Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Ribi ibn Amr El-Ensari r.a.

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), ishte një sahab i cili shfaqi një besim të palëkundur dhe një trimëri të pamposhtur përballë armikut!..

Ai ishte i dërguari/përfaqësuesi i dytë i Islamit, i cili u dërgua tek komandanti i ushtrisë perse, Rustumi!..

Ishte një burrë, i cili u bë i njohur me qëndrimin e tij të palëkundur dhe me përgjigjet e matura përballë Rustumit gjatë kumtimit të Islamit. Ai ishte një trim që nuk ngurronte të thoshte të vërtetën dhe nuk trembej prej armikut!..

Falë nofkës “el-Ensari” me të cilën njihet, kuptohet se ai ka lindur dhe është rritur në Medinë. Mirëpo, se prej cilit fis vjen, kur është nderuar me Islam, ku dhe si është takuar me Profetin tonë (a.s.), nuk dihet. Në lidhje me jetën e tij nuk ka shumë të dhëna.

Ai është një prej sahabëve të Bedrit. Transmetohet se ka marrë pjesë në luftën e Bedrit, ndërsa në ndodhinë e Siffinit ka luftuar në anën e Aliut (r.a.). (Isabe, II, 379; Usdu’l-gabe, II, 253.)

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), gjatë periudhës së halifit Omer (r.a.), ka kryer detyrën e përfaqësuesit/ambasadorit islam. Myslimanët që jetonin nën ombrellën e drejtësisë së Islamit në atë periudhë, nga një anë përjetonin kohën e tyre të artë, e nga ana tjetër ushtritë islame luftonin në të gjitha frontet. Fitoheshin vende të reja, arriheshin fitore dhe zgjeroheshin tokat islame.

Kur Profeti ynë (a.s.), u shkruante letra kryetarëve të vendeve, mbretërve dhe sunduesve duke u kumtuar fenë dhe duke i ftuar në Islam, i paralajmëronte ata duke u thënë: “Pranoni Islamin dhe shpëtoni!”

Letrën që ia dërgoi mbretit të Persisë, e mori Pervizi dhe e bëri copa-copa. I Dërguari i Allahut (a.s.), u mërzit shumë nga ky veprim dhe në lidhje me mbretin e Persisë, u lut me këto fjalë: “O Zot! Ashtu siç e copëtoi ai letrën time, copëtoja edhe Ti mbretërinë atij!..” Ja pra, realizimi i asaj duaje ishte afruar. Mbreti i Persisë, Pervizi, u vra me thikë nga djali i tij, Shirveje. Tani, e kishte radhën copëtimi i mbretërisë së tij.

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), mori pjesë në çlirimin e Persisë me ushtrinë që ishte nën komandën e Sa’d ibn Ebi Uakkasit (r.a.), në periudhën e halifatit të Omerit (r.a.). Ushtria islame u afrua në vendin e quajtur Axhem. Komandanti i ushtrisë së mbretit pers nuk dëshironte të përplasej me ushtrinë islame për shkak të grindjeve për pushtet brenda mbretërisë perse. Për këtë arsye, ai po përgatiste terrenin për të bërë paqe me myslimanët. Mirëpo, ai nuk e linte pas dore as përgatitjen ushtarake.

Përballë ushtrisë Islame prej 34 mijë ushtarësh të gatshëm, qëndronte ushtria e Persisë me 120 mijë ushtarë të gatshëm dhe 80 mijë rezervistëve. 30 mijë prej këtyre të gatshmëve, ishin të lidhur me zinxhirë me njëri-tjetrin me qëllim që të mos iknin prej luftës. Me gjithë këtë, Rustumi nuk kishte besim tek vetja. Prandaj, ai përpiqej të merrte kohë duke kërkuar shpesh të dërguar prej Sa’d ibn Ebi Uakkasit (r.a.).

Ushtria Islame, në zbatim të parimeve të fesë sonë, në fillim i dërgonte armikut përfaqësues dhe i ftonte në Islam. Për këtë arsye, Rustumit iu dërguan disa përfaqësues. Ndërsa Rustumi e refuzonte vazhdimisht ftesën e tyre.

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), ishte përfaqësuesi i dytë që iu dërgua Rustumit. Trimëria që shfaqi ai përballë armikut, qëndrimi i tij i guximshëm e gjakftohtë dhe kumtimi i fesë së vërtetë pa pasur frikë nga dëmtimi apo vdekja, ishin të jashtëzakonshme. Aq sa, kur ai arriti pranë komandantit pers, Rustumit, u përball me një pamje madhështore të cilën nuk ia kishin zënë kurrë sytë. Vendi ku gjendej, ishte zbukuruar me jastëkë të qëndisur, tapetë prej kadifeje dhe me shumë stoli të tjera si perla dhe xhevahire. Rustumi ishte ulur në një fron të larë në ar. Ndërsa njerëzit përreth i shërbenin si skllevër.

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), kishte veshur një rrobë shumë të thjeshtë dhe të vjetër. Ai kishte një shpatë të shtrembër, një mburojë të shtypur dhe një kalë të dobët. Mirëpo, madhështia e Rustumit nuk e joshi dhe nuk e tërhoqi aspak atë. Përballë të gjitha këtyre që shihte, ai kishte një besim të palëkundur dhe një trimëri e guxim të pamposhtur. Kur arriti në vendin e shtruar me tapeta, zbriti nga kali dhe e lidhi kalin aty ku ishte. Armën dhe mburojën e kishte në trup, ndërsa helmetën në kokë. Atij i thanë: “Lëre armën dhe eja!..” Ndërsa ai u përgjigj me maturi dhe guxim të madh duke thënë:

“Nëse më pranoni kështu, mirë, nëse jo kthehem e iki. Unë nuk kam ardhur vetë këtu. Ju më ftuat, prandaj erdha.”

