Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Ebu Seleme el-Mahzumi (r.a.) – Vëllau i qumështit i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)

Prindërit: Abd el-Asad bin Hilal b. Abdullah Mahzumi / Barrah bint Abd el-Muttalib
Data/Vendi i Lindjes:  Mekke
Vendi i ndërrimit jetë: 4 AH/625 CE (Medine)
Vendbanimet: Mekke / Abisini / Medine
Vëllezërit/motrat:
Bashkëshorti/ja: Umm Seleme
Fëmijët: Zejneb bint Ebi Seleme, Seleme bin Ebi Seleme, Umar bin Ebi Seleme, Durrah bintt Ebi Seleme

Ebu Seleme el-Mahzumi, radijallahu anhu, ishte prej sahabëve të parë që hynë në Islam, sakrifikues, guximtar dhe trim!.. Ishte një ushtar besimi që zgjodhi Islamin dhe rezistoi në imanin e tij, edhe pse e kishte kundër popullin e vet!.. Ishte djali i hallës dhe vëllai i qumështit i të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem. Ishte prej trimave të parë muhaxhirë, që së pari shkoi në Abisini (Etiopi) dhe më vonë në Medine!.. Ai u lind dhe u rrit në Mekë dhe i përkiste fisit Beni Mahzum. Ishte një djalë trim dhe i fortë. Emri i vërtetë i tij është Abdullah ibn Abdulesed. Ai njihet më shumë me llagapin se sa me emrin e tij.

Nëna e tij është halla e të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem, Berre binti Abdulmuttalib. Nëna e tij e qumështit është robëresha e Ebu Lehebit, Suvejbja. Ebu Sulejme el-Mahzumi, radijallahu anhu, ishte vëlla qumështi me të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve selem dhe me dajën e tij, Hazreti Hamzanë, radijallahu anhu. (Usdu’l-Gabe, VI, 148.) Ai u martua me bijën e Ebu Umejes, Hindin. Kur u lindi fëmija i parë, emrin ia vendosën Seleme. Pastaj atë e thirrën me llagapin Ebu Seleme. Edhe bashkëshorten e tij e thirrën Umme Seleme. Kur zbriti ajeti fisnik: (Së pari) paralajmëro më të afërmit!” – Ebu Seleme el-Mahzumi iu përgjigj thirrjes së Diellit të dy Botëve (s.a.s.). Në këtë mënyrë, arriti nderin të ishte njëri prej dhjetë myslimanëve të parë. (Isabe, IV, 131-133.)

Populli i Ebu Seleme el-Mahzumit, radijallahu anhu, ishte armik i Islamit. Velid ibn Mugire dhe Ebu Xhehli, ishin kryetarët e këtij populli. Këta injorantë dhe politeistë të humbur, e torturuan shumë atë, por ai kurrë nuk e la besimin e tij. I përballoi dhe rezistoi kundrejt torturave dhe vështirësive. Nuk hoqi dorë nga Islami. Kur ngeli në pozitë të vështirë, u detyrua të strehohej te daja i tij, Ebu Talibi. Ebu Talibi mori nën mbrojtje nipin e tij, të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe Ebu Seleme el-Mahzumin. Politeistët u zemëruan dhe i thanë: “Nipin tënd, Muhamedin e more nën mbrojtje dhe nuk të thamë gjë, por marrjen nën mbrojtje të Ebu Selemes nuk do ta lejojmë kurrë.” Ebu Talibi shpalli se e kishte marrë nën mbrojtje duke thënë: “Po! Siç është Muhamedi nipi im, edhe ai është nipi im. Askënd nuk lejoj që ta prekë atë.”

