Këta janë trimat e mëdhenj të ushtrisë së Allahut, të cilët i shkundin pluhurin Kadisijes të ngazëllyer se Allahu ua dhuroi fitoren.
Të gëzuar për shpërblimin që u është caktuar vëllezërve të tyre që ranë dëshmorë, ata mbetën me dëshirë të flaktë për të marrë pjesë edhe në beteja të tjera, të ngjashme me Luftën e Kadisijes për nga madhështia e tyre.
Ata pritnin me padurim që t’u vijë urdhri nga Halifi Omer ibnul Hattabi për t’a vazhduar Luftën e Shenjtë, ta çrrënjosin pushtetin e Kisras që nga rrënjët.
* * *
Nuk zgjati shumë parandjenja dhe dëshira e tyre e zjarrtë, u realizua.
Ja, ai është i dërguari i El Farukut (Omerit r.a.) që po vjen nga Medina në Kufe. Ai sjell me vete një urdhër nga Halifi për valiun e tij, Ebu Musa el Esh’ariun, për të shkuar me ushtrinë e tij që të takohet me ushtrinë e muslimanëve, e cila po vinte nga Basra. Ato të dyjat duhet të nisen së bashku për në Ahvaz për të ndjekur dhe shkatërruar Hurmezanin, dhe ta çlirojnë qytetin Tustere margaritar i pushtetit mbretëror dhe perlë e trojeve të Persisë.
Në urdhëresën, të cilën Halifi ia dërgoi Ebu Musasë, thuhej që atë duhet ta shoqërojë kalorësi trim dhe prijësi i tyre i respektuar, Mexhze’etu ibnu Thevër EsSedusi, prijës i fisit Beni Bekër.
Ebu Musa elEsh’ariu iu përgjigj urdhrit të Halifit të muslimanëve. Mobilizoi ushtrinë e tij dhe në krye të saj emëroi Mexhzeetu ibnu Thevër EsSedusin.
Ai (Mexhzeetu) me ushtrinë e tij iu bashkua ushtrisë islame që po vinte nga Basra. Dhe të dyjat së bashku shkuan për të luftuar në rrugën e Allahut.
Ata vazhduan të çlirojnë qytetet dhe të pastrojnë bunkerët. Hurmezani ikte para tyre prej një vendi në një vend tjetër, gjersa arriti në qytetin Tustere, ku u strehua në fortifikatën e tij.
* * *
Tustereja, vend ku u strehua Hurmezani, ka natyrë të bukur dhe është më i fortifikuari.
Përveç këtyre veçorive, ai është qytet i lashtë dhe me një histori të gjatë. Është ndërtuar në rrafshnaltë, në trajtë të kalit. Ai furnizohet me ujë nga një lumë që quhet Tigris (Lumi Tigris). Mbi të ka ujëvara me pishina, të cilat i ka ndërtuar Mbreti Sabur për ta ngritur në to ujin e lumit përmes tuneleve nëpër nëntokë.
Pishinat dhe ujëvarat e Tustere me tunelet e tij janë mrekulli nga mrekullitë e rralla në fushën e ndërtimit. Ato janë të ndërtuara me gurë të mëdhenj, të përforcuar me shtylla të hekurta. Pishina dhe të gjithë tunelet e qytetit janë mbuluar me llamarina plumbi.
Përreth Tustere-s gjenden mure të larta të rrethuara me strehimore.
Historianët kanë thënë për të:
“Ai është muri i parë dhe më i madh që është ndërtuar mbi dhe.”
Më pas, Hurmezani kishte hapur rreth murit një hendek të madh, që vështirë kapërcehej. Pas tij ishte vendosur elita e ushtrisë persiane.
* * *
Ushtria islame ishte llogoruar rreth hendekut të Tusteres. Aty qëndruan tetëmbëdhjetë muaj, pa arritur ta kalojnë atë. Gjatë asaj kohe muslimanët zhvilluan tetëdhjetë beteja me ushtrinë persiane.
Secila prej këtyre betejave fillonte me dyluftimin mes dy kalorësve të të dy ushtrive, e pastaj shndërrohej në luftë të ashpër shkatërruese.
Në këto dyluftime Mexhze’etu ibnu Thevri u sprovua me sprova nga më të vështirat, të cilat i hutuan mendjet e njerëzve, mahnitën kundërshtarët por, njëkohësisht, edhe miqtë.
Ai arriti t’i vriste njëqind trima të rrallë të kalorësve kundërshtarë gjatë zhvillimit të dyluftimeve. Nga emri i tij persianëve zuri t’u hyjë frika në palcë, ndërkaq në zemrat e mysliamanëve shtohej dinjiteti dhe krenaria.
