Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Seid ibn Amir r.a.

I riu Seid ibnu Amir ElXhumehij ishte njëri prej atyre mijërave që kishin dalur në vendin e quajtur “Ten’im”, jo larg Mekës, me ftesën e parisë kurejshite, që të jenë dëshmitarë të ekzekutimit me vdekje të HUBEJB IBNU ADIJJIT, njërit prej sahabëve të Muhammedit a.s., të cilin e kishin zënë tradhtisht kurejshitët.

Fuqia e tij e pafrenueshme rinore i kishte mundësuar të depërtojë në mesin e turmës, derisa arriti te paria e Kurejshit, ku ishte Ebu Sufjan ibnu Harbi, Safvan ibnu Umeje e shumë të tjerë, të cilët shkonin në krye të kolonës.

Kjo i bëri të mundur që ta shohë robin e kurejshitëve të lidhur me pranga, ndërsa turma e grave, fëmijëve dhe e të rinjve e shtynin në drejtim të sheshit të ekzekutimit (trekëmbëshit). Këte e bënin në shenjë hakmarrjeje ndaj Muhammedit a.s. për të vrarët e tyre në betejën e Bedrit.

Kur turma e madhe arriti me robin e saj në vendin e caktuar për ekzekutimin e tij, i riu Seid ibnu Amir elXhumehij qëndroi me shtatin e tij të hedhur duke e soditur Hubejbin se si e çonin te trekëmbëshi, ku edhe ia zgjidhën prangat. Atëherë u dëgjua zëri i tij i fuqishëm dhe i qetë në mesin e ulurimave të grave dhe të fëmijëve duke thënë:

“Nëse dëshironi, më lejoni t’i fal dy rekate para se të më ekzekutoni!”

Pastaj e pa Hubejbin se si u kthye kah Qabeja dhe i fali dy rekate. Oh, sa bukur i fali dhe sa mirë i kompletoi!

Pastaj e pa se si iu kthye parisë së popullit duke u thënë:

“Betohem në Allahun, se sikur të mos kishit menduar se po e zgjas namazin nga frika prej vdekjes, do të isha falur më gjatë!”

Më vonë e pa me dy sytë e vet se si populli e masakronte Hubejbin për së gjalli, duke ia prerë një nga një gjymtyrët e trupit e duke e pyetur:

– A dëshiron që Muhammedi të jetë në vendin tënd e ti të shpëtosh?!

Derisa gjaku shkonte si rrëke prej trupit të tij, Hubejbi përgjigjej:

– Betohem në Allahun se nuk do të dëshiroja të jem i qetë me gruan dhe fëmijët e mi, nëse Muhammedi a.s. theret, qoftë edhe nga një therrë.

Kur i dëgjuan këto përgjigje prej tij, të pranishmit i ngritën duart e tyre dhe brohoritën me zë të lartë: Mbyteni, mbyteni!!!

Pastaj Seid ibnu Amiri e pa Hubejbin se si e qonte shikimin e tij nga qielli, e ai ishte mbi dërrasën e ekzekutimit, dhe lutej duke thënë:

– O Zoti im, mbyti ata, që të gjithë, dhe mos e përjashto asnjë! Pastaj dha shpirt e në trupin e tij nuk mund të numëroheshin të rënat e shpatave dhe të goditurat e shtizave. Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events