Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Halid b. Velid r.a. – Shpata e Allahut, komandanti pa asnje humbje

Halidi r.a. pa dyshim ka qenë gjeniu më i madh luftarak të cilin e ka shënuar historia. Halidi r.a., ka qenë një gjeneralë i cili asnjëherë nuk ka humbur asnjë betejë. Halidi r.a., ka qenë njeriu i vetëm i cili taktikisht e ka fituar. Ishte komandanti i parë musliman i cili i ka çliruar të gjitha vendet e huaja. Ishte muslimani i parë i cili i ka poshtëruar dhe nënshtruar dy perandoritë e mëdha edhe atë njërën pas tjetrës. Shumë beteja të tij janë mësuar dhe hulumtuar nëpër akademitë ushtarake veçanërisht Uhudi, Kazimeja, Velexhe, Muzeja, Exhnedieja dhe Jermuku. Beteja më e shkëlqyeshme e tij ka qenë ajo në Velexhe, ndërsa më e madhe gjithsesi ajo në Jermuk. Fati i tij ka qenë beteja, sulmi, marrja dhe çlirimi. Nga Beteja në Uhud e deri në fund Halidi r.a. ka luftuar 15 vite. Ka luftuar në dyzet e një betejë (duke mos i llogaritur angazhimet e vogla) nga të cilat 35 prei tyre kanë qenë në shtatë vitet e fundit. Asnjëherë nuk e ka humbur asnjë prej tyre. Burimi

Perqafimi me Islamin

Halid b. Velidi nuk ishte një njeri që mund të përgjunjej me luftë. Dhe nuk duhej të ishte! Për sa kohë që ta ruante atë krenari, që më vonë do të kthehej në dinjitet islam, ishte krejt e pamundur të detyrohej të futej në Islam me forcën e shpatës. Ndërkaq, Zoti e kishte mbrojtur me bujari këtë komandant të pashoq të së ardhmes, duke përgatitur truallin që ai të futej në Islam me dinjitet. Si do të treteshin akujt e Halidit po të mos ishte një periudhë e tillë paqeje?

Kështu, kur në Mekë nuk kishte mbetur më punë për të bërë, Halidi, ai njeri që kërkonte sherr, të paktën kishte gjetur mundësinë për t’u menduar pak. Padrejtësia në dukje që u ishte bërë muslimanëve në Hudejbije dhe pastaj, pamja dhe gjendja e tyre shpirtërore një vit më pas kur kishin ardhur në Mekë për umre, kishin ndikuar thellë mbi Halidin dhe ata që mendonin si ai. Po, periudha e paqes u bë edhe për të një periudhë kthjelltësimi. Dhe pas një kohe, shkoi te i Dërguari i Allahut dhe shpalli se ishte nënshtruar! Ky nënshtrim dha si rezultat që ai të bëhej Sejfullah, Shpata e Allahut! Fundja, i Dërguari i Allahut e priste këtë rezultat. Edhe Amr b. As është një ndër ata që u bënë muslimanë në këtë periudhë. Monotonia e ardhur bashkë me paqen e Hudejbijes, jeta e mefshtë i mërziti rëndë këta trima, këta heronj të çartur të shesheve të luftës; ata zgjodhën frontin e aksionit dhe kaluan në anë të të Dërguarit të Allahut! Burimi

