjarja e dytë nuk është aspak më e zbehtë sesa e para…
* * *
Banorët e Himsit ishin gjithmonë të pakënaqur me udhëheqësit e tyre dhe ankoheshin vazhdimisht për ta. Sa herë u vinte ndonjë vali i ri, përpiqeshin t’ia gjejnë ndonjë të metë apo dobësi dhe menjëherë kërkonin prej halifes së muslimanëve që ta ndërrojë atë me ndonjë tjetër.
Omeri r.a. vendosi që të dërgojë atje një vali të cilit nuk do të mund t’i gjenin asnjë vërejtje a dobësi. Thirri pranë vetes njerëzit më të afërt të tij dhe nuk gjeti në mesin e tyre më të mirë e më të përshtatshëm për këtë çështje sesa Umejr bin Sa’din.
Atëbotë, Umejri gjendej në luftë në krye të ushtrisë muslimane, diku në tokat e Shamit, duke çliruar kështjellë pas kështjelle, qytet pas qyteti dhe duke nënshtruar fiset dhe popujt e atjeshëm. Në çdo tokë të çliruar ndërtonte nga një xhami.
Megjithatë, edhe përkundër kësaj, emiri i muslimanëve, Omeri r.a., e thirri Umejrin nga vija e frontit, e caktoi vali mbi provincën e Himsit dhe e urdhëroi që të shkojë atje.
Umejri e pranoi këtë me përtesë dhe pa dëshirë, sepse nuk preferonte asgjë më tepër në këtë botë sesa xhihadin në rrugën e Allahut xh.sh. Megjithatë, iu nënshtrua urdhrit të eprorit të vet.
* * *
Kur arriti Umejri në Hims e thirri tërë popullin në një namaz të përbashkët në xhami. Kur u krye namazi, pasi falënderoi Allahun xh.sh. dhe dërgoi salavate mbi Pejgamberin a.s., iu drejtua të pranishmëve me fjalët: O ju njerëz! Islami është një kështjellë e pamposhtur dhe derë e pathyeshme. Kështjella e Islamit është drejtësia dhe dera e tij është e vërteta. Nëse kjo kështjellë dridhet e lëkundet dhe thyhen dyert e saj, atëherë shkatërrohet mburoja e kësaj feje. Mirëpo, Islami do të jetë gjithmonë i pathyeshëm, përderisa sunduesi (udhëheqësi) të jetë i ashpër dhe i paluhatshëm. E ashpërsia e sunduesit nuk është as goditja me kamxhik e as mbytja me shpatë, por veprimi me drejtësi dhe fjalë të vërteta.”
Pas këtij fjalimi Umejri filloi menjëherë punën në realizimin e asaj që tha në hytben e tij të shkurtër.
* * *
Umejr ibnu Sa’di gjatë një viti të plotë sa qëndroi në Hims, asnjëherë nuk i shkroi halifes së muslimanëve dhe nuk dërgoi asnjë dërhem në arkën shtetërore (Bejtul Mal). Kjo e shtyri Omerin r.a., që të dyshojë pak në të, sepse konside-ronte se përveç Pejgamberit a.s. nuk ka njeri të pagabueshëm në këtë aspekt, prandaj e urdhëroi këshilltarin e vet që t’i shkruajë letër Umejrit dhe t’i thotë: “Kur të të arrijë kjo letër e emirit të muslimanëve, lëshoje Himsin dhe eja në Medinë. Me vete merr edhe tërë atë që ke mbledhur për arkën shtetërore.”
Umejrit i arriti në dorë letra e Omerit r.a. (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të dy). Kur e lexoi përmbajtjen e saj menjëherë filloi të përgatitet për udhëtim. Hodhi mbi supe shtambën e ujit, pak ushqim, një enë për të marrë abdest dhe u nis këmbë për në Medinë, duke lënë pas vetes Himsin dhe banorët e tij.
Gjatë udhëtimit të tij të gjatë e të mundimshëm për në Medinë, nga vapa e madhe përcëlluese, qe lodhur e cfilitur i tëri. Trupi i qe dobësuar dhe flokët i ishin rritur, saqë shenjat e mundimeve të rrugës e të udhëtimit vëreheshin shumë lehtë tek ai.
