Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Abdullah ibn Abbas r.a.

“Ai është djalosh i pjekur, ka gjuhë dhe stil të të pyeturit, zemër dhe mend…” (Omer Ibnul Hattab)

Ky shok i shquar i Pejgamberit a.s. ishte tejet madhështor nga pikëpamja e sjelljeve. Atij nuk i kaloi gjë pa punuar.

Atij iu shtua nami në mesin e shokëve të Pejgamberit a.s., e sikur të lindte pak më vonë, ai nuk do të kishte nderin të jetë në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut.

Njeri i një farefisi me nam. Ky është djali i xhaxhait së Pejgamberit a.s. Gëzonte nam për dituri, se ishte dijetar i vyeshëm i umetit të Muhammedit a.s. dhe burim i pashtershëm i dijes së tij. Gëzonte nam për devotshmërinë që kishte. Ai shpeshherë agjëronte ditën dhe rrinte zgjuar natën, duke u falur, kërkonte t’ia falë Allahu gabimet gjersa vinte  agu i mëngjesit. Qante nga frika e Zotit gjersa i shkonin lotët nëpër faqe. Ai është Abdullah ibnu Abasi, dijetar, njohës i Zotit dhe i umetit të Muhammedit, i cili më së miri e njihte Librin e Allahut dhe më së miri zotëronte komentimin e tij, më i afti për të depërtuar në kuptimin e thellë të tij dhe njohës i objektivave dhe fshehtësive të tij.

Ibn Abasi u lind tri vjet para hixhretit (shpërnguljes së muslimanëve nga Meka në Medinë). Kur vdiq Pejgamberi a.s., ai i ishte vetëm 13 vjeç. Megjithatë ai i ka mbajtur mend 1660 hadithe (të Muhammedit a.s.), për t’ua treguar ato muslimanëve, të cilat i vërtetojnë Buhariu dhe Muslimi në koleksionet e tyre.

Kur e lindi e ëma, e çoi te Pejgamberi i Allahut , i cili e fërkoi me jargët e tij. Ajo që hyri më së pari në gojën e tij ishte jarga e pastër e Pejgamberit të Bekuar. Me atë ai u frymëzua për adhurim e urtësi, siç thotë Fjala e Allahut xh.sh.: “Ai që pajiset me urtësi, ai është pajisur me shumë të mira.”

*  *  *

Si iu hoq amuleti djaloshit hashimit dhe hyri në moshën shtatëvjeçare, ai zuri ta shoqëronte Pejgamberin e Allahut me një shoqërim të ngushtë, mu si syri me syrin. Djaloshi ia përgatiste ujin për abdest Pejgamerit a.s. kur ai e kishte ndërmend të merte abdest. Falej pas tij kur ai falej. Dhe ulej prapa tij kur vendoste të udhëtonte, gjersa u bë si hije e trupit të tij. Ai i qepej pas kudo që shkonte Pejgamberi a.s. Gjatë asaj kohe kishte zemër dhe ndërgjegje të pastër dhe me vete mbante të gjitha mjetet për të shënuar (thënie apo porosi të tij).

*  *  *

Ai rrëfen për vete dhe thotë:

I Dërguari i Allahut një ditë po përgatitej për të marrë abdest. Unë ia përgatita ujin me të shpejtë, aq sa munda, e ai u gëzua për këtë veprim timin…

Kur po bëhej gati për t’u falur, më dha shenjë që të qëndroja afër tij. Kur mbaroi faljen, ai ma bëri me dorë dhe më tha:

“Kush ta ndaloi që të jesh afër meje, o rob i Allahut?” E unë i thashë:

 Ti je më i madhëruar të të shikoj karshi dhe më i dashur sesa të jem krah për krah me ty, o i Dërguar i Allahut! Ai ngrit duart drejt qiellit dhe tha:

“O Zot, i dhuroji urtësi këtij fëmije!”

Allahu iu përgjigj lutjes së Pejgamberit të Tij dhe djaloshit i dhuroi urtësi, që ia tejkaloi njerëzve më të urtë.

S’ka dyshim se dëshironi dini disa qëndrime të urtësisë së Abdulla ibnu Abasit. Ja, pra, po ju sjellim një qëndrim, besojmë se ai do të mjaftojë.

Kur disa shokë të Aliut u larguan nga radhët e tij dhe e lanë të vetmuar në konfliktin në mes tij dhe Muaviut r.a., atëherë Abdullllahu i tha Aliut r.a.:

– Më lejo mua, o Prijës i muslimanëve, që të kontaktoj me popullin dhe t’u flas!

