Kurse një herë tjetër kishte shkuar në Mekë për umre Dimad bin Thalebe nga fisi Ezd-i Shenue. Dimad ishte një person që ishte i dhënë pas mjekësisë, që u këndonte dhe u frynte të sëmurëve mendorë dhe që përpiqej të fitonte dituri. Kur i dëgjoi politeistët që thoshin se “Muhammedi është i marrë”, tha me vete: “Unë po shkoj ta shoh një herë këtë njeri! Ndoshta Allahu i jep shërim nëpërmjet meje!”
Dhe u ngrit nga kuvendi i politeistëve dhe shkoi te Profeti, të cilit i tha kështu:
“O Muhammed, Unë e mjekoj marrëzinë. Po deshe, po të mjekoj edhe ty! Ndoshta Allahu të jep shërim!”
I Dërguari i Allahut ia ktheu në këtë mënyrë:
“Lavdërimi është i posaçëm vetëm për Allahun! Ne e lavdërojmë vetëm atë dhe ndihmën vetëm prej tij e kërkojmë! Ne mështetemi te Allahu nga e keqja e vetes sonë! Nuk ka kush që ta çorientojë atë që e orienton Allahu! Gjithashtu, nuk ka kush që ta orientojë atë që e çorienton Allahu! Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut! Ai është një i vetëm! Ai nuk ka të ngjashëm e nuk ka shok! Gjithashtu, dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij!”
Fjalët e Profetit (s.a.s.) i pëlqyen shumë Dimadit dhe ai i tha Profetit:
“Kurrë nuk kam dëgjuar fjalë më të bukur se kjo! A po m’i përsërit edhe një herë?
Profeti ia përsëri edhe një herë. Pasi i kërkoi Profetit t’ia përsëriste edhe dy herë të tjera ato fjalë si margaritarë, Dimadi i tha:
“Unë i kam dëgjuar fjalët e orakujve, magjistarëve, poetëve dhe të çdo lloj njeriu, por kurrë s’i kam dëgjuar këto që the ti! Këto fjalë janë margaritarët më të çmuar të detit të ligjërimit dhe oratorisë!”
Dhe u bë musliman.
I Dërguari i Allahut e pyeti:
“A ma jep fjalën edhe në emër të fisit?”
“Po ta jap fjalën edhe në emër të fisit!” – I tha Dimadi. (Muslim, Xhum’a, 46; Ahmed, I, 302; Ibni Sa’d, IV, 241)
Duke i marrë fjalë Dimadit edhe në emër të fisit, pasi ai e kishte shprehur besimin në emër të vet, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ngarkoi Dimadin me detyrë si përfaqësues dhe mësues te fisi i vet për t’ua kumtuar Islamin!
Shto koment