Ata që nuk kanë pasur rastin të dinë, tashmë mësuan (për motivin) pse prijësi i muslimanëve dëshiroi që ky trim i paepur ta përgatisë aradhën sulmuese të ushtrisë muslimane.
Në betejën e fundit, nga ato të tetëdhjetat, muslimanët zhvilluan ekspedita të furishme, të njëmendta. Persianët në këtë betejë, ua lanë muslimanëve urat e instaluara dhe viaduktet që çonin mbi hendek. Ata kërkuan strehim në qytet dhe ua mbyllën muslimanëve dyert e fortifikatës së pakapërcyeshme.
Pas këtij durimi të gjatë, muslimanët kaluan prej gjendjes së keqe në një situatë edhe më të vështirë. Persianët zunë të hedhin rrebesh shigjetash nga lartësitë e kullave. Ata filluan të lëshonin zinxhirë të hekurt përmbi mure, e në krye të çdo zinxhiri kishte grepa me zjarr të furishëm.
Kur ndonjë ushtar musliman ia mësynte të hipte në mur apo t’i afrohej, ata e lidhnin te muri dhe e tërhiqnin lart në kullë. Trupi i tij digjej, mishi i binte copëcopë derisa vdiste.
* * *
Vuajtjet e muslimanëve u shtuan edhe më shumë. Ata zunë t’i luten Allahut me zemra të përvuajtura dhe të frikësuara, që t’ua largojë vuajtjet dhe t’ua mundësojë fitoren ndaj armikut të Tij dhe të tyre.
* * *
Ndërsa Ebu Musa el Esh’ariu meditonte për ta kaluar murin e madh të Tusteres, pa shpresë se do t’ia dilte, para tij ra një shigjetë që vinte nga lart, mbi mure. Kur e shikoi, në të gjeti një mesazh në të cilin thuhej:
“Ju kam besuar juve, o tog i muslimanëve! Unë kërkoj siguri për veten time, për pasurinë, për familjen time dhe për ata që vijnë pas meje, kurse unë po marr për detyrë t’ju çoj te një shteg përmes të cilit do të depërtoni në qytet.”
Ebu Musa i shkroi letër dërguesit të shigjetës përmes së cilës e njoftoi se do t’ia plotësojë kushtet e parashtruara dhe ia hodhi po ashtu me shigjetë. Njeriu u bind për mbështetjen e muslimanëve, meqë ai dinte sinqeritetin që kanë ata kur premtojnë dhe për zbatimin e besëlidhjes së tyre. Ai u përvodh nga të tjerët, pa u hetuar, nën hijen e errësirës.
Ai i tregoi Ebu Musasë hallin e tij të vërtetë dhe tha:
– Ne jemi nga paria e popullit. Hurmezani e ka vrarë vëllain tim të madh dhe ka sulmuar e plaçkitur familjen e tij. Ai më ka halë në sy, kështu që unë dhe fëmijët e mi ende ruhemi prej tij.
Unë e pashë të arsyeshme ta pranoj drejtësinë tuaj ndaj padrejtësisë së tij, ndërgjegjen tuaj të pastër ndaj tradhtisë së tij. Ndaj, vendosa t’ju çoj në një shteg të fshehtë, përmes të cilit do të depërtoni në Tustere.
Pra, më jep një njeri guximtar dhe të mençur, të jetë prej atyre që zotëron notin, me qëllim që t’ia tregoj rrugën!
Ebu Musa El Esh’ariu ftoi Mexhzeetu ibnu Thevrin dhe i tregoi me besim çështjen për të cilën e kishte ftuar, dhe i tha:
– Më ndihmo të gjej një njeri nga njerëzit e tu, që është i mençur, i vendosur dhe që ka aftësi të jashtëzakonshme për not!
– Më emëro mua, në vend të atij njeriu, o prijës! i tha Mexhzeetu.
– Nëse dëshiron të jesh ai njeri, atëherë qofsh nën bekimin e Zotit! ia ktheu Ebu Musa dhe e këshilloi mirë që mos ta humbë rrugën dhe të mësojë saktësisht se ku gjendet vendi ku është e vendosur porta. Të përcaktojë vendin ku gjendet Hurmazani, ta vërtetojë identitetin e tij dhe të mos bëj gjë tjetër (gabimisht) përveç kryerjes së detyrave për të cilat është urdhëruar.
* * *
Mexhzeetu ibnu Thevri u nis në rrugën e gjatë, në errësirën e natës, me udhërrëfyesin e tij persian, i cili e solli te një tunel nëntokë, që lidhte lumin me qytetin.
Tuneli shtrihej në formën e tij të gjerë deri te pusi i ujit dhe ai e kalonte duke ecur në këmbë, por në disa vende ishte i ngushtë dhe ai detyrohej ta kalonte me not. Në disa vende ai kishte marrë formë gjarpëruese, e në disa të tjera kishte formën e drejtë…
Ai vazhdoi rrugën me të gjersa arriti te shtegu përmes të cilit arrihej në qytet. Udhërrëfyesi ia tregoi Mexhzeetusë Hurmezanin, vrasësin e vëllait të vet, dhe vendin ku ai po qëndronte i siguruar.
Kur e pa Hurmezanin, i shkoi mendja ta “përshëndeste” me një shigjetë në gjoks, por nuk vonoi iu kujtua porosia që i kishte dhënë Ebu Musa, që të mos bëjë ndonjë gabim. Këtë dëshirë të flaktë (për ta mbytur Hermezanin) e mbajti në vete dhe, para se t’ia jepte agu i mëngjesit, u kthye nga kishte ardhur.
Ebu Musa përgatiti treqind veta nga ushtria islame, të cilët ishin trima mbi trima, të fortë dhe të qëndrueshëm. Ua mësoi notin dhe prijës të tyre emëroi Mexhzeetu ibnu Thevrin. I këshilloi dhe u dëshiroi rrugë të mbarë dhe u tha që tekbiri të jetë shenjë kushtrimi e ushtrisë muslimane për ta mësyar qytetin.
Mexhzeetu urdhëroi ushtarët e tij t’i zhveshin ca rroba, aq sa munden, që të mos u rëndohet trupi nga rrobat e lagura… Ai ua tërhoqi vërejtjen që të mos marrin me vete asgjë përveç shpatave të tyre… I këshilloi që t’i ngjeshin ato në trup, nën rroba… Ai kaloi me ta një të tretën e fillimit të natës.
* * *
Mexhzeetu ibnu Thevri dhe ushtria e tij trime mbetën afro dy orë duke u kacafytur me pengesat e atij tuneli të rrezikshëm, të cilat herë i tejkalonin, herë mposhteshin prej tyre.
Kur arritën në shtegun që shpiente në qytet, Mexhzeetu vuri re se tuneli ia kishte gllabëruar dyqind e njëzet ushtarë të ushtrisë së tij, nga e cila i kishin mbetur vetëm tetëdhjetë veta…
Kur Mexhzeetu shkeli në truallin e qytetit me shokët e vet, të gjithë së bashku i nxorën shpatat, shkuan te rojet e fortifikatës, i therën rojet në gjokse, pastaj kërcyen te porta dhe e hapën atë duke thënë tekbir. Tekbiri i tyre brenda bashkëjehonte me tekbirin e vëllezërve të tyre përjashtë.
Në mëngjes, muslimanët u vërsulën në qytet. Mes tyre dhe armiqve u zhvillua një betejë e ashpër. Historia pak ka dëshmuar për furitë e luftërave të tilla, për nga trishtimi dhe numri i madh i të vrarëve.
* * *
Ndërsa lufta zhvillohej nga të gjitha anët, Mexhze’etu e vuri re Hurmezanin në sheshin e luftës, u drejtua nga ai dhe kërceu me shpatë. Pas pak, një grup ushtarësh e rrëmbyen atë dhe e fshehën, me qëllim që të mos e shohë njeri.
Pastaj, ai e pa prapë, u vërsul kah ai dhe e sulmoi…
Mexhzeetu dhe Hurmezani iu vërsulën njëritjetrit me shpata. Dhe që të dy e qëlluan njëritjetrin me të rëna vdekjeprurëse. Shpata e Mexhzeetus u drodh, nuk e goditi kundërshtarin, por shpata e Hurmezanit qëlloi…
Trimi i paepur ra i vdekur në sheshin e luftës. Sytë e tij mbetën të ngazëllyer për atë që Allahu e kishte caktuar të jetësohet me duart e këtij trimi.
Ushtria muslimane vazhdoi luftën derisa Allahu ua mundësoi fitoren dhe Hurmezani u zu rob nga muslimanët.
* * *
Me të shpejtë, sihariqet filluan ta njoftojnë ElFarukun me lajme të gëzuara mbi fitoren e arritur. Ata çonin përpara Hurmezanin që ta shohë Halifi. Mbi kokë kishte kurorën e vet, të stolisur me xhevahirë, e në supe kishte rroba të stolisura me fije ari.
Megjithatë, sihariqet në zemrat e tyre sillnin edhe një ngushëllim të sinqertë për Halifin, me rastin e vrasjes së kalorësit të tij të paepur Mexhzeetu ibnu Thevri. Burimi
Shto koment