Ai më tha:

– Unë po frikësohem prej tyre për fatin tënd.

– Jo, kurrsesi (mos u frikëso), në emër të Zotit!

Pastaj ai shkoi tek ata, dhe kurrë nuk kishte parë njerëz më të angazhuar në ibadet se ata.

Ata i thanë:

– “Mirësevjen o ibnu Abas… Çfarë të solli ty këtu?”

 Kam ardhur për të biseduar me ju,  tha ai.

Disa prej tyre thanë:

“Mos i flisni!”

E disa të tjerë shtuan: “Fol, të dëgjojmë! Ç’thua!?” Ai tha:

“Më tregoni se çka nuk ju pëlqen nga biri i xhaxhait të Pejgamberit të Allahut, burrit të bijës së tij dhe i pari që i besoi atij.”

Ata thanë:

“Jemi të zemëruar me të për shkak të këtyre tri çështjeve:

E para: ai ka caktuar njerëz arbitrar në Fenë e Allahut…

E dyta: ai e luftoi Aishen dhe Muaviun dhe nuk i ka marrë pre lufte e as robër…

E treta: ai e ka shlyer titullin prijës i besimtarëve, edhe pse muslimanët ia kanë dhënë betimin dhe e kanë njohur për prijës të tyre.”

Ai tha:

“Çfarë mendoni nëse unë ju rikujtoj diçka dhe ju citoj nga Libri i Allahut dhe nga hadithet e Pejgamberit a.s., të cilin nuk duhet ta hidhni poshtë, a do të hiqni dorë nga qëndrimi juaj?”

 Ata thanë:

“Po.”

Ai tha:

“Sa i përket fjalës suaj se ai ka emëruar sundues arbitrar në Fenë e Allahut, po ju tregoj se Allahu i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:

“Mos mbytni gjahun duke qenë ju në ihram. E kush e mbyt atë me qëllim, atëherë dënohet që në kafshë shtëpiake të ngjashme ta falë ose të kompensohet vlera e saj.” (ElMaide: 96)

Po ju përbej me Allahun se a është më e rëndësishme që njerëzit të ruajnë gjakun dhe jetën e tyre duke u pajtuar me njëritjetrin apo të shprehin mendimin e tyre për një lepur, vlera e të cilit është një e katërta e dërhemit?!”

Ata thanë:

“Jo, më e rëndësishme është ruajtja e gjakut të muslimanëve dhe pajtimi mes tyre.”

Ai pyeti:

“A u morëm vesh për këtë çështje?”

Ata thanë:

“Për Zotin, po.”

Ai vazhdoi;

“Sa i përket fjalës tuaj se Aliu ka luftuar dhe nuk i ka marrë robëreshat e luftës, siç ka vepruar Pejgamberi i Allahut, unë ju pyes nëse dëshironi të merrni rob lufte nënën tuaj, Aishen, dhe t’a trajtoni atë siç trajtohen robëreshat e luftës?!

Nëse thoni po; atëherë ju jeni pabesimtarë. Por nëse thoni: se ajo nuk është nëna juaj, ju prapë jeni pabesimtarë, se Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Pejgamberi është më i afërt dhe më i respektuar se vetë besimtarët (farefisi i gjakut), ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre (për misionin dhe përgjegjësinë e tyre që kanë si nëna të besimtarëve).” (El Ahzab:6)

Pra, ju merreni këtë si të doni.”

Pastaj tha:

“A mbaruam gjithashtu edhe me këtë çështje?”

Ata thanë:

“Për Allahun, po.”

Ai vazhdoi. “Sa i përket fjalës suaj se Aliu vetë e ka anuluar titullin e prijësit të besimtarëve, po ju tregoj se kur Pejgamberi i Allahut kërkoi nga politeistët, në Ditën e Hudejbies, që ta shkruajnë në marrëveshjen paqësore që arritën tekstin “Për këtë (çështje) jemi marrë vesh me Muhammedin, të Dërguarin e Allahut”, ata thanë: “Po të besonim se ti je i Dërguari i Allahut, nuk do të të pengonim nga Qabja e as nuk do të të luftonim, por shkruaj tekstin: “Muhammedi, i biri i Abdullllahut”. Ai lëshoi pe në kërkesën e tyre dhe u tha:

“Për Allahun, unë jam i Dërguar i Allahut, edhe pse ju më përgënjeshtoni.”

A përfunduam edhe me këtë  i pyeti ata Abdullahu.

“Për Allahun, po,”  ia kthyen ata.