Me të hyrë në Mekë, Pejgamberi a.s. filloi me adhurim për Allahun, dhe ashtu siç kishte nga ata që e ndiqnin me vëmendje se si do të vepronte, kishte edhe nga ata që nuk donin të përballeshin kurrsesi me Të. I njihte të gjithë këta, andaj donte t’i mbante portat të hapura ndaj të gjithëve. U dërgonte mesazhe edhe atyre që nuk i kishte parë atë ditë, duke bërë të mundur që edhe ata të viheshin disi në mendime.
Halid ibni Velidi ishte njëri syresh. Duhet të ishte ndonjëri prej atyre që dëshironin të shkonin pranë Profetit për t’u dorëzuar, derisa e pyeti vëllanë e tij mysliman, Velid ibni Velidin:
– Ku është Halid ibni Velidi?
Velidi fatkeqësisht nuk do ta kishte pranë të vëllanë gjatë atyre ditëve. Megjithatë duhet ta shihte disi. Resulullahu kishte diçka për t’i përçuar, andaj ai u mundua t’ia niste disi mesazhin e dhënë. Në letër flitej për takimin e tyre, dhe në të shkruhej:
– Është e pamundur që një njeri i atillë ta dijë Islamin dhe të mos e pranojë! Ah sikur ai njeri t’i bënte luftërat në anë të myslimanëve dhe kundër idhujtarëve. Sa e mirë do të ishte diçka e tillë për Halidin. Ne
do ta parapëlqenim atë para të tjerëve, duke e mbajtur në pëllëmbë të dorës.
Në fakt ky ishte një sihariq i dhënë haptazi. Fjalia e fundit në letër ishte:
– O vëllai im! Vlerësoji siç duhet mundësitë që do të të jepen, dhe mundohu që duke ardhur menjëherë te ne, të mund t’i rregullosh gabimet e të shkuarës!
Halid ibni Velidi, me ta lexuar letrën, e kishte tejet të qartë vendimin. Në fakt, pas çdo beteje me të Dërguarin e Allahut, teksa kthehej, kishte ndjerë një ndrydhje në shpirt. Që prej Hudejbijes, kjo gjendje
kishte filluar ta shqetësonte më shpesh. Ai tanimë veç po kërkonte një bashkudhëtar. Nëse do ta fliste diçka të këtillë me Ebu Sufjanin, Ikrimen apo Safuan ibni Umejen, e kishte të sigurt se nuk do të merrte
ndofarë përgjigjeje pozitive, kështu që provoi të fliste njëherë me Osman ibni Talhan. Me ta parë se edhe ai ishte i një mendjeje, vendosën që të niseshin ditën tjetër. Kur mbërritën në vendin e quajtur Hede, u takuan me Amr ibni Asin, i cili i përshëndeti:
– Mirësardhët, na prutë gëzim o njerëz!
– Edhe ti, – iu përgjigjën ata.
– Për mbarë ishallah! Për ku je nisur kështu?
Amri parapëlqeu t’u përgjigjej po me pyetje?
– Po ju, për ku kështu?
Nuk kishte pse ta zgjasnin më tej, andaj vendosën që t’ia tregonin:
– Po shkojmë të hyjmë në Islam, dhe t’i bindemi Muhamedit!
– Edhe unë, po njësoj si ju! – iu përgjigj Amri.
Miqtë e vjetër ishin nisur që të tre në drejtim të Medinës, dhe hapat i hidhnin të shpejtë. Më në fund, ndërsa po mbërrinin, vendosën që të ndërronin veshjet dhe të çlodheshin pak në një vend fare pranë Medinës. Duhet të dilnin të pastër dhe të çlodhur përpara të Dërguarit të Allahut!
Në anën tjetër, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të e kishte marrë vesh me kohë ardhjen e tyre, prandaj u kthye që t’ua tregonte edhe sahabëve këtë sihariq:
– Meka jua dha trimoshat e saj më në fund.
Velidi ende nuk kishte marrë përgjigje për letrën e nisur, dhe deshi të hidhej përpjetë prej gëzimit. Për një çast u bë gati që t’u dilte përparapër t’i pritur. Po vinte dora vetë, Halid ibni Velidi.
– Nxitoni! Resulullahu e mori vesh për ardhjen tuaj dhe është shumë i lumtur. Po ju pret.
Edhe ata u emocionuan jashtë mase. Tashmë po iknin duke ngarendur. Është e pamundur ta rrëfesh gëzimin që shprehej në buzëqeshjen e Tij. Drita e fytyrës së Tij, si drita e hënës së plotë, ndriçonte në sytë e tyre. I pari ishte Halid ibni Velidi i nderuar ai që e përshëndeti të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ishte aq i nxehtë sepse po e ndjente deri në zemër përshëndetjen. Ftesa që po u bënte Ai duke u hapur kraharorin, nxehtësia në buzëqeshje dhe dashuria e shprehur në fytyrë triumfoi menjëherë tek ata.
– Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Ti je i Dërguari i Tij, – tha Halidi.
Profeti ynë i dashur që po dëshmonte besimin e një njeriu që po vinte në saje të meditimit të vet, iu kthye:
– Lëvduar qoftë Ai që të fali ty udhëzimin! Zaten, unë te ti shihja një zgjuarsi të thellë, dhe prisja për çastin që një mendje e tillë të gjente rrugën e drejtë.
Halidi (r.a.) pikërisht tani, pas kaq vitesh jetë, po e ndjente veten për herë të parë si Halid. Po merrte aq shumë përgëzime dhe komplimente dhe po shqetësohej për tërë ato vite që i kishin shkuar dëm.
– O i Dërguari i Allahut, – tha ai. Siç e ke parë edhe ti, unë gjer më sot veç kam dalë kundër Teje, duke thënë gjithfarë gjërash të shëmtuara. Dua që të lutesh për mua, që Allahu të m’i falë të këqijat që kam bërë.