Të pranishmit u habitën prej guximit dhe maturisë që tregoi ky njeri me trup të dobët. Ndërsa Rustumi, me një krekosje dhe arrogancë të madhe tha: “Lëreni të vijë!..”

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), shkoi drejt tij me dinjitetin e një myslimani dhe pa u frikësuar aspak. Kur iu afrua Rustumit, e nguli heshtën në tokë, ku gjendeshin jastëkët e mëndafshtë dhe i çau ato me majën e mprehtë të heshtës.

Këta jastëkë të zbukuruar, që kishin një vlerë shumë të madhe për Rustumin dhe njerëzit rreth tij, për Rib’in nuk kishin asnjë rëndësi. Mendimi i tij i vetëm, ishte të çonte në vend detyrën e tij në mënyrën më dinjitoze.

Rustumi vazhdoi po me të njëjtën krekosje dhe tha: “Thuaj ç’ke për të thënë!..”

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), me një fisnikëri të lartë, me seriozitet dhe maturi tha:

“Allahu i Madhëruar na ka dërguar një Profet, me qëllim që t’i shpëtojë ata që do prej robërisë së robit, nga vuajtjet e kësaj bote dhe padrejtësitë e feve të kota dhe t’i udhëzojë drejt adhurimit të Tij dhe drejtësisë Islame. Kush e pranon këtë fe, bëhet prej nesh dhe ne kthehemi e ikim. Kush nuk e pranon, do të luftojmë me të derisa të arrijmë atë që ka premtuar Allahu!”

Rustumi tha: “Ç’është ajo që ka premtuar Allahu?”

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), tha: “Xheneti për ata që vdesin në luftë me mohuesit dhe triumfi për ata që mbesin gjallë.”

Rustumi tha: “I dëgjova ato që the. A na jep kohë të mendojmë rreth kësaj çështjeje?”

Ndërsa Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), tha: “Po, do t’ju japim kohën që dëshironi.”

Rustumi pyeti: “Sa kohë na jepni?”

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), u përgjigj: “Mund t’ju japim vetëm një ose dy ditë.”

Rustumi u hodh menjëherë e tha: “Jo!.. Kjo kohë është shumë e shkurtër për të shkëmbyer letra me prijësit dhe dijetarët tanë.”

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), pa nguruar aspak tha:

“Profeti ynë na ka urdhëruar që kur të përballemi me armikun, të mos i japim më shumë se tre ditë kohë. Mendohu dhe pyet njerëzit e tu! Brenda kësaj kohe zgjidh njërën prej këtyre tre alternativave! Të bëhesh mysliman, të paguash xhizjen ose të luftosh.”

Rustumi pyeti përsëri: “A mos je ti zotëria i tyre?”

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), u përgjigj: “Jo!.. Por myslimanët janë si një trup i vetëm që i japin forcë dhe mbështetje njëri-tjetrit.”

Pasi mori këto përgjigje prej përfaqësuesit mysliman, Rustumi mblodhi njerëzit e tij dhe tha: “A keni dëgjuar ndonjë fjalë më të çmuar dhe më të vlefshme se këto të këtij njeriu?”

Njerëzit e tij reaguan shumë ashpër ndaj këtyre fjalëve dhe e kundërshtuan atë duke thënë: “Zoti të ruajttë nga braktisja e fesë tënde dhe animi nga fjalët e atij njeriu! A nuk i pe rrobat e tij? E çfarë mund të jenë fjalët e një njeriu që vishet në atë mënyrë?”

Pasi i dëgjoi, Rustumi u tha:

“Turp të keni! Rrobat e tij shikoni ju? Personaliteti i njeriut nuk është tek rrobat e tij, por tek mendja, aftësia. Këta nuk u japin shumë rëndësi ushqimit dhe veshjeve. Për ta, e rëndësishme është mendja.”

Si përfundim, fjalët e përfaqësuesit të Islamit nuk u morën për bazë dhe, për rrjedhojë dy ushtritë u përplasën me njëra-tjetrën.

Ushtria Islame e përbërë prej 34 mijë ushtarësh të veshur si Rib’i ibn Amri (r.a.), arriti të triumfojë brenda një kohe të shkurtër ndaj ushtrisë perse të përbërë prej 200 mijë ushtarësh të veshur me rroba të bukura.

Ushtria Islame hyri në Medajin me ç’rast u realizua edhe lutja e Profetit tonë (a.s.). Të gjithë dëshmuan për këtë. Ndërkohë që prej ushtrisë Islame ranë shumë pak dëshmorë, ushtria perse humbi 120 mijë ushtarë, ndërsa pjesa tjetër u arratisën. (Isabe, I, 503; Hajatu’s-sahabe, I, 157; Taberi, III, 518-524.)

Rib’i ibn Amr el-Ensari (r.a.), i cili mori pjesë edhe në ndodhinë e Siffinit në anën e Aliut (r.a.), nuk dihet se ku dhe kur ndërroi jetë. (Isabe, II, 379; Usdu’l-gabe, II, 253.)

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Allahu i Madhëruar na bëftë të gjithëve të marrim shembull prej trimërisë, guximit, fisnikërisë dhe entuziazmit të besimit të Rib’i ibn Amr el-Ensarit (r.a.). Amin!

Marre nga: https://www.progresibotime.com/post.php?p_id=932

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events