Home » Sahabet » Hulefa i Rashidin – Kater Halifet e Drejte

Sahabët gëzojnë një status shumë të lartë. Edhe pse e pranuan Islamin në kohë të ndryshme, ata e kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre me Profetin (s.a.s), iu bindën këshillave dhe vendimeve të Tij dhe ndërmorën sakrifica të mëdha, së bashku me Profetin, për hir të lartësimit dhe përhapjes së Islamit. Te renditura kronologjikisht sipas hilafetit te tyre, me poshte mund te gjeni informata me te hollesishme rreth kater halifeve te drejte.

1.Ebu Bekri Es-Siddiku r.a.

2.Omer ibn Hattab r.a.

3.Othman ibn Affan r.a.

4.Ali ibn Ebi Talib r.a.

Nderrimi jete i Pejgamberit a.s.

Kur Pejgamberi a.s. mbushi gjashtëdhjetë e tri vjet, tek Ai filluan të shfaqeshin shenjat e lodhjes e të sëmundjes. Erdhi një grua ta pyeste Pejgamberin a.s. dhe kërkoi nga Ai diçka, e Pejgamberi a.s. i sugjeroi të vinte në vitin tjetër. Kjo grua i tha Pejgamberit a.s: “Nëse vij vitin tjetër e nuk të gjej ?” Ai i tha: “Nëse nuk më gjen, atëherë shko te Ebu Bekri”. Kjo ishte një shenjë e Pejgamberit a.s. se Ebu Bekri duhej të ishte halif i myslimanëve pas vdekjes së Pejgamberi a.s. Pas këtij rasti, Pejgamberi a.s. udhëtoi për Haxhin e fundit lamtumirës, kur i zbriti ajeti i tretë i sures El-Maide. Për zbritjen e këtij ajeti u gëzuan të gjithë ashabët, përveç Ebu Bekrit, i cili qau, ngase ky ajet përmbante edhe lajmin për ndarjen e Pejgamberit a.s. nga kjo jetë.
Pas keqësimit edhe më shumë të shëndetit të Pejgamberit a.s., siç transmetohet nga Tirmidhiu, Pejgamberi a.s. e kishte porositur Aishen me këto fjalë: “Urdhërojini Ebu Bekrit t`u prijë njerëzve në namaz”. Atë herë Aishja tha: “Nëse Ebu Bekri të zëvendëson në namaz, ai ka zë të dobët dhe ndikohet nga Kur’ani dhe njerëzit nuk do të dëgjojnë asgjë nga vaji i tij, prandaj urdhëroje Omerin t`u prijë njerëzve”. Transmetohet se Ebu Bekri në kohën sa ishte në jetë Pejgamberi a.s., tri herë u kishte prirë njerëzve në namaz.

Ebu Bekri r.a. Halif

Enes ibn Maliku transmeton detajet e betimit të dytë, që u bë një ditë më pas në Xhaminë e Pejgamberit a.s.. Ai citon: “Në ditën e martë, Umer ibn Hatabi hipi në minberin e Pejgamberit a.s., ndërsa Ebu Bekri qëndroi anash këtij minberi i heshtur. Pasi u mblodhën të gjithë njerëzit në xhami, Umeri u ngrit para tyre dhe u foli: “Sa e kam dëshiruar që të jetonte Pejgamberi a.s., të ishte i fundit që do të vdiste nga ne…Por, me vdekjen e tij, Allahu nuk e la Ymetin e tij të shuhet. Ai u la dritën, e cila është Syneti i Pejgamberit a.s.. Ebu Bekri ishte shoku më i ngushtë i Pejgamberit a.s., ishte i vetmi që e shoqëroi Pejgamberin a.s. në emigrimin e tij, duke qëndruar me të në shpellën ”Thever”… Ju shumë mirë e dini se nuk ka më të mirë se ai ndër të gjithë myslimanët. Pra, ejani dhe jepini besën Ebu Bekrit si halif i besimtarëve. Pastaj Umeri i thotë Ebu Bekrit: “ngjitu në minber!”. Ebu Bekri u ngjit dhe që aty filloi betimi i popullit ndaj Ebu Bekrit. Betimi vinte edhe nga muhaxhirët edhe nga ensarët.
Pas betimit, Ebu Bekri mbajti fjalimin e tij historik, ku, përveç falënderimit të Allahut xh.sh. dhe përshëndetjes së Pejgamberit a.s., ndër të tjera, tha: “O njerëz , unë u zgjodha nga ju, por nuk jam më i mirë se ju. Nëse punoj mirë, atëherë më ndihmoni! Nëse punoj keq, atëherëë më drejtoni. Sinqeriteti është premtimi im që e bëj para Zotit për ju… Nëse një popull do të neglizhojë në luftën për hir të Zotit, Allahu do t’i poshtërojë ata. Nëse në një popull përhapet degjenerimi, Allahu do t’u hedhë atyre sëmundje dhe fatkeqësi”. Burimi