Beteja e Mu’tes

Kjo është beteja më e madhe dhe më e vështirë që kanë ndërmarrë muslimanët gjatë jetës së  Resulullahut . Njëkohësisht kjo ka qenë lufta më e ashpër, me të cilën fillon vargani i çlirimit të shteteve të krishtera. Beteja në Mu’te ndodhi në muajin xhumadel-ula të vitit 8 h., që i përgjigjet gushtit ose shtatorit të vitit 629. Mu’te është fshat në jug të Shamit, dy ditë ecje larg Kuddus-shSherifit.

Buhariu transmeton nga Halidi se ka thënë: “Nëntë shpata i kam thyer ditën e Mu’tes, përveç shpatës jemenase”, ndërsa në një tekst tjetër thuhet: “Në dorën time janë thyer nëntë shpata në Mu’te, e ka qëndruar vetëm shpata jemenase.”
Resulullahu ditën e Mu’tes, i informuar përmes Vahjit (shpalljes), e para se të arrinin lajmet në Medinë në lidhje me këtë luftë, ka thënë: “Zejdi e mori flamurin dhe u vra, pastaj Ibni Revaha, e edhe ai u vra – ndërsa e thoshte këtë, ai qante – dhe kështu derisa e mori flamurin “Shpata e Allahut” – Halidi dhe, me lejen e Allahut, fituan.”

Me gjithë trimërinë dhe heroizmin e madh, do të ishte tejet e çuditshme që kjo ushtri e vogël të korrte sukses në paluhatshmëri para kësaj vërsuljeje të hatashme, para kësaj furtune deti të ushtrisë bizantine. Atëherë vihet në pah e tërë shkathtësia dhe pjekuria e Halid b. El-Velidit, për ta nxjerrë ushtrinë muslimane nga kjo situatë tejet e vështirë. Ekzistojnë mendime të ndryshme për zhvillimin e mëtejshëm të betejës. Mirëpo pas studimit të hollësishëm të të gjitha versioneve të rrëfimit, mund të konkludohet se Halidi gjatë tërë ditës i rezistoi ushtrisë gjigante bizantine, duke u përpjekur me tërë qenien e vet që të mendonte ndonjë dredhi luftarake, me ndihmën e së cilës do t’i frikësonte bizantinët, në mënyrë që të shpëtonin muslimanët, e ata të mos ndërmerrnin ndonjë ndjekje. E dinte mirë se nuk do të shpëtonin dot po qe se ata do të vazhdonin ndjekjen pas tyre. Kur agoi dita e dytë, Halidi e ndërroi radhitjen e ushtrisë. Pararojën e vendosi në prapavijë. Pastaj i ndërroi anët, krahun e djathtë të ushtrisë e vuri në të majtën, ndërsa krahun e majtë në anën e djathtë. Tërë këtë manovrim e vështronte armiku. Shikonin se si përzihej ushtria muslimane dhe menduan se u erdhi përforcimi, për çka edhe u frikësua. Kurse Halidi, pas soditjes dhe të menduarit njëorësh, filloi ngadalë të tërhiqej prapa, duke pasur kujdes që të mos  rregullohej radhitja e ushtrisë. Bizantinët menduan se muslimanët po përgatitnin ndonjë kurth dhe se do të përdornin ndonjë dredhi luftarake. Nga frika se mos ushtria muslimane i tërhiqte në shkretëtirën e thatë, ata hoqën dorë nga luftimi. Kështu, armiku u tërhoq në vendin e vet, e as që mendoi për ndjekjen e muslimanëve. Ndërkaq, muslimanët me sukses u tërhoqën dhe u kthyen në Medinë. Burimi

Nga tërë ajo luftë, bashkë me komandantët kishin rënë gjithsej dymbëdhjetë dëshmorë. Kjo ishte një trimëri për t’u kënduar nëpër balada. Të luftohej përballë ushtrisë së stërmadhe të një fuqie të stërfortë dhe të jepje vetëm dymbëdhjetë dëshmorë! Ishte e pamundur ta shpjegoje përveçse me ndihmesë hyjnore, dhe çdokush që dëgjonte për këtë betejë, e shihte me një sy më ndryshe ushtrinë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Njëkohësisht, Muteja do të thoshte hapja e kanalit të parë në muret e kështjellës së Bizantit. Kishte edhe disa familje, të cilat u kishin nxjerrë disa probleme gjatë rrugës, mirëpo gjatë kthimit, Halidi u kthye edhe nga ato, që t’ua tregonte vendin. Vetëm ashtu mund të kthehej në Medinë.

Në çastet e vdekjes, Halid b. Velidi rënko­n­te: “Kali im, shpata ime… sillmini t’i shoh edhe një herë!..”

 

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events