Kur hyri tek Omeri r.a., ky u habit nga gjendja e tij e rëndë dhe i tha:
Ç’’e mirë të ka gjetur, o Umejr?!
Asgjë o emiri i muslimanëve. Jam shëndosh e mirë dhe për këtë e falënderoj Allahun xh.sh. Me vete kam tërë dynjanë dhe e sjell nga të dua ia ktheu Umejri.
E çka ke nga dynjaja? e pyeti prapë Omeri r.a., duke menduar se me vete ka sjellë pasuri për arkën shtetërore.
Kam një strajcë në të cilën kam futur gjërat e nevojshme të udhëtimit, një enë në të cilën ha bukë dhe një shtambë me ujë për të pirë nga ajo dhe për të marrë abdest. Këto janë kënaqësia ime në këtë botë, e për gjëra të tjera nuk kam nevojë tha Umejri.
Erdhe në këmbë? e pyeti Omeri r.a.
Po, o emiri i muslimanëve ia ktheu ai.
Përse nuk erdhe prej Himsit hipur në ndonjë kafshë?
As nuk ma dhanë e as nuk ua kërkova.
Ku është pasuria që ke sjellë për arkën shtetërore? pyeti Omeri r.a.
Nuk solla asgjë, ia ktheu prapë ai.
E përse?! u habit Omeri r.a.
Sepse kur arrita në Hims, – tha ai, – i mblodha njerëzit më të ndershëm e më besnikë dhe ua besova mbledhjen e të mirave. Sa herë që tubonin diçka, i këshilloja që ta ndajnë atë me drejtësi, aty ku ndihej nevoja më e madhe.
Kur i dëgjoi Omeri r.a. të gjitha këto, i tha këshilltarit të vet: “Ripërtërija Umejrit edhe një mandat të valiut mbi provincën e Himsit!”
Ruana Zot! tha ai, – këtë nuk e pranoj dot kurrë, sepse dëshira ime e vetme është që t’i përkushtohem në qetësi jetës dhe ibadetit tim ndaj Allahut xh.sh.
…Pas këtyre fjalëve kërkoi leje që të shkojë në fshatin e tij në periferi të Medinës, pranë gjirit familjar… dhe iu lejua.
* * *
Nuk kaloi shumë kohë prej shkuarjes së Umejrit në fshat dhe Omeri r.a., deshi ta sprovojë edhe njëherë shokun e tij, që të bindet në drejtësinë dhe saktësinë e fjalëve të tij.
Shko si mysafir në shtëpinë e Umejr ibnu Sa’dit! i tha Omeri r.a., njërit prej të besuarve të tij, të quajtur Harith.
– Nëse sheh shenja të begatisë dhe jetesës së mirë, kthehu ashtu siç shkove, e nëse sheh mjerim dhe gjendje të vështirë, atëherë jepja këta 100 dinarë.
…Harithi shkoi në fshatin e Umejrit dhe pyeti bashkëfshatarët për shtëpinë e tij. Kur e takoi i tha: – Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty!
– Gjithashtu, qoftë edhe mbi ty! ia ktheu Umejri dhe e pyeti Harithin se prej nga po vjen.
Nga Medina iu përgjigj Harithi.
Si i le besimtarët?
Mirë.
Po si është emiri i muslimanëve?
Shëndosh e mirë.
A iu përmbahet rregullave të Islamit?
Posi ia ktheu Harithi, – madje para disa kohësh e ka rrahur të birin e tij për shkak të një mëkati që bëri, derisa vdiq nga goditjet.
Atëherë Umejri tha: O Allah! Ndihmoji Omerit, sepse e di që ai ka dashuri të madhe ndaj Teje.
* * *
Harithi qëndroi si mysafir në konakun e Umejr ibnu Sa’dit tri net, e çdo natë për ushqim kishin vetëm bukë të thatë elbi. Në ditën e tretë një bashkëfshatar i tha Harithit: Dije se je duke e ngushtuar Umejrin dhe familjen e tij. A nuk e sheh se s’kanë asgjë para vete përveç kësaj buke të thatë elbi me të cilën po të nderojnë ty? Ata janë duke vuajtur e duruar urie, prandaj, nëse ta merr mendja të largohesh nga ata, atëherë urdhëro e eja tek unë.
