Home » Resulullah » Tufe hadithesh – Drite e pashuar (Pejgamberi s.a.v.s)

Padrejtesia nuk mbetet pa u ndeshkuar

Një hadith tjetër që nuk do të kalojmë pa e prekur, është edhe kjo thënie e Profetit: Allahu i jep kohë mizorit. Por kur e kap, për atë s’ka më shpëtim!” Pastaj Profeti vazhdon me këto fjalë të Kur’anit:

”Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd. Kështu i kap e i ndëshkon Ai popujt mizorë. Ndëshkimi i Tij është shumë i rëndë e i dhimbshëm!” (Kur’ani, Hud: 102)

Allahu i jep shumë kohë mizorit. Atë që ushtron dhunë e padrejtësi, atë që revoltohet e ngre krye kundër Tij, Zoti e pret me durim, duke i dhënë kohë. Veçse kur e kap për ta ndëshkuar, s’ka gjë që ta shpëtojë! Kjo do të thotë se padrejtësitë dhe mizoritë e kryera e kanë kapërcyer durimin dhe, si pika e fundit, e kanë derdhur gotën. Janë disa ligje të Zotit që veprojnë në gjithësi  që kurrë nuk ndërrojnë. Këtë na e tregon ajeti-argument ”Nuk ka ndërrim në atë që ka krijuar Allahu” (Kur’ani, Rum: 30). Një nga këto ligje është edhe ky: Mizori është shpata e Allahut. Duke na e sqaruar këtë gjë, i Dërguari i Allahut thotë: ”Mizori është drejtësia e Allahut. Me të Ai merr hak, pastaj ngrihet dhe merr hak edhe mbi të!” Mizori është shpata e Allahut. Ata që e tejkalojnë të drejtën e vet dhe e kapërcejnë masën, Allahu i rregullon me anë të mizorit. Pastaj ngrihet dhe hakmerret ndaj mizorit në mënyrë të tillë, që edhe ju mbeteni me gojë
hapur. Me gjendjen e tyre të sotme, mizorët vrapojnë si kuajt që kanë këputur frerin. Por ju në asnjë mënyrë nuk duhet të ndikoheni nga kjo e të bini në dëshpërim! Sa e sa katundeve” u ka dhënë, po kështu, kohë Allahu sikur t’u thoshte: ”hani, pini, bëni qejf! Mirëpo e keni parë se pastaj i ka përmbysur e i ka dhënë fund punës së tyre! Po qe se i hidhni sytë një herë përreth, edhe ju do të shihni krejt hapur
peizazhe konkrete të këtyre që po themi. Sodom, Gomore e Pompei janë vetëm tre shembuj të kësaj. Kushedi se edhe sa e sa shembuj ka që nuk i dimë, ose i kemi harruar se s’janë të këtij niveli, të cilët, të
gjithë së bashku, me gjuhën e gjendjes së tyre bëhen dëshmitarë të këtij ligji hyjnor.

Ç’është nevoja për të shkuar larg? Dikur, mbi këto dhera që jetojmë, ishte një shtet i madh. Shembja e tij ishte një gjë që s’mund të mendohej as në ëndërra. Kjo shembje që s’i shkonte kujt nëpër mend, nuk ka shpëtuar pa u shënuar në kujtesën e historisë si një ndodhi e hidhur……dhe kanuni që s’ndërron: Ja kështu të shkatërron Allahu.! Historianët dhe sociologët e vërtetë do të përfitojnë shumë nga ky ligj i pandryshueshëm i Allahut dhe nga shembujt në varrezën e Tij të historisë. Ndoshta ky përfitim do të sigurojë që ata të mbeten gjallë për shumë shekuj. Kurse ne le të kalojmë në një hadith tjetër. I Dërguari i Allahut urdhëron:

Shtate grupe njerezish nen hijen e Zotit

Allahu shtatë njerëz do të marrë nën hijen e Vet ditën e kiametit, kur nuk do të ketë hije tjetër: të parin, imamin e drejtë; të dytin, të riun që e kalon jetën nën gëzimin e adhurimit; të tretin, njeriun e dhënë pas faltoreve; të katërtin, secilin prej dy njerëzve që duhen dhe bashkohen për hir të Allahut dhe që ndahen prapë për hir të Allahut; të pestin, burrin i cili, në çastin kur po bie në rrjetën e femrës me post dhe bukuri, del kundër egos së vet duke thënë: ”Unë kam frikë nga Allahu”; të gjashtin, njeriun që, nga gjëja që dhuroi në të majtë, të japë në të djathtë pa u kuptuar; të shtatin, njeriun që, kur të jetë vetëm fare, të kujtojë Zotin dhe t’ i mbushen sytë me lot Ja, pra, specifikat e sipërme, të cilat nga këndvështrimi i vullnetit njerëzor, paraqesin veç e veç rëndësi të veçantë, janë, disa, punë shumë të vështira për t’u kryer dhe, disa, rrjeta që konsiderohen pengesa serioze për shpirtin. Sikur edhe të shpëtojë nga disa prej këtyre rrjetave, njeriu prapëseprapë ndodhet ballëpërballë me mundësinë për t’u kapur prej të tjerave. Mundësia për t’u shmangur prej këtyre kurtheve vrasëse që kapërcehen vetëm me mbrojtjen dhe favorin e Allahut dhe çuarja në vend me sukses e këtyre përgjegjësive të vështira që herë e vënë në diskutim fuqinë e njeriut e herë e kalojnë atë, mendoj se duhet të gjenden te dhënia e hakut vullnetit që konsiderohet preteksti më i fuqishëm e më i përshtatshëm i tërheqjes të po asaj mbrojtjeje dhe favori, te forcat për t’u gjendur në lidhje të ngushta me Allahun…

