Heroi i Hudejbijes
Ai lindi dhe u rrit në Mekë, në një familje idhujtare. Babai i tij Suhejl ibn Amri, ishte prej parisë së kurejshëve.
Ebu Xhendeli (r.a.), u nderua me Islam para betejës së Bedrit. Zemra e tij u ndriçua me dritën e Islamit. Jetoi një periudhë të gjatë katërvjeçare me mallin për t’u takuar me Rasulullahun (a.s.). Pasi u bë mysliman, ai u bë i njohur me emrin Ebu Xhendel.
Babai i tij, Suhejl ibn Amri, ishte një njeri kokëfortë, që kishte mbetur në errësirën e idhujtarisë. Ai nuk mundi ta duronte hyrjen në Islam të djalit të tij. Prandaj e torturoi atë shumë rëndë.
Me qëllim që t’i shkurajonte të rinjtë e kurejshëve, që edhe ata të mos hynin në Islam, ai e mbylli djalin e tij në birucë. Dhe për të penguar ikjen e tij, e lidhi atë me zinxhirë dhe nuk e lejoi të emigronte në Medinë.
Ebu Xhendeli (r.a.), ishte një i ri i dashuruar pas Profetit (a.s.). Ai nuk mund të duronte qëndrimin larg të Dërguarit të Allahut (a.s.). Zemra e tij ishte mbushur aq shumë me mall dhe dashuri për të, saqë dëshironte të shpëtonte nga burgu dhe të takohej me Rasulullahun (a.s.) edhe me këmbët e lidhura me zinxhirë.
Po hyri drita e besimit në një zemër, ai njeri nuk mund të ndalet, sepse dashuria nuk njeh ligje. Po ashtu, edhe Ebu Xhendeli (r.a.), që digjej nga malli për Profetin (a.s.), priste gjithmonë një rast të volitshëm për të ikur.
Më në fund, ai shfrytëzoi rastin kur idhujtarët mekas, midis të cilëve ishte edhe babai i tij Suhejli, shkuan në Hudejbije. Mendoi se një rast i tillë nuk do t’i paraqitej përsëri, prandaj vendosi të shpëtonte prej prangave duke përfituar prej qetësisë që ra në Mekë.
Në atë kohë, babai i tij Suhejli, si përfaqësues i kurejshëve, po punonte për të arritur marrëveshjen e Hudejbijes. Ai përpiqej të organizonte tekstin e marrëveshjes që do të bëhej me Profetin tonë (a.s.), duke e bërë atë gati për t’u firmosur.
Në njërën prej pikave të marrëveshjes, thuhej:
“Kushdo prej mekasve që bëhet mysliman dhe ikën në Medinë, duhet të rikthehet përsëri në Mekë.”
Në momentin kur do të hidheshin firmat, u vu re një djalë i ri që vinte prej anës së Mekës duke tërhequr zinxhirët e këmbëve zvarrë. Ky djalë i ri ishte Ebu Xhendeli (r.a.), i biri i përfaqësuesit të mekasve, Suhejlit. Ebu Xhendeli (r.a.), po vinte i gjakosur nga këmbët, duke tërhequr zinxhirët zvarrë. Sahabët u gëzuan shumë kur e panë. Mirëpo, babai i tij kryeneç, u zemërua jashtë mase kur e pa atë përballë në një kohë kur nuk e priste. Për këtë arsye, ai mori një shkop dhe filloi ta godiste. Nuk u mjaftua me kaq, por iu kthye Profetit (a.s.) dhe i tha:
“Ky është personi i parë që duhet të më dorëzoni në bazë të marrëveshjes!”
Profeti ynë i nderuar (a.s.), i tha:
“Ende nuk e kemi firmosur marrëveshjen. Ky le të mbetet jashtë marrëveshjes.” Mirëpo, Suhejli, si kokëfortë që ishte, këmbënguli duke kërcënuar:
“Nëse nuk ma dorëzoni djalin tim, as unë nuk e firmos marrëveshjen.”
Me shpresën se ai do ta mirëkuptonte, Profeti (a.s.), iu drejtua edhe njëherë Suhejlit, duke iu lutur:
“Mbaje këtë jashtë marrëveshjes për hatrin tim.”
Mirëpo, Suhejli nuk hoqi dorë prej inatit të vet. Për rrjedhojë, Ebu Xhendeli (r.a.), iu dorëzua babait të tij në mënyrë të detyrueshme. Ndërkohë që babai i pamëshirshëm po e kthente përsëri në Mekë djalin e tij që kishte gjetur rrugën e drejtë, Ebu Xhendelit (r.a.), i rridhnin lotët si çezmë dhe thërriste: “O Rasulullah!.. O myslimanë! Unë u bëra mysliman dhe erdha tek ju. A po më dorëzoni tek idhujtarët që të më kthejnë nga feja ime? A nuk po e shihni se çfarë po më bëjnë?”
Kjo pamje që të copëtonte zemrën, i hidhëroi të gjithë sahabët. Ndërsa Profeti ynë i nderuar (a.s.), i hidhëruar jashtë mase, i afrohet Ebu Xhendelit dhe, duke derdhur lot dashurie, e përgëzoi me diçka që do t’i freskonte shpirtin:
“Ebu Xhendel! Ne bëmë një marrëveshje me ata duke u dhënë fjalën në emër të Allahut. Prandaj nuk na ka hije të kthehemi prej fjalës së dhënë. Duro, sepse së shpejti Allahu do të tregojë një rrugëdalje për ty dhe të tjerët si ti.”
