Home » Resulullah » Nje dite (24 oret) e Pejgamberit Muhamed a.s

…ndiqeni rrugën e Tij që ta gjeni të vërtetën” (Araf 158)

Pershkrimi i nje dite te Pejgamberit a.s

Çka bënte Pejgamberi a.s gjatë ditës, kur flinte, në cilën kohë bënte ibadete, kur punonte?

Përshkrimi i një dite të tërë të Pejgamberit a.s do të ishte e pamundur, posaçërisht një njeriut të tillë sikur Pejgamberi a.s.

Adhurimet që i bënte, sjellja ndaj bashkëshorteve dhe shokëve, mëshira e Tij ndaj të vegjëlve, kafshëve, të dobtëve, modestia e Tij etj të gjitha këto do ishte e pamundur të përshkruhen. Megjithatë në këtë shkrim mund të gjeni Se si I Dërguari i Allahut a.s e kalonte një ditë në pika të shkukrtëra.

Pejgamberi a.s si një i Dërguar i Allahut është shembulli më i mirë për çdo musliman që duhet për të ndjekur.

Thotë Allahu xh.sh në Kuran:

Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun. Ahzab 21

Sigurisht që çdokush i cili dëshiron të arrijë kënaqësinë e Allahut dhe lumturinë në dy botët patjetër që duhet të pasojë Profetin a.s  dhe duhet ta marrë atë shembull në çdo çështje.

Një Ditë e Profetit a.s.

Husejin r.a e kishte pyetur të atin, Aliun r.a, rreth Profetit a.s, ai në këtë mënyrë ia pat shpreguar:

“Ai kërkonte leje për të hyrë në shtëpi. Kohën e Tij në shtëpi e ndante në tre pjesë. Një pjesë për Allahun (ibadetet), një pjesë për familje dhe një për vete. Dhe pjesën tjetër e ndante për të tjerët.

Pejgamberi a.s si zakonisht, para faljes së farzit të sabahut patjetër i falte 2 rekate sunet të sabahut.

Në një hadith Pejgamberi a.s ka thënë: “Dy rekatet e sabahut janë më të mira se dynjaja dhe ç’ ka në të. (Muslimi)

Pejgamberi a.s të gjitha namazet i falte me një qetësi shpirtërore dhe përkushtim e thellim në namaz, në mes të frikës dhe shpresës.

Transmetohet nga Abdull-llah ibn esh-Shihijr r.a. të ketë thënë: “I erdha te I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., ndërsa Ai ishte duke u falur. Në gjoksin e Tij dëgjohej një ushtimë, sikurse ushtima e kazanit kur zien nga të qarët.”

Profeti a.s e urdhëroi edhe ummetit të Tij ta falnin namazin në këtë mënyrë.

Në një hadith të transmetuar nga Ammar bin Jasir r.a., Profeti a.s ka thënë:

Kur dikush e fal namazin, në bazë të kujdesit të tij gjatë namazit, shënohen sevape sa një e dhjeta e namazit, një e nënta, një e tetëta, një e shtatëta,  një e gjashtëta, një e pesta, një e katërta, një e treta dhe sa gjysma. (Ebu Davud, Nesai, Ibn Hibban)

Në një hadith tjetër thotë:

Namazet farz janë sikur peshore. Kush i fal pa mangësi fiton shumë. (Taberani, ibn Hibban)

Për këtë arsye Pejgamberi a.s i jepte shumë rëndësi namazit.

Pas faljes së farzit të sabahut me xhemat, qëndronte në sexhade deri sa të lindte dielli.(Muslim)

Dhikr deri sa të lindte dielli

Transmetohet nga Enes bin Malik r.a., Pejgamberi a.s ka thënë:

” Kush e fal namazin e sabahut me xhemat e pastaj qëndëron ulur dhe përkujton All-llahun ( bën dhikr ), deri sa të lind dielli, pastaj fal dy rekate namaz ( Ishrak ), do t’i shkruhet shpërblimi i një haxhi dhe umreje të plotë. Enesi bin Maliku tha fjalën “do t’i shkruhet shpërblimi i një haxhi dhe umreje të plotë“. Profeti a.s e përsëriti 3 herë (Tirmidhi).