Omeri r.a. Halif

Kur sëmundja iu shtua Ebu Bekrit r.a., ai filloi të konsultohet me sahabët rreth zgjedhjes së Omer bin Hatabit si halif i myslimanëve. Omer Faruku ishte personi më i afërt për Ebu Bekrin. Ai ishte njeriu i dytë në umet pas Ebu Bekrit. Kur Pejgamberi alejhi selam ishte në xhami dhe sahabët ishin aty, ai pyeti se ku është Ebu Bekri dhe Omeri. Ata shkuan që të dy te Pejgamberi alejhi selam; Ebu Bekri në anën e djathtë dhe Omeri në anën e majtë. Pejgamberi alejhi selam i mori për dore që të dy dhe tha: “Kështu do të ringjallemi në Ditën e Kiametit.”

Pastaj mblodhi njerëzit dhe u tha: “O ju njerëz, unë jam gati për ahiret dhe po dal nga kjo botë. Unë kam zgjedhur për ju atë emri i të cilit është në këtë letër, prandaj respektojeni dhe binduni atij. A e pranoni atë për të cilin i kam konsultuar njerëzit dhe e kam zgjedhur për ju?” Thanë: “Po, e pranojmë atë që ke zgjedhur.” Ali bin Ebu Talibi tha: “Nuk pranojmë dikë tjetër, vetëm se të jetë Omer bin Hatabi!” Ebu Bekri buzëqeshi dhe tha: “Ai është, Omer bin Hatabi, prandaj dëgjojeni dhe binduni atij. Pasha Allahun, nuk di diçka tjetër për të vetëm se gjëra të mira.”

Ebu Bekri pyeti njerëzit: “Çfarë dite është sot?” I thanë se ishte ditë e hënë, si ajo në të cilën nderroi jete Pejgamberi alejhi selam. Ebu Bekri tha: “O Allah, më bëj të vdes sonte!” Pastaj tha: “Në çfarë qefini është varrosur Pejgamberi alejhi selam?” I thanë se ai ishte varrosur në një qefin me tri copa, prandaj edhe Ebu Bekri urdhëroi të përgatiten për të tri copa qefini dhe tha se kufomën e tij duhet ta lante bashkëshortja e tij, Esma bint Umejsja. Fjalët që ai shqiptoi në jetën e tij ishin: “Më vdis mysliman dhe më bashko me mirëbërësit!” Ebu Bekri nderroi jete natën dhe xhenazen ia fali Omer bin Hatabi. E tërë Medina qau dhe e varrosën pranë Pejgamberit alejhi selam.

Një ditë, Omeri i tuboi myslimanët në xhami dhe u tha: “O ju njerëz, çfarë do të bëni nëse dynjaja ma lakon kokën time kështu?” Njerëzit heshtën. Pastaj ai e përsëriti sërish dhe askush nuk foli. Pastaj e përsëriti për herë të tretë dhe atëherë doli një nga të pranishmit dhe tha: “Nëse dynjaja ta lakon kokën ashtu, atëherë do të ta drejtojmë me shpatat tona.” Atëherë, Omeri tha: “Elhamdulilah që në umetin e Muhamedit alejhi selam ka njerëz që e drejtojnë Omerin nëse shkon në rrugë të shtrembër!” Burimi

Në çastet e fundit të jetës së tij Omeri kërkoi nga Aishja, bashkëshortja e Pejgamberit alejhi selam, leje që ta varrosin pranë Pejgamberit alejhi selam dhe Ebu Bekrit. Omeri i tha djalit të tij: “Thuaji se Omeri po e kërkon lejen dhe jo halifi i besimtarëve, ngase nuk jam më halife i besimtarëve. Thuaj se Omeri nuk ka pasur ndonjë dëshirë më të madhe sesa të varroset pranë dy shokëve të tij. Thuaj se po të kërkon leje. E nëse të jep leje, eja shpejt e më trego.” Kur Ibni Omeri shkoi tek Aishja, nëna e besimtarëve, e gjeti duke qarë, ngase e dinte se vdekja e Omerit do të thoshte hapje e derës së fitneve. Djali i Omerit i tha: “Omer bin Hatabi të kërkon leje të varroset pranë dy shokëve të tij.” Aishja tha: “E dëshiroj këtë vend për vete, por kur është fjala për Omer bin Hatabin, unë e preferoj atë vend për Omerin para vetes.” Çfarë bamirësie e çfarë çiltërsie shpirtërore! Ajo u varros në El- Bekia dhe vendin ku dëshironte të varrosej vetë ia la Omerit. Ibni Omeri erdhi shpejt te babai i tij që t’i jepte lajmin e gëzuar. Omeri e pyeti: “Çfarë bëre, o djali i Omerit? Ai i tha: “Të përgëzoj, o halife i besimtarëve! T’u dha leja!” Omeri tha: “Elhamdulilah!” E pastaj shtoi: “O djali i Omerit, kur të vdes, më mbartni deri te dera e Aishes, e pyeteni sërish ngase ndoshta më ka dhënë leje sa kam qenë gjallë e i ka ardhur keq prej meje.” Omeri vdiq ditën e mërkurë, më 23 të dhul-hixhes në të 23-tin vit pas hixhretit. E qau Medina dhe i tërë umeti. Omerin, Allahu qoftë i kënaqur me të, e varrosën pranë dy shokëve më të dashur të tij. Burimi

