Ma’kil ibn Jesar (r.a.), ishte një sahab që u nderua me Islam para Marrëveshjes së Hudejbijes. Ai ishte një njeri fatlum, i cili gjendej në Besëlidhjen e Ridvanit, për pjesëmarrësit e së cilës ka zbritur një ajet që përgëzon me kënaqësinë e Allahut. Po ashtu, i Dërguari i Allahut (a.s.), i besoi atij detyrën e gjykatësit në fisin e vet.
Ai ishte pjesëtar i fisit Muzejne që jetonte në shkretëtirë në një oaz në Luginën Kurra. Mendohet se ai është thirrur edhe me emrat Ebu Abdullah, Ebu Jesar dhe Ebu Ali. Por më shumë njihej me emrin Ebu Ali. Ndërsa në Rijadu’s-Salihin përmendet me emrin Ebu Ja’la.
Siç thamë më lart, ai e ka pranuar Islamin para Marrëveshjes së Hudejbijes dhe ishte një prej sahabëve që ka marrë pjesë në Besëlidhjen e Ridvanit. Lidhur me sahabët që kanë marrë pjesë në këtë besëlidhje, ka zbritur një ajet që i përgëzon ata me kënaqësinë e Allahut:
“Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt.” (Fet’h, 18)
Besëlidhja që përmendet në ajet, është pikërisht “Besëlidhja e Ridvanit”, që u bë nën pemën “Semre” në Hudejbije, në të cilën 1400 sahabë dhanë besën e tyre se do të luftonin kundër idhujtarëve deri në vdekje. Një prej atyre fatlumëve ishte edhe Ma’kil ibn Jesar.
Ai ishte shumë i respektuar në fisin e tij Muzejne. Fjalët dhe bisedat e tij dëgjoheshin, ndërsa këshillat dhe propozimet e tij zinin vend. I Dërguari i Allahut (a.s.), e kishte ngarkuar atë me detyrën e gjykatësit për të zgjidhur disa mosmarrëveshje në fisin e vet.
Ma’kil ibn Jesar, u bë shkaku i zbritjes së ajetit fisnik në lidhje me çështjen e rimartesës me burrat e tyre, të grave që u mbaron koha e pritjes (pas ndarjes). Kjo ndodhi, në Kutub-i Sitte, tregohet si një çështje e detajuar e Ma’kil ibn Jesarit (r.a.):
“Unë kisha një motër, dorën e së cilës e kërkonin shumë vetë. Mirëpo unë nuk i jepja asnjërit përgjigje pozitive. Por kur erdhi e kërkoi një i njohur i imi, unë e martova me të. Ata jetuan njëfarë kohe së bashku, aq sa dëshiroi Allahu. Më pas, ai e shkurorëzoi motrën time me “talak-i rixh’i” Mirëpo, ai e la atë përfundimisht. Kur mbaroi koha e pritjes së saj, erdhën njerëz për t’i kërkuar dorën. Por ai erdhi dhe deshi ta merrte përsëri për grua. Ndërsa unë i thashë:
«Më parë kanë ardhur shumë njerëz për ta kërkuar, por nuk ia dhashë askujt dhe prej të gjithëve të zgjodha ty e të martova me të. Kurse ti e shkurorëzove me “talak-i rixh’i”. Pastaj, e le atë edhe pse kishe të drejtë ta merrje përsëri, derisa iu mbush afati. Kur filluan ta kërkojnë të tjerët, erdhe edhe ti për ta kërkuar. Betohem në Allahun se nuk do të ta japë më kurrë atë!»
Ma’kili thotë: Lidhur me këtë ndodhi, ka zbritur ky ajet për mua: “Kur t’i lini gratë të lira dhe ato të kenë plotësuar kohën e pritjes, mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre, nëse merren vesh me të mirë!..” (Bekare, 232) Për këtë arsye, unë bëra shpagimin e betimit tim dhe e martova përsëri motrën time me ish-burrin e saj. (Buhari, Tefsir, Bekara: 2, 40, Talak: 44; Ebu Daud, Nikah: 21, (2087); Tirmidhi, Tefsir, Bekara: 2, (298).)
Ndërsa në një transmetim tjetër, thuhet: “I Dërguari i Allahut (a.s.), e thirri Ma’kilin dhe ia lexoi ajetin e zbritur. Për këtë arsye, ai hoqi dorë nga vendimi i tij dhe iu nënshtrua urdhrit të Allahut.” (Buhari, Talak: 44; Ibrahim Canan, Kutub-i Sitte Tercüme ve Serhi: 3/322.)