Pastaj Pejgamberi a.s i pranonte njerëzit që  vinin për ta vizituar qoftë nga vendet e largëta a po të afërta. Vizitorët qëndronin në formë të hallkës rreth Profetit a.s. Atyre Pejgamberi a.s ligjëronte, këshillonte, jepte përgjigje rreth pyetjeve madje ja komentonte ëndërrat. Ndonjëherë i tregonte ëndërrat e veta sahabëve.

Sjellja dhe të folurit të Tij a.s.

Mënyra e të folurit të Profetit a.s ishte e ëmbël dhe tërheqëse. Fjalët i nxirrte një nga një, dhe të gjitha shprehjet ishin ndaras për të bërë që të tjerët ta kuptonin sa më mirë. Nuk qeshte me zë, buzëqeshte, Ai ishte njeriu me sjellje më të buta (Halim).

Kur i bëhej padrejtësi ndaj Tij, kur njerëzit bënin sjellje të gabuara ndaj Tij, Ai a.s. reagonte me butësi. Kurse kur bëhej padrejtësi ndaj Allahut dhe imanit, kurrë nuk heshte e i jepte përgjigjen e duhur.

Pejgamberi a.s nuk i shihte mëkatet e njerëzve. Ndonjëherë bëhej sikur nuk i shihte, e shpesh edhe sytë i kthente në anën tjeter. Edhe po t’i shihte, nuk ia përplaste fytyrës, nuk e griste perden e respektit dhe të dashurisë në mes të Tij dhe gabimtarit.

Modestia e Peygamberit a.s, mund të shihej më qartazi veçanërisht gjatë kontakteve me njerëzit. Çfarë do personi që gjendej në kuvendin e ndritur të Tij a.s  personit që fliste nuk ia ndërpriste fjalën e dëgjonte me durim aq sa personi nuk largohej nga e vërteta.

Profeti a.s ashtu sic ishte tolerant ndaj të afërmve dhe sahabëve, ashtu ishte edhe ndaj armiqëve.  Sidomos të dobtëve të tyre, veçanërisht në momentin ndaj atyre që dorëzoheshin. I falte ata, dhe në fund sjelljet e Tij të mira u bënin shkak që shumë prej tyre ta pranonin Islamin.

Ai a.s. kurrë nuk thoshte “Jo” kur i kërkohej dicka. Ishte njeriu më bujar.

Ibn Abbasi kishte thënë: Profeti a.s ishte njeriu më bujar. Posaçërisht në muajin e Ramazanit, e shtonte bujarinë e Tij (Buhari).

Namazi i Duhase

Biseda me njerëz dhe ndëgjimi i brengave të tyre, zakonisht zgjaste deri në kohën e para-drekës. Me të hyrë koha e para-drekës, Profeti a.s ndonjëherë i falte 4, ndonjëherë 8 rekate namaz të Duhasë. Rreth rëndësis se këtij namazi Profeti a.s ka thënë:

Në xhenet është një derë me emrin Duha.  Një lajmëtarë thërret kështu: Ku jeni o ju që keni falur namazin e Duhas? Kjo është dera që duhet të hyni, me mëshirën e Allahut hyni nga kjo derë brenda. (Taberani)

Pas namazit Profeti a.s nëse nuk kishte për të shkuar dikund tjetër, kthehej në shtëpi, dhe pyeste mos ka diq për të ngrënë. Në qoftë se kishte, e hante mëngjesin, nëse jo thoshte: “Atëherë jam me agjërim” dhe atë ditën e kalonte me agjërim. Kur thuhej që ka diçka për të ngrënë, zakonisht në shtëpi gjendej qumësht, hurma, e gjëra si disa copë bukë elbi. Pra çka gjendej në shtëpi atë e hanin dhe nuk bënin përzgjedhjen e ushqimit.