Si rezultat i këtij takimi, në të cilin Abdullllah ibnu Abasi demonstroi urtësi të rrallë, ishte kthimi i njëzet mijë pjesëtarëve të larguar nga radhët e Aliut. Katër mijë të tjerë këmbëngulën që të qëndrojnë në armiqësi ndaj tij, në shenjë mërie dhe mospajtimi me të vërtetën.

*  *  *

Djaloshi Abdullah ibnu Abasi kishte trasuar çdo rrugë të dijes dhe kishte bërë çmos për t’u pajsur me dituri. Ai vazhdoi të pijë nga uji i pashtershëm i Pejgamberit të Allahut sa ishte ai gjallë. Kur i Dërguari i Allahut ndërroi jetë, ai u drejtua nga dijetarët e tjerë sahabë dhe zuri të marrë dije prej tyre.

Nga rrëfimi i tij në vetën e parë:

Kur më arrinte ndonjë hadith te ndonjëri njeri prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut, unë shkoja te dera e shtëpisë së atij njeriu në kohën e gjumit, në mesditë, dhe mbështetesha në xhelabinë time në pragun e shtëpisë së tij. Aty era më hidhte pluhur vazhdimisht. Sikur të dëshiroja të merrja leje për të hyrë brenda, ai do të më lejonte. Pritjen e bëja me qëllim që ta kënaqja atë. Kur ai dilte nga shtëpia e më shihte në këtë gjendje, më thoshte:

 O biri i xhaxhait të Pejgamberit, çka të ka sjellur ty këtu? Përse nuk ke dërguar dikë që të vijë tek unë? E unë i thoja se kam arsyetim për se kam ardhur te ti, se dija kërkohet dhe nuk vjen vetvetiu. Më pas e pyesja për një hadith.

Ashtu siç ibnu Abbasi i përkushtohej kërkimit të diturisë, po ashtu e çmonte vlerën e dijetarëve.

Ja ku është Zejd ibnu Thabiti, regjistrues i Vahjit (shpalljes) i janë lënduar këmbët duke ecur tepër, – dhe prijës i banorëve të Medinës në Jurisprudencë, Fikh, Kiraet dhe Feraidin (trashëgiminë), – që po bëhej gati për të hipur mbi një kafshë, kur para tij del djaloshi hashimij, Abdullah ibnu Abasi, siq qëndron robi para zotëriut të vet, e kap frerin dhe niset me devën e tij.

Zejdi i tha:

 Lëre atë, o biri i xhaxhait të Pejgamberit të Allahut!

 Kështu jemi urdhëruar të sillemi me dijetarët tanë, ia ktheu ibnu Abasi.

Atëherë, Zejdi i tha:

Më trego dorën tënde, të ta shoh!

Ibnu Abasi ia ofroi dorën e vet. Ai u përkul mbi dorën e tij, e puthi dhe i tha: “Kështu jemi urdhëruar të sillemi me pjesëtarët e familjes së Pejgamberit tonë.”

*  *  *

Ibnu Abasi iu dha me përkushtim kërkimit të diturisë derisa arriti një diapazon të gjerë të dijes me të cilin i mahniti dijetarët e mëdhenj. Lidhur me të, Mesruk ibnu “El Exhde”, njëri nga bashkëkohanikët e sehabëve të Pejgamberit, ka thënë:

Kur e shikoja ibnu Abasin, thoja me vete: Njeriu më i bukur. Kur fliste, thoja ky është njeri që flet me një gjuhë elekuente dhe qenka shumë i ditur.

Kur ibnu Abasi u pajis me dituri aq sa lakmonte, ai u bë mësues (i shquar) dhe filloi t’i mësojë njerëzit. Shtëpia e tij u bë universitet i muslimanëve… U bë universitet me plot kuptimin e fjalës që ka në kohën e sotme.

I gjithë dallimi në mes të universitetit të ibnu Abasit dhe universiteteve tona është se në universitetet tona grumbullohen dhjetëra profesorë, e ndonjëherë edhe qindra sish, kurse, sa i përket universitetit të ibnu Abasit, ai funksiononte me një profesor të vetëm, e ai ishte ibnu Abasi. Njëri prej sahabëve të tij thotë: “Kam marrë pjesë në një tubim të ibnu Abasit dhe ma merr mendja se tubimet e tij do të ishin krenari për të gjithë kurejshët. Kam parë njerëz që tuboheshin nëpër rrugët që shpienin në shtëpinë e tij, ndërsa ato ishin të ngushta për t’i pranuar të gjithë ata njerëz dhe nuk kishin nga të kalonin. Hyra në shtëpinë e tij dhe e njoftova se ishin tubuar njerëzit te dera e tij, e ai më tha:

“Sill ujin të marr abdest!”