Uthmani r.a.

Para vdekjes së tij, Omeri r.a. zgjodhi gjashtë veta nga mesi i të cilëve duhej zgjedhur halifi i myslimanëve. Ata njerëz ishin: Uthman bin Afani, Ali bin Ebi Talibi, Talha bin Ubejdullahu, Zubejr bin Avami, Saad bin Ebi Vakkasi dhe Abdurrahman bin Avfi. Kur e këshilluan që mes tyre të jetë edhe i biri, Abdullah bin Omer Hatabi, ai tha: “Është mjaft për familjen e Omerit që njëri prej tyre të llogaritet tek Allahu xh.xh. në Ditën e Kiametit!” Hasan El-Basriu thotë: “Sikur e shoh Islamin se vjen në Ditën e Kiametit. Shfleton fytyrat e njerëzve dhe thotë: “O Zot, ky më ka ndihmuar e ky më ka poshtëruar, derisa arrin tek Omer bin Hatabi. E merr atë për dore dhe thotë: “O Zot, isha garib, i panjohur, derisa ky burrë u bë mysliman!”

Aliu r.a.

Pas vrasjes së Uthmanit r.a., myslimanët në Medinë për plot pesë ditë kishin mbetur nën administrimin e njërit prej kryengritësve, i cili kishte vrarë Uthmanin r.a.. Ky ishte El-Gafikijj Ibni Harbi. Ishte e domosdoshme zgjedhja e halifit të ri të myslimanëve. Kryengritësit kundër Uthmanit ishin të bashkuar në rastin e vrasjes së tij, por nuk ishin të bashkuar rreth mendimit se cili duhej të vinte pas tij.

Pas krijimit të këtyre rrethanave, kryengritësit kërcënuan medinasit me këtë porosi: “Kini kujdes, o medinas, po ju japim edhe dy ditë kohë, për Allahun, nëse deri atëherë nuk e zgjidhni problemin e udhëheqësit (halifit), nesër do të vrasim Aliun, Talhanë, Zubejrin dhe shumë burra të tjerë”.

Pas këtij kërcënimi, myslimanët shkuan tek Aliu dhe i thanë: “ Prano të ta japim betimin, sepse po e sheh ç’do të ndodhë me myslimanët!” Aliu u përgjigj: “Më lini rehat dhe kërkoni dikë tjetër, sepse në të ardhmen do të ndodhin gjëra të cilat zemra nuk i duron dhe as i kupton dot “. Aliu r.a. e dinte se gjëja e parë që do të duhej kryer, ishte hakmarrja për vrasjen e Uthmanit r.a., dhe ndëshkimi i kryengritësve, por si të bëhej ajo? Për shkak se në duart e tyre ishte fuqia, detyra ishte shumë e rëndë. “O Ali, – i thanë njerëzit: Të betohemi me Allahun, a nuk e sheh atë që shohim ne? Vallë, nuk e sheh gjendjen e myslimanëve? Vallë, nuk e sheh çrregullimin? Vallë, nuk ke frikë nga Allahu?” Kur e pa se si muhaxherët dhe ensarët po ngulmonin dhe e kuptoi se kjo ishte detyrë e prerë, ai e pranoi.
Këto biseda mes Aliut dhe myslimanëve muhaxhirë e ensarë ishin zhvilluar të enjten në mbrëmje, ndërsa të premten njerëzit kishin ardhur në xhami. Erdhi edhe Aliu, i cili hipi në minber dhe tha: “O njerëz, zgjedhja e halifit ju përket juve dhe të drejtën për hilafet e ka vetëm ai që ta zgjidhni ju si prijës. Dje jemi dakorduar, prandaj unë do të jem halif, nëse e dëshironi këtë, e nëse jo, për këtë nuk do ta qortoj asnjërin”. Pas kësaj fjale, njerëzit ia dhanë betimin Aliut r.a.; nga të parët që bënë betimin qenë Talha dhe Zubejri. Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up