Kështu e përshkruanin ushqimin e Profetit a.s gratë dhe shokët e Tij:

– Pas hixhretit në Medine e deri kur ndërroi jetë, I Dërguari i Allahut a.s dhe familja e Tij nuk kanë ngopur barkun me bukë elbi tre ditë rresht.

– Nganjëherë lidhte gurë rreth barkut nga uria.
– Në shtëpinë e ndritshme më së shumti gjindej hurma dhe ujë.
– I Dërguari i Allahut a.s thoshte: “Unë jam rob i Allahut dhe ushqehem sikurse një rob”, dhe hante ushqimin duke qenë i ulur mbi gjunjë.

– Ulej për të ngrënë vetëm atëherë kur urritej dhe e përfundonte ushqimin para se të ngopej.

Nga këto mund të nënkuptojmë:

Ushqimi nuk kishte vend qëndror tek jeta e  Profeti a.s, dita nuk organizohej sipas kohëve të ushqimit, kur nuk kishte ushqim nuk shkaktohej problem, nuk shtrohej sofra me lloj-lloj ushqime, nëpër bisedat e Tij nuk flitej rreth llojeve të ushqime, nuk shkonte me kilometra për një ushqim më të mirë. Kur gjendja ishte e këtillë, atëherë mbetej më shumë kohë dhe para për gjërat më të dobishme, sikundër ditëve moderne.

Gjithashtu Pejgamberi a.s pas faljes së namazit të Duhasë, vinte në shtëpi, mirrej me punët e shtëpisë, i rregullonte këpucët ose rrobat e veta, i mjeljte kafshët (Ahmed bin Hanbel).

Namazi i Drekës

Pastaj, Pejgamberi a.s përgatitej për namazin e drekës. Me të hyrë koha e drekës shkonte në xhami, nuk i neglizhonte sunetet muekked para dhe pas farzit të drekës.

Nëse ajo ditë ishte ditë e xhuma, mbretëronte një gjallëri krejtësisht ndryshe, u përgatitej për namazin e xhumas si atmosferë bajrami. U prenin thonjët, u pastronin, veshnin rroba të reja, parfumoseshin dhe shkonin në xhami më herët. Dëgjohej me vëmendje hutbeja e Profetit a.s dhe pastaj falej namazi i xhumasë.

Pejgamberi a.s kohë pas kohe i vizitonte shokët e Tij, si Kryetar i shtetit mirrej me punët e popullit, mirrej me shkrimtarët e vahjit për shkrimin e ajeteve të sapo zbritura,  nëse ishin urdhëresa që duhej te implementoheshin menjëherë i urdhëronte lajmëtarët (munadi) dhe mirrej me mysafirët që vinin për vizita.

Përshembull në vitin e 6 Hixhri, kishte një numër të madh të vizitorëve. Një pjesë të ditës e ndante për mikëpritjen e vizitorëve, u përgjigjej pyetjeve të tyre, kërkesave të tyre dhe i përcjellte ata në mënyrën më të mirë.

Pejgamberi a.s pushonte para ose pas drekës

Para ose pas faljes së namazit të drekës Pejgamberi a.s bënte një gjumë të shkurtër ‘kajlule’. Në një hadith, thotë Profeti a.s: Bëni kajlule në kohë të drekës, padyshim se shejtanët nuk bëjnë kajlule në kohën e drekës.(Muslimi)

Kajlule është një pushim dhe gjumë të shkurtër që bëhet para ose pas drekës. Myslimani që bën kajlule, përpos se e kryen një sunet, gjithashtu edhe mbledh fuqi për ta falur namazin e natës (tehexhudit). Është mirë për atë që ka mundësi ta kryej këtë sunet. Gjithashtu është sakëtsuar nga Sehl bin Seadi se ata (të parët tanë) e praktikonin gjumin e kajlules ne ditën e xhuma, pas faljes se xhumasë.