* * *
Pas këtyre fjalëve, Harithi nxori nga xhepi të 100 dinarët dhe ia lëshoi në dorë Umejrit.
Ç’janë këto të holla? pyeti i habitur Umejri.
T’i ka dërguar emiri i muslimanëve ia ktheu Harithi.
Ktheja prapë Omerit, përshëndete nga ana ime dhe thuaj: Umejri nuk ka nevojë për to.
Merri, o Umejr! i tha bashkëshortja e tij, me zë paksa si të lartë. – Nëse të nevojiten, shpenzoji e nëse jo, atëherë shpërndajua atyre që kanë nevojë, se të tillë ka shumë këtu.
Kur i dëgjoi Harithi fjalët e saj, i hodhi të hollat para Umejrit dhe u largua. Umejri i mori të hollat, por atë natë nuk vuri gjumë në sy, derisa i shpërndau të gjitha, te të varfërit, duke i veçuar posaçërisht fëmijët e dëshmorëve.
Pasi u kthye Harithi në Medinë, Omeri r.a. e pyeti:
Çfarë pe, o Harith?
Gjendje të rëndë e të mjerueshme, ia ktheu ai.
A ia le të hollat?
Po, emirul mu’minin.
Çfarë bëri me to? pyeti prapë Omeri r.a.
Nuk di iu përgjigj Harithi, – por nuk besoj se do ta ndalë për vete asnjë dërhem.
Atëherë Omeri r.a. i shkroi Umejrit dhe i tha: – Kur të arrijë kjo letër imja, eja patjetër në Medinë!
* * *
Umejri ia mësyu Medinës dhe shkoi drejt tek Omeri r.a., i cili e përshëndeti me mirëseardhje dhe i tha:
Ç’bëre me ato të holla, o Umejr?
Përse më pyet për to, pasi vetë m’i dhurove? ia ktheu Umejri.
Pikërisht për këtë të kam ftuar i tha Omeri r.a., dhe dua ta di se ç’bëre me to?
“I deponova” për vete, që të kem dobi prej tyre në atë ditë kur nuk do të vlejnë as pasuria e as fëmijët.
Nga këto fjalë të prekshme Omerit r.a. iu mbushën sytë me lot dhe tha: “Dëshmoj se je prej atyre që më tepër dëshirojnë t’u bëjnë mirë të tjerëve sesa vetes, edhe pse vetë kanë nevojë për ndihmë”, dhe urdhëroi që Umejrit t’i jepet një sasi e konsiderueshme ushqimi dhe dy palë rroba.
Sa për ushqim, ne nuk kemi nevojë për të, o emiri i muslimanëve. Në shtëpi kam lënë dy teneqe elb, e derisa ta hamë atë, shpresoj se ndërkohë Allahu do të na furnizojë, kurse sa i përket rrobave ato do t’i marr për bashkëshorten time, sepse i janë vjetëruar e grisur plotësisht petkat.
* * *
Nuk kaloi shumë kohë prej këtij takimi të Omerit r.a. dhe shokut të tij dhe Allahu xh.sh. e mori Umejrin pranë fqinjësisë së Tij të përjetshme dhe afër Pejgamberit a.s., për të cilin i digjej zemra dhe aq fort e kishte marrë malli ta shohë.
Umejri kaloi në botën e amshueshme (ahiret) shpirtqetë e i pabrenga, duke mos e rënduar veten me asnjë barrë të kësaj bote. Kaloi në ahiret e me vete s’mori asgjë përveç dritës, udhëzimit, dlirësisë dhe devotshmërisë së tij.
Kur Omeri r.a. dëgjoi për vdekjen e tij u prek thellë dhe i pikëlluar tha: “Sa do të dëshiroja që të kem pranë vetes njerëz si Umejr ibnu Sa’di që të më ndihmojnë në çështjet e muslimanëve.”
* * *
Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me Umejr ibnu Sa’din…
Ishte shembull i rrallë në mesin e ashabëve… dhe
Nxënës i shkëlqyeshëm “në shkollën” e Muhammedit a.s.
Shto koment