Ma’kil ibn Jesar (r.a.), ka transmetuar edhe hadithe, prej të cilave 34 janë në Kutub-i Sitte, 27 janë në Musned (V, 25-27.), ndërsa rreth 100 janë në përmbledhjen Taberanit. Ja disa prej këtyre haditheve:
Ma’kil ibn Jesar (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:
“Kush arrin mëngjesin dhe thotë tri herë “Eudhu billahi’s-semi’il-alim meni’sh-shejtani’r-raxhim” dhe lexon tre ajetet e fundit të sures Hashr, Allahu cakton shtatëdhjetë mijë melekë si kujdestarë për të. Ata kërkojnë mëshirë për të deri në mbrëmje. Nëse ai do të vdesë atë ditë, vdes si dëshmor. Nëse lexon të njëjtat në mbrëmje, kësaj here ndodh e njëjta gjë deri në mëngjes.” (Tirmidhi, Fedailu’l-Kur’an 22, 2923)
Ma’kil ibn Jesar (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Lexojuni suren Jasin të vdekurve tuaj (atyre që janë duke vdekur)” (Ebu Daud, Xhenaiz 24, 3121.); Ibn Maxhe, Xhenaiz 4, 1448.)
Ma’kil ibn Jesar (r.a.), tregon: “Një person erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe e pyeti: «Kam gjetur një grua fisnike dhe të bukur (me qëllim martese). Mirëpo, është shterpë, nuk lind fëmijë. A të martohem me të?» I Dërguari i Allahut (a.s.), i tha: «Jo, mos u marto!» Më vonë, ky person erdhi përsëri (me të njëjtën pyetje) dhe mori të njëjtën përgjigje. Kur erdhi për herë të tretë, i Dërguari i Allahut (a.s.), tha: «(O njerëz!) Martohuni me atë që është “vedud / dashuron shumë” dhe “velud / lind shumë”, sepse (në Ditën e Kiametit), unë do të krenohem me numrin e madh të umetit tim para umeteve të tjerë.»” (Ebu Daud, Nikah 4, 2050); Nesai, Nikah 11.)
Pas shkuarjes së Profetit tonë (a.s.), në botën e përjetshme, Ma’kil ibn Jesar (r.a.), nuk qëndroi në Medinë, por shkoi në qytetin e Basrës, i cili sapo ishte formuar dhe u bë nga të parët që u vendos aty. Më pas, Omeri (r.a.), e ngarkoi atë me detyrën e hapjes së një kanali ujitës në Basra. Ai e hapi atë kanal në afërsi të Basrës dhe ai kanal u bë i njohur me emrin “Nehr-i Ma’kil / Lumi i Ma’kilit”.
Më vonë, në kohën e Emevitëve, ai u ngarkua edhe me hapjen e kanalit në Ubul-le nga ana e Valiut të Horasanit dhe Basras, Ubejdullah ibn Zijad. Në atë kohë ai ishte një prej sahabëve të pakët që ishin ende gjallë. Ubejdullah ibn Zijad, i caktoi familjes së Ma’kilit (r.a.), disa toka në Basra, në të cilën rritet një lloj hurme që njihet me emrin “Ma’kili”.
Në periudhën e kalifatit të Aliut (r.a.), Ma’kil ibn Jesar (r.a.), mori pjesë në çlirimin e Iranit. Po ashtu, ai mori pjesë edhe në çlirimin e dytë të qytetit Istakhr nën komandën e Abdullah ibn Amir ibn Kurejdhit në periudhën kur në Basra ishte vali Abdullah ibn Abbasi (r.a.). Në këtë luftë, ai u caktua si komandanti i njërit prej krahëve të ushtrisë.
Gjatë sëmundjes, e cila përfundoi me vdekjen e Ma’kil ibn Jesarit (r.a.), atë e vizitoi vetë Valiu i asaj kohe, Ubejdullah ibn Zijad, me ç’rast Ma’kili (r.a.), i transmetoi valiut një hadith, të cilin nuk ia kishte thënë askujt deri atë ditë. Ky hadith, gjendet në Rijadu’s-Salihin dhe është si më poshtë:
Ebu Ja’la Ma’kil ibn Jesar (r.a.), transmeton se, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s.), të thotë:
“Nëse një person, të cilin Allahu i Madhëruar e ka bërë drejtues, vdes duke mashtruar njerëzit që drejton, Ai nuk do t’ia tregojë Xhenetin” (Buhari, Ahkam 8; Muslim, Iman 227-228, Imare 21.)