Namazi i Ikindisë

Pas kajlules Pejgamberi a.s bëhej gati për namazin e ikindisë. Me të hyrë koha e Ikindisë, Pejgamberi a.s herë e falte sunetin herë nuk e falte. Lidhur për sunetin e ikindisë Pejgamberi a.s ka thënë:

Kush i falë katër rekate sunet para ikindisë, Allahu xh.sh e bën haram trupin e tij për zjarrin e xhehenemit” (Taberani)

Pas mbarimit të namazit, pa u ngritur nga vendi, Ai a.s. bënte dhikër. Enesi bin Malik r.a. transmeton se Pejgamberi a.s thotë:

Qëndrimin me një popull që përmend Allahun prej namazit të ikindisë e deri në perendim të diellit, e parapëlqej më shumë sesa lirimin e katër robërve nga bijët e Ismailit që kanë vlerën 12 mijë derhem secili” (Ebu Davud, Ebu Ja’la, Ibn-i Ebi’d-Dunja)

Pejgamberi a.s para akshamit shkonte në shtëpi dhe vizitonte secilën bashkëshorte, qëndronte nga pak dhe i pyeste për hallet e tyre. Ai a.s sillej me bashkëshortet me një moral të lartë edhe kështu e urdhëronte edhe umetit që të silleshin.

Në një hadith, Profeti a.s thotë:

Besimtari me besim më të përkryer është ai që e ka moralin më të mirë. Më i miri prej jush është ai që është ai që sillet më së miri me familjen e vet (Ebu Davud, Tirmidhi)

Sjellja e Profetit a.s me bashkëshortët

I Dërguari i Allahut a.s jetonte një jetë shumë modeste. Si një pjesëtarë i shtëpisë, Profeti a.s merrte pjesë dhe i ndihmonte grave të veta në pothuajse të gjithë punët e shtëpisë. Për shembull, kur të gjithë punonin në një punë, edhe Profeti a.s bashkangjitej dhe mundohej të ishte bashkë me ata, i rregullonte këpucët, i qepte rrobat, mjelte delet, ushqente kafshët, e pastronte shtëpin dhe punë të tjera.
Pas akshamit Profeti a.s shkonte tek dhoma e gruas që e kishte radhën dhe i ftonte të gjithë të tjerët që të bënin bisedë bashkarisht.

Ashtut sic e cekëm më sipër, I Dërguari i Allahut a.s pas akshamit shkonte tek dhoma e gruas që e kishte radhën, i ftonte gratë e tjerë dhe fillonte biseda familjare. Në mënyrë të tillë, qerdha e Pejgamberit a.s. edhe sa ishte Ai gjallë, edhe pasi që ndërroi jetë, ka vazhduar të jetë një atmosferë ku dominonte ilmi (dituria). Gratë e Pejgamberit a.s. i vazhduan këto biseda edhe pasi ndërroj jetë Ai a.s., ato vazhduan t’ja kumtojnë njerëzve të tjerë këto dituri të dobishme. Sa i përket temave të bisedave, krahas atyre të përgjithshme Islame, mësimi i drejtë, transmetimi dhe përhapja e temave specifike rreth grave ishte bërë falë jetës së tillë familjare të Pejgamberit a.s. Këto biseda pas akshamit ishin shkollë në vehte që është bërë shkas për pregatitjen e dijetarëve të mëdhenj sikur Aisheja r.a. Por, me siguri se nuk fliteshin gjithmonë vetëm tema rreth fesë, thurrej një bashkëbisedim i sinqertë mes anëtarëve të familjes (me prejardhje, kulturë dhe karaktere të ndryshme), e kuptonin më mirë njëri tjetrin, ia lehtësonin barrën e rënde të risaletit (shpalljes) që kishte Pejgamberi a.s., dhe ndonjëherë edhe bënin njëri tjetrin të qeshnin. Shkurtimisht formonin atmosferën e këndshme dhe të lumtur që duhet të ekzistojë tek një familje.