Omeri (r.a.), nuk mund të qëndronte në vend. Ai nuk mund t’i pranonte ato që po ndodhnin. Për këtë arsye, edhe ai iu afrua ngadalë Ebu Xhendelit (r.a.), duke dëshiruar që ai të shihte shpatën që kishte në brez dhe ta merrte e t’i binte babait të vet.
Ebu Xhendeli (r.a.), e kuptoi qëllimin e Omerit (r.a.). Mirëpo, nuk donte t’i tregonte shpatën babait të vet. Për rrjedhojë, me lot në sy dhe hidhërim në zemër, u kthye dhe iku, duke u privuar nga Profeti i tij i dashur. (shih. Buhari, Sulh, 6; Shurut, 1, 15. Enciklopedia Islame, 10, 119.)
Pas kësaj ndodhie, Ebu Xhendeli (r.a.), vazhdoi përsëri të priste rastin e volitshëm për t’u larguar nga Meka. Ai priti me durim, që të arrinte përgëzimin që i dha Profeti (a.s.).
Njëherë mori vesh se edhe Ebu Basri (r.a.), i cili shkoi në Medinë si mysliman pas marrëveshjes së Hudejbijes, iu dorëzua mekasve në bazë të marrëveshjes. Por ai kishte shpëtuar prej rojeve që kishin ardhur ta merrnin duke vrarë njërin prej tyre dhe ishte vendosur në vendin e quajtur “Sifu’l-bahr”, në brigjet e Detit të Kuq.
Pasi mori këtë lajm, filloi të thurte plane në mendjen e vet. Atij i erdhi ideja të ikte prej aty dhe të formonte një grup për të luftuar kundër armikut. Për këtë arsye, ai u mor vesh me shtatëdhjetë myslimanë të tjerë, të cilët ishin burgosur si ai dhe u larguan prej Mekës. Kur shkuan në Sifu’l-Bahr, ata zunë pritë mbi rrugën e tregtisë dhe filluan t’u shkaktonin dëme idhujtarëve mekas.
Paria e kurejshëve e kuptuan se myslimanët që ishin mbledhur në Sifu’l-Bahr, u bënë një rrezik i madh për karvanët e tyre të tregtisë. Prandaj, për ta ndaluar këtë, iu drejtuan direkt Profetit tonë (a.s.).
Ata kërkuan prej Profetit (a.s.), të hiqnin pikat e marrëveshjes së Hudejbijes, që kishin të bënin me kthimin e të ikurve, duke i thënë se kishin hequr dorë prej atyre që bëheshin myslimanë dhe vinin në Medinë. Në mënyrë të veçantë, ata kërkuan që Ebu Xhendeli dhe shokët e tij, të pranoheshin në Medinë. Në këtë mënyrë, ata u përpoqën të pengonin goditjen e karvanëve të tyre të tregtisë.
Rasulullahu (a.s.), e konsideroi këtë si një mirësi prej Allahut të Madhëruar dhe menjëherë u shkroi një letër sahabëve të tij, duke e urdhëruar Ebu Xhendelin me shokët e tij, të vinin në Medinë. Për rrjedhojë, edhe ata u kthyen menjëherë në Medinë.
Në këtë mënyrë, Ebu Xhendeli dhe shokët e tij arritën atë që dëshironin prej kohësh. Kështu përfundoi edhe qëndrimi larg Profetit të tyre të dashur (a.s.). Ebu Xhendeli (r.a.), qëndroi në Medinë deri kur ndërroi jetë Rasulullahu (a.s.), duke mos u ndarë fare prej tij. Ai mori pjesë së bashku me Profetin (a.s.), në të gjitha betejat. Pas çlirimit të Mekës, mori pjesë në çlirimin e Damaskut së bashku me babain e tij Suhejl ibn Amrin (r.a.), i cili tashmë kishte pranuar Islamin. (Usdu’l-gabe, VI, 545.)
Ebu Xhendeli (r.a.), i cili u soll me mëshirë ndaj babait të tij që e kishte torturuar aq shumë, tashmë luftonte së bashku me të në rrugën e Allahut dhe të Rasulullahut (a.s.).
Sa bukur! Kjo është një tablo që me të vërtetë duhet marrë mësim!..
Çfarë durimi!.. Çfarë mëshire e madhe!.. Çfarë morali i lartë!..
O Zoti ynë! Na e bëj të mundur edhe neve atë moral të lartë!..
Na fal durim, qëndresë dhe fitore në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s.)!..
Na fal të gjithëve vullnet që të punojmë për nderin dhe lavdinë e Islamit dhe myslimanëve!..
Sipas një transmetimi, Ebu Xhendeli (r.a.), ndërroi jetë në vitin 633, moshën tridhjetë e tetë vjeç në luftën e Jemames. (shih. el-Isabe, IV, 34.) Ndërsa sipas disa burimeve të tjera, ai vdiq bashkë me babain e tij në vitin 639 në Jordani, si shkak i sëmundjes së murtajës. (shih. Ibn Sa’d, VII, 405.)
Allahu na dhëntë të gjithëve prej durimit, qëndresës, mëshirës dhe dashurisë për Rasulullahun (a.s.), që kishte Ebu Xhendeli.
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!.. Burimi
Shto koment