Ai mori abdest dhe shtoi:

“Dil e thuaju se kush dëshiron të pyesë për Kur’anin dhe shkronjat e tij, le të hyjë.”

Unë dola dhe u thashë njerëzve për atë që më porositi. Ata filluan të hyjnë brenda, derisa u mbush e tërë shtëpia me njerëz. Asnjë pyetje, nuk mbeti pa përgjigje. Ai u përgjigj ashtu siç shtroheshin pyetjet, madje edhe më hollësisht.

Pastaj u tha:

 Lirojuni rrugën vëllezërve tuaj!

Ata dolën përjashtë. Pastaj më tha:

“Dil e thuaju se kush dëshiron të pyesë për tefsirin (komentimin) e Kur’anit dhe shpjegimet rreth tij, le të hyjë!”

Dola dhe u thashë, ashtu siç më urdhëroi.

Ata hynë gjersa u mbush e tërë oda dhe shtëpia. Asnjë pyetje nuk mbeti pa përgjigje, ashtu siç i shtroheshin atij, madje edhe më hollësisht.

Pastaj tha:

 Dil e thuaju se kush dëshiron të pyes për gjërat e lejuara (hallall) dhe të palejuara (haram) në Islam dhe për jurisprudencën islame, le të hyjë.

Dola dhe u thashë. Ata zunë të hyjnë, derisa u mbush tërë shtëpia.

Nuk mbeti asnjë pyetje pa përgjigje. Ai iu përgjigj atyre ashtu siç e pyetën. Pastaj u tha:

 Lirojuni rrugën vëllezërve tuaj! Dhe ata dolën nga shtëpia.

Ai më tha:

Dil dhe thuaju se kush dëshiron të pyesë për të drejtën e trashëgimisë (faraidin) dhe çështjet e ngjashme me to, le të hyjë!

Dola dhe u thashë ashtu siç më tha ai. Ata zunë të hyjnë brenda, derisa u mbush e tërë shtëpia. Asnjë pyetje nuk mbeti pa përgjigje.

Pastaj u tha:

 Lirojuni rrugën vëllezërve tuaj! Pastaj më tha: – Dil dhe thuaju se kush dëshiron të më pyesë për gjuhën arabe, poezinë dhe fjalët e panjohura arabe, le të hyjë brenda.

Të interesuarit për këtë çështje zunë të hyjnë brenda, derisa u mbush e tërë shtëpia. Asnjë pyetje, nuk mbeti pa përgjigje. Transmetuesi i këtij tregimi thotë:

“Sikur i tërë fisi Kurejsh të mburrej me të, do të ishte një nam i madh për të.”

*  *  *

Ibnu Abasi r.a. e kishte parë të arsyeshme që njohuritë e ndryshme t’ua mësojë njerëzve në ditë të caktuara, në mënyrë që të mos bëhet tollovi e ngjashme siç bëhej kohë më parë.

Një ditë në javë vendosi të merret vetëm me komentimin e Kur’anit.

Një ditë merrej me jurisprudencën islame.

Një ditë merrej me studimin e betejave të të Dërguarit të Allahut.

Një ditë merrej me poezi.

Një ditë merrej me evokimin e ditëve të mëdha të arabëve.

Kurrë nuk është ulur pranë tij ndonjë dijetar e të mos ta ketë dëgjuar atë me vëmendje të veçantë.

Kur ndonjë njeri e pyeste për ndonjë çështje, kurrë nuk ndahej prej tij pa mësuar diçka të re.

*  *  *

Në sajë të dijes dhe aftësisë së tij për jurisprudencën islame, ibnu Abasi arriti të bëhet këshilltar i Hulifai rashidinëve, edhe pse ishte në moshë të re. Kur i drejtoheshin njerëzit për zgjidhjen e ndonjë problemi, apo për ndonjë çështje të vështirë, ibnu Hattabi i ftonte sahabët e vjetër dhe të avancuarit në dije dhe krahas tyre e ftonte edhe Abdullah ibnu Abasin. Kur shkonte ibnu Abasi e nderonte atë dhe e afronte në tubimin e vet dhe i thoshte:

– Po na mundon një problem i vështirë. Ky dhe problemet e ngjashme janë për ty që t’i zgjidhësh. Ai (ibnu Hattabi) u qortua nga masa për respektin që i bëri djaloshit dhe për futjen në radhën e dijetarëve, meqë ishte ende i ri. Lidhur me këtë, ai tha:

“Ky është djalosh i pjekur, di të flasë mirë, të pyesë dhe ka zemër të artë.”