Ja, pra, kjo fjalë e Profetit, me një fragment të tillë nga xhemaati, bashkësia e njerëzve të bekuar që ka mundur të ekzistojë në çdo kohë me anë të vullnetit të vet dhe ka vënë në shesh forcën e lidhjeve me Allahun, është kah na paraqet neve shoqërinë ku sundon ndërgjegjja, e kërkuar, kjo, qysh herët nëpër utopitë, por përfundimisht e pagjetur, është kah na i entuziazmon ndjesitë e na i mbush shpirtrat me dëshirë për t’i arritur ata… Po, atë ditë kur dielli do të përcëllojë çdo anë, kur trutë do të ziejnë dhe djersët do të vijnë gjer në fyt, kur të gjitha justifikimet do të falimentojnë dhe çdo gjë do të kthehet kundër njeriut, nuk do të ketë hije tjetër veç mbrojtjes dhe favorit të Zotit dhe s’mund të ketë. Nuk ka rëndësi se si do të jetë kjo hije; e rëndësishme është të dimë se atë ditë rregulli i gjërave ka ndryshuar, kriteret dhe etalonet janë përmbysur, qielli dhe toka janë tjetërsuar.
Në këtë ditë të tmerrshme është jashtë çdo diskutimi se askush nuk do të ndihmojë tjetrin dhe se mbrojtjet e mbështetjet nuk do të vlejnë për asgjë. E kush mund të të mbrojë atë ditë kur zërat do të ndërpriten, kur shpirtrat do të vijnë në të dalë, kur njerëzve do t’u merren mendtë dhe do t’u turbullohet shikimi? Ja, pra, në një ditë të tillë ekziston vetëm një strehim: hija e mbrojtjes së Allahut! Ata që do të përfitojnë nga ajo hije, janë:

a- Lideri dhe udhëheqësi i shtetit, i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vet dhe
që, me respektimin e amaneteve të marra përsipër, përfaqëson të vërtetën,
drejtësinë dhe orientimin.

b- I riu që, në periudhat kur egoizmi dhe epshet kanë sunduar me tërbimin
e tyre më të madh, ia ka kushtuar veten adhurimit të Zotit pavarësisht nga
dëshirat trupore e materiale.
c- Heroi i adhurimit që i ka vënë dëshirën dhe harenë e adhurimit para
dëshirave materiale, zemra e të cilit rreh vazhdimisht në faltoret.
d- Vetmohuesit e dashurisë që janë dashuruar me njëri-tjetrin për hir të
Allahut, që janë bashkuar për hir të Allahut e që janë ndarë për hir të
Allahut, që i kanë bërë pikë orientimi e shprese pëlqimin dhe dashurinë e
Allahut.
e- Trimi që mundet ta çojë jetën gjithë në rrethin e frikës dhe respektit ndaj
Allahut, jashtëzakonisht i ndjeshëm në mbrojtjen e nderit dhe pafajësisë së
vet, i vendosur gjer në fund kundër dëshirave epshore, që mundet t’i shtypë
propozimet e këqia të nefsit, egos së vet, me mendimin dhe duke thirrur
"Unë kam frikë nga Zoti!"
f- Heroi i sinqeritetit dhe bujarisë i cili, si simbol të besnikërisë ndaj Allahut,
mallin e mbledhur me thonj e me dhëmbë e jep për të ushqyer nevojtarët
duke dashur që të mos ia dijë tjetërkush veç Allahut, madje me një dëshirë
që shkon gjer në xhelozi, ashtu që kur jep në të majtë, përpiqet që të mos e
shohë tjetri në të djathtë.
g- Heroi i ndjesive që i dimensionon çastet e vetmisë me meditim dhe
përkushtim, që u jep melodi përmes lotëve ndjenjave të poetizuara aty-këtu
në ndjesitë e tij, që e merr gjithmonë prej Allahut forcën e vullnetit, me të
cilën, në cilësinë e një dallgëthyesi, thyen e shpartallon dëshirat e
mbrapshta.

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up