Ndërsa në një transmetim të Muslimit, thuhet: “Asnjë prej drejtuesve që merr përsipër punët e myslimanëve dhe nuk punon e përpiqet për ta, nuk do të hyjë së bashku me ta në Xhenet.” (Muslim, Iman 229, Imare 22.)
Në shpjegimin e këtij hadithi fisnik, zënë vend këto shprehje: “Koha që Ma’kil ibn Jesar (r.a.), zgjodhi për të transmetuar këtë hadith, ka një rëndësi të veçantë. Ndërkohë që ky sahab i nderuar i Profetit tonë (a.s.), dergjej në shtratin e vdekjes në Basra, Valiu Emevit i Horasanit dhe Basrës, Ubejdullah ibn Zijadi i erdhi për vizitë. Kur Ma’kili (r.a.), pa pranë tij përgjegjësin kryesor të masakrës së Kerbelasë, tha:
– Do të të transmetoj një hadith që kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe i tregoi atij hadithin që nuk ia kishte thënë askujt tjetër për vite me radhë.
Ubejdullah ibn Zijad tha: “A nuk duhej të ma thoshe më parë këtë?”
– Jo! Më parë nuk mund të ta thosha”- tha Ma’kili (r.a.).
Ma’kil ibn Jesar (r.a), ka transmetuar edhe këtë hadith në lidhje me kohët e fitneve. I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Kur situata është në kaos, adhurimi është si hixhret për mua!” (Muslim, Fiten 130. Tirmidhi, Fiten 31; Ibni Maxhe, Fiten 14.)
Fjalës origjinale “herxh” të përdorur në hadith, i janë dhënë kuptimet, kaos, kohë fitnesh, situatë lufte ndërmjet myslimanëve, ngatërrimi i gjendjes së punëve, lajme të pavërteta që përhapin trazira në shoqëri, etj. Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), është pyetur se çfarë është “herxh-i”, ai ka thënë: “Herxhi është vrasës!” (Buhari, Edeb 39; Muslim, Ilim 11.)
Qëllimi i fjalës “vrasës”, aludon në faktin se në kohë fitnesh / trazirash, myslimanët luftojnë dhe vrasin njëri-tjetrin. Dhe në shumë hadithe është lajmëruar se kjo do të ndodhë më shumë në kohët afër Kiametit. Shkaku që adhurimi është shumë i çmuar dhe i veçantë në kohë fitnesh dhe kaosi, është se në kohë të tilla, njerëzit përzihen në kaos dhe fitne dhe nuk i kryejnë ashtu siç duhet detyrat e tyre ndaj Allahut të Madhëruar. Ndërsa ata që nuk marrin pjesë në trazira, por tërhiqen mënjanë dhe merren me adhurime, do të kenë shpërblime të mëdha nga Allahu. Ky qëndrim, ka një rëndësi të madhe në aspektin e përmirësimit të shoqërisë dhe të ofrimit të një shembulli të mendjes së shëndoshë, e cila duhet të pasohet.
Nga Ma’kil ibn Jesar (r.a.), transmetohet edhe një thënie e tillë: “Nuk ka asnjë ditë që lind e të mos thotë: «O biri i njeriut! Unë jam një ditë e krijuar sot dhe do të dëshmoj për punët e tua. Prandaj, ndërkohë që jeton tek unë bëj punë të mira, që të dëshmoj me to në favorin tënd. Nëse sot iki, nuk do më gjesh më kurrë. Edhe nata i thotë njeriut të njëjtat fjalë.” (Ebu Nuajm, Hilje, V 2, 303.)
Ma’kil ibn Jesar (r.a.), ndërroi jetë rreth vitit 680 (60 hixhri) në Basra. (Isabe, VI, 146-147.)
Allahu qoftë i kënaqur me të!.. Amin!..
– Talak-i Rixh’i: Kur burri i thotë gruas “je e ndarë”, por gruas i duhet të presë një kohë prej 100 ditësh para se të lëshojë shtëpinë e burrit përfundimisht. Mirëpo, nëse burri vendos ta marrë përsëri para se të mbarojë ky afat, ajo mund të vazhdojë martesën normalisht, nëse jo, atëherë ajo quhet e ndarë përfundimisht.
Shto koment