Megjithëse ibnu Abasi iu përkushtua në veçanti mësimit dhe aftësimit të njerëzve, ai nuk harroi detyrimin ndaj masës së gjerë. Prandaj, organizonte tubime në të cilat mbante ligjërata dhe jepte këshilla. Në ligjëratat e tij vihej në dukje fjala e tij prej oratori drejtuar atyre që bëjnë gabime:

“O ti që bën gabim! Mos mendo se do të shpëtosh nga dënimi për gabimin tënd. Dije se pasojat e gabimit janë më të mëdha sesa vetë gabimi që e ke bërë.

Vërtet, mosturpërimi nga ata engjëj që ke në krahun e djathtë dhe të majtë kur ti bën gabim nuk është aspak mëkat më i vogël se gabimi që bën.

Vërtet ti qesh kur bën gabim, por ti nuk e di se çfarë do të të sjellë Allahu më rëndë se vetë gabimi që ke bërë.

Gëzimi yt për gabimin e bërë, në çastin kur e bën, është mëkat më i madh sesa vetë gabimi që ke bërë.

Vërtet, dëshpërimi yt për gabimin, kur të shpëton pa e bërë, është më i rëndë se vetë gabimi.

Vërtet ke frikë nga era kur ta zbulon fshehtësinë, ndërsa ti po bën gabim me qenien tënde dhe nuk të tronditet zemra nga shikimi i Allahut, gabim ky më i rëndë se gabimi i bërë. A e di se cili ishte gabimi i Ejubit a.s. kur Allahu e vuri në sprovë me trupin (shëndetin) dhe mallin e tij?

Mëkati i tij ishte se një i gjorë kërkoi ndihmë tek ai (për ta këshilluar) se si t’i hiqet padrejtësia dhe nuk e çau kokën për të.”

Ibnu Abasi nuk ishte prej atyre njerëzve që flasin për ato vepra të cilat nuk i bëjnë dhe as prej atyre njerëzve që ua ndalojnë të tjerëve veprat e shëmtuara e vetë nuk ndalohen prej tyre. Por ishte nga ata që agjërojnë shpesh dhe natën e kalojnë në adhurim.

Lidhur me të Abdullah ibnu Meliku ka njoftuar:

“Unë e kam shoqëruar ibnu Abasin r.a. nga Meka në Medinë. Kur u vendosëm në një shtëpi, ndërsa njerëzit flinin nga rraskapitja e madhe, ai qëndroi zgjuar gjysmën e natës duke bërë namaz.

Një natë e pashë duke lexuar: (ajetin kur’anor) “Agonia e vdekjes do të sjellë të vërtetën (para syve të tij) e (atij i thuhet) “Kjo është dita nga e cila orvateshe të ikësh.” (Kaf:19) Ai zuri ta përsërisë atë dhe të qajë me zë gjersa ia dha agu i mëngjesit. Ne mësuam fare mirë, pas tërë asaj që ai tregtoi, se Abdullah ibnu Abasi ishte njëri prej njerëzve më të mirë (për nga sjelljet dhe veprat) dhe më i pashmi për nga fytyra. Ai qante nga frika e Allahut në mesnatë derisa i rridhnin lotët si gurra nëpër faqet e tij të lëmuara e të hijshme, shtrati i të cilëve i gjasonte ciklit të gurrës.

Ibn Abasi kishte arritur synimet e veta nga madhështia e diturisë.

Halifi i muslimanëve, Muavi ibnu Ebi Sufjani atë vit shkoi në haxh. Edhe Abdullah ibnu Abasi shkoi në haxh, por ai nuk ushtronte kurrfarë pushteti, as kishte pozitë të ndonjë princi.

Muaviu kishte një grup njerëzish funksionarë të shtetit të tij, por grupi i njerëzve që kërkonte dituri tek Abdullahu ia tejkalonte në numër grupit të njerëzve të halifit.

Ibnu Abasi jetoi shtatëdhjetë e një vjet, gjatë të cilave muslimanëve u dhuroi dituri, mprehtësi, urtësi dhe shembull për adhurim.

Kur i erdhi vdekja, Muhammed ibnu El Hanefij dhe shokët e tjerë të të Dërguarit të Allahut dhe vazhduesit eminentë të rrugës së Pejgamberit i dërguan atij bekimet dhe përshëndetjet e tyre.

Derisa po ia hidhnin dheun në varrin e tij, të pranishmit dëgjuan një njeri duke lexuar ajetin kur’anor:

“O ti shpirt i qetësuar, kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur dhe kënaqës, hy te robërit e Mi dhe në Parajsën Time.” (El Fexhër:3)

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...