Namazi i Akshamit

Pas kësajë, përgatitej për namazin e akshamit. Pas ezanit të akshamit Pejgamberi a.s printe për farzin e akshamit dhe pastaj i falte 2 rekate namaz sunet. Më pas proekupohej me dhikër dhe me falje të namazit evabin (2-6 rekate namaz nafile). Në këtë mënyrë priste namazin e Jacisë.

Namazi i Jacisë

Me të hyrë koha e namazit të jacisë, Pejgamberi a.s ndonjëherë falte sunetin para farzit, ndonjëherë jo. Ndërsa pas faljes së farzit të jacisë, Profeti a.s asnjëherë nuk e neglizhonte sunetin muekked prej dy rekateve. Pas kësaj pushonte dhe gjatë natës ngrihej për faljen e namazit të Vitrit.

Në një hadith të transmetuar nga Xhabir r.a., Pejgamberi a.s thotë:

Kush frikesohet se nuk do te zgjohet ne fund te nates, le ta fale vitrin ne fillim te saj, kurse kush ka vullnet dhe shpreson se do te ngrihet ne fund te nates, le ta fale vitrin ne fund te saj, sepse namazi i nates eshte i deshmuar (nga engjejt) dhe kjo eshte me e mire.” (Muslim)

Pas faljes së jacisë, Pejgamberi a.s kthehej në shtëpi dhe natën e kalonte me gruan që e kishte radhën, pas namazit të jacisë nuk preferonte të fliste (Buhariu)

Na tregon Abdullah ibn Mesudi r.a.:

I Dërguari i Allahut a.s na ka ndaluar të bisedojmë pas namazit të jacisë. (Ibn Maxhe, Salat 12)

Siç po shohim, I Dërguari i Allahut a.s pas jacisë nuk preferonte të bëheshin biseda boshe dhe të pa dobishme dhe si rezultat të flihet vonë, sepse me këtë njerëzit mund të mos ngrihen për namazin e sabahut ose të kenë vështirësi të ngrihen për namazin e natës (tehexhud).

Kur nuk kishte ndonjë punë të rëndësishme Profeti a.s nuk dilte jashtë. Por kishte edhe raste që dilte, një nga rivajetet për daljen e Profetit a.s jashtë pas jacisë:

Një natë Profeti a.s shkoj për të vizituar Ebu Bekrin r.a dhe Omerin r.a, aty e vërejti se Ebu Bekri r.a lexonte Kuranin me zë shumë të ulët kurse Omerin r.a me zë shumë të lartë. Pas namazit të sabahut u takua me ta dhe i tha Ebu Bekrit r.a ta ngris zërin pak me shumë zërin kurse Omerit r.a ta ulte pak zërin”.

Pushimi – Gjumi

Si çdo herë që Pejgamberi a.s rrinte me abdes, edhe para se të tërhiqëj për pushim merrte abdes.

Në një hadith Pejgamberi a.s ka thënë:

Kur dikush shtrihet me abdes, atë natë kalon me një melek të mëshirës. Pasi të zgjohet, Meleku lutet për të ”O Allahu im fale filanin sepse ai natën e kaloi me abdes”( Ibn Hibban)

Në një hadith tjetër I Dërguari ka thënë:

Kur dëshiron që të shtrihesh për të fjetur, merr abdes sikurse për në namaz pastaj shtrihu në krahun e djathtë dhe thuaj:

O Allahu im, unë ta dorëzova Ty shpirtin tim. Fytyrën time e ktheva kah Ti. Ty ta kam dorëzuar çështjen time. Tek Ti strehova shpinën time me dëshirë dhe frikërespekt. Nuk ka shpëtim dhe as strehim përveç se tek Ti. Unë kam besuar në librin Tënd, Kuranin të cilin e ke zbritur dhe e kam besuar lajmëtarin Tënd, Muhamedin të cilin e dërgove. Ai person i cili e thotë këtë lutje dhe vdes, vdes në natyrën e pastër islame. Këto të jenë fjalët e fundit. ( Buhariu, Muslimi, Imam Malik, Tirmidhiu)

Sipas Aishes r.a: ”Profeti a.s para se të flinte, i bashkonte duart thoshte Suren Ihlas, Felek dhe Nas; u frynte duarve dhe prekte çdo pjesë të trupit që mund të arrinte, duke filluar nga koka. Këtë e përsëriste tre herë”.

Para se të flinte lexonte edhe Kuran.

Mënyra e fjetjes

Mënyra e fjetjes së Pejgamberit a.s ishte si në vijim:

Me të hyrë koha e Jacisë, Profeti a.s e falte namazin, I bënte lutjet e para gjumit dhe pushonte. Shtrihej në krahun e djathtë dhe shuplakën e dorës e vendoste poshtë faqes.

Pas mesit të natës, ose pasi kalonte një e treta e natës zgjohej, i pastronte dhëmbët me misvakun që gjithmonë e linte sipër kokës, merrte abdes dhe e fillonte të mirrej me ibadete (Tirmidhi)

Adhurimet e natës

Na transmetohet prej Aishes r.a:

Pejgamberi a.s. qëndronte në namaz ose falej derisa i ënjteshin këmbët. Kur e pyeta për se vepron kështu deri sa Allahu të ka falur gabimet e kaluara dhe të ardhshme, Ai (a.s.) tha: “A mos të jem edhe une rob falënderues? (Buhariu, Muslimi)

Pasi që namazi i natës( tehexhudit) për të Dërguarin e Allahut ishte vaxhip, Ai kurrë nuk e neglizhonte. E këshillonte edhe umetin e Tij që ta falnin namazin e natës (tehexhudit).

Ebu Hurejre (r.a) transmeton, se Profeti a.s ka thënë:

“Shejtani lidh tre nyje pas kokës kur ndonjëri prej jush bie në gjumë. Për çdo nyje troket dhe thotë: ke një natë të gjatë, prandaj fli. Nëse zgjohesh dhe e përmend Allahun, zgjidhet një nyje. Nëse merr abdes, zgjidhet nyja e dytë e nëse falesh zgjidhet nyja e tretë. Nëse vepron kështu gdhin i lumtur dhe i disponueshëm, në të kundërt gdhin i padisponueshëm dhe përtac.

Në një hadith tjetër Profeti a.s ka thënë:

Natën është një orë, kush mund të qëlloj duke bërë lutje në atë orë, padyshim se Allahu do të jap atë punë të hajrit që kërkon rreth dynjasë ose Ahiretit. Kjo ndodhë cdo natë. (Muslimi)

Pas namazit të natës (tehexhudit) u përgatitej për namazin e sabahut. Në shtëpi e falte sunetin e sabahut dhe shkonte në xhami për ta kryer farzin e sabahut me xhemat.

I jepte rëndësi Teubes

Brenda ditës bënte istigfar rreth 100 herë dhe e urdhëronte edhe umetin e Tij për këtë.

O ju njerëz, drejtojuni Allahut me tevbe (pendim) dhe kërkim falje (Istigfar), edhe unë i bëj tevbe Allahut nga 100 herë në ditë.” (Transmeton Muslimi).

Pejgamberi a.s i jepte rëndësi edhe tesbihëve pas namazeve. Gjithashtu bënte edhe dhikret ditore si psh pas ngrënjes, para hyrjes dhe daljes nga shtëpia, para hyrjes në banjo dhe pas daljes. Të bërit këto dhikre është një mënyrë e ndjekes të traditës dhe sunetit të Pejgamberit a.s.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...