Pas një kohe, mushrikët e tërbuar nuk dëgjonin më askënd. Ata filluan t’u bënin tortura të papërballueshme myslimanëve të pambrojtur. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, u dha leje për të shkuar në Abisini (Etiopi). Ebu Seleme el-Mahzumi, radijallahu anhu, për t’i inkurajuar myslimanët, së pari vendosi të bënte hixhret me bashkëshorten e tij. Bashkë me familjen doli fshehurazi nga Meka dhe shkoi në Abisini. Atje u lindi një djalë, të cilin e quajtën Umer. Pas një kohe, erdhën lajmet se disa prej të parëve të Mekës ishin bërë myslimanë dhe se gjendja ishte qetësuar. Ebu Seleme, radijallahu anhu, bashkë me disa myslimanë, u kthyen në Mekë. Për fat të keq, lajmet që kishin dëgjuar, nuk kishin qenë të vërteta. Ata nuk kishin mundësi të ktheheshin prapa. Ngaqë nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër, dikush hyri në qytet fshehurazi dhe dikush duke u marrë nën mbrojtje. Myslimanët ishin marrë nën bllokadë dhe ishin burgosur në një lagje. Padrejtësitë dhe torturat vazhdonin akoma. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), për shkak të këtyre kushteve të vështira, dha leje për të emigruar në Jethrib (Medine).

Ebu Seleme, radijallahu anhu, përsëri bashkë me familjen e tij, doli një natë fshehurazi nga Meka, por pa kaluar shumë, njerëzit e Beni Mugires i arritën. Ata ishin kundër largimit të tyre nga Meka. Ata morën Selemen, i cili ishte akoma një foshnje dhe Ummu Selemen, ndërsa Ebu Selemes (r.a.), i dhanë leje të largohej. Kur Abdulesedët dëgjuan për këtë, u zemëruan shumë dhe thanë: “O Beni Mugire! Ju ia morët bashkëshorten nga duart birit tonë. Për Zotin, edhe ne nuk ua lëmë Selemen.” Pastaj ua morën fëmijën duke e tërhequr. Babai në Medine, nëna në Mekë te Beni Mugire, ndërsa fëmija te fisi i tij Beni Esedët. Kështu qëndruan rreth një vit në vende të ndryshme. Pasi Beni Mugire i dhanë leje Ummu Selemes (r.anha), për të bërë hixhret, edhe Beni Abdulesedët e dorëzuan djalin te nëna e tij. Pa humbur aspak kohë, Ummu Seleme bëri hixhret në Medine dhe shkoi te bashkëshorti i saj. (Ibn Hisham, Sire, 2/468.)

Kur Ebu Seleme el-Mahzumi, radijallahu anhu, shkoi në Medine, qëndroi si mysafir në shtëpinë e Mubeshir ibn Mundhirit, radijallahu anhu, në Kuba. (Ibn Sa’d, Tabakat, III, 241.) I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, e shpalli vëlla me Sa’d ibn Hejsemen, radijallahu anhu, i cili ishte prej ensarëve. (Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Evlija, II, 3.)

Ebu Seleme el-Mahzumi, radijallahu anhu, ishte një trim hero dhe i aftë për të komanduar. Mori pjesë në luftën e Bedrit dhe të Uhudit. Në Uhud ishte komandanti i anës së majtë. Përgjatë betejës u plagos rëndë dhe humbi shumë gjak. Pastaj u mjekua dhe plaga iu mbyll. Kur i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, pa se ishte shëruar, e bëri komandant të ushtrisë, që u dërgua në një operacion në anën e fisit Beni Esed, në Katan. Në një kohë agimi, Ebu Seleme, radijallahu anhu, i sulmoi Beni Esedët dhe u kthye me shumë plaçkë lufte. Por kur u kthye në Medine, plaga filloi t’i rridhte gjak dhe të përkeqësohej. Më së fundi, nuk u ngrit më nga shtrati.

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, e vizitonte atë shpesh, e pyeste për gjendjen dhe kërkonte rrugëzgjidhje për shërimin e tij. Por ai ishte drejtuar nga Zoti dhe shpirtin po ia dorëzonte Atij. Ky hadith fisnik, që tregon çastet e fundit të jetës së tij, transmetohet nga bashkëshortja e tij Ummu Seleme, radijallahu anha, në përkthimin dhe shpjegimin e Rijazu’s-Salihin. Transmetohet se Ummu Seleme, radijallahu anha, ka thënë: “I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, hyri te Ebu Seleme (i cili kishte ndërruar jetë). Sytë i kishin ngelur hapur dhe ia mbylli. Pastaj tha: “Kur shpirti del, sytë e ndjekin atë.” Pikërisht në atë moment, disa pjesëtarë të familjes së Ebu Selemes (r.a.), filluan të qanin me dënesë. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-salatu ve’s-selam, tha: “Lutuni vetëm për mirësi, sepse engjëjt u thonë amin lutjeve tuaja!” Pastaj u lut kështu: “O Zot! Fale Ebu Selemen! Lartësoje atë në shkallën e të udhëzuarve! Mbroji edhe ata që ka lënë pas! O Zot i botëve! Na fal neve dhe atë! Zgjeroja varrin dhe ndriçoja atë!” (Muslim, Xhenaiz, 7.)

Në shpjegimin e këtij hadithi janë theksuar këto çështje: Bashkëshorti i parë i nënës sonë, Ummu Selemes, radijallahu anha, Ebu Seleme Abdullah bin Abdulesed el-Mahzumi (r.a.), kishte vdekur. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), kishte shkuar dhe ia kishte mbyllur sytë që i kishin ngelur hapur, duke thënë: “Kur del shpirti, sytë e ndjekin atë.” Kështu veprohet, ngaqë pas vdekjes, sytë ngelin të fiksuar në një pikë dhe japin një pamje jo të mirë, nëse nuk mbyllen. Meqë Krenaria e Gjithësisë, salallahu alejhi ve selem, e ka bërë vetë këtë, kjo është shndërruar në një sunet për umetin. Të afërmit e xhenazes nuk është e drejtë të thonë ndonjë gjë negative për veten e tyre. Hazreti Pejgamberi (s.a.s.), duke u lutur pikërisht vetë për Ebu Seleme el-Mahzumin (r.a.), ka treguar se si duhet të lutemi për myslimanët kur të ndërrojnë jetë. Në këtë dua që ka bërë i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, ka tri mirësi. Këto janë një ngushëllim jashtëzakonisht i rëndësishëm për atë që ka ndërruar jetë dhe për të afërmit që ka lënë pas. Përballë një rasti vdekjeje, njerëzit, veçanërisht në çastet e para, nuk arrijnë ta kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë apo çfarë duhet të thonë. Ja pra, në ato çaste hutimi, është shumë e rëndësishme të shfaqim nënshtrim ndaj Zotit dhe të lutemi për mirësi pa na kapur paniku. I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, më vonë i kërkoi Allahut Teala falje për atë që kishte ndërruar jetë dhe për njerëzit që gjendeshin aty. Në këtë mënyrë, theksoi se të gjithë kanë nevojë për mëshirën e Allahut (xh.xh.). Lutja për zgjerimin e varrit dhe ndriçimin e tij, është kërkim për largimin e shqetësimeve në lidhje me çështjen e varrit, që është stacioni i parë i njeriut. Kjo është një lutje shumë qetësuese për të afërmit e të vdekurit. Zgjerimi dhe ndriçimi, s’ka dyshim se janë zgjerim dhe ndriçim shpirtëror. Për këtë arsye, humbja e vetëdijes në një ngjarje vdekjeje dhe fjalët që thuhen sikur njerëzit mallkojnë veten, nuk është e drejtë.

Ebu Seleme el-Mahzumi, radijallahu anhu, i cili dinte shkrim e këndim edhe para Islamit dhe i cili ishte prej shkruesve të shpalljes, ndërroi jetë në vitin e katërt hixhri. Namazin e xhenazes ia fali i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem dhe u varros në varrezat Bakia. Allahu qoftë i kënaqur prej